Gazeta Nacional Albania

Sulejman Mato: FLUTURIMI I FUNDIT, POEME

Nënë Nuncia fle.
Fle dhe ëndërron.

Në ëndrra sheh motrën, Viton,
që e kishte rritur vetë.
Ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç
kur e ngarkuar, me dru në krah,
ra në humnerë, si një shqiponjë.

E zeza ajo, e zeza….

Nënë Nuncia fle në dhomën lart,
kundruall detit,
me dy dritare të ngushta.

Porta e mbyllur me lloz…
Pllakat e oborrit anash, të lyera me gëlqere.
Dera e mbyllur me një bravë të madhe,
të vjetër, veneciane.

Para se të binte muzgu i kaltër mbi bregore,
doli të milte dy dhitë,
i mbylli në katua, i dha ushqim maces qimezezë,
e ndjeu veten të këputur dhe ra të flejë.

I kaloi të shtatëdhjetat me punë e me mundime.
Rriti tre fëmijë dhe mbajti në këmbë tre pleq.

Nuncia fle! Fle dhe ëndërron.

Në ëndrra sheh dy vajzat e saj të martuara që i ka larg
dhe djalin, edhe më larg,
nëntë dete kaptuar.

Çdo mbrëmje u vë veshin erërave,
sikur kërkon të dëgjojë cicërimat e nipër-mbesave të saj.

Ka vite që nuk i ka parë.
Kohët e fundit sheh një ëndërr sikur fluturon nga dritarja.
Herë si zog e herë si qyqe…
Me krahët e nderur në ajër fluturon
mbi ullishtat kundruall detit
dhe përmbi shtëpitë e gurta të fshatit.

Më pas niset drejt hapësirës së pamatë të detit…

Fluturon çdo natë si një çafkë e lumtur,
duke mbushur ajrin me klithma gazmore.
Rrotullon krahët si kali i qyqes
mbi ullishtat që lëkunden nga era e detit dallgë- dallgë.

Me një ngazëllim të madh ngjitet lart-lart,
si një balonë e lidhur me një fije të artë
te porta e drunjtë e Nikollore.

Mban frymën për pak kohë mbi varrezat e fshatit,
ku prehen eshtrat e të parëve të saj,
të nënës dhe të babait, të të shoqit, dy vëllezërve…
dhe Vito zezës, motrës së saj të vogël
që fluturoi mbi humnerë me dru në krahë,
pa i mbushur të shtatëmbëdhjetat.

Në fshatrat e rivierës ka ditë që kanë çelur lulet e pranverës.
Në pyje dëgjohet kënga e qyqeve,
në det dëgjohet kënga e sirenave.

Nënë Nuncia fle.
Fle dhe ëndërron.

Krevati i saj prej hekuri është nën dritare.
Disku i argjend i hënës dritëson jastëkun e saj të bardhë
me dantellë të bërë me grep.

Është një hënë e bardhë që këndon
duke lundruar mbi shtëpitë e bardha.

Në ishullin e Korfuzit rrinë ndezur dritëzat…
Xixëllijnë si xixëllonja..

Nënë Nuncia fle.
Fle dhe ëndërron.

I duket sikur dikush i thërret nga kopshtet.
Nuncia! Nunciaaa..!
Drurët e qershive duken si të veshur me borë.

Nuncie…! Nuncie..!

Tani është ora për t’u nisur në mal për të prerë dru.
Mos është Vitoja që e thërret nga kopshtet?
Edhe pse është në ëndërr,
ajo e njeh zërin e saj…

Motërzeza ka ditë që më kërkon.
Mos është vallë zëri i vdekjes së zezë?

Nënë Nuncian e zë frika.
Struk kokën poshtë jorganit të nusërisë dhe përpiqet të flejë.
Një erë e njelmët fryn nga deti…,
një rreze hëne ndrin thinjat e saj të praruara…
dhe zëri i motrës së vogël që vazhdon ta thërrasë…

Nuncia! Nuncia..!
Zëri i hollë i Vitos e fton për të prerë dru në mal.
Është tamam koha.
kur yjet në qiell ndriçojnë rrugën që të çon në Bukurulë.

Në pyje dëgjohet kënga e qyqeve,
në det kënga e sirenave.
Ç’më rri akoma në këtë shtëpi?
Nuk e dëgjon…
Të kërkojnë?

Nuncia ngrihet nga krevati,
me këmishë nate,
del në dritare
dhe nis të fluturojë.