Gazeta Nacional Albania

TAHIR BEZHANI: Portreti i një gruaje fisnike, shembull vlerash nëpër kohë. KOHA NXJERR NË PAH VLERAT E NJERËZËVE TË DËSHMUAR

Lufta për lirinë e Kosovës në fundvitet e shekullit të kaluar, ishte e vetmja luftë që këtij populli ia solli lirinë e vonuar me shekuj. Pas gjitha atyre katrahurave, nuk kanë kaluar shumë vite për t’u harruar, dhe nuk mund të harrohet kurrë, nga se e paguam shumë shtrenjtë me gjakun e derdhur pafaj të këtij populli. Patëm fatin e zi që të kemi luftëra me një armik barbar i cili gjithmonë ka qenë i uritur për tokat tona, i etur për gjakun tonë….
Lufta edhe sakrificat gjithë popullore e viteve 1998/99 ishte shembulli më i mirë para botës se një popull që e dëshiron lirinë, nuk e kursen as jetën. Në këtë kuptim, secili në mënyrën e vet, u përpoq të japi kontributin për lirinë e kësaj toke, shpesh e larë në gjak pafajësie.
Në këtë kuptim, e tillë ishte Fatmire Berisha-Thaqi, një nënë trime e fisnike nga fshati Rogovë, komuna e Gjakovës, e cila gjatë luftës, në fund janarin e viti 1999, përjetoi tmerrin dhe mynxyrat e soldateskës serbosllave. Rrëfimet e kësaj burrëreshe për përjetimet e ngjarjeve të luftës, janë rrëqethëse edhe pas kaq vitesh të ikura.Duke iu lutur që të na rrëfeji për përjetimet e saja në luftë, pa hezitim pranoi, por se në fillimin e rrëfimit, në fytyrën e saj ndërroheshin ngjyra ylberi fytyrës, nga emocionet që përfshinin qenien e saj .
Ishte data 29 janar 1999 rreth orës gjashtë të mëngjesit, ditë e premte, ditë pazari në Rogovë të Hasit- filloi rrëfimin Fatmire Berisha-Thaqi, e mbërthyer nga emocionet. Kishte dy ditë që dëgjoheshin të shtëna armësh në drejtim të Bishtazhinit, Godenin dhe Rogovës. E dinim se po luftonin djemtë tanë, trimat e lirisë, por nuk dinim se si ishte gjendja momentale e tyre.
Më kujtohet si sot, atë ditë, me 29 janar1999 atë mëngjes të kobshëm, pushoi zjarri në hyrje të fshatit tonë, Rogovës. Pas një intervali kohor, në oborrin e shtëpisë sonë, u futen rreth njëzet ushtarë të UÇK-së. Morën pozicionet luftarake në oborrin tonë, ndërsa ne, grarimi i shtëpisë, u gjendem në një pozicion ku ndihma jonë ishte e domosdoshme për trimat tanë. I vërejtëm se ishin të plagosur në luftime paraprake. Në atë moment,e di kur gjyshja ime u ka thënë policëve serb:
“Dilni jashtë oborrit tim, shkoni në punën tuaj. Këtu nuk është askush i huaj…! “Sapo filluam ofrimin e ndihmës sonë ushtarëve të UÇK -së, atë mëngjes të hershëm, për derë të oborrit u futen policë serbe, të cilët e kishin lidhur axhën tim afër tregut. Tërë kohën e kishin rrahur deri në oborr. Pastaj erdhën edhe disa të tjerë, u bënë shumë. Ne kuptuam se policia kishte vëzhguar me saktësi pjesëtarët e UÇK-së dhe pa vonesë, është hapur zjarr nga të dyja palët. Kam dëgjuar kur policia serbët ka kërkuar të dorëzohen, por ushtarë e UÇ K-s, hapën zjarr dhe me sytë e mi pash kur u vra një polic i armikut.
Situata acarohej në çdo minutë, të shtënat ishin të shumta, ndërsa ne, gjinia femërore, shikonim të tmerruara ngjarjen. Pas një kohe pushoi zjarri ,por mjerisht, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së mbetën të vrarë ,ranë heroikisht në oborrin e shtëpisë sonë…
Pas këtij rrëfimi prekës, të dhimbshëm, Fatmires iu mbushën sytë me lot. Paraftyroi skenen e rastit. U freskua me gotën e ujit që kishte para vetes, ndërsa kafeja ishte ftohur, e harruar mbi tavolinë. Pas një pushimi të shkurtër, iu lutëm që të vazhdojë me ngjarjen, rrëfimin emocional për të gjithë neve që e dëgjonim.
Pastaj, pastaj filloi ai represioni ndaj familjës sonë, ndaj granimit, siç e kanë zakon shkiet, duke na goditë me ç’ka kishin në dorë, me çfardo mjeti, shkelma, pendreka, shkopinjë, shpulla. Mua me goditën në kokë, nuk di me ç’ka, dhe humba ndjenjat për pak kohë. Gjyshës ia patën thyer krahun, në fillim kur reagoi “që të dalin nga oborrit”. Tërë ditën, nga mëngjesi e deri në orët e mbrëmjes nuk e ndalen represionin ndaj neve. Na thonin, “ju iu keni dhënë bukë UÇK-së, duhet vrarë të gjithëve!….” Ajo që më lëndoj më së tepërmi, deri në shpirt, ishte goditja me shqelma e foshnjës sime në djep, e cila tek sa kishte mbushur katër javë. Këto lloje veprimesh i bëjnë vetëm njerëzit pa shpirt, me epshe gjenocidiale…
Policia kërkonte burra nëpër shtëpi, por nuk e hetuan se ku e kishim fshehur axhën Shefqet, nën divanat e dhomës, mbuluar me gjësende të ndryshme. Kishte hapësirë për frymëmarrje mjaft. E shpëtuam!…Të gjitha këto ngjarje i përjetova në shtëpinë e babës, Avdi Berisha, aty më zuri ngjarja e hidhur. Pasi ikën policia serbe, të nesërmen kemi pastruar oborrin e shtëpisë. Kemi hequr gëzhoja me kova, kemi parë shumë gjak, kemi parë tmerr.Nuk harrohet kurrë ajo ditë e 29 janarit 1999…
Pas kësaj ngjarje të rëndë e të paharruar, familja u shpërnda gjithandej kah mundi e kah dinte, ndërsa mua me ndihmën e OSEBE-së, me bashkuan me familjen e burrit. Ikëm pastaj për Durrës, ku ndejtëm deri në qërshor 1999, kur u çlirua Kosova pas intervenimit të NATOS.
DEKORATA E PRESIDENTES MË SOLLI GËZIMIN MË TË MADH NË JETË
Pas atyre ngjarjeve të rënda e të tmershme të luftës së fundit,jeta filloi t’i rikthehet normalitetit, anise me shume vuajtje, mërzi, dhimbje të papërshkruara për secilin prej nesh. Në çdo përvjetor të kësaj ngjarje historike të ndodhur në Rogovë të Hasit, komuna e Gjakovës, më intervistonin gazetarë televizionesh të ndryshme. Tregoja ngjarjen ashtu siç kishte ngjarë, siç e kishim përjetuar të gjithë.
Me gjasë rrëfimet e mia para mjeteve të informimit, dikujt ia kishin tërhequr vëmendjen për një fashitje dhimbjesh që kisha përjetuar, por si kishte vajtur puna, nuk dija asgjë.

Me 17janar 2023 me ftesë të Presidencës shkova në Prishtinë. Pasi u futa brenda, një zyrtar i Presidencës, më komunikoi arsyen e ftesës dhe në emër të presidentes, zonja Vjosa Osmani, më akordoi dekoratën e lartë, me motivacionin:
“ PËR SAKRIFICEN E JASHTËZAKONSHME,BETEJEN PËR DREJTËSI DHE KONTRIBUTIN E VEÇANT NË MBROJTJEN E SË VËRTETËS DHE ZBARDHJEN E KRIMEVE TË KRYERA GJATË LUFTËS NË KOSOVË”.
Kjo dekoratë vlerësuese më bëri të ndihem shumë e lumtur, e gëzuar dhe krenare. Dëshiroj që këtë moment vlerësues nga Presidentja, ta ndaj me të gjitha nënat e Kosovës, të cilat humben më të dashurit e tyre, ose përjetuan tmere të papara lufte nga një polici e ushtri barbare serbe. Kurrë më mos ndodhtë luftë në këto troje tona!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Kështu e përfundoi rrëfimin e saj gruaja fisnike e trimëreshë, nga Rogova e Hasit ,komuna Gjakovës, e cila përjetoi tmerin e ngjarjeve të luftës në Kosovë, posaqërisht ato të dates,27,28 e 29 janar 1999, ku u vranë shumë trima të lirisë së Kosovës.

Gjakovë,21 Tetor 2023