Gazeta Nacional Albania

Tahir Bezhani: MBRESA NGA MITINGU I 58-të I POEZISË NË GJAKOVË

Anton Marku nga Austria dhe Diellëza Berisha nga Gjakova, marrin Çmimin “Ali Podrimja”

“Organet kompetente të Komunës së Gjakovës, përherë i kanë dalë në mbështetje Mitingut, si aset kombëtar e ndërkombëtarë i kulturës sonë. Por, këto dy vitet e fundit institucionet e Gjakovës dhe ato në nivel qendror, ia kthyen shpinën kësaj vlere me traditë, nuk derdhen asnjë cent për të mundësuar mbarëvajtjen si vetive të mëparshme.”

Nga Tahir Bezhani

Më 09 Maj, 2022, në sallën solemne të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, u mbajt Mitingu i Poezisë, i 58-t’i me radhë, në të cilin morën pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve dhe krijuesve-poetw nga Shqipëria e shumë qytete te Kosovës.

Mitingun e Poezisë e hapi poeti e krijuesi i mirëfilltë, anëtar i kryesisë së Klubit letrarë “Gjon N.Kazazi” të Gjakovws, Engjëll Berisha, i cili në fjalën e tij, foli për historinë e Klubit letrar dhe Mitingut e Poezisë, për figurat madhore të kulturës sonë letrare, si Din Mehmeti, Besim Bokshi, Ali Podrimja etj. të cilët e formuan Mitingun e Poezisë në Gjakovë në vitin 1963. Në këtë mbrëmje, nga e gjithë ajo plejadë famëmadhe që formuan Mitingun e Poezisë, ishte prezent artisti i artit pamor e poeti Masar Kupa nga Gjakova, i cili evokoi kujtime mbi themelimin e këtij manifestimi historik. Që nga ajo kohë, Mitingu është mbajtur vazhdimisht, edhe në rrethana lufte, duke sakrifikuar çdo gjë nga vetja krijuesit, për hire të rëndësisë së fjalës së shkruar dhe kulturës letrare, tretmanit pozitiv që gëzon Gjakova në arenën kombëtare e ndërkombëtare.

Anton Marku nga Austria dhe Diellëza Berisha nga Gjakova, duke pranuar Çmimin “Ali Podrimja”, për poezinë më të mirë lexuar në këtë Miting.

Masar Kupa, i vetmi dëshmitarë i themelimit të Mitingut të Poezisë në vitin 1963 në Gjakovë.

Një publik artdashës që meriton respekt të përhershëm

Për këtë qëllim, organet kompetente të Komunës së Gjakovës, përherë i kanë dalë në mbështetje Mitingut, si aset kombëtar e ndërkombëtarë i kulturës sonë. Por, këto dy vitet e fundit institucionet e Gjakovës dhe ato në nivel qendror, ia kthyen shpinën kësaj vlere me traditë, nuk derdhen asnjë cent për të mundësuar mbarëvajtjen si vetive të mëparshme.

Megjithatë, poetët, anëtarët të Klubit letrar, “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, nga diaspora dhe brenda vendit, nuk lejuan shuarjen e këtij manifestimi me traditë afër gjashtëdhjetëvjeçare. Shpend Gjocaj e Ali Zalli nga SHBA, Anton Marku nga Austrija, e disa të tjerë, dhanë ndihmën e tyre që ky Miting i Poezisë të qëndroi i denjë si përherë në qytetin e Gjakovës.

Në praninw e një numri të konsiderueshëm të dashamirëve të fjalës së shkruar, manifestimin e Mitingut e hapi poeti nga Tirana Artur Shemaj i
cili në fjalën e tij, vlerësoi Mitingun si vlerë kombëtare që krijon ura bashkimi mes njerëzve dhe popujve të qytetëruar. Njëherit falënderoi kryetarin e letrareve te Gjakovës, z. Muharrem Kurti për ftesën.
Poezitë e tyre i lexuan poetët nga qyteti nikoqir dhe disa qytete të Kosovës e Shqipërisë. Pas leximit të poezive të tyre, juria e përbëre nga tre anëtarë, me në krye Jeton Kelmendin, veçuan dy krijues për çmimin “Ali Podrimja”, Anton Markun dhe Diellëza Berisha.

Si zakonisht, për çdo vit vlerësohet krijuesi më i mirë në prozë mes dy mitingjeve, i cili merr çmimin “Teki Dervishi”. Këtë radhë, çmimi në fjalë, për prozën më të mirë iu nda prozatorit të shquar të letërsisë shqipe, zotëri Zija Çela, për librin me tregime “Thika pa gjak,” botuar gjatë vitit 2021/2022.
Në fjalën e tij përshëndetëse, me rastin e marrjes së Çmimit “Teki Detrvishi”,z. Çela, foli fjalët më të mira për Klubin Letrarë “Gjon Nikollë Kazazi”të Gjakovës dhe vlerën e Mitingut të Poezisë si më i vjetri në traditën letrare në trojet shqiptare. Prozatori Çela, u prit me duartrokitje dhe dashamirësi nga publiku gjakovar.
Marrë në tërësi, Mitingu i Poezisë, mbajtur mbrëmjen e datës 09 Maj 2022 në Gjakovë, përkundër rrethanave i përmbushi të gjitha qëllimet, duke mbajtur të gjallë peshën dhe rëndësinë historike që ka Klubi Letrar dhe Mitingu i Poezisë në Gjakovë.
Shpresojmë për më të mirën se institucionet zyrtare lokale e qendrore, do të jenë më të arsyeshme në vlerësime herëve tjera dhe se Mitingu i Poezisë në Gjakovë do mbahet, si ka hije, me financimin e Komunës dhe të Ministrisë së Kulturës së shtetit të Kosovës.