Gazeta Nacional Albania

Skifter Këlliçi: “DON KISHOTI” I PETRO ZHEJIT- PASURIM I MËTEJSHËM I GJUHËS SHQIPE

Gjykime rreth shqipërimit të kësaj kryevepre të Servantesit në gjuhën shqipe

Boston

Kur bisedoj me shokë shqiptarë që e duan letërsinë, dhe këtu në qyetet rrethinore të Bostonit ata nuk janë paktë, bie fjala edhe për vepra të letërsisë së huaj të shqipëuara kohë e kohë më parë në gjuhën shqipe, si edhe shumë vepra që shqipërohen sot nga disa që dinë shumë mirë gjuhë të huaja, por nuk dinë po kaq mirë shqipen. Miëpo kjo nuk ka shumë rëndësi për disa botues, të cilët nuk e bëjnë “qejfin qeder”, për të ditur se sa vlera ka kjo ose ajo vepër dhe si është shqipëruar, por për sa do të fitojnë nga tregtimi i tyre. Dhe kështu, duke përmendur këtë, ose atë përkthyes, një ditëfjala ra edhe për intelektualin dhe shqiëruesin e mirënjohur, Petro Zheji, i cili disa vete më parë u nda nga jeta.
Meqë të tjerë nuk diin dhe aq mirë punët që ka bërë Zheji për vite e vite, më kërkuan mua t’u flisja për të. Dhe, duke qenë se unë me familjen e Zhejëve njihem fort mirë, zura t’u rrefeja: së pari për folësen legjendare të mikrofonit të Radio Tiranës, pra për motrën e Petros, Verën, që më ka mësuar edhe mua të flas në mikrofonin e Radio Tiranës në fund të viteve ’50-të, e cila më pas u bë edhe pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura; për të vëllanë, Gjergjin, shkrimtar, studiues dhe përkthyes, edhe ai i mirënjohur, që vite më parë u nda nga jeta, për të birin e Petros, Arturin, publicist i njohur….
Kështu pra, u rrëfeva shokëve të mi se Petro Zheji fillimthi kishte studiuar për… metematikë, madje kishte qenë edhe pedagog i kësaj lënde në Gjimanzin”Qemal Stafa”të Tiranës, siç e mbaj mend edhe unë në fillim të viteve ’50-të. Pastaj, si kishte mbaruar edhe fakultetin gjuhë-letërsi të UT-ës, kishte nisur të punonte përkthyes, ose më saktë- shqipërues, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë.
Kur zura të tregoja disa nga veprat që kishte përkthyer, ”Ringjalljen”e Tolstoit,”, ”Obllomovin ” e Gonçarovit, nga rusishtja, ”Vitet e zemërimt” të Stajnbekut, ( nga anglishtja,) ”Zotin president “ dhe “Papën jeshil” të Asturiasit, nga spanjishtja, etj…një nga bashkëbiseduesi, duke pandehur se unë kisha harruar, ma priti:
”Mos harro se nga spanjishtja ka përkthyer edhe vëllimin e dytë të “Don Kishotin” të Servantesit.. Dhe e ka qarë!…”.
Kishte hak. Eshtë një vepër që unë, si shkrimtar dhe ish-redaktor gjuhësor, jo vetëm e kisha lexuar, por edhe studiuar, duke e krahasuar me vëllimin e parë të “Don Kishotit”, të përkthyer nga Fan Noli, ndaj zura t’u flisja miqve të mi hollësi rreth vlerave këtij përkthimi mjeshtëror, me të cilën Petro Zheji e ka ngritur edhe më lart gjuhën shqiqe.
I shqipëruar dhe botuar së pari Boston që më 1932-33, nga Fan Noli, “Don Kishoti” i Servantesit u bë menjëherë një nga veprat më të dashura të lexuesit shqiptar. Ndaj u ribotua shpejt edhe në Shqipëri. Me kujtohet që ende shumë i vogël, kam lexuar botimin e kësaj kryevepre, së pari në fashikuj e pastaj edhe vëllimin e parë të plotë. Jo vetëm kaq, por në vitin e dytë të gjimnazit, pjesë të “Don Kishotit”, në përkthimin e Fan Nolit, i studionim me vemendje të madhe në orën e mësimit të lëtërsisë së huaj, ku, natyrisht, edhe kuptonim vlerat e mëdha artistike, të cilat Noli i kishte përçuar në mënyrë të magjishme në gjuhën shqipe.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Pasi bëri të fliste shqip Shekspirin, me tragjeditë “Otello”, ”Makbethi”,”Hamleti” dhe “Jul Qesari”, nga vitet 1916-1926, dhe më pas Ibsenin, me dramat “Armiku i popullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, po në ato vite, Noli ndërmori shqipërimin e kësaj vepre të madhe, tashmë duke pasur një përvojë të ndieshme.
Nuk gaboj po të them se narracioni i Nolit në këtë vepër nuk ishte arritur deri atëherë nga asnjë shkrimtar tjetër shqiptar, ndonëse shqipes nuk i kishin munguar proza të rralla nga #ajupi, (të kujtojmë qoftë “Klubin e Selanikut”), deri te romani satirik i papërfunduar, “Doktor Gjëlpëra” i Faik Konicës.
Sidoqoftë, te “Don Kishoti” i Nolit duket se u përzgjodh thuajse tërë pasuria e madhe e gjuhës shqipe, e derdhur me aq mjeshtri sidomos në gojën e vetë Don Kishotit dhe sidomos të Sanço Pançës, që i shëmbëllen gjithmonë një fshatari të zgjuar shqiptar.
Kallëzimi i Nolit, gërshetuar me dialogun aq të natyrshëm dhe, mbi të gjitha, frazeologjia e mbështetur në fjalorin e pasur të gjuhës sonë të vyer, shërbyen si shembull për tërë prozatorët shqiptarë, që shkruan pas botimit të kësaj kryevepre në gjuhën shqipe.
Mirëpo Noli shqipëroi vetëm pjesën e parë. La kështu një zbrazëti te lexuesi ynë, i cili prej dekadash kishte dëshirë të njihej më pjesën e dytë të “Don Kishotit”, por edhe me një përkthim të denjë të tij në gjuhën shqipe. E, megjithse kaluan vite e dekada, megjithëse gjuhën shqipe me përkthimet e tyre e pasuruan edhe më shumë shkrimtarë e përkthyes të tjerë, asnjë nuk mori përsipër të përkthente pjesën e dytë të kësaj kryevepre.
Mbase nuk dinin mirë spanjisht, mbase nuk ndjeheshin të sigurtë, apo për të dyja arsyet?…
Dhe ja, u deshën më shumë afro 50 vjet dhe këtë dëshirë dhe zbrazëti të lexuesit mori përsipër ta plotësonte Petro Zheji. Detyrë, që ta themi faqeza, shumë-shumë të vështirë, megjithë përvojën madhe, që siç e pamë, kishte në shqipërimin e disa prej kryeveprave të lëtërsisë botërore.
Që Petro Zheji, si shumë shqipërues në Shtëpinë Botuese”Naim Frashëri” gjatë diktaturës komuniste, punonte në kushte të vështira, kjo dihej. Por vështirësia nuk qëndronte këtu. U binda edhe njëherë për vështirësitë mjeshtërore për të përcjellë këtë vëpër në shqip, kur Petroja, siç e ka pohuar në shtypin tonë vëllai i tij, Gjergji, edhe ai, siç thashë më lart, përkthyes i shquar, që mjerisht prej vitesh nuk është më midis nesh, theksonte se, për të pasuaruar veprën, Petroja, ndërmerrte edhe udhëtime jashtë Tiranës, siç i kishte rastisur të shkonte në Krujë, Vlorë, Shkodër, a gjetkë, për t’u njohur edhe më afër me frazeologjinë popullore. Dhe natyrisht që kjo punë e lodhshme do të jepte frytet e veta.
Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti që në përkthimin e “Don Kishotit” të Petro Zhejit do ta hasësh plot fjalë të urta, nga të cilat, për mungesë vendi, do të shënoj vetëm një: ”Malli i vënë mënjanë me djersë, rron tërë monë,/ Por i fituari me hile, humbet veten dhe të zonë…”.
Kur lexova për herë të parë më shumë sëe 30 vjet të shkuara “Don Kishotin” e Petro Zhejit, u binda se tërë ajo lodhje, tërë ai mundim shumëvjeçar i këtij shqipëruesi të talentuar, ishte kurorëzuar me shumë sukses, aq sa, po të ishtë gjallë Noli, do ta kishte përqafuar e madje dhe do t’i kishte thënë: ’Të lumtë, bir, shqipërimi yt është i përkryer!”.
Kjo ka një arsye objektive: Për dekada me radhë proza shqipe evoluoi, u pasurua nga shumë shkrimtarë, që nga Milto Sotir Gurra, Ernest Koliqi , Migjeni, Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, për të ardhur te Fatmir Gjata, Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Andoni, Naum Prifti, Teodor Laço, Dritëro Agolli, Ismail Kadare…
E pasuruan gjuhën shqipe vecanërisht shqipëruesit tanë,Tajar Zavalani, Sotir Caci, Dhimitër Pasko,Vedat Kokona, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Henrik Lacaj, Spiro #omora, Mustafa Greblleshi, Bujar Doko, Robert Shvarci, Jorgji Dhoksani, Jorgo Bllaci, Lili Bare, Edmond Tupja, Aurel Plasari, Flaka Surroi në Kosovë etj. Etj, ndër të cilët edhe vetë Petro Zheji.
Kësisoj, duke shfrytëzuar këtë përvojë dhe duke çarë në shtigje të reja, Petro Zheji arriti të bënte Servantesin të fliste shqip. Kapërceu edhe një tjetër vështirësi: arriti të ruante vazhdimësinë e stilit të Nolit, që nuk ishte kaq e lehtë… Ja përse vëllimi i dytë i “Don Kishotit” është vazhdimi i natyrshëm i vëllimit të parë.
Do të përpiqem që me shembuj të nxjerrë nga ky vëllim- fjalë dhe shprehje të bazuara në frazeologjinë e shqipes, të dëshmoj vlerat e Petro Zhejit në shqipërimin e kësaj vepre madhore.

Fjalë të përbëra, (kompozita):
Në vazhdën e kompozitave, pra me dy fjalë si: rrugëdalje, vetvrasje, jashtëqitje, Petro Zheji krijon shpesh kompozita të këtij lloji si: truroitje, kokëshqepje, gjoksçjerrje, plencmbushje.
Po kështu krijon edhe kompozita të tjera si:
Vrapshpejtësi ,mëndjeshpërqëndrim, i keqplagosuri, i pranëvendosur…

Por, padyshim, merita më e madhe e tij është krijimi i kompozitave me tri fjalë, dukuri shumë e rrallë ne veprat letrare në gjuhën shqipe.
Ne rëndom kemi dëgjuar kompozitën shpirtpikëlluar. Por Petro Zheji krijon kompozitën e re: zemërshpirtpikëlluar, pra me dy emra dhe një mbiemër. Dhe vazhdon po në këtë mënyrë:
Faqemjekërrmbuluar, daljefaqebardhësi, për të kaluar më tej në krijimin e kompozitave të tilla, jo vetëm më emra, por edhe me kategori të tjera morfologjike:
Kurrasnjëherimunduri: kurrë, (ndajfolje), asnjëherë, (ndajfolje), i munduri, (mbiemër).

Më tutje:
Keqdashurirënura: keq, (ndajfolje), dashuri ,(emër), rënura, (trajtë nëndialektore e pjesorit të foljes bie).

Krijimi i ndajfoljeve të reja: nga barabar në barabarësisht, nga baritor në baritorisht, nga magji, në magjishmërisht.
Shumë e goditur është ndajfolja tërcifërsërisht, (tërci-fërci), që është një krijim onomatopeik: ai ia këputi tërcifërcërisht …

Krijimi i mbiemrave të rinj me prapashtesën- or:
Nga gomar, në gomaror: havaz gomaror;
Nga behar- beharor: me rroba beharore;
Nga derr, në derrëror- qime derrërore;
Nga harbut, në harbutëror: zakon harbutëror;
Nga fisnikëri, në fisnikëror.

Më prapashtesën-iak:
Nga dashuri-dashuriak, (mendime dashuriake).

Emra të rinj kolektive: nga shërbëtor në shërbëtori.
Nga shpërfytyrim ai krijon emrin shpërfytyratë.

Krijimi i foljeve të reja:
Nga ndajfolja beterr, në beterros;
Nga lakuriq, në lakuriqësoj;
Nga emri hajtdut, në hajdutëroj;
Nga emri sërë, në sërit, (pra,vë në sërë, në radhë…).

Krijime të tjera foljesh vetvetore:
Vetëshqepemi, pra, rrihemi me njeri-tjetrin, ose qesegotitemi, për gotitemi me qese; grushtadërmohemi, për dërmohemi me grushta.

Shprehje figurative, idiomatike:
Vendosi t’u hidhte qepena syve, pra, vendosi të flejë, ose t’ia këputse gjumit;
Po shinin në të thatë: pra, po i a këputnin, po flitnin kot, po flitnin rroma për toma…
Ia theri vrapit; pra ia dha vrapit, u sul turravrap, u sul me të katra…
Ua hipi këmbëve; pra, mori me të shpejtë, ua dha këmbëve…
S’e ha thatë; pra, nuk ia hedh dot, nuk e merr sapunin për djathë…
Hidhi më mirë gunën këtij muhabeti; pra: mbylle këtë mesele, kalojmë në tjetër bisedë…
Shumë e goditur është edhe shprehja pasthirmore përkëdhelëse:
Nga:oho, në : ohozë!…Pra, sa mirë më vjen!.. Sa qejf!.. Sa këndshëm!…;
Nga; ashtu, e ashtusi…

Përmenda vetëm disa nga pasuria e madhe frazeologjike dhe fjalëformuese që Petro Zheji ka derdhur në vëllimin e dytë të romanit “Don Kishoti”. Dhe pikërisht këtu qëndron për mendimin tim risia që e bën shqipërimin e tij barabar të denjë me përkthimin e Nolit dhe në këtë pikëpamje, mbase edhe t’ia kalojë atij, për arsyet që shpjegova më sipër, që lidhen kryesisht me evoluimin e gjuhës shqipe në gati një gjysmëshekulli pas përkthimit të kësaj vepre madhore nga Noli.
Shqipëruesi i talentuar ishte domosdoshmërisht i detyruar ta bëntë këtë. Vepra ka karakter satiriko-sarkastik dhe, doemos, edhe humoristik. Fjalës a frazës së Servantesit ai duhej t’i gjente një baraspeshë të denjë. Kjo mund të arrihej edhe duke krijuar ato fjalë, a shprehje, një pjesë të të cilave rendita më sipër.
Përfytyroni për një çast sikur Petro Zheji të përkthente:”Foli kodra pas bregu” dhe jo:”Foli tërcifërcërisht…”; ”Goditën njeri-tjetrin me qese”, dhe jo :”U qesegotitën..”; ”Ishte veshur me rroba verore…” dhe jo: “Ishte veshur me rroba beharore…”;
“Ia nisi një havazi prej gomari” dhe jo: “Ia nisi një havazi gomaror”;
”Dylqinja që kishte rënë keq në dashuri…”dhe jo: ”Keqdashurirënura Dylqinjë…”;
”Ai që nuk ishte mundur asnjëherë” dhe jo:”Asnjëherimunduri…”;
Mendime dashurie, dhe jo: “Mendime dashuriake…”;
”Maroja që nuk ishte harruar kurrë..” dhe jo: ”Kurrasnjeherë e harruara, Maro…”.
Përdorimi i teknikave të tilla gjuhësore që dëshmojnë se në këtë fushë Petro Zheji është i rrallë, e bejnë këtë vepër të tingëllojë fuqishëm, me ngjyrime plot freski e gjallëri dhe me ngjyra humoristike.
Vëllimi i dytë i “Don Kishotit” në përkthimin mjeshtëror të Petro Zhejit, është monument i rrallë, me vlera të jashtëzakonshme gjuhësore, nga ku shkrimtarët tanë kanë se çfarë të mësojnë.
Së fundi, në këto shënime rreth vlerave të jashtëzakonshme të Petro Zhejit në fushën e pasurimit të mëtejshëm të gjuhës shqipe, bazuar në shqipërimin e vëllimit të dytë të “Dn Kishotit” të Servantesit, po citoj edhe këtë rrëfim të goditur të Sanço Pançës:

“I ndritë shpirti atij që shpiku gjumin, se është gunë që mbulon çdo mendim e shqetësim të njeriut, se është ushqim që pret urinë, se është ujë që shuan etjen, se është zjarr, që zbut të ftohtit, se është të ftohtë, që zbut të nxehtit, shkurt e me një fjalë, që të mos zgjatem, monedhë e përbashkët për të gjithë e të gjitha…Eshtë gur kandari, që barabit mbretin, me bariun dhe budallanë, më të mençurin…Dhe vetëm një gjë, siç kam dëgjuar të thonë, s’ka të mirë gjumi, se i ngjet vdekjes, sepse në mes të një të përgjumuri e një të vdekuri, nuk ka ndonjë ndryshim të madh…”.