Gazeta Nacional Albania

Studiuesi Prend Buzhala boton: Poezia e Tahir Deskut me titull: Poeti që hyri në baladë

Poezi nga Tahir Desku

KTHIMI I DASHURISË
Ç’më duhesh tash e marrë
Shih ndjenjat më janë topitur
Stinën e trëndafiltë e harrove, si munde
Kur erë frynte e shi rigonte
Mbi kokat tona rritej fati
Dhe drurin që gdhendur e patëm me durim
E mori zjarri e mori
Bukur e dhembshëm qajtëm e heshtëm
Ligjet e jetës pa i ditur
Unë njeri i shqetësimeve
Mbeta. Sot e atë ditë.
Larg qiellit. Larg deteve, harrimit.
Për dashurinë s’më kujtohet ç’thashë
Vetëm të padukshmet i dua
Më shumë se dashurinë e pathënë
Kur nga gjiri i harrimit kthen
Vërtet jam bërë harrestar i madh
Asgjë nuk përfill si dikur.

YLLI MË I BUKUR NUK SHIHET
Në këtë varr të dorëshkrimeve të mia
Bota shpjegohet ndryshe nga bibla
Në mesin e yjeve
Ylli më i bukur nuk shihet
Jeta ime
Oh jeta ime vuan nga të padukshmet
Nga lagështia
Në pragun e shtëpisë nuk mund të hyjnë pranverat
As zogjtë e vendlindjes
Zogjtë e fëmijërisë
Oborri im udhëkryq i madh
Shtëpia ime e shurdhër
Dorëshkrimet e mia
Varri im në lartësi

QIELLI NUK ISHTE AI
Bredhja rrugëve të botës ditë e natë
Thoshin nuk është kohë bredhjesh
Gjezdisja si i marrë i përrallës
Po kurrë s’e humba kopenë
Për ta gjetur mbretërinë e shenjtë
Atëbotë rrugëve vetëm balta kishte mbetur
Qielli nuk ishte ai i vendlindjes
Fyell magjik as bilbil gjaku nuk kishte ndër vjersha
Thoshin ndryshe qahet qeshet e flitet
Bota për një mijë vjet ka ndërruar pamjen e vet
Prapë nuk kanë besuar njerëzit
Kanë nisur të krijojnë bibël të re
Me zjarr ujë e ca dhe
Unë të gjitha i kam besuar
Se bota mendoja është çudia e zotit
Dhe gjezdisja si i marrë i përrallës
Qielli nuk ishte ai…

TESTAMENTI
Nëse më gjeni të vdekur ndonjë ditë
Bri rrugës ndanë asfaltit të nxirë
Te kantonieret e mbeturinave
Ose skutave të ndonjë lokali ku prehje gjen bota
Mos pështyni mbi kufomën time
Kam vdekur nga dashuria e madhe për njerëzit
Nga fjalët që i humba rrugëve deri në hiç
E i gjeta një ditë në libra të mykur
Ishin fjalë të urta për budallain që vjen në jetë
Ç’ishin ato që të preknin pa i prekur
Cili ishte ai që me buzëqeshje vriste yllin tënd
Që hante pinte dashuronte urrente

Hapësira pushtonte botën kafshonte
Herë-herë njeriut i ngjante ajo gjallesë e çuditshme
Po për mua jeta ishte krejt njësoj
Si ta marrësh ujemin e të korrës së huaj
E të kthesh i mashtruar me ëndërr të vrarë
Ndër zemane të mbijnë ferrat lulet
Të mbijnë patatet e egra
Kjo do të thotë të bëhesh tokë me tamam tokë
T’ua prodhosh bukën atyre që vijnë në jetë
Thashë ata nuk do të hanë bukë e kripë
Siç ndodhi me ne brezin e shqetësimeve të mëdha
Unë e kam dashur jetën njerëzit mbi të gjitha
Dhe kam parë njerëz të mëdhenj të vegjël gjithfarë
Botën e mbanin në sy me madhështinë e tyre
E unë fyellit i bija në një këngë të moçme
Kështu vazhdoja jetën time
Nëse më gjeni të vdekur ndonjë ditë
Mbi kufomën time mos pështyni fort e kam dashur jetën
Njerëz ju lutem shumë ju lutem

KUJTIM QË NUK VDES
Kthehem te kujtimi i parë
Mas kohët
Numëroj të rënat
E zemrës që prek yllin majë qielli
Pas vjen fëmijëria
Rrugëve të përhirta vjen
Në mes të bjeshkëve të zeza
Fyelli shndërrohet në mit
Në lule të përgjakura
Që kanë shumëçka tonën
Të baltës borës maleve…
Nuk mund të mbetem gjithmonë i ri
Të zhurmoj zhurma të qetësoj qetësi
Sapo hyn dita në dhomë
Shoh anën tjetër të planetit
Tek zgjohen fushat e gjera me bozhure
Fushat e bukura të Dukagjinit
Më kot zgjas duart
Për ta prekur atë kujtim me gishtërinj
Atë këngë
“Oh shtati yt o me shtatë plagë…”
Që moti nuk këndohet nga anët tona
Prapë në tokë dhembjet pikojnë shi
Pas kaq vjet vetmie nën velin e zi
Diku në një ëndërr vasha e kujtimeve
Qëndis vendlindjen Pyllin Ujin e një burimi
dhe zogun e pavdekshëm të atij kujtimi
TË DUHEMI NDRYSHE
Kemi zënë të duhemi ndryshe
Unë hesht ti hesht gurë të gurëzuar
Më ka mbetur edhe kënga
Fuqia ime e fundit
As në varr nuk do të më lërë të qetë
Gjeje një mënyrë tjetër për dashuri Anitë
Kështu si jam pa krahë lehtë mund të humbas
Ç’të bësh pastaj me mua të humburin
Ti do të shkosh pas luleve pas fluturave
Unë nuk mund të ik te yjet
Ata pikojnë pluhur
Mos shko te lulet
Ato jetojnë vetëm një stinë
Këtu jemi të amshuar
Hajde të duhemi ndryshe
Heshtja e zezë më vret
Po e shqyej kraharorin po vij i përgjakur
Fortunë detare nuk më pret
Asgjë nuk më frikëson
Lule heshtja jote më vret.

————————————————————————————
Tahir Desku u lind më 1957 në Siqevë të Klinës. Filloren e kreu në Ujmirë, të mesmen në Klinë, kurse studimet për Gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë rinisë së hershme ka ëndërruar të bëhet aktor, pasi kishte luajtur në disa pjesë teatrore. Por ai bëhet poet. Kur ishte student, punoi katër vite gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re”. Pastaj punon gazetar në TVP gjatë viteve ’80, ku disa herë e largojnë nga puna. Kur e largojnë përfundimisht nga puna, ia mësyn eksodit, në SHBA dhe atje qëndron tetë vite. Atje kontribuon në lëvizjen kombëtare e politike të diasporës shqiptaro-amerikane. Kthehet në Prishtinë pak vite para luftës dhe nis e boton revistën kulturore, shkencore e letrare me titullin “Tribuna”. Pastaj kyçet në radhët e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke raportuar gjatë viteve 1998-1999, deri në çlirim.
Pas luftës zgjidhet kryetari i parë në liri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më tre dhjetor të vitit 2005 ai vdes tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni. Vdekja e gjet duke e kryer detyrën e redaktorit të kulturës në Radio Kosova.
Për të gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2001), nga Fadil Bajraj, me titullin “Love and spring”, kurse pas vdekjes, më 2006, nga LKSH-ja, iu botua libri poetik “Në cilin gjet e kam vdekjen”.
Tahir Desku është lauruar me rastin e 15-vjetorit të revistës së studentëve “Bota e re” me çmimin “Gazetari më i mirë i vitit”. Ndërsa me rastin e 30-vjetorit të kësaj gazete studentore, më 1998, kur ai gjendej në vijat e frontit, merr çmimin “Gazetari më i mirë në 30 vjetët e fundit”. Ai u laurua shumë çmime letrare të Kosovës, si në manifestimet Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimet e Gjeçovit, ndërsa në vitin 2000 shpërblehet nga LKSH për librin më të mirë të botuar brenda vitit në Kosovë. Ndërsa për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, ai merr dekoratën “Urdhëri i Adem Jasharit”.
________________________________________
Thanë për poezinë e Tahir Deskut:
Ja edhe një vrushkull poezish, metaforash, gjëmash, ofshamash, dëshirash e dashurish…Ja edhe një vrushkull rafal vargjesh plumba për liri e pavarësi të poetit e ushtarit të atdheut e të kombit TAHIR DESKU.
Vëllai e poeti ynë, Tahir Desku, mbeti shembull i paharruar për të gjithë intelektualët tanë se si duhet liria më shumë se të gjitha rehatitë e dashuritë e kësaj jete dhe se si i këndohet lirisë e pavarësisë së kombit edhe me fjalë –plumba-kur e kërkon nevoja. Na shkoi papritmas duke na lënë pas vetes jo vetëm lirinë, por edhe poezinë.

Adem Demaçi
Një bohem i poetizuar, përkatësisht një poet i bohemizuar. Shpirt njeriu, shpirt poeti deri në vdekje. Filantrop i dashuruar për njerëzit, veçmas për vëllazërinë. Tahir Desku lindi për shkrimtarinë.

Musa Ramadani
Tahiri më kishte inat pse nuk e pija alkoholin. Më thoshte, “gomar i vetmi je ti që mund të rrish me mua, e nuk e qon një gotë. Nuk e di si e shkruan ti poezinë. A të dhemb ndokund, apo ne nuk jemi asnjëherë esull, e nuk e dijmë kah vijnë e kah shkojne dhembjet”. Kjo është bohemia e tij rrugëve të Prishtinës. Netëve të gjata deri në mëngjes, që e kishte inat gjumin ngase i bëhej se nuk po jeton derisa flen. Dhe kur zgjohej heret thoshte, “Një popull që nuk e sheh diellin duke lindur, kurrë s’do të përparojë”.
Nga Tahiri mësova si ta shkruaj të motivuar poezinë.

Engjëll I. Berisha

Tahir Desku i takon një plejade të shkëlqyer të krijuesve letrarë, për të cilët liria dhe atdhedashuria ishin kryefrymëzim dhe kryeideal në jetë dhe në vepër. Janë vargjet e kësaj plejade krijuesish që u bënë zgjim i vetëdijes së gjeneratave të rinisë së shëndoshë të popullit tonë, e cila po bënte punë dhe luftë për të aguar mëngjesi i lirisë kombëtare.
Tahir Desku, për të cilin më mirë do të flasin miqtë e tij krijues, është një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzorë në poezinë shqipe bashkëkohore. Poezia e tij ka një thellësi të humnershme, poezi e botës së njeriut.

Ismet Krasniqi

Në asnjë vepër të Deskut, në asnjë poezi të tij nuk gjen elemente të krijimtarisë oborrtare. Në asnjë veprim dhe qëndrim të Tahir Deskut nuk gjen elemente të krijuesit oborrtar. Herët e ndjeu dhimbjen e popullit të vet dhe herët u vu në shërbim të lirisë së Atdheut, me të gjitha format e mundshme të betejave. Kohën që e jetoi, e mbijetoi dhe e përjetoi, mirë e skaliti në vargun poetik dhe në këtë drejtim u la brezave të lexuesve një testament estetik për ta njohur një kohë me të gjitha aktet e saj, me të gjitha personazhet, duke mos i harruar asnjëherë as ata që jetojnë margjinave të jetës, të ekonomisë e të shoqërisë, pra duke u solidarizuar në jetë e në krijimtari me të pastrehët, me të sëmurët, me të përbuzurit dhe me fëmijët që rriten më ngadalë për shkak se preokupohen me shqetësimet e të rriturve. Me jetën dhe me veprën e vet letrare Tahiri mbrujti dimensionet e njeriut e të krijuesit kryengritës dhe protestues, elemente këto që e kanë shoqëruar që në zanafillë intelektualin, shkrimtarin dhe letërsinë tonë, e cila shpesh, nëpër vorbullat e kohëve, e ka tjetërsuar vetveten për t’i shërbyer ndërgjegjes, vetëdijesimit, luftës dhe lirisë.
Hajdin Morina