Gazeta Nacional Albania

Thomas S. Eliot: Njerëzit e zgavërt, poemë. Përktheu: Uk BUÇPAPAJ

Njerëzit e zgavërt

Një kacidhe për Bacën
I

Jemi njerëz të zgavërt
Jemi speca të mbushur
Mbështetur varg e vijë
Tru i mbushur me kashtë. Medet!
Zërat tanë kur
Pëshpëritim njëherësh
Janë të qetë dhe pa kuptim
Si era në barin e thatë
Ose si këmbët e minjve mbi xhama të thyer
Në qilarin tonë të thatë

Trajtë pa formë, hije pa ngjyrë,
Fuqi e shtangur, gjest pa lëvizje;

Ata që, me sy hapur,
Kanë kaluar në Mbretërinë tjetër të vdekjes
Na kujtojnë – në ndodhtë ndonjëherë – jo si shpirtra
Të humbur e të dhunshëm, por vetëm
Si njerëzit e zgavërt
Si specat e mbushur

II

Sytë s’guxoj t’i takoj në ëndrra
Në mbretërinë e ëndrrës së vdekjes
Këta nuk shfaqen:
Atje, sytë janë
Dritë dielli mbi shtyllën e thyer
Atje vërtitet një pemë
Dhe zërat
Në këngën e erës
Bëhen më të largët dhe më të rëndë
Se çdo yll në venitje.

Mos më lini të afrohem më tepër
Në mbretërinë e ëndrrës së vdekjes
Më lini, gjithashtu, të fshihem
Qëllimisht, nga veshja, të merrem
Për mi, për sorrë, për vozë
Në një fushë
Duke u sjellë si sillet era
Lërmëni këtu ku jam –

Mos më lini të shkoj tek ai takim i mbramë
Në mbretërinë e muzgut

III

Kjo është toka e vdekur
Kjo është toka e kaktusit
Këtu lindin imazhet
E gurit, këtu pranojnë
Lutjet e një dore të vdekuri
Nën vezullimin e një ylli në venitje.

A ndodh kështu
Në mbretërinë tjetër të vdekjes
Që zgjohet fillikat
Atë çast kur jemi
Duke u dridhur nga ëmbëlsia
Buzë që do të puthnin
Thurin lutje për gurin e thyer

IV

Sytë nuk janë këtu
S’ka fare sy këtu
Në këtë luginë me yje në hekë
Në këtë luginë të zgavërt
Kjo nofull e thyer e mbretërive tona të humbura
Në këtë kallëp të takimeve tona
Së bashku kërkojmë kuturu
Dhe mënjanojmë të folurën
Grumbulluar te ky breg i lumit të fryrë

Të verbër, në mos
Ardhshin sërish sytë
Si ylli i përjetshëm
Trëndafili shumëfletësh
I mbretërisë së muzgut të vdekjes
Shpresa vetëm e
E njerëzve të zbrazur.

V

Këtu rrotullohemi rreth dardhës me gjemba
Dardhës me gjemba
Këtu rrotullohemi rreth dardhës me gjemba
Në orën pesë të mëngjesit.

Midis idesë
Dhe realitetit
Midis lëvizjes
Dhe veprimit
Bie Hija
Sepse Jotja është Mbretëria

Midis konceptimit
Dhe krijimit
Midis emocionit
Dhe reagimit
Bie Hija
Jeta është shumë e gjatë

Midis dëshirës
Dhe gulçit
Midis potencës
Dhe ekzistencës
Midis thelbit
Dhe trashëgimit
Bie Hija
Sepse jotja është Mbretëria

Sepse Jotja është
Jeta është
Sepse Jotja është I-ja U-ja A-ja

Kështu mbaron bota
Kështu mbaron bota
Kështu mbaron bota
Jo me zhurmë por me angullimë

(1925)

Ukë Zenel BUÇPAPAJ

Fjala e Thomas Stearns Eliot-it me rastin e marrjes së Çmimit “Nobel” në Sokholm më 10 Dhjetor 1948.

Kur nisa të mendoja se çfarë duhet t’ju thosha këtë mbrëmje, e vetmja dëshirë që kisha ishte të shprehja shumë thjeshtë vlerësimin tim për nderin e madh, të cilin Akademia Suedeze e ka parë të arsyeshëm të ma bëjë mua. Megjithatë, doli se kryerja e kësaj detyre me përpikmëri nuk ishte aspak e lehtë: merrem me fjalë, por fjalët nuk më bindeshin. Të tregoja vetëm se e dija që më ishte bërë nderi më i madh ndërkombëtar që mund t’i bëhet një shkrimtari, do të thoshte të përsërisja diçka që tashmë e di kushdo. Të mëtoja se nuk e meritoja do të thoshte të hidhja dyshime mbi mençurinë e Akademisë; të lavdëroja Akademinë mund të merrej sikur unë, si kritik letrar, miratoja vlerësimin tim si poet. Ndaj, a mund të kërkoj që të quhet e sigurt se, sapo mësova për këtë shpërblim që më ishte dhënë, përjetova të gjitha emocionet normale të ekzaltimit dhe të kotësisë, që mund të pritet të përjetojë çdo qenie njerëzore në një çast të tillë: gëzimin që sjell lajkatimi, tërbimin që sjell parehatia, për shkak të shndërrimit aty për aty në figurë publike? Sikur Shpërblimi “Nobel” të ishte i ngjashëm me ndonjë shpërblim tjetër, për nga lloji, por thjesht më i lartë, për nga shkalla, përsëri do të përpiqesha të gjeja fjalë për vlerësimin: mirëpo, përderisa ai ndryshon nga çdo shpërblim tjetër, për nga lloji, shprehja e ndjenjave kërkon burime, të cilat gjuha nuk t’i jep dot.

Prandaj, më duhet të përpiqem të shprehem në mënyrë të tërthortë, duke shpalosur përpara jush interpretimin tim të rëndësisë së Çmimit “Nobel” për Letërsinë. Sikur të ishte thjeshtë njohje merite ose e faktit se fama e një shkrimtari i ka kapërcyer kufijtë e vendit të tij, mund të thoshim se thuajse asnjëherë asnjëri nga ne nuk e meriton më shumë se të tjerët të veçohet në këtë mënyrë. Megjithatë, në Shpërblimin “Nobel” gjej diçka më tepër dhe diçka të pangjashme me këtë vlerësim. Më duket më shumë zgjedhje e një individi, i cili përzgjidhet herë pas here nga një komb ose një tjetër, për shkak të diçkaje si akt mirësie, për të marrë një rol të veçantë dhe për t’u bërë një simbol i veçantë. Zhvillohet një ceremoni përmes së cilës një njeriu i jepet një funksion që së kishte pasur më përpara. Pra, çështja nuk qëndron te fakti nëse e meriton këtë lloj përzgjedhjeje, por te fakti nëse arrin ta kryejë këtë funksion që ia kini caktuar: funksionin e të shërbyerit si përfaqësues, aq sa ia lejojnë aftësitë çdo njeriu, i diçkaje shumë herë më të rëndësishme se vlera e asaj që ai ka shkruar.

Në përgjithësi, poezia shihet si më vendorja e të gjitha arteve. Piktura, arkitektura, muzika mund të shijohen nga të gjithë ata që i shohin ose i dëgjojnë. Por gjuha, sidomos gjuha e poezisë, është një çështje tjetër. Duket se poezia i ndan njerëzit, në vend që t’i bashkojë ata.

Mirëpo, nga ana tjetër, dhe të mos harrojmë se, ndërkohë që gjuha përbën një pengesë, vetë poezia na jep një arsye për t’u përpjekur që ta kapërcejmë këtë pengesë. Të shijosh poezinë që i përket një gjuhe tjetër do të thotë të shijosh të kuptuarit e popullit, të cilit i përket ajo gjuhë, një i kuptuar që nuk mund të arrihet përmes ndonjë rruge tjetër. Gjithashtu, mund të mendojmë edhe për historinë e poezisë në Evropë, si dhe për ndikimin e madh që mund të ushtrojë poezia e një gjuhë në poezinë e një gjuhe tjetër; na duhet të kujtojmë borxhin e pashlyeshëm të çdo poeti të madh ndaj poetëve të gjuhëve të tjera, përveç të tyres; mund të shprehemi se poezia e çdo vendi dhe çdo gjuhe do të ishte zbehur dhe do të ishte zhdukur, po të mos ishte ushqyer nga poezia në gjuhë të huaja. Kur poeti i flet popullit të vet, zërat e të gjithë poetëve të gjuhëve të tjera që kanë ndikuar tek ai janë duke folur, po ashtu. Dhe, në të njëjtën kohë, ai vetë është duke u folur poetëve të rinj të gjuhëve të tjera, dhe këta poetë do t’u përcjellin popujve të tyre diçka nga vizioni i tij për jetën dhe diçka nga fryma e popullit të tij. Pjesërisht, për shkak të ndikimit të tij te poetë të tjerë, pjesërisht përmes përkthimit, i cili duhet të jetë, gjithashtu, një lloj rikrijimi i poezive të tij nga poetë të tjerë, pjesërisht përmes lexuesve të gjuhës së tij, të cilët nuk janë vetë poetë, poeti mund të kontribuojë në drejtim të mirëkuptimit ndërmjet popujve.

Në veprën e çdo poeti me siguri do të ketë mjaft gjëra që u përshtaten vetëm atyre që jetojnë në të njëjtin rajon, ose flasin të njëjtën gjuhë, si poeti. Por, megjithatë, shprehja “poezia e Evropës”, madje edhe fjala “poezi” kanë kuptim në mbarë botën. Mendoj se në poezi popujt e vendeve të ndryshme dhe të gjuhëve të ndryshme – edhe sikur t’i përkasë vetëm një pakice të vogël në cilindo vend – arrijnë një mirëkuptim ndërmjet njëri-tjetrit, i cili, sado i pjesshëm, përsëri mbetet thelbësor. Dhe sipas meje, dhënia një poeti e Shpërblimit “Nobel” kryesisht është pohim i vlerës tejkombëtare të poezisë. Për ta bërë këtë pohim, herë pas here është e nevojshme të caktohet një poet: dhe unë qëndroj përpara jush, jo për shkak të meritave të mia, por si simbol, për një farë kohe, i rëndësisë së poezisë.

Para këtij fjalimi, Gustaf Hellström-i i Akademisë Suedeze shprehi këto mendime: “Përvuajtja është gjithashtu cilësi që ju, z. Eliot, e quani virtyt të njeriut. E vetmja urtësi që mund t shpresojmë të përftojmë është urtësia e përvuajtjes. Fillimisht, nuk doli se kjo do të ishte rrjedhoja përfundimtare e vizioneve dhe e mprehtësisë së mendimit tuaj. I lindur në Perëndimin e Mesëm, ku ende ishte gjallë mentaliteti i udhëçelësit, i rritur në Boston, kështjellën e traditës puritane, ju erdhët në Evropë kur ishit i ri dhe u përballët me llojin e qytetërimit të para luftës në Botën e Vjetër: Evropën e Edward-it VII, Kaiser Wilhelm-it, Republikës së tretë, dhe të The Merry Widow (Vejushës së gëzuar). Ky kontakt të tronditi dhe shprehjen e tij e përkryet në veprën tuaj Shkretania (The Waste Land), ku çoroditja dhe rëndomësia e qytetërimit u bënë objekt i kritikës tënde dërrmuese. Por, përnën atë kritikë kishte zhgënjim të thellë dhe të dhimbshëm, por prej këtij zhgënjimi buronte një ndjenjë keqardhjeje, dhe nga ajo keqardhje buronte një shtysë e fortë në rritje për të shpëtuar nga rrënojat e çoroditjes, nga fragmentet e të cilit mund të rivendosej rregulli dhe qëndrueshmëria. Vendi që keni mbajtur për një kohë të gjatë në letërsinë moderne të nxit ta krahasosh me atë që zinte Sigmund Freud-i, para një çerek shekulli, në fushën e mjekësisë psikike. Nëse lejohet krahasimi, e reja e terapisë që solli ai me psikanalizën do t’i shkonte formës revolucionare me të cilën ju keni veshur mesazhin. Por shtegu i krahasimit mund të ndiqej edhe më tej. Për Freud-in, shkaku më i thellë i çoroditjes qëndronte në Unbehagen in der Kultur e njeriut modern. Sipas tij, duhet të kërkohet një ekuilibër individual dhe kolektiv, i cili duhet të marrë vazhdimisht parasysh instinktet primitive të njeriut. Ju, z. Eliot, keni mendim të kundërt. Sipas jush, shpëtimi i njeriut qëndron në ruajtjen e traditës kulturore, e cila në vitet tona të pjekurisë, jeton brenda nesh më fuqishëm se primitivja, dhe të cilën ne duhet ta ruajmë, me qëllim që të shmangim kaosin. Tradita nuk është një barrë e vdekur, të cilën e tërheqim zvarrë pas vetes, të cilën në rini dëshirojmë ta flakim tutje. Ajo është toka ku duhet të mbillen farërat e të vjelave të ardhshme me të cilat do të mbushet hambari. Si poet, z. Eliot, për disa dhjetëvjeçarë, ju keni ndikuar te bashkëkohësit tuaj dhe shkrimtarët ndoshta më shumë se kushdo tjetër në kohën tonë.”

Përktheu: Ukë Zenel BUÇPAPAJ