Gazeta Nacional Albania

SULEJMAN MATO: VRASËSI, TREGIM

Fillimisht u dëgjuan në afërsi tri krisma të thata pistolete dhe një ulërimë gruaje, më pas ndjeva në bërryl goditjen e një djaloshi me xhakoventë lëkure i cili më parakaloi vrullshëm.
‘Vrasësi’,- thashë me vete, pa ndonjë tmerr.
E fiksova mirë atë çast, edhe pse nuk u tregova fort i vëmendshëm për të vërejtur nëse mbante syze. Këtë detaj mund ta kem krijuar në fantazinë time, ngaqë vrasësit i kam përfytyruar gjithmonë me syze të zeza dielli. Këtë gjë nuk e shkoqita dot as kur u futa në lokalin e basteve dhe, për çudinë time, personi që u përplas me mua qëndronte i vetmuar te tavolina pranë dritares.
Kishte një pamje të frikur.
‘Mbase më është fiksuar mua për shkak të xhakoventës së zezë,prej meshini,ngjashmëria midis tipit që më parakaloi vrullshëm dhe njeriut te dritarja .
Sytë i kishte mbërthyer te ekrani i televizorit. U sistemova në tavolinën përballë dhe porosita një raki. I hodha sërish një shikim të dytë. Ai duhet të ishte, po, po.ai.
Në lokalin që gjendeshim unë dhe i dyshimti (për momentin po e quaj të tillë), spikerja e stacionit “News 24” në atë çast ndërpreu transmetimin e ndeshjes për të lajmëruar vrasjen e radhës. Përshkrimin e asaj çfarë kishte ndodhur para pak minutash spikerja e interpretoi me një tonalitet solemn që nuk ishte në harmoni me shprehjen e saj të qetë. “Është vrarë me tre plumba H.G., një zonjë rreth të dyzetave, nënë e dy fëmijëve, pronare e një farmacie, në rrugën “Selami Voshtina”…. Ktheva kokën dhe ia ngula sytë të dyshimtit për të vërejtur reagimin e tij. Nuk vura re ndonjë shprehje të veçantë në fytyrën e tij. Kjo më bëri të dyshoja në hamendjen time.
Ndërkohë te dera e lokalit u shfaqën dy policë. U hodhën një shikim të fikur personave që gjendeshin aty, sikur të kërkonin ndonjë tavolinë bosh, dhe u larguan të qetë. Natyra kureshtare më bëri t’i hidhja edhe një tjetër shikim të dyshimtit, i cili në atë moment po fliste me celular. Nuk e di pse m’u fiksua që ai duhet të ishte vrasës me pagesë. ‘Ndoshta në këtë çast është duke folur me porositësin’, – mendova.
Nëse mund të quhej punë edhe vrasja e një njeriu të pafajshëm, pagesa shkonte gjer në pesëdhjetë mijë euro. Kjo shifër përmendej në një shkrim në një nga gazetat ditore ku gazetarja merrej më tepër me përfitimin e vrasësit sesa me dhembjen për viktimën.
Ngrinin çmimet porositësit…i ngrinte dyfish policia për informatorët.
‘Nëse jam i sigurt që vrasësi është pikërisht ky djalosh përballë meje, më duhet ta denoncoj’, -thashë me vete, por ndjenja ime e qytetarisë u shua në çast, sa vura re pamjen e tij të qetë.
Mua në shkollë më thërrisnin qullash dhe, në të vërtetë, edhe pse mbarova shkollën e lartë, nuk kam qullosur gjë në jetë. Eh! Unë jam njeri parimor. Asnjëherë nuk e kam kuptuar nga buron ky moral i cili më frenon për të kryer veprime të pandershme dhe as që dua të marr në analizë karakterin tim të ndërlikuar. Tek unë ende flenë ambicie dhe ide të lindura qysh në vitet e fëmijërisë, mirëpo, ajo që më ka bërë inaktiv në jetë është çasti kur unë kuptova harmoninë që ekziston midis së mirës dhe së keqes… Jeta është e bukur ngaqë lulja ia ka nevojën pikërisht plehut. Këtë sentencë e kam krijuar unë vetë.
I hodha një shikim tjetër të dyshuarit tim, m’u duk simpatik dhe njerëzor. Nuk dua ta nënvleftësoj veprimin e tij kriminal. Vrasësi mbetet vrasës, në çdo kohë. Njolla e gjakut e ndjek pas.
Në një çast, kur shikimet tona u ndeshën, djaloshi më shkeli syrin, miqësisht, si të më thoshte: me ty kuptohem ose prej ca personave si ty nuk vjen asgjë e keqe.

* * *
Të nesërmen, lajmi i vrasjes së zonjës H.G. kishte pushtuar faqet e para të gazetave ditore. Komentet rreth vrasjes i ngjanin një lloj konkursi fantazie. Në titrat e televizionit “News 24” shfaqej here pas here oferta e policisë prej 10 mijë eurosh për denoncuesin. “Qullashi”, domethënë unë, edhe pse e ëndërronte një shumë të tillë, nuk kishte lindur për këso punësh. Në mëngjesin e ditës tjetër, ndërkohë që familjarët e viktimës shkonin drejt varrezave, me lule në duar, zbulimi i vrasësit u pasqyrua bujshëm në faqet e para të gazetave ditore, së bashku me foton e tij. Bleva dhe unë një gazetë për ta këqyrur me kujdes fytyrën e tij… Po.Po. Ishte pikërisht ai, djaloshi me xhakoventë lëkure i klubit të basteve. E quanin Hektor Guçe, 27 vjeç, kumarxhi bastesh sportive, i papunë, dy herë i dënuar për vjedhje, frekuentues i lojërave të fatit. I dënuar në 2005-n me gjashtë muaj burg, me akuzën e “vjedhjes” në tentativë, i ridënuar në 2006-n me 35 mijë lekë nën akuzën “largim nga vendi i aksidentit”. Nga deponimet e para në polici Hektor Guçja kishte pranuar krimin, duke e argumentuar me gjendjen e tij ekonomike. Në vitin 2009, së bashku me dy shokë , ishte nisur për në Greqi. Dy muaj më vonë kishte përfunduar në hetuesinë e Patrës, i dyshuar për vjedhjen në bashkëpunim, të një supermarketi. Më pas e kishin liruar dhe e kishin kthyer në Shqipëri. Në Tiranë jetonte në një shtëpi private, me qira.
I marrë në pyetje nga policia, po atë mëngjes, në prani edhe të një gazetari të gazetës “Panorama”, ai përgjigjej sikur të tregonte diçka që i përkiste tjetërkujt dhe që ai mezi ç’priste për ta bërë publike, duke shpresuar se prej këtij rrëfimi varej pastrimi i ndërgjegjes së vet:
-Pse e vrave zonjën H.G.?
-Nuk kisha ndërmend ta vrisja .
-Po ti e qëllove tri herë?
-Treshin e kam numrin tim. Që mbaron punë.
-Ku u fshehe pas vrasjes?
-Aty rrotull.Te një lokal i probasteve..
-Nuk u ktheve më te vendi i ngjarjes?
-Jo.Pse të kthehesha?
-Kjo është grabitja juaj e parë?
-Jo.
-E kishit planifikuar grabitjen?
-Kisha një muaj që ia kisha vënë syrin. Kisha studiuar kohën kur hynte dhe dilte. Kisha studiuar rrugën dhe vendosjen e kamerave. Kisha llogaritur kohën. Nuk duhet të zgjaste më shumë se 3 minuta.
-Ishe i vetëm apo me shokë?
-Vetëm.
-Me doreza ishe kur hyre në lokal?
-Në njërën dorë kisha dorezë. Dorën tjetër, që mbaja pistoletën, e kisha pa dorezë.
-Po pistoletën ku e ke marrë?
-Te Rruga Bardhyl. E kam blerë 60 mijë lekë.
– E mban mend personin që ta ka shitur?
-Jo,E kam takuar në loto. I thashë që doja një pistoletë dhe ai ma gjeti.Më parë kisha një “Zastava Mini Blow”, por për të nuk gjeja fishekë, ndaj bleva tjetrën. “TT”-në e hodha në Lanë, te ura e vogël përballë ish-ekspozitës.
-Gjithmonë me pistoletë lëviz?
-Po.
-Kishe maskë në çastin që hyre në lokal?
-Kisha.
-Pse vendose ta kryesh grabitjen atë ditë?
-Të premten e kam ditë shansi.
– …
-Shok ke?
-Jo.
-Të dashur ke?
-Jo. Ndonjëherë, kur kam dashur, kam shkuar me lekë.
-Ç’punë ke bërë pasi u ktheve nga Greqia?
-Asnjë punë. Këtë mënyrë jetese kisha zgjedhur.
-E përdorni drogën?
-Jo, jo.
Nga përgjigjet e shpejta e të pamenduara mirë, m’u krijua bindja që nuk ishte i vetëdijshëm që ndodhej në vendin e shumëpritur. Luante naivin apo çfarë? Fliste lirshëm, pa frikën e fajtorit, sikur të kishte kohë që e priste këtë çast rrëfimi. Jepte detaje të profesionit të hajnisë gjakftohtë, pa zemër e me një kujtesë të fortë.
Ky njeri duhet të ketë një dërrasë mangut, mendova, ndryshe si mund të flasë kaq qetësisht e pa brerje ndërgjegjeje për vrasjen e asaj qytetareje të pafajshme, grua e nënë e dy fëmijëve? Përgjigjet e tij për kohën e fëmijërisë ishin të ftohta, të shkurtra dhe të prera. Hektor Guçe ishte produkt i një babai pijanec dhe një gruaje injorante. I ati kthehej në shtëpi xurxull duke vënë dorë mbi bashkëshorten. Me skena të tilla nga fëmijëria ishte rritur Hektori. Në pesë vjeç prindërit e tij ishin ndarë dhe ai kishte përfunduar në fshatin Perondi, te shtëpia e gjyshes nga babai.
Nëse pikologu i çështjes do të kërkonte një shkak fillestar për lindjen e një vrasësi , duhet të gërmonte në thellësi të viteve, te trauma që ndodh në të tilla raste në psikikën e një fëmije. Një fëmijëri e vrarë dhe e poshtëruar, nën një qiell pa shpresë. Një fëmijë i rritur në varfëri të thellë e me një mëri të heshtur për gjithçka e ndaj të gjithçkaje. Megjithatë, raste të shumta kanë treguar se fëmijë jetimë e të pambrojtur nga askush, që janë rritur në kushte edhe më të vështira, kanë bërë një jete normale, krejt ndryshe nga ajo e Hektor Guçes.

* * *
Isha duke bërë shëtitjen e mëngjesit në trotuarin me rrepe të rinj, anës lumit të Lanës, kur te ura e varur që gjendet pranë ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, aty ku vrasësi kishte hedhur pistoletën “TT” në ujërat e Lanës, takova mikun tim, avokat Stefi Bozhdarin, gjithmonë i qeshur e faqekuq, me një dosje në dorë dhe me atë ecjen e tij të ngutshme sikur e presin gjithmonë punë të mëdha.
Tokëm duart përzemërsisht. Në fakt edhe unë kam mbaruar juridikun, por jo gjithkujt i qesh fati për të gjetur një punë si ajo e mikut tim të fakultetit, avokat shtetëror, i cili artin e të shtirurit e kishte kthyer në profesion.
M’u shfajësua për atë takim të shpejtë, duke më shpjeguar se nxitonte për në qelitë e burgut 313 që të merrte në pyetje një të pandehur që kishte qëlluar mbi një grua.
Hektor Guçen?- e pyeta unë?
– Po, – tha ai. – Po ti nga e ke marrë vesh?
-Nga gazetat.
-Më ka rastisur të marr në mbrojtje edhe kriminelë të tjerë,- tha ai, – por rasti i tij ndryshon. Nuk të lodh shumë. I tregon vetë të gjitha. Sikur ta dijë ligjin i cili, në raste të tilla, ul një të tretën e dënimit.
-Po më bën kureshtar , -i thashë.
-A ke dëshirë ta njohësh? –më pyeti. – Eja me mua.Të fus unë brenda.Ti mos fol. Vetëm shiko. Shiko dhe dëgjo…
-Vërtet?
-Do të të paraqes në postërojë si kolegun tim, ekspert psikiatër. Kam idenë se është një njeri i sëmurë. Në seancën e parë që pata me të më tregoi që ishte njeri besimtar, se shkonte rregullisht në kishë dhe i lutej zotit ta ndihmonte për të mos bërë punë të këqija.
Nuk u besova syve, kur e pashë. Si kishte ndryshuar aq shumë brenda pak ditëve? Dukej i tretur. Kishte një shikim të shuar. Na hodhi një shikim të shpejtë Mua nuk më kushtoi vëmendje..Stefi i ulur përballë tij, të krijonte përshtypjen e një avokati babaxhan të cilit mund t’ia hapje zemrën pa frikë.
-Hë? Ke fjetur mirë?
Në vend të përgjigjes vrasësi psherëtiu lehtë. Përgjigjet e tij ishin të lodhura, vetëm me një “po” ose “jo”.
– Kur ke vjedhur për herë të parë?- e pyeti Stefi .
-Kam qenë i vogël, katër ose pesë vjeç, – tha ai. – Kam vjedhur dy vezë në kotecin e komshinjve. -Çfarë bëre me to?
I zieva dhe i kullufita, njërën pas tjetrës.
Ky kujtim i bukur fëmijërije e gjallëroi disi.
-Kemi qenë të varfër, – tha.
Në atë çast unë mora guximin ta pyesja nëse më njihte mua. –Jo,- tha, pa shprehur asnjë interesim të më vërente me kujdes.
Nga i gjithë ai takim, më mbeti në mend pamja e tij në çastin kur tha “kemi qenë të varfër.” Vetëm në atë çast shfaqi një fytyrë njerëzore. Ende nuk e kam të qartë: ideja për të vjedhur dy vezë ishte një veprim i një fëmije të uritur apo një dëshirë instinktive e një hajni të ardhshëm?
E kishte nisur aktivitetin me dy vezë dhe po e mbyllte me një vrasje . Gjithësesi, unë mendoj se në kësi rastesh, në vend që t’i shtonim burgjet, do të ishte më mirë t’i shpallnim luftë varfërisë, pasi njeriu nuk lind vrasës, as hajn e as imoral, nga natyra, janë rrethanat ato që e bëjnë atë njeri të tillë.

* * *
Hektor Guçe u nda nga jeta më 4 maj 2012, në qelitë e burgut nr. 313, dy ditë para se të zhvillohej seanca e tij gjyqësore.U fol se e kishin helmuar në qeli dy ditë para se të dilte para trupit gjykues. Sipas raportit të policisë atë mëngjes një njeri i panjohur ishte shfaqur te porta e hekurt e burgut si i afërt i tij, kishte lënë një pako me ushqime dhe një shishe Coca-cola dhe kishte ikur. Dy orë më vonë atij i kishin plasur të vjellat. Andej nga mëngjesi ndërroi jetë. Mjeku ligjor dyshoi për helmim sa hyri në qeli dhe e pa me buzë të shkumbëzuara.
Krimi i ndodhur në dhomat e qelisë i kaloi për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së shtetit.