Gazeta Nacional Albania

Si aviacioni Amerikano-Britanik eleminoi 1500 ushtarë nazistë gjatë Çlirimit të Tiranës

Ja si komunistët ia fshehën popullit shqiptar ndihmën Amerikano-Britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore
– Vetëm në një ditë nëntori të vitit 1944, 28 aeroplanë Beaufighters të RAF të pajisur me raketa sulmuan në Tiranë kazermat e fortifikuara dhe pozicionet e topave të forcave gjermane, duke u shkaktuar atyre humbje të shumta.
– Më 11 nëntor të vitit 1944 filloi faza finale e sulmit partizan në qytetin e Tiranës. Korpusi gjerman i XXII i përbërë nga 3.000 ushtarë i ardhur nga Struga e Maqedonisë nëpërmjet Elbasanit u drejtua për në Tiranë.
-Nuk kaluan veçse pak orë kur 6 avionë gjuajtës bombardues britanikë dhe bombardues të rëndë amerikanë bombarduan dhe mitraluan këtë autokolonë të gjatë gjermane gjatë rrugës automobilistike të Qafë-Kërrabës. Si pasojë e këtij bombardimi të rrufeshëm u vranë me qindra ushtarë si dhe u shkatërruan mjaft tanke, makina dhe topa në vendin e quajtur Mushqeta.
-Pas këtij bombardimi të fuqishëm ajror aleat ndërhynë edhe brigadat partizane që ndodheshin përreth dhe si pasojë u kapën rob afro 150 ushtarë gjermanë si dhe u zunë 18 automjete të ngarkuara me furnizime ushtarake si dhe dy tanke të padëmtuara.
-Raportet ushtarake të OSS-së amerikane referojnë se si pasojë e bombardimit të aviacionit aleat në betejën e Mushqetasë u vranë afro 1000 ushtarë gjermanë.
-Ditën e 28 nëntorit në tribunën e ngritur tek Hotel Dajti ku ndodhesh Enver Hoxha së bashku me komandantë të tjerë të lartë të forcave partizane ishin të pranishëm edhe Kapiteni Amerikan Thomas Stefan, Kapiteni Kukiç, Tetari Gus Ruci, Kapiteni Britanik Markus Llajen, etj.
-Por për çudi të mijëra qytetarëve të pranishëm gjatë fjalimit të tij Enver Hoxha i foli popullit për ndihmën e forcave aleate për çlirimin e Shqipërisë nga forcat gjermane duke mburrur në mënyrë të veçantë Ushtrinë e Kuqe Sovjetike dhe partizanët jugosllavë. Pra i bëri lëvdata të tepërta dhe të paqena Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë pavarësisht se asnjë prej këtyre dy vendeve nuk kishin kontribuar fare për forcat partizane shqiptare

Nga Saimir Maloku
Regjimi Komunist për 46 vjet e shtrembëroi dhe ia fshehu popullit shqiptar historinë e vërtetë të ndihmës së madhe që dha aviacioni aleat në clirimin e Tiranës dhe të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe operacionet ushtarako-detare dhe tokësore të Forcave Aleate.
Bazuar në burimet e ndryshme arkivore të huaja dhe shqiptare si dhe në kujtimet e misionarëve aleate që vepruan në vendin tonë si pasojë e sulmeve të mëdha ushtarake ajrore, detare dhe tokësore të Forcave Aleate Amerikano-Britanike nga muaji gusht i vitit 1943 e deri në mbarim të luftës, ushtria naziste pësoi afro 1800 ushtarë dhe oficerë të vrarë si dhe qindra të plagosur, ndërsa nga sulmet e forcave partizane dhe nacionaliste pati afro 800 ushtarë të vrarë. Kjo sepse Lufta Civile,Operacionet Gjermane të Dimrit (janar-shkurt) dhe të Qershorit të vitit 1944, i dhanë një goditje të rëndë forcave partizane dhe nacionaliste.
Ngjarjet e muajve të fundit të luftës në Shqipëri ishin tepër të rëndësishme në shporrjen dhe shkatërrimin e Forcave Gjermane që ndodheshin në vendin tonë dhe ato të cilët tërhiqeshin nga Greqia.
Me kërkesë të forcave partizane shumë avionë të Beaufighter të RAF më 10 dhe 11 gusht të vitit 1944 shkatërruan kazermat gjermane në Dibër me zjarrin e raketave. Forca ajrore e Ballkanit i sulmoi ato përsëri duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe materiale luftarake. Nga sulmet ajrore dhe ato të forcave partizane rreth 400 ushtarë gjermanë u vranë.
Çdo muaj 140 tonë furnizime hidheshin nga ajri dhe 300 tonë nga deti i dërgoheshin Ushtrisë Nacional-Çlirimtare nga forcat aleate anglo-amerikane. Gjatë muajit gusht të vitit 1944 u hodhën nga ajri 30 ton furnizime për forcat e Divizionit të Parë partizan.
Më 9 gusht të vitit 1944 u hodhën me parashutë një grup komandosh britanike prej 36 vetash në zonën ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit. Këto komandoheshin nga oficerët britanikë të LRDG-së Sten Istvudi dhe Ron Tinkeri. Enver Hoxha pranoi që Stend Istvud i shoqëruar nga Major Alan Hejr të shkonte në zonën e Pezës për tu lidhur me njësitet partizane atje. Në ditët e para të shtatorit të po këtij viti pati shenja për një tërheqje të trupave gjermane nga Greqia. Për këtë arsye, Enver Hoxha së bashku me Stend Istvud ranë dakord për të sjellë në Shqipëri disa patrulla desante të LRDG-së.
Më 24 shtator të vitit 1944 u hodh me parashutë një grup i madh prej 36 trupash desantosh britanike i komanduar nga Nënkolonel David Llojd i cili dëmtoi shtyllën kurrizore gjatë rënies me parashutë. Me anë të këtyre trupave komando u bënë sulme në rrugët Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Strugë për të vështirësuar tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia. Këtu pati edhe të vrarë në radhët e trupave komando britanike në zonën e Baldushkut.
Në Shqipëri deri në qershor të vitit 1944 ishin afro 25000 ushtarë gjermanë ku pjesa më e madhe e tyre ishin të inkuadruar në Korpusin Malor të XXI-të. Shtabi i Përgjithshëm i tyre ishte i vendosur në jug të Tiranës ( sot godina e Universitetit Politeknik të Tiranës). Shtabi i Përgjithshëm gjerman kontrollonte Divizionin 297 të Fanterisë të shpërndarë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. Ndërsa Divizioni 181 Malor ishte me bazë në Shkodër. Në ushtrinë gjermane kishte edhe mjaft ushtarë armenë, taxhikë, kozakë, turkmenë, mongolë etj. që kishin dezertuar nga Ushtria Sovjetike apo kapur rob prej gjermanëve dhe që kishin pranuar t’u bashkoheshin ushtrisë gjermane. P.sh. në Vlorë ishin 500 ushtarë gjermanë, 1000 ushtarë armenë, etj. Gjatë luftës ra shumë morali i ushtarëve gjermanë dhe rekrutëve të huaj si pasojë e bombardimeve ajrore të aviacionit aleat në Shqipëri.
Më 12 maj të vitit 1944, 250 ushtarë armenë dezertuan nga ushtria gjermane dhe u dorëzuan në Brigadën e IV-të partizane pranë Korçës. Në muajt në vazhdim u shtua dezertimi i këtyre ushtarëve rekrutë të huaj. Me dhjetëra ushtarë taxhikë, armenë, kozakë etj. ju bashkuan çetës së Abaz Kupit, etj. Ishte Radio Britanike BBC si dhe misionarët britanikë që nxisnin këto dezertime të rekrutëve të huaj si dhe të vetë ushtarëve gjermanë duke premtuar kthimin e tyre ku të dëshironin pas lufte.
Më datë 11 gusht të vitit 1944 në Helmës erdhën dy oficerë sovjetikë si Majori Ivanov dhe Togeri Turin ku Enver Hoxha i bëri një pritje të jashtëzakonshme ndërsa partizanët me udhëzimin e tij filluan të qëllojnë në ajër me të gjitha llojet e armëve për dy orë rresht sikur të kishte mbaruar lufta si dhe me ovacione të mëdha. Më vonë nga një bisedë që bënë misionarët britanikë dhe ata amerikanë me oficerët rusë u informuan se detyra e ardhjes së misionit sovjetik mbi të gjitha ishte e natyrës sekrete dhe se ata nuk kishin ndërmend të furnizonin forcat partizane me armatime dhe materiale të tjera.
Duhet të theksojmë se gjatë luftës Enver Hoxha kishte antipati për oficerët amerikanë dhe urrente ato britanikë. Ndërsa nga ana tjetër e rajonit në Jugosllavi grupet partizane nën udhëheqjen e Titos e pritën me kënaqësi të madhe mbështetjen amerikane. Edhe kur vritesh ndonjë pilot amerikan për shkak të luftimeve, ata i bënin atij nderime më të mëdha gjatë varrimit.
Në muajin gusht të vitit 1944 u mbajt një konferencë tepër e rëndësishme e Forcave Aleate në Bari të Italisë. Aty Enver Hoxha dërgoi dy përfaqësuesit e vet si Kolonel Bedri Spahiu, Nënkolonel Ramadan Çitaku, Major Frederik Nosi të shoqëruar nga oficeri amerikan Thomas Stefani dhe Nënkoloneli britanik Alen Palmer ku si pasojë e bisedimeve delegacioni shqiptar i UNÇl-së bëri marrëveshje me forca aleate për dyfishimin e furnizimeve ushtarake që do të ju dërgoheshin forcave partizane nëpërmjet ajrit, dërgimin e partizanëve të plagosur rëndë për trajtim në spitalet e forcave aleate në Itali si dhe pranimin e një delegacioni ushtarak shqiptar të përhershëm prej dy oficerësh partizanë si dhe me radist Myfit Poçarin pranë Shtabit Aleat që ishte në Bari të Italisë.
Gjithashtu po në muajin gusht të vitit 1944 aviacioni aleat bëri hedhje dhe furnizime të mëdha ajrore në fshatin Macukull të Matit ku spikati një veprimtari e shtuar e Çetës së Bilal Kolës, e cila kishte shumë luftëtare trima si Halit Kola, Xhemal Meta, Jakup Meta, etj. Shtëpia e Bilal Kolës dhe e personave të mësipërm ishte një bazë e fuqishme ku kryenin aktivitet tepër të rëndësishëm shumë oficerë misionarë britanikë. Po gjatë kësaj kohe Çeta e Abaz Kupit prej 2500 vetash u bashkua me atë të Ballit Kombëtar të drejtuar nga Mithat Frashëri dhe Abaz Ermenji prej 1000 vetash dhe vendosën të luftonin ndaj forcave gjermane. Çeta e Abaz Kupit deri atëherë nuk kishte luftuar kundër gjermanëve sepse Britania e Madhe nuk donte ta njihte Zogun si Mbret të Shqipërisë, sepse kjo do të prishte marrëdhëniet amerikano-britanike për arsye se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin kundër monarkisë.
Oficerët britanikë David Smajli, Xhulian Emëri dhe Bill Maklini që ndodheshin pranë këtij grupimi të madh zogisto-ballist prej mbi 3000 luftëtarësh me ndihmën e njerëzve të tyre arritën të depërtonin edhe në shpirtin e Komandës së Përgjithshme Gjermane në Shqipëri. Kjo sepse këta tre misionarë të guximshëm britanikë arritën të rekrutonin një oficer të ri gjerman në Tiranë, i cili jepte informacione tepër të sakta mbi urdhëresat gjermane të luftimit dhe kopjen e urdhëresave të operacioneve luftarake para se ato të fillonin. Si shpërblim ky oficer gjerman kërkonte garanci që kur të tërhiqej Komanda e Përgjithshme e trupave gjermane ai të mund të bashkohej me Misionet Britanike dhe të dërgohej në atdhe sapo të mbaronte lufta duke mos e konsideruar atë si rob por si bashkëpunëtor të tyre.
Këto informacione tepër të rëndësishme ushtarake misionarët britanikë ja dërgonin Shtabit të Përgjithshëm të Aviacionit Aleat në Itali duke bërë që në dy muajt e fundit të luftës forcat aleate të dinin qëllimet dhe lëvizjet e përditshme të çdo kompanie të trupave gjermane në të gjithë Shqipërinë. Këto oficerë britanikë rrezikuan veten e tyre duke u futur shpesh herë të veshur si civilë edhe brenda qyteteve të Tiranës, të Durrësit, etj., në mënyrë që të njiheshin sa më afër me situatën dhe gjendjen e popullsisë civile dhe të ushtrisë gjermane atje.
Më datë 29 gusht të vitit 1944, oficeri britanik Dejvid Smajli i shoqëruar nga Halit Kola, i cili ishte përkthyes i çetës zogiste të Abaz Kupit, arriti të futej në makinën e Komandantit të Xhandarmërisë së Durrësit si dhe kaluan disa postblloqe gjermane për të vëzhguar mbi mbrojtjen e qytetit. Një kapter gjerman i një patrulle të tillë, nga që Dejvid Smajli nuk kishte dokumente dhe ndoshta nga që mund të ishte spiunuar nga dikush, kërkoi të qëllonte mbi atë, por ndërhyrja e Halit Kolës e shmangu me shpejtësi këtë gjë. Oficeri britanik u tregua i shkathët dhe veshi uniformën e një xhandari shqiptar dhe i hipur në një kamion me ushtarë gjermanë u kthye më datë 1 shtator të vitit 1944 tek çeta e Abaz Kupit dhe i ndaloi forcat nacionaliste të sulmonin Durrësin. Bilal Kola sipas oficerit britanik Xhulian Emëri ishte më trimi i të gjithë kapedanëve të Matit. Vëllai i tij, Halit Kola u plagos rëndë në luftime të ndryshme. Prandaj kjo është arsyeja që gjatë ndërmarrjeve të rrezikshme ushtarake që bënin oficerët britanikë gjithmonë kërkonin të shoqëroheshin nga nga njerëzit besnikë dhe trima të familjes së mësipërme Kola.
Gjithashtu në shtator të vitit 1944 këto oficerë britanikë arritën të nxisnin dezertimin e dhjetëra ushtarëve rekrutë taxhikë, turkmenë, kozakë, etj. që ndodheshin të inkuadruar pranë garnizoneve gjermane. Këta të fundit vranë komandantët e tyre nazistë dhe ju bashkuan këtij grupimi të madh zogisto-ballist. Numri i këtyre dezertorëve të huaj arriti në mbi 1000 vetë. Me këtë grupim u bashkuan edhe dy pilotë amerikanë përkatësisht Kapterët Shumejkër dhe Korsetino, të cilët muaj më parë ishin hedhur me parashutë për arsye se avioni i tyre bombardues i rëndë katër motorësh Liberator ishte goditur nga zjarri kundërajror gjerman dhe që më vonë ata ishin strehuar pranë çetave balliste.
Gjatë muajit shtator të vitit 1944 ky grupim tepër i madh luftëtarësh zogisto-ballist të komanduar nga tre oficerët britanikë, nga Abaz Ermenji dhe këshilltari i tij ushtarak Rauf Fratari, u hodhën në aksione të mëdha luftarake kundër trupave gjermane në Zonën e Ishmit, të Krujës, etj. Ata ndërmorën shumë aksione luftarake kryesisht natën ndaj autokolonave gjermane gjatë rrugës automobilistike Tiranë-Shkodër si dhe hodhën në erë disa ura të rëndësishme. Vlen për tu përmendur aksioni i tyre ditën e 10 shtatorit të vitit 1944 ndaj një autokolone gjermane prej 40 kamionësh. Si pasojë e këtyre luftimeve të ashpra tre kamionë dhe tetë motoçikleta gjermane u shkatërruan ndërsa 18 kamionë të tjerë të tillë u dëmtuan dhe u plaçkitën. Gjithashtu u vranë dhe 35 ushtarë gjermanë si dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Ndihmë të madhe gjatë këtyre aksioneve të tyre dhanë avionët britanikë gjuajtës bombardues Beafighter.
Në muajin Shtator të vitit 1944 u planifikua një operacion i madh i trupave komando britanike “Hound Force”. Pikësynimi i këtij operacioni që do të zhvillohesh më datën 22 shtator të vitit 1944 ishte çlirimi i qytetit të Sarandës dhe izolimi i Korfuzit. Më datën 6 tetor të vitit 1944 filloi zbarkimi i forcave britanike disa kilometra në veri të Sarandës, në gjirin e Kakomesë me anën e anijeve zbarkuese desante. Forcat britanike të zbarkimit HOUND FORCE përbëheshin nga njësitë desante No2-Komando Britanike, No40-Komandot e Marinës Mbretërore Britanike, No1-Kompania Parashutiste Britanike e RAF, Forcat Desantuese të LRDG-së dhe Forcat Partizane Shqiptare.
Gjithashtu edhe aviacioni britanik filloi të mitraloi trupat gjermane. Trupat komando britanike dhe njësitë partizane filluan të sulmojnë nga veriu i Sarandës ndërsa trupat desanto parashutiste britanike zbarkuan me anije të posaçme nga jugu i Sarandës. Këtu forcat britanike përdorën edhe trupat desanto siriano-kurde (asirianët-komunitet kristian që banon në Irakun dhe Sirinë veriore). Trupat britanike komandoheshin nga Majori Hudson dhe Kapiteni Joe O’Sullivan.
Brigadat komando britanike Nr. 40 dhe Nr. 2 të pajisura me një sasi të konsiderueshme artilerie nën komandën e Gjeneral Tom Çurçilli në bashkëpunim me Brigadat tona Partizane të XII, XIV dhe të XIX çliruan më 9 tetor të vitit 1944 qytetin e Sarandës. Disa marinarë, parashutistë dhe oficerë britanikë dhe asirianë të grupeve komando dhanë jetën gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme. Në Sarandë u vranë Kapiteni britanik M.S. Macpherson, Kapter J.S. Bain (32 vjeç) si dhe marinarët J.V. Salt (20 vjeç), G.S. Pratt (22 vjeç), Ë. J. St.Ange (24 vjeç), R. Pincher (19 vjeç) të gjithë të Forcave Detare Mbretërore. Gjithashtu u vranë gjatë operacioneve tokësore në Sarandë dhe në gjirin e Kakomesë edhe Kapiteni G. A. Parsons, M.C., Kapiteni P. B. Ëhitehouse (26 vjeç), Reshter H. V. Button (21 vjeç), Prifti Ushtarak G.B. Bauting M. A. (32 vjeç) si dhe ushtarët A. J. Clarke (23 vjeç) dhe H. Gee (24 vjeç) të Forcave të ndryshme Mbretërore. Gjithashtu u vranë edhe 6 pjesëtarë të Kompanisë Parashutiste të RAF Asyrian/Kurd si Odisho Sulaka, Youklama Sliëo, Youkhana Mikhail, Hormis Daniel, Paulos Essa dhe Zaia Enëia. Ndër të tjerë nga forcat aleate britanike dhe asiriane u plagosën me dhjetëra vetë.
Gjithashtu u rrëzua edhe një aeroplan gjuajtës bombardues britanik që mori pjesë në këtë aksion për çlirimin e Sarandës. Në aksionin aleat për çlirimin e Sarandës morën pjesë afro 2000 trupa britanike dhe aleate. Si pasojë e këtyre luftimeve garnizoni gjerman në Korfuz nisi të dorëzohet më 12 tetor të vitit 1944. Në këtë kohë Enver Hoxha me qëllimin për të larguar trupat britanike nga Saranda, ju ankua Shtabit Aleat në Itali se gjoja marinarët britanikë po plaçkitnin Sarandën.
Më datën 12 tetor të vitit 1944, gjatë një aksidenti tragjik i shkaktuar nga dallgët e mëdha të detit në përpjekje për të hipur në një barkë të shpejtë Torpedo u mbyt togeri radiotelegrafist britanik Baten. Gjithashtu gjatë muajit tetor të vitit 1944, sidomos në zonat bregdetare të Shqipërisë së Mesme pati shumë raste të sëmundjes së Malaries midis popullsisë civile dhe njësiteve partizane. Falë ilaçeve të dërguara nga forcat aleate siç ishte medikamenti i Kininës shumë civilë dhe partizanë shpëtuan nga kjo sëmundje e rëndë.
Dy patrulla të tjera të LRDG-së u hodhën me parashutë dhe u dërguan për të goditur trupat gjermane që filluan të tërhiqeshin pjesë pjesë drejt Shkodrës. Ata i komandonte oficeri Xhek Ejtken, i cili erdhi me anijen që mori po atë natë më 26 tetor të vitit 1944 Majorin Maklin për në Itali. Këto patrulla desantosh qëndruan në vendin tonë vetëm 3 javë, sepse gjetën një bashkëpunim të dobët nga ana e forcave partizane, vëmendja e të cilëve ishte e përqendruar për çlirimin e Tiranës.
Gjithashtu u hodh me parashutë edhe një grup i vogël i LRDG-së i komanduar nga Oficeri Britanik David Sadherlend, i cili kishte për detyrë të ndërpriste lëvizjet e trupave gjermane ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë në anën lindore të vendit tonë.
Nga fundi i muajit shtator dhe në vazhdim forcat partizane u përqendruan në rrethinat e qyteteve kryesore për çlirimin e tyre. Pra frontet e tyre të luftimeve ishin larguar nga sheshet malore të hedhjeve gjë që e vështirësonte hedhjen e furnizimeve ajrore dhe rrezikut të goditjes së aeroplanëve aleatë nga artileria kundërajrore gjermane që ndodhesh për rreth këtyre qyteteve. Në këtë kohë Forca Britanike 399 me qendër në Itali, nisi të fuste një ekip të ri oficerësh britanikë si Majori Thorton, Kapiteni Oliver, Togeri Rouland Uin dhe shumë të tjerë, për tu lidhur me forcat partizane në veri të vendit si dhe për të përforcuar misionet ekzistuese britanike në pjesë të tjera të vendit.
Ushtarakët britanikë që qëndronin pranë njësiteve të mëdha partizane, me kërkesë të tyre dërgonin njoftime pranë njësiteve të mëdha ajrore të RAF. Këto sulme ajrore u bënë më të shpeshta. Oficeri britanik Sten Istvudi dhe patrullat e tij të LRDG-së qëndruan në Shqipëri edhe gjatë kohës së betejës për çlirimin e Tiranës duke ju dhënë një ndihmë të madhe forcave partizane të Divizionit I sulmues.
Më 26 tetor të vitit 1944 Armata Jugosllave dërgoi në vendin tonë (pranë Shkodrës) dy korrierë serbo-malazezë, si Majorin Vukadionoviç së bashku me një oficer tjetër të cilët i parashtruan oficerëve britanikë Maklinit, Xhulian Emërit, etj. që të transmetonin një informacion dhe një propozim të Gjeneralit Mihailloviç për në Shtabin e Përgjithshëm Aleat në Itali, se forcat partizane jugosllave ishin gati të sulmonin ushtrinë gjermane në Malin e Zi me kusht që këto të fundit të kishin përkrahjen britanike ndaj Titos. Këtë propozim misioni britanik ja transmetoi komandës aleate në Itali.
Ndihma e madhe e aviacionit ushtarak amerikano-britanik dhe e misionarëve të tyre gjatë muajve
tetor-nëntor të vitit 1944 për çlirimin e Tiranës
Nga fundi i muajit tetor të vitit 1944 për arsye se lufta në Shqipëri ishte afër fundit shumë misionarë amerikanë, britanikë dhe eksponentë edhe komandantë të çetave të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar si Abaz Kupi, Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Rauf Fratari, etj. së bashku me qindra vetë të tyre emigruan fshehurazi natën në Itali nëpërmjet anijeve malazeze të peshkimit. Anija e peshkimit malazeze ku ndodhej Abaz Kupi me shumë njerëz të tij i prishet motori në mes të Detit Adriatik dhe si pasojë 7 ditë dhe netë kjo anije lundronte e shtyrë nga era drejt jugut. Rastësisht një anije minahedhëse aleate e dallon atë dhe duke e rimorkiuar e çon anijen e prishur bashkë me udhëtarët në Brindizi të Italisë.
Forcat partizane, numri i të cilëve ishte rritur shumë shpejt në afro 70.000 veta të vendosura të divizione, brigada dhe batalione të shumta gjatë kësaj kohe u ndihmuan shumë nga aviacioni aleat dhe misionarët e tyre duke i dhënë goditjen e fundit forcave gjermane që tërhiqeshin nga Greqia dhe Maqedonia drejt Shkodrës gjatë muajve tetor-nëntor të vitit 1944. Është për tu theksuar se gjatë këtyre dy muajve aviacioni aleat amerikano-britanik ndërmori shumë sulme dhe bombardime ajrore ndaj autokolonave të gjata gjermane, ndaj depozitave të karburantit në Durrës, ndaj vendburimeve të puseve të naftës në Kuçovë, ndaj Aerodromit të Tiranës, etj.
Në fillim të muajit shtator të vitit 1944 popullsia e Tiranës ishte 35 mijë banorë. Por gjatë këtyre muajve të fundit të luftës shumë banorë që banonin në fshatrat përreth saj dhe nga krahina të tjera të Shqipërisë u dyndën dhe u shpërngulën drejt kryeqytetit duke kërkuar të shpëtonin nga lufta që zhvillohej kryesisht nëpër fshatra dhe ku trupat gjermane i kishin djegur shtëpitë dhe kasollet e tyre. Si pasojë e këtij imigrimi për shkak të luftës në fillim të muajit nëntor popullata e Tiranës ishte më shumë se 100 mijë banorë.
Në Tiranë ndodhesh një garnizon gjerman tepër i fortifikuar me 3 mijë ushtarë kryesisht të Divizionit të 297 të Këmbësorisë. Gjithashtu si bashkëpunëtorë të tyre ishin edhe 500 luftëtarë pro-nazistë të Ballit Kombëtar. Në të gjitha ndërtesat qeveritare të Tiranës u vendosën shumë snajper dhe vrojtues gjermanë. Ata kishin ngritur shumë postblloqe dhe pengesa rrugore. Plani gjerman nuk kishte për qëllim të mundte nëpër beteja forcat partizane por kishin për qëllim që të vononin avancimin e forcave partizane drejt Shqipërisë së Mesme në mënyrë që të gjitha armatat gjermane që vinin nga Greqia dhe Struga të tërhiqeshin në formacione të rregullta drejt Malit të Zi.
Më 15 shtator të vitit 1944 Enver Hoxha i dërgoi një urdhër Mehmet Shehut që e udhëzonte atë që divizioni i tij do të udhëhiqte ofensivën me atë në krye për çlirimin e Tiranës. Divizioni I partizan filloi përgatitjet e ofensivës qysh më datën 6 tetor të vitit 1944 duke ju afruar Tiranës nga ana lindore, ndërsa Brigada IV, VIII dhe IX e Pezës ju afruan nga ana jugperëndimore. Pas disa ditëve dy avionë britanikë Beaufighter bombarduan dhe mitraluan forcat gjermane tek Kodra e Priftit afër Tiranës që ishte e çliruar nga forcat partizane. Ndërsa nga ana tjetër po gjatë kësaj dite 3 avionë bombardues të rëndë aleatë bombarduan Aerodromin e Tiranës dhe një autokolonë gjermane që po shkonte në drejtim të tij. Oficeri britanik Stivens i LRDG-së me radistët e tij që ndodheshin afër Saukut informonin dhe kërkonin ndihmën e aviacionit aleat që ndodhesh në Itali për të ndihmuar me sulmet e tyre ajrore të fuqishme për çlirimin e Tiranës.
Më datë 18 tetor të vitit 1944 për këtë qëllim 3 oficerë britanikë të SOE-së si Majori Viktor Smith, Majori M.J.Thornton dhe Kapiteni J.F.Oliver gjatë një takimi që patën me Mehmet Shehun në shtabin e tij partizan këmbëngulën që Divizioni I të niste sa më shpejt sulmin ndaj garnizonit gjerman të Tiranës. Por ai refuzoi dhe e nisi sulmin më vonë në datën 29 tetor të vitit 1944 në orën 18. Duke filluar nga data 1 nëntor forcat gjermane të garnizonit të Tiranës filluan të digjnin dhe të plaçkitnin dyqanet, shtëpitë dhe ndërtesat qeveritare. Në këto momente tepër të vështira, popullit të Tiranë i erdhi në ndihmë aviacioni amerikano-britanik, i cili godiste pa pushim ditë natë pozicionet e fortifikuara të forcave gjermane.
Vetëm në një ditë nëntori të vitit 1944, 28 aeroplanë Beaufighters të RAF të pajisur me raketa sulmuan në Tiranë kazermat e fortifikuara dhe pozicionet e topave të forcave gjermane, duke u shkaktuar atyre humbje të shumta. Pas një valë bombardimesh të pandërprera dhe të furishme të aviacionit amerikano-britanikë ra morali i trupave gjermane dhe si pasojë shumë ushtarë gjermanë filluan të dorëzoheshin. Rreth 125 robër gjermanë të dorëzuar u dërguan në drejtim të Aerodromit të Tiranës për të bërë riparimin e tij duke u instruktuar nga misionarët britanikë.
Më 11 nëntor të vitit 1944 filloi faza finale e sulmit partizan në qytetin e Tiranës. Korpusi gjerman i XXII i përbërë nga 3.000 ushtarë i ardhur nga Struga e Maqedonisë nëpërmjet Elbasanit u drejtua për në Tiranë. Në këtë kohë oficerët britanikë të LRDG-së kërkuan ndihmën e menjëhershme të aviacionit aleat si dhe ndërkohë hodhën në erë një urë tepër të rëndësishme mbi lumin Erzen në mënyrë që të pengonin ardhjen e autokolonës gjermane në Tiranë. Nuk kaluan veçse pak orë kur 6 avionë gjuajtës bombardues britanikë dhe bombardues të rëndë amerikanë bombarduan dhe mitraluan këtë autokolonë të gjatë gjermane gjatë rrugës automobilistike të Qafë-Kërrabës. Si pasojë e këtij bombardimi të rrufeshëm u vranë me qindra ushtarë si dhe u shkatërruan mjaft tanke, makina dhe topa në vendin e quajtur Mushqeta. Pas këtij bombardimi të fuqishëm ajror aleat ndërhynë edhe brigadat partizane që ndodheshin përreth dhe si pasojë u kapën rob afro 150 ushtarë gjermanë si dhe u zunë 18 automjete të ngarkuara me furnizime ushtarake si dhe dy tanke të padëmtuara.
Raportet ushtarake të OSS-së amerikane referojnë se si pasojë e bombardimit të aviacionit aleat në betejën e Mushqetasë u vranë afro 1000 ushtarë gjermanë. Ndërsa raportimet partizane thonë për afro 20 veta të vrarë nga ana e tyre në këtë betejë. Ushtarët gjermanë të kësaj autokolone të mbetur gjallë u shpërndanë të shpartalluar nëpër kodrat përreth. Njëzet ushtarë gjermanë të këtij kontingjenti, duke qenë të maskuar si barinj u kapën nga forcat partizane. Pra bombardimet e shumta të aviacionit ushtarak amerikano-britanik dhanë një ndihmë të jashtëzakonshme jo vetëm për çlirimin e Tiranës por edhe për shpëtimin e popullsisë së saj nga masakra gjermane që kishin paralajmëruar si hakmarrje djegien dhe shkatërrimin e qytetit.
Me paturpësinë më të madhe Mehmet Shehu e trumbetoi betejën e Mushqetasë dhe atë të çlirimit të Tiranës si një fitore të forcave të tij partizane dhe jo të forcave aleate. Kjo vlen për tu përmendur se gjatë luftës së Tiranës forcat partizane ishin 2000 vetë dhe kishin një armatim të lehtë si pushkë, pushkë automatike dhe disa mortaja ndërsa forcat e garnizonit gjerman ishin të armatosur me armë të rënda. Gjithsej humbjet e forcave gjermane ishin afro 1500 ushtarë të vrarë dhe 300 robër ndërsa nga forcat partizane ishin afro 150 veta të vrarë.
Më datë 17 nëntor të vitit 1944 u çlirua Tirana. Po atë ditë misionarët amerikanë të OSS-së Kukiç, O’Kifi dhe radistët e tyre shkuan në ndërtesën e boshatisur të Legatës Amerikane që edhe sot ndodhet në rrugën e Elbasanit. Aty ata ngritën flamurin amerikan që e kishin sjellë me vete duke e vendosur në shtizën e gjatë që ishte në pjesën ballore të godinës së saj. Ishte hera e parë që flamuri amerikan valëvitej në Godinën e Legatës Amerikane pas 5 vitesh. Shumë qytetarë shqiptarë hynin në këtë ndërtesë dhe i kërkonin me ngulm misionarëve amerikanë që ti ndihmonin që të iknin nga Shqipëria nga rreziku i ndonjë reprezalje komuniste.
Misionarët amerikano-britanikë ndihmuan në çminimin e Aerodromit të Tiranës dhe në vendosjen në gjendje pune të tij. Robërit gjermanë të shoqëruar nga patrullat partizane u përdorën për të mbledhur, transportuar dhe varrosur kufomat e të vrarëve si dhe për të hequr makinat e djegura dhe të shkatërruara po ashtu edhe kufomat e kafshëve të ngordhura. Shumë intelektualë që kishin mbaruar studimet në vendet perëndimore si dhe shumë ish bashkëpunëtorë kolaboracionistë të gjermanëve u arrestuan dhe u pushkatuan fshehurazi pa gjyq.
Festimi për Çlirimin e Tiranës filloi qysh herët në mëngjesin e 28 nëntorit të vitit 1944 ku 6 avionë bombardues të rëndë britanikë Halifaks fluturuan mjaft ulët mbi Tiranë si dhe hodhën me mijëra fletë volante përshëndetëse gjatë bulevardit kryesor të saj (sot Bulevardi Dëshmorët e Kombit) ku ishin mbledhur me dhjetëra mijë banorë duke mbajtur parulla “Rrofshin Forcat Aleate,” etj. Pastaj këta avionë hodhën tek fusha e aviacionit me qindra pako me ushqime për qytetarët e varfër dhe të uritur të Tiranës.
Gjithashtu një ditë më parë Komanda Aleate në Itali dërgoi në Tiranë një aeroplan të madh katër motorësh transporti C-47 me furnizime të shumta si dhe solli Kapitenin Amerikan Xhejms Hudson i shoqëruar nga 3 fotoreporterë. Ditën e 28 nëntorit në tribunën e ngritur tek Hotel Dajti ku ndodhesh Enver Hoxha së bashku me komandantë të tjerë të lartë të forcave partizane ishin të pranishëm edhe Kapiteni Amerikan Thomas Stefan, Kapiteni Kukiç, Tetari Gus Ruci, Kapiteni Britanik Markus Llajen, etj.
Gjatë kësaj ceremonie madhështore qytetarët e Tiranës mbanin në duar mjaft flamuj amerikanë dhe britanikë krahas atyre shqiptarë, jugosllavë dhe sovjetikë. Gjatë parakalimit oficeri amerikan Thomas Stefan marshoi krah për krah me Enver Hoxhën. Por për çudi të mijëra qytetarëve të pranishëm gjatë fjalimit të tij Enver Hoxha i foli popullit për ndihmën e forcave aleate për çlirimin e Shqipërisë nga forcat gjermane duke mburrur në mënyrë të veçantë Ushtrinë e Kuqe Sovjetike dhe partizanët jugosllavë. Pra i bëri lëvdata të tepërta dhe të paqena Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë pavarësisht se asnjë prej këtyre dy vendeve nuk kishin kontribuar fare për forcat partizane shqiptare. Kjo ishte një shenjë e qartë se Enver Hoxha kërkonte ta fuste Shqipërinë nën ombrellën e Titos dhe të Stalinit. Ai gjatë fjalimit të tij përmendi pak fare ndihmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe, duke mos i falënderuar ata që kishin kontribuar dhe ndihmuar kaq shumë për çlirimin e Shqipërisë si dhe për armatosjen, veshjen dhe furnizimin e forcave partizane.
Vlen për tu përmendur se veshja ushtarake e vetë Enver Hoxhës, e komandantëve dhe e partizanëve si dhe e ushtrisë shqiptare deri në vitin 1950 ka qenë me uniforma angleze. Ndërsa gjatë luftës Enver Hoxha nuk lejonte asnjë qytetar apo partizan të vishte uniformë ushtarake amerikane sepse kishte dhënë urdhër që kundërvajtësit të ndëshkoheshin rëndë.