Site icon Gazeta Nacional Albania

TË HËNËN PROMOVOHET ROMANI “KANDIDATI PËR KANDIDAT” I SHKRIMTARIT DHE DIPLOMATIT TË NJOHUR ARBEN ÇEJKU

Të hënën, më 23 qershor 2025, në orën 11:00, në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të zhvillohet ceremonia e promovimit të romanit më të ri të shkrimtarit dhe diplomatit të njohur Arben Çejku, me titull “Kandidati për Kandidat”.

Të hënën, më 23 qershor 2025, në orën 11:00, në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të zhvillohet ceremonia e promovimit të romanit më të ri të shkrimtarit dhe diplomatit të njohur Arben Çejku, me titull “Kandidati për Kandidat”.
Veprimtari organizohet nga Shtëpia Botuese “Mediaprint”, botuese e romanit, dhe sjell në vëmendje të publikut një vepër letrare të veçantë për nga stili, tematika dhe qasja kritike ndaj realitetit politik shqiptar.
Romani është shkruar në një stil satirik të spikatur, ku autori paraqet një reflektim artistik mbi realitetin e politikës dhe demokracisë së brendshme në partitë politike. Në qendër të rrëfimit është një jurist pa emër – “Kandidati për Kandidat” – i cili synon të kontribuojë me integritetin dhe idealizmin e tij brenda një partie politike, por përballet me një realitet të mbushur me zhgënjime dhe paradokse. Rruga e tij shndërrohet në një udhëtim përmes labirinteve të sistemit, ku idealet përplasen me interesat dhe mekanizmat e pushtetit.
Çejku, me mjeshtri narrative dhe humor të hollë, trajton çështje të ndjeshme si mungesa e meritokracisë, deformimi i garës politike, kultura e emërimeve dhe kriza e besimit në përfaqësim. Personazhet si Mimoza Lastari, Qetësor Bubullima, Pajtim Karari, Drejtim Kthesa, Fjolla Tymi, Puhiza Fresku, Lule Shqerra, Breg Kodra, Tomorr Erzeni e Qendrim Fluturaku, përfaqësojnë një galeri të gjerë simbolike që sjell risi në letrat shqipe, duke shkrirë të qeshurën me tragjikomiken.
Ky roman, që ngjan me rrëfimet ironike të Faik Konicës, por i vendosur në kontekstin e ditëve tona, është një ftesë për reflektim pas më shumë se tre dekadash tranzicion politik e shoqëror në vend. Mes ironisë, realitetit dhe alegorisë, “Kandidati për Kandidat” ngre pyetje të rëndësishme për të ardhmen e partive politike dhe vetë demokracisë shqiptare.
Gazeta do të sjellë së shpejti një trajtesë më të zgjeruar mbi veprën dhe qëndrimet e autorit.

Exit mobile version