Kooperativa jonë ishte kooperativë fushore, as e tipit të lartë as me drejtim blegtoral, as dhe ndërmarje shtetërore. Kështu titulloheshin gjithë ndërmarrjet sipas një grupimi fshatrash dhe sigurisht sipas vend ndodhjes së fshatrave. Ishte privilegj të ishe N.B shtetërore, pastaj me radhë kooperativë e tipit të lartë, të mesme dhe më keq nga të gjitha ishin kooperativat malore. Aksioni dhe ndihma që bëhej nga kooperativa të caktuara në ndihmë të kooperativave që kishin ngelur prapa me korrjet dhe grumbullimin e kulturave bujqësore ishte bërë e ditës. Mbizotëronte një solidaritet që ish i kontrolluar dhe urdhëruar. Por kishte dhe ditë të veçanta si kjo e diele që kohët e fundit ish bërë më zotëruese pasi nuk paguhej fare. Dhe për këtë shkak i qe vënë dhe emri që mos kishte kush kundërshtime. “Dita e Enverit”. Një ditë që do punohej pa shpërblim. Ishte e domosdoshme dhe një ditë e tillë se sa vinte dhe tempi i punës binte, prodhimi sa vinte dhe nuk realizohej. Më e keqja që mbizotëronte kohët e fundit ishte, gënjeshtra. Të gjitha ecnin zinxhir dhe kishin mare tatëpjetën. Po ngushtohej ripi. Frika i detyronte drejtuesit që të gënjenin. Duhej që të ruaje vendin e punës. Por kohët e fundit ishte ngritur në shkallën më të lartë. Një shembull sa për ilustrim që do duket i pabesueshëm por është i vërtete.
Isha brigadier dhe prisja të filloja lërimin e tokës për mbjelljen e grurit. Kisha gjashtëdhjete ha dhe ende nuk kisha nisur. Atë ditë që do dërgonin traktorin shkova vetë me një puntor që t’i prisja. U ulëm në mezhdë. Punëtori kish marre me vete radion e tij Iliria. Pasi dëgjuam një kolazh me këngë popullore filluan lajmet. Vura veshin të dëgjoj se lajmet fillonin gjithmonë me bujqësinë. Në kooperativën e Drenovës ka mbaruar mbjellja e grurit. U habita. Si brigadier i ri që isha kisha të drejtë të habitesha. E dëgjova mirë i them punëtorit. Po më thotë ai fare mirë. Atëhere i them, po ka mbaruar mbjellja dhe ne se dimë duhet të ikim në shtëpi, përse kemi ardhur këtu. Je ende i ri mor djalë më thotë punëtori. Pa gënjeshtra nuk mbahet shteti. Kulmi pëshpërita dhe me kaq nuk e zgjata.
Të hidhemi te dita e famshme e Enverit. E diele. Një kontingjent i mirë të rinjsh nga fshati ynë hipën autobuzin që të shpinte në Sheqeras. Do korrnim misër. Misri dy metro nga toka e mirë, torfë e zezë jo si ato skërkat tona që nuk prodhonin asgjë. Ndaj dhe ishte N.B kjo. Filluam punë sipas një plani të hartuar mirë nga organizatorët. Disa korrnin me drapër, të tjerë stivosnin, ndersa femrat në përgjithësi xhvishnin kallëpet e misrit, të tjerë me krahë, qerre dhe raba traspotronin drejt koshereve. Bënte ftohtë por dielli na ngrohte nga pak pasi nuk kish horizontit asnjë re. Unë dhe Tirka korrnim me drapër. Një artopolant gjëmonte tutje te makina që kish qëndruar afër rrugës. Këngë partizane dhe lajme të incizuara si ato që shikonim para filmave, dekumentar si quheshin. Më i gjatë ishte dokumentari se filmi. Ishin gjithë propogandë, qesharakë në përgjithësi se gjithshka që pasqyrohej aty ishte e fryrë dhe e gënjeshtërt. Mbanin gjallë frymën revolucionare dhe stimulonin njerzit që të punonin me devotshmëri e përkushtim. Ish një nga marifetet e shtetit dhe partisë që te dekumentarët mbahej lart ajo frymë. Por gjithshka kohët e fundit kish ngrirë dhe jepte efekt të kundërt. Të gjithë punonin dhe as dhe një buzëqeshje nuk u shihje fytyrës. Kushedi ku u kulloste mëndja te gjithë ato halle që kishin. Dhe kjo ju duhej, që një ditë pushimi të shkonin të punonin pa shpërblim. Fshatari nuk kishte asnjë ditë në vit pushim. Gjithë viti ishte i mbushur me fushatat e mbjelljes, prashitjes, korjes, grrummbullimit të prodhimit, ku kjo e fundit ishte më problematikja pasi mungonte trasporti dhe gjithë mundi shkonte kot. Mbi kurrizin e fshatarëve shkarkohej gjithshka. Në fund të vitit debitorë dhe kur mernin lekët u mbahej nga rroga.
Në drekë dëgjojmë çangën që binte papushim si ajo që na mblidhte në zbor që rinte varur në arra e stallave. U grumbulluan të gjithë aty te qendra se pritej që një nga të mëdhenjtë do të fliste. Doli para të gjithëve një burrë i shkurtër bukurosh dhe mjaft i ri për të qënë i deleguar nga komiteti i partisë. Ai mbajti një fjalim të shkurtër ashtu si ishte dhe vetë, duke përgëzuar gjithë pjesmarësit sidomos ata që kishin ardhur nga fshatra të tjerë. Së fundi ai prezantoi një grup artistik për të performuar. Njëkohësisht gjatë koncertit të gjithë filluan të hanë bukë që mos humbnin kohë. Disa nxorën para bukë misri të tjerë me dy piperka të skuqura, kush domate dhe ndonjë pisuskë marmalate. Kishte dhe nga ata që e hanin thatë. Kisha Tirkën shokun tim afër. Buzëqesha pasi duke parë fshatarët tek përtypeshin mu kujtua fjala e tij që ma thosh shpesh kur hante hudhra. Kam ngrënë sallam. Sallami kish fluturuar, po ashtu dhe djathi. Mbaji erë gojës më thosh. Qesha. U dhanë dhe tre skeçe të shkurtër. Njëri syresh fliste ose më mirë kritikonte një të ri që i bënte bisht punëve të vështira. Të gjithë qeshnin, kish dhe nga ata që qeshnin me zor sa për sy e faqe. Nga frika se i shihte kush. U kënduan dhe dy këngë shoqëruar me orkestër. Ishin marre masat me përpikmëri. Kohë e spektakleve dhe gënjeshtrës. Nëpër dyqane shihje vetëm shitsat ishte zhdukur mishi nga qarkullimi. Kish filluar që të rralloheshin gomerët nëpër fshatra, iriqët dhe ligavecët, breshkat, zhabat. Kohët e fundit filluan dhe me qenër e mace. “Dita e Enverit” pak nga pak po merte tatëpjetën. I deleguari iku pas koncertit, korri sa për tu dukur pesë misra dhe hipi xhipin dhe u largua. Më pas filluan të largohen agronomët dhe gjithë stafi drejtues me brigadierë dhe normiste. Qerexhinjtë dhe ata që transportonin misrin ishin ende duke punuar dhe disa të tjerë që ende nuk kishin mbyllur normën. Unë dhe Tirka me shokë morëm rrugën të ikim pasi na priste autobuzi. Në këtë kohë mbas nesh po vinte një karrocë me dy kuaj të trembur kushedi nga se. Kuajt dyshek vithet të majmur si kuaj N.B-je. Për pak sa na shtypën aq të egërsuar rendnin. Karrocieri vinte mbas tyre me vrap. Hapuni bërtiste ai, hapuni se janë trembur dhe nuk ndalojnë. U mënjanuam që të shpëtojmë prej tyre. Ata vrapuan tutje dhe pa mbritur te ura raba me gjithë misër u përmbys në kanal. Kuajt poshtë në baltakun e kanalit dhe sipër tyre karroca me gjithë misër. Gjithë sa ishin u mblodhën aty. Edhe ne shkuam. Filluan që të shpëtonin kuajt. Ata të dy me koka të zhytur në llum përpëliteshin. Nuk dalloheshin në ishin kuaj pasi e dhe rraba me misër gjithë ata thasë rrinin mbi ta. Asnjë shpresë për të dalë gjallë. Dhanë shpirt aty para syve tanë dhe askush nuk mundi dot ti shpëtojë. Karrocieri qante dhe megjithëse ishte zhytur edhe ai në kanal nuk mundi ti shpëtojë. Të gjithë shikonin atë skenë makabre dhe gjithë ata vetw që u zhytën mes llumit dhe përsëri pa rezultat. Ishte dhe “Dita e Enverit” dhe si do justifikohej gjithë kjo gjëmë. Karrocieri mes lotëve shprehej me gjysëm zëri, do më fusin në burg, unë i ziu, unë i varfri me tre kalamaj. Mjaft u bëre si fëmi i tha një fshatar. Nuk ishte faji yt jemi të gjithë dëshmitarë. Kuajt u hasdisën dhe u mbytën për faj të tyre dhe të askujt. Po kush besonte në të tilla. Një fshatar tjetër u afrua me drapër në dorëdhe tha: “Tani gjithshka mbaroi dhe e dimë që s’është faji i askujt. Kuajt tani do i çojnë për pulat dhe meqë ne e kemi haruar mishin le të marim nga një copë tu shpiem fëmijëve.” Dhe me të thënë e me të bërë ai e nguli draprin në vithet e kalit që i kishte ende jashtë llumit. Shkëputi dy tri qillo mish dhe si një hero tha. Sot fëmijët e mi dhe gruaja do bëjnë festë. Karrocieri që ende qante filloi të bërtasë dhe të mundohej që të ndalte këtë çmenduri. Ishte e kotë se filluan të gjithë të sulen mbi kuaj. Më morët në qafë o qafira nuk mendoni për kalamaqët e mi. Burgun do e ha unë. U larguan të gjithë dhe ne me Tirkën bëmë tutje. Kishim frikë të ishim dëshmitare të asaj masakre. Ktheva kokën me keqardhje për të parë karrocierin që qante ende buzë argjinaturës. Edhe ai kish hipur mbi kuajt dhe po mundohej të shkëpuste mish…