Në hapësirën kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me seli në Shkup, këtyre ditëve ka startuar revista mujore për kulturë dhe dije – “Juvenilja”. Kjo revistë drejtohet nga një redaksi e zgjedhur me emra të shquar të kulturës dhe artit shqiptar, me kryredaktor publicistin dhe shkrimtarin Emin AZEMI.
“JUVENILJA” vjen me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh, të cilët njëherësh janë edhe autorë profilesh të ndryshme nga letërsia, albanologjia, kinematografia, teatrologjia, eseistika, filozofia, antropoligjia, arkeologjia etj.
“Revista mujore JUVENILJA që po starton në Shkup, nuk është një risi por as shkëputje nga zhvillimi paraprak i veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe në këtë krah të kulturës shqiptare. Përkundrazi, kjo revistë vjen si shtytje e natyrshme e impulseve të reja kreative për të dinamizuar jetën kulturore edhe me një dritare të re prej nga do të shikohet pak më ndryshe prodhimi letrar e kulturor i autorëve të këtij krahu të cilët pa të drejtë nuk përfshihen në qasjet integrale të letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
JUVENILJA do të jetë kryekëput një agorë e lirive krijuese në letërsi, eseistikë, kritikë, filozofi, antropologji, teatër, film etj. Do të nxisë parasegjithash kreativitetin individuial dhe kapacitetet krijuese të autorëve nga Maqedonia e Veriut, duke iu dhuruar atyre një kënd të ri ku do të mund të risistemohej kierarkia jonë e vlerave.
JUVENILJA do të mbështes autorët e afirmuar dhe do të promovojë autorë të rinj. Do të ndjek produksionin letrar, teatror, kinematografik, figurativ të krijesve tanë, sepse ky është edhe synimi që të zgjerohet hotizonti i shprehjeve dhe i rezonimeve.
Në kudër të revistës JUVENILJA do të inicohet edhe një çmim letrar për nxitjen e kritikës dhe eseistikës letrare, dramaturgjisë dhe prozës shqipe, e që do të jetë si një kurorë e një manifestimi tradicional-tematik, me theks të posaçëm nxitjen e mendimit kritik dhe prodhimin dramaturgjik të autorëve tanë”, shkruan, ndër të tjera, në fjalën hyrëse kryeredaktori E. Azemi.
Revista “Juvenilja” do të shpëndahet në mbarë hapësirën shqiptare, përfshi edhe diasporën, por fillimisht lexuesit atë mund ta gjejnë në Shkup, Tetovë, Strugë, Prishtinë, Tiranë, Shkodër e Korçë. Së shpejti ajo do të jetë pjesë e bibliotekave nacionale, përfshi edhe bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washington.
Nga viti i ardhshëm, kjo revistë do të ketë edhe një edicion elektronik, me qëllim të komunikimit me një rreth më të gjerë lexuesish dhe krijuesish.