Të studiosh në Universitetin e Tetovës nënkupton jo vetëm të ndjekësh rrugën e dijes, por edhe ta përqafosh veprën vizionare të themeluesit të tij, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili me guximin dhe vendosmërinë e tij, e orientoi popullatën shqiptare drejt qytetërimit properëndimor, duke e pozicionuar në anën e drejtë të historisë.
Shqiptarët në Maqedoninë e dikurshme, për dekada me radhë, u përballën me mohimin e së drejtës për arsimim në gjuhën shqipe, pamundësinë e përdorimit të simboleve kombëtare, mungesën e përfaqësimit të barabartë në institucionet shtetërore si dhe pengesa të ndryshme në zhvillimin e veprimtarive shoqërore, shkencore e kulturore. Megjithatë, pavarësisht këtyre privimeve, shqiptarët në këto troje nuk reshtën kurrë së punuari për realizimin e të drejtave të tyre legjitime.
Tradita e përpjekjeve për dije dhe arsim, e cila e ka shoqëruar historinë tonë kombëtare, është e lidhur ngushtë me thirrjen e rilindësit Naim Frashëri se “vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar”.
Ky postulat u bë udhërrëfyes i shumë brezave, duke u mishëruar fuqishëm në veprën e intelektualëve shqiptarë të viteve ’90. Pikërisht në këtë frymë, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, më 1994 u themelua Universiteti i Tetovës, institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Ky akt nuk përfaqësonte vetëm një arritje akademike, por mbi të gjitha ishte një moment historik në procesin e emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

