Gazeta Nacional Albania

Si ndihmon letërsia njerëzit në kohë luftrash,  krizash dhe  pandemishë. Nga Teuta Sadiku

 

 

 

Në periudha të vështira për njerzimin , si lufta  kriza, pandemitë,  letërsia ndihmon  për  të kuptuar  rëndësinë  e jetës përmes hapësirës dhe  peshës që përhap e mbart  fjala . 

Duke lexuar një  intervistë të shkrimtares Jojo Moyes për librin e saj   “Unë më parë se ti“  dhënë gazetës Indipendent ,botuar në shqip nga Uegen, mësoj se  shkrimtarja  frymëzimin e merr nga lajmet e ditës ,nëpër gazeta , nga  Media .. Ajo rastësisht para pak vitesh kishte dëgjuar  për  rastin e  lojtarit  regbie Daniel Xhejmsit, i cili   pasi u paralizua  u  mbushi  mendjen prindërve ta lejonin të  shkonte në  Dinjitas, qendër  për kujdesjeje . Jeta  si një i paralizuar  nuk është thjesht një jetë i ulur në karrocën me rrota ,por një  betejë e  e pafundme ,  kundër dhimbjes  dhe infeksioneve  si dhe një sfidë e fortë mendore. Jeta i mbush shekujt plot ngjarje,ndodhi, luftra,  zhgënjime e fitore , zbulime e arritje.Dhe  shkrimtarja në fjalë  nuk është as e para e as e fundit  që frymëzohet nga ndodhitë dhe ngjarjet e  jetës .

Dhe unë sot ratësisht lexova në face -book për “Misteri i një lajmi“,një libër me tregime  e shkrime  psikoanalitike , të poetit dhe shkrimtarit Edmond Shallvari emigrant në Greqi prej vitesh.Ky  libër më së mirë vërteton  se shkrimtari  frymëzimin e ka marrë nga jeta reale në tokën Helene  ku ai punon e jeton.Në tregimin “Pirroja i Epirit në  Referendum“,është vetë jeta  me ngjarjet  e saj , është Pirroja, luftëtari i lashtë , i sjellë në kohët moderne , i cili frymëzon dhe i jep material  rrëfimtarit  të trillojë me fantazinë e tij  duke u mbështetur në ngjarje reale.Pirroja,  i mësuar të  fitojë përmes humbjes , nuk tërhiqet nga fusha e betejës, përkundrazi vendos të largohet nga bisedimet dhe shpall Referendumin e madh  popullor, ku është populli ai që do të vendosë për të ardhmen e tij.

Është vetë jeta që ia dikton shkrimtarit  këtë frymëzim.Të them të vërtetën   populli vendas e  aq më tepër  ne emigrantët,  që i përjetuam ato ngjarje sa tragjike edhe komike në Greqinë moderne, një vend evropian tashmë me një histori e kulturë të lavdishme nuk kuptonim shumë gjëra nga gjithë ato që thuheshin e shkruheshin në lajme.Asgjë nuk dihej e saktë, e qartë. Shumica e gjërave ndryshe kuptohej e ndryshe interpretohej, disa gjëra  trilloheshin, skenoheshin nga mendja jonë e shokuar  dhe e bombarduar nga lajmet e ditës.

“Ajo për të cilën  nuk mund të flasim,duhet ta kalojmë në heshtje “,thotë Ëittgenstein,  filozof  austriak i shekullit të njëzet. Po a mund ta kalojmë  në heshtje këtë makth që po kalon mbarë bota.Ne thjesht dëgjuam për përhapjen e virusit ,por nuk dimë gjë për arsyet, shkakun e vërtetë,thjesht u informuam për masat parandaluese dhe për proçesin që duhet të ndjekim në rast prekje nga virusi.Shumë gjëra nuk i dimë , as të vërtetën , por edhe nuk mund të rrimë pa folur , pse , si ndodhi, kur, qysh,për çfarë, ku ,  e të tjera pyetje që na brejnë përbrenda. Në raste të tilla njerzimi  i drejtohet filozofisë, besimeve fetare,shkencave  të ndryshme si atyre të lashtave edhe të kohëve të fundit.  Nuk e dimë nëse filozofia  mund të zgjidhë probleme dhe çështje siç është kjo e epidemisë,   apo duhet ti  anashkalojmë ato duke i lënë në heshtje. Mos vallë duhen rilexuar dhe rishikuar  librat filozofikë nga e para.Ne nuk mund të flasim për vërtetësinë e përhapjes së korona virusit por ja që nuk po e lëmë  as nuk po e kalojmë në heshtje.Mbase është ashtu siç shkruan Marks dhe Engels “Gjithshka që është e fortë , shkrihet në ajër“. Por si dhe a  mundemi  ta kalojmë në heshtje e të tretet virusi vetë në ajër kur edhe pse u mbyllëm brenda katër mureve të shtëpisë, lajmet e ditës na  ndjekin  nga pas  e na bombardojnë.Dhe fantazia ime merr krahë.Dua të shkruaj një libër aq shumë e frymëzuar jam sot.Po si mos të jem kur  ..

Një njeri me maskë dhe me bombolën e dizenfektimit në kurris  kaloi para dritares sime që në pikën e mëngjesit.Vetëm ai, asnjë tjetër në rrugë.Të gjithë kanë frikë të dalin. Kushedi se ku do të kenë raportuar për ndonjë të prekur nga virusi. Hyj në rrjetet sociale . Vetëm lajme për të prekurit nga virusi. Hap radion për të dëgjuar pak muzikë. Vetëm njoftime për numrin e të vdekurve dhe numrin  e personave të prekur nga virusi kudo në botë. Përmatanë murit ndarës  me gjitonët  dikush teshtiti. Ktheva kokën e tmerruar.Nuk e di nëse duhet ta mbaj  maskën edhe  brenda në shtëpi.Prej mureve të çarë e të plasaritur nga tërmeti  hyn virusi e më kap dhe mua, mendova.Tani   për një gjë nuk jam e qartë . Virusi është një trillim apo një ngjarje e vërtetë.Ç`farë duan të fshehin me këtë lajm të kobshëm, apo  erdhi vërtet  fundi botës.Dhe fantasia ime merr krahë dhe truri vazhdon e punon …

Mos vallë kanë hyrë jashtë tokësorët dhe qeveriu  nuk do që  ata të takohen me  ne. Mos vallë po hyjnë në Shqipëri refugjatët për të zëvendësuar njerzit që po ikin emigrantë nëpër botë.Mos o zot, mos filloi Lufta e Tretë Botërore dhe nuk po na e thonë dot.Po si na u ngritkërka një laborator  që krijon viruse në një krahinë të Kinës dhe shteti Kinez nuk ishte në dijeni. Po ç`kanë me  moshën e tretë xhanëm, le të shohin dhe pensionistët një ditë të bardhë tani në pension. Ata kanë punuar për atë pension . Mos vallë kanë falimentuar bankat  botërorë.U rëzua  sistemi i komunizmit, ra sistemi socialist , ra dhe ai kapitalist. Po tani kush e ka radhën. Ndoshta duan të zvogëlojnë tregtinë e mallit kines që ka pushtuar botën.Lojra politike hesapi që ne nuk i  kuptojmë e as nuk i marrim vesh . Ku është dëgjuar të mbyllen kufijtë nga një virus.Vetëm në diktaturë mbyllen kufijtë, si ajo e Hudës në Greqi .Nuk e di në se ishte vërtet një diktaturë e vërtetë apo një trillim politik.Po thirret  kujtesa për të  rishkruar historinë.Mua më shkon në mendje thënia .“ Historin e kanë shkruar fitimtarët.“Ndoshta  ka ardhur koha e  humbsave  të shkruajnë historinë. Por me  shpejtësinë që po përhapet ky virus , nuk i shkon në mendje njeriu as për humbsa e as për fitimtarë. Mos o zot.

Duke shfletuar nga  AntologjiaPoetike Botërore ,gjeta këto poezi  përkthyer nga anglishtja nga Jeton Kelmendi.

 

 

 

 

FUNDI I BOTËS

Këto vite

ju marr ju nëpër botë

si një politikan

më shumë si një dogmë e vjetër  në çështje dashurie.

Këto vite

ju dhe bota po kënaqeni me njeri tjetrin.

si një palë aktorësh.

më shumë se një palë homoseksualësh.

Oh, këto vite ,

ti fle  së bashku me botën,

por ti nuk  ke ditur asgjë rreth botës

Oh, këto vite .

Kambanat eoliane në qiell, janë si një i dehur

që çalon përgjatë tunelit të kohës .

[ Nga Zhang Zhi, poet  dhe kritik i shquar në Kinë .]

 

 

Përderisa dhimbjet , vuajtjet, gëzimet, hidhërimet,lufta dhe paqja , lindja dhe vdekja janë fakte, emocione dhe  gjendje shpirtërore që e kanë shoqëruar njerëzimin,ato ndonjëherë mund të përballohen më lehtë me ndihmën e poezisë, lexova diku.Dhe u ula të shkruaj këtë poezi sot,për tu larguar sadopak nga lajmet dhe postimet e portaleve .

U mbylla në dhomën e poezisë.

Në oaz aromash  të panuhatura më parë,

Freski e flladtë , mori ngjyrash ,

në një delir emocionesh,

fjalëve të pashkruara  tu rri pranë .

Por dua  të ha   përveç tre vakteve

edhe një çokollatë diete,

Më të zezë se sa vetë  zija e bukës.

Të vrapoj pas ëndrrave ashtu si më thanë,

Për medalion bota  ka virtytet,

nderin dhe moralin e pastër,

por koha nuk i përfill aspak.

eh, për mëkatin   nuk bëhet fjalë,

është i ëmbël , mjaltë.

Ah, të bëhesha dhe një herë e re ,

Pastaj  le të vdisja..

 

Sot jam këtu,

e mbyllur në shtëpinë e poezisë .

jo, e qetë , aspak

se teshtima e gjitonit plak në dhomën përmatanë

i prekur nga korona virusi, ndoshta

më trondit e  më kujton

se përveç shishes së ujit këtej e tutje

na  duhet të ngremë dhe bombolën e oksigjenit  më krahë.

Korona virusi po bën kërdinë jashtë.

Më duhet të dal  nga poezia ,

para se të  lindë sovrani

dhe të ushtrojë tmerr e terror

mbi njerzimin e ngratë.

Të djeshmen  s`mund ta kthej mbrapsht,

iku,pa më thënë një fjalë lamtumire.

E nesërmja akoma nuk ka ardhur.

E sotmja,

e di që do kalojë ,

e mbyllur, pa u jetuar, e vrarë.

Por mua nuk më vret dot sovrani ,

se më parë  më vrau mbetja e qefit tuaj  ,

mbetjet prej  mërzitjeve të tyre meskine

më vrau mbetja cinike  e hatrit të të tjetrit,

mbetja e dëshirave të mia  të  parealizuara.

Më vrau  frika prej të pathënës  fjalë .

Edhe Murtaja , vdekja e zezë , ashtu si lufta, kriza , katastrofa , terrori,shkatërimi i jetës nga kushtet atmosferike, ska se si të mos lërë gjurmë në letërsi dhe art, ku vdekja bëhet tematika kryesore,ku lufta mes jetës dhe vdekjes përmes alogorisë bëhet  konflikti kryesor  artistik.Poezia  dhe arti në përgjithësi nuk e kanë   mundësinë  për të zgjidhur çështje të mëdha , të jetës,të kohës dhe të  botës , por janë në gjendje të ,të formulojnë pyetje  të sakta e të  qartë dhe të ngrenë  fort zërin për të kërkuar përgjigje të ndërgjegjësuara , të vërteta.

Anton Çehovi,  dramaturgu  dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të tregimit të shkurtër, nuk kërkoi falje për vështirësitë që i krijonte lexuesit në tregimet e tij dhe kritikës iu përgjigj me këto fjalë. “Ju me të drejtë,kërkoni që autori  të mbajë  një qëndrim intelekt në veprën e tij , por ju ngatërroni dy gjëra, zgjidhjen e problemit  me atë të  shtrimin drejt  të problemit.“Për Çehovin dertyra e artistit nuk ështe  të zgjidhë probleme, as të japë përgjigje  pyetjeve që shtron koha, por të shtrojë drejt problemet  duke formuluar  qartë e saktë pyetjet.

Një tjetër  thënie e Çehovit është “ Nëse duhet ta bësh lexuesin të lëvizë duhet të shkruash ftohtë“, çka ka zgjuar debatet brenda kritikës .Por  shkrimet e Çehovit , tregimet e shkurtra vetëm të ftohta nuk ishin.Plot delikatesë, me përshkrime të mahnitshme, me humor  therrës  e herë me satirë, tregimet e tij dhe sidomos karakteret e realizuara aq bukur ,me dashuri e ngrohtësi ,jetojnë të gjalla deri në ditët e sotme.

Albert Camy është fitues i çmimit Nobel për letërsi  më 1957 .Me veprën  e tij,“ Murtaja “mbetet një  ndër shkrimtarët  më imponues, bashkëkohor sepse vepra e tij  tingëllon kaq  aktuale  deri në ditët e sotme.Historia në pak fjalë është kjo.Qyteti Oran, në Algjeri,aty rreth viteve 1950 u gjend i izoluar për shkak të murtajës. Numri i të prekurve rritet me shpejtësi nga dita në ditë,  numri i të vdekurve nga ora në orë, nga çasti në çast.Në një gjendje izolimi të plotë banorët e qytetit vazhdojnë të jetojnë, të shpresojnë, të përballen , të dorzohen , të falen e luten në Perëndi e  Zot  të luftojnë, të kundërveprojnë, pse jo disa prej tyre dhe të përfitojnë nga gjendja e krijuar.Karakteri i banorëve , ndryshon, sjelljet e tyre po ashtu tjetërsohen.Ata jo vetëm që humbasin njerzit e tyre më të afërt , por  humbasin, dashurinë, ndjenjat akoma  dhe lirinë.Çështja e murtajës,  vdekja e  zezë, nuk ishte më një problem personal, por një çështje  masive e  të gjithë banorëve , që nga drejtori i burgut e deri tek i burgosuri i fundit, që nga këshilltari i lartë e deri tek  qytetari më i varfër , të gjithë pa përjashtim  ishin  të kërcënuar nga vdekja.Por e keqja më e madhe nuk ishte  mikrobi  që përhapte kudo  murtajën, por njerzit u ngurtësuan, u bënë pa ndjenja, pa  mendime, pa ide, pa dëshira , pa kujtesë, pa shpresë.Gjithshka ngriu, edhe vetë  dashuria , gjithshka  e krijuar dhe e fituar me aq mund e përpjekje  u shfaros nga faqja e dheut. “Sepse dashuria  ka nevojë për një të ardhme ,kurse për  ne  tashmë nuk kishte më , veç disa  çaste .“shkruan romancieri.

Murtaja ishte ajo që mbylli jo  vetëm  portat e qytetit , por edhe portat e zemrës , mendjes e shpirtrit ,  u kishte larguar dashurinë njerëzore  banorëve,ç ka kish bërë që ata të harronin gjithshka.Dhe kjo ishte armiku kryesor që  kërcënon  çdo banor,  çdo qytet  çdo epokë.

Vjen momenti kur murtaja  largohet dhe qytetit Oran i kthehet jeta  normale, me ritmet fiziologjike  edhe pse me shumë humbje  në të gjitha anët, si në atë shpirtërore, materiale dhe njerëzore.Autori, përmes personazhit kryesor, doktorit Rie,   i cili  qëndron i menduar e  veçmas turmës që përqafohej ,  gëzohej,   do të japë një mbyllje sa të bukur   aq edhe domethënës mes fjalëve  të tij.  “Murtaja  nuk vdes, as nuk zhduket.Ajo mund të rrijë e përgjumur vite të tëra në mobilje, në rroba, se  ajo pret me  durim e këmbëngulje në dhoma e qilare,në arka ,në shamira dhe në stivën e letrave të vjetra.Dhe se do të vijë  dita e trishtë  që  për ti dhënë një mësim njerzve  ,murtaja do të  zgjojë përsëri minjtë. Dhe atëherë do ti dërgojë për të ngordhur  në  ndonjë qytet të lumtur.“

E çfarë i mbetet njeriut , përderisa është i pafuqishëm para kërcënimit të natyrës , përpara  tragjedive e katastrofave të mëdha.

Asgjë, veç ndjenjës  së dashurisë  për njeri tjetrin dhe  më kryesorja  të  jesh  e të mbetesh Njeri  në kuptimin e plotë të fjalës, përtej çdo teorie filozofike, fetare , shkencore , arritje e suksesi.

Ndryshe e shprehin  poetët dhimbjen, frikën, dashurinë dhe shpresën.Ata jo vetëm e pikturojnë çdo ndjenjë por edhe i këndojnë , secili poet me mënyrën e vet.