Gazeta Nacional Albania

TREGIMET E PANJOHURA TE POETIT DIN MEHMETI.Shkruar nga Ali D. Jasiqi

Pak kush e din se poet i mirenjohur, autor i afër 20 (njëzetë) përmbledhjeve të poezive dhe një drame Din Mehmeti ka shkruar edhe tregime. Sepse, ai asnjëherë nuk e ka përmend, se ka botuar edhe krijime në këtë gjini të krijimtarisë letrare. Në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, konkretisht në vitin 1961-1962 derisa punonim bashkë në rubrikën e kulturës të gazete “Rilindja”, kishte dalë nga shtypi përmbledhja e tregimeve” Ditari i një gjuetari” të shkrimtarit të njohur rus Ivan Turgenjeve në përkthim të mrekullueshëm, bërë me sa më kujtohet nga Mitrush Kuteli, të cilin e lexonim me ëndje. Me qenë se i ati i poetit ishte gjahtar Dini pat thënë se do të shkruaj disa tregime dhe kështu do të bënte një përmbledhje tregimesh me ketë tematikë, pasi kishte botuar tregime më parë. Vlen të theksohet se tregimet që i kishte botuar gjerë atëherë nuk kishin asgjë të përbashkët me idenë e Dinit për tregimet me tematikë nga gjuetia. Ato kishin tema tjera. Si do që të jetë kjo ide, pra hartimi i tregimeve për gjuetinë dhe gjuetarët, nuk u realizua asnjëherë sepse si shumë shpejt do të shkoj në studime postëdiplomike në Beograd dhe nuk u mur më me hartimin e prozave. Me gjithë atë në të, përditshmen “Rilindja” kishte botuar disa tregime, që mbetet në gazeta pa mund të përfshihen në ndonjë botim të veprave të autorit, por që dy nga ato u përmblodhën në revistën letrare “Admet” të Andi Meçajt. Dhe për habinë tonë as me rastin e botimit të kompletit të veprave të tij ai nuk e pa të udhës që këto tregime ti përfshinte në ndonjë nga veprat e tij.
Janë këto dy tregime “Në thellësitë joshëse ”dhe “Tanusha” të botuara në gazetën” Rilindja”, siç u tha më lartë. Ato janë të shkurta, dhe bien
në sy se janë shkruar nga një poet i talentuar, nga një poet që metaforën e ka një nga mjetet më të preferuara të të shprehurit artistik. Temat që trajtohen në këto janë të ndryshme, por me gjithë atë kanë diç të përbashkët. Dhe kjo është përshkrimin e ambientit ku zhvillohen fabulat, përkatësisht përshkrimin i fizionomisë se protagonistit të njërës nga prozat në fjalë. Derisa në tregimin e parë, pra në atë “Në thellësitë joshëse “epet atmosfera që krijohet nga loja e fëmijëve derisa po freskoheshin në lum , por që përfundon me pasojë tragjike, sepse është mbyt djaloshit dhe atë e vajton e ëma. Tregimi përfundon me këtë “Po, bukuria ende kishte që të tri rrathët e veta të mëparshme; qiellin nëpër të cilin diell nuk ndalte udhëtimin, harkun e largët të liqenit ku kaltërsia e tij derdhej në kaltërsinë qiellore dhe degët e plepave të lartë të mbushur me këngën e bilbilave. Por asaj tani askush nuk i gëzohej e as që e vërente; e mbuloi pëlhura e tejdukshme e vdekjes dhe kukama e një nëne”. Pra loja e fëmijëve dhe gëzimi i tyre që e kishin gjet duke u freskua në lumë përfundon tragjikisht. Shoku i tyre mbytet dhe atë e përcjellin për në banuesen e fundit të gjithë të pikëlluar. Ndërkaq në tregimin e dytë, pra në atë “Tanusha” kemi të bëjmë me një personalitet të njohur nga letërsia popullore, nga krijimet imagjinatave të filozofisë popullore, por që në realitet, siç do të thotë edhe vetë autori, kjo nuk është Tanusha që ” nuk ishte Tanusha e këngëve popullore, por vashë e vërtetë”. Në tregim ajo na del edhe më e bukur se Tanusha e këngëve popullore. Andaj asaj ia kanë zilinë vajzat por e adhurojnë meshkujt për bukurinë dhe sharmin që e bën tërheqëse dhe gjithësi simpatike dhe të lakmueshme për djelmoshat e moshës se saj.“Ajo ishte lulja nga e cila mblidhnin propolisin shërues bletët e dashurisë dhe shëronin varret tona djaloshare. Tanushë, moj Tanushë, t’u thefshin ato këmbë që të mundësojnë të ecish si hyjneshë dhe që na i shkatërrove foletë vështirë të ndërtuara të dashurisë! – mallkonin vashat e lëna pas dore nga dashnorët e vet. Tanushë, moj Tanushë, pse nuk pranon të të më bëhesh lule në shpirt që do të kundërmojë këndshëm nëpër dhomat e qenies sime rinore?, klithnin djemtë”.Por edhe fundi i saj është i papritur nga se pasi djaloshi, të cilit ajo i ofron dashuri e refuzon largohet nga fshati, për të mos u pa kurrë më. Djaloshi që e kishte refuzuar dashurinë e saj me mallëngjim e shef atë duke pritur në stacionin e trenit, që e dërgonte në rrugëtimin pa kthim.
Duke e dhenë kështu portretin e kësaj bukurosheje poeti Din Mehmeti ka realizua një nga tregimet e bukura të letërsisë shqipe. Mund të themi se po të vazhdonte të shkruante tregime ai do të behej një ndër prozatorët e shquar të letërsisë sonë bashkëkohore. Për këtë dëshmojnë dy tregimet që u zunë në gojë, të shkruara nga poeti Din Mehmeti.

TANUSHA
TREGIM NGA DIN MEHMETI

Ajo nuk ishte Tanusha e këngëve popullore, por vashë e vërtetë. Ndoshta edhe më e bukur se ajo e këngëve popullore, sepse ishte e pranishme, hapëronte pranë nesh dhe nuk kishte nevojë t’ia trillonim bukurinë. Erdhi në lagjen tonë si freski mpirës, si lule në lule, si ëndërr në ëndërr, bukuri që zbukuronte të bukurën. Erdhi dhe na bëri të gjithëve t’i harronim vashat me të cilat me vite kishim thurur kështjellat e kënaqësisë e dashurisë sonë. Prishi foletë e dashurisë rinore me kujdes të thurura. Përnjëherë na bëri me dije se as bukuria e as kënaqësitë kanë fund. Se ne ishim si peshq të cilët as në detin e bukurisë e sa në atë të dashurisë nuk ishin zhytur në thellësitë marramendëse. Ajo na detyroi të pyesnim veten se si kishim mundur t’i dashuronim vashat që donim, si kishim qenë aq të verbër të mos i hetonim të gjitha ata të meta që kishin krahasuar me ecjen e saj, me lëvizjen e shtatit, me ngritjen e duarve që t’i rregullojë flokët…, me rrezatimin magjepsës që na la pa gjumë dhe ua ndryshoi drejtimin ëndrrave tona. Të gjithë ne e dashuronim ndërsa ajo e gjora ishte vetëm një. Në kënd të dashurohej kur ne të gjithë njësoj gjunjëzoheshim dhe ishim në gjendje t’i premtojmë se hëna do ta ndriçonte dhomën tonë të dhëndërisë e jo poçi elektrik vetëm nëse ajo pranonte të bëhej nusja jonë. Dhe nuk ishte premtim i kotë; Tanusha do të ishte hëna që duhej të shndriste dhomën e dhëndërisë.
Sa dashuri shumëvjeçare shkatërroi Tanusha, sa vasha e mallkonin dhe sa djem i dorëzoheshin gjumit dhe zgjoheshin duke përmendur emrin e saj. Tanusha mori përmasat e lutjes së dashurisë, dashuri që na e shuante etjen njësoj si gota e parë e freskisë së mëngjesit pranveror. Ajo ishte lulja nga e cila mblidhnin propolisin shërues bletët e dashurisë dhe shëronin varret tona djaloshare.
Tanushë, moj Tanushë, t’u thefshin ato këmbë që të mundësojnë të ecish si hyjneshë dhe që na i shkatërrove foletë vështirë të ndërtuara të dashurisë! – mallkonin vashat e lëna pas dore nga dashnorët e vet.
Tanushë, moj Tanushë, pse nuk pranon të të më bëhesh lule në shpirt që do të kundërmojë këndshëm nëpër dhomat e qenies sime rinore?, klithnin djemtë.
Vallë kishte ndonjë djalë që nuk ëndërronte Tanushën ta ketë në shtrat? Vallë ekzistonte mashkull që do t’i kishte thënë jo Tanushës sikur ajo t’i kishte propozuar takim?
Ku është nisur Tanusha? Kush e ka lënduar zemrën e saj? – Pyesnin djelmoshat e lagjes sime njëri tjetrin kur e panë Tanushën me valixhet në dorë si largohej drejt stacionit hekurudhor duke dënesur. I bekuar qofsh o Zot që na shpëtove prej saj, murmurisnin vashat duke e shikuar me bisht të syrit.
Unë qëndroja ulur në këndin e rrugës që çonte drejt stacionit hekurudhor. Dënesja në vete. Askush nuk e dinte pse asaj dite qanim unë e Tanusha. Një natë më parë ajo më pyeti se a e dua. Më tha se më dashuronte për së tepërmi. Iu përgjigja se fare nuk mendoj në të, se as që e vërej kur kalon rrugës. Ç’ka nuk i thash, dhe ç’ka nuk gënjeva me qëllim që sa më shumë ta ofendoja dhe ta shuaja zjarrin e dashurisë së saj ndaj meje. Më hutuan fjalët e saj, nuk dija çka të bëjë me tërë atë bukuri verbuese të cilën ajo posedonte. Thjeshtë, bukuria e saj ishte trishtuese, mallkimi më i madh që bartte Tanusha me vete