Gazeta Nacional Albania

Trump: Do të përdorim ligj të posaçëm për prodhimin e pajisjeve mjekësore

Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se do të përdorë një ligj për mbrojtjen që i lejon qeverisë të përshpejtojë prodhimin e pajisjeve të nevojshme.

Ligji i vitit 1950 do të përdoret për të plotësuar nevojat urgjente të personelit mjekësor për pajisje të tilla si doreza, maska dhe veshje mbrojtëse.

Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar qeverinë se kanë mungesa të ndjeshme për pajisje të tilla për të luftuar koronavirusin.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se Pentagoni do të verë në dispozicion deri në 5 milionë maska N95 maska dhe pajisje të tjera mbrojtëse nga rezervat strategjike të vendit.

Virus Outbreak Trump

Në konferencë, Presidenti Trump tha se një anije spitalore do të dërgohet në Nju Jork për të ndihmuar njerëzit e prekur nga koronavirusi ndërsa një anije e dytë do të vendoset në Bregun Perëndimor.

Sekretari Esper njoftoi se anijet-spital USS Mercy dhe Comfort Navy janë duke u përgatitur për t’u nisur në destinacion. Ai tha në konferencën e shtypit se “Ushtria amerikane mbetet e gatshme dhe e aftë për të mbrojtur vendin dhe interesat tona jashtë.”

Në Shtetet e Bashkuara, koronavirusi ka infektuar të paktën 7,000 njerëz në të 50 shtetet, duke përfshirë edhe kryeqytetin Uashington. Deri tani kanë vdekur të paktën 113 vetë, sipas njoftimeve të medias.

Po të mërkurën, Presidenti Trump njoftoi se SHBA dhe Kanadaja ranë dakord të mbyllin kufirin mes dy vendeve për trafikun jo të domosdoshëm. Duke dhënë njoftimin në Twitter, Presidenti Trump tha se mbyllja është e përkohshme dhe se tregtia nuk do të ndikohet nga ky vendim. Kufizimet kanë të bëjnë me fluturimet dhe kalimet e kufirit për qëllime turizmi.

A PREKEN TË RINJTË?

Koordinatorja e Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Deborah Birx shprehu në konferencë shqetësimin për njoftimet që tregojnë se ka patur më shumë të rinj që po sëmuren rëndë nga koronavirusi. Ndoshta, – tha ajo, – ata mund të kenë vazhduar të ekspozohen ndaj virusit pasi nuk e kanë ndjerë veten të rrezikuar.

Dr. Deborah Birx

“Ka njoftime që vijnë nga Franca dhe Italia në lidhje me disa të rinj që sëmuren rëndë, madje shumë rëndë në repartet e urgjencës” tha Dr. Birx. Një pjesë e arsyes, – tha ajo, – është se njerëzit mund të kenë dëgjuar statistikat e para të ardhura nga Kina apo nga Koreja e Jugut, që tregonin se të moshuarit ose personat me sëmundje ekzistuese ishin veçanërisht të rrezikuar. Ajo tha gjithashtu se grupi i punës “nuk ka parë vdekshmëri të konsiderueshme te fëmijët”.

Ndërkohë, njoftohet se në Itali, numri i të vdekurve u rrit me 475 brenda një dite, duke arritur në rreth 3,000. Kjo është rritja më e madhe në Itali që nga shpërthimi i koronavirusit.

TRUMP: VIRUSI ERDHI NGA KINA

Në konferencën e së mërkurës Presidenti Trump u pyet se përse vazhdon ta quajë koronavirusin “virus kinez”, ndërkohë që ka patur raste paragjykimi kundër aziatiko-amerikanëve.

Ai tha se po e përdor këtë term sepse Kina u përpoq t’ua hedhë fajin e përhapjes së virusit ushtarëve amerikanë.

“Sepse vjen nga Kina. Nuk është aspak raciste, jo, aspak. Vjen nga Kina, prandaj. Dua të jem i saktë,” tha Presidenti Trump.

“Unë kam dashuri të madhe për të gjithë njerëzit e vendit tonë, por siç e dini, Kina u përpoq të thoshte në një moment se koronavirusi ishte shkaktuar nga ushtarët amerikanë. Kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë, për aq kohë sa unë të jem president. Ai vjen nga Kina”, tha Presidenti Trump.

AMERIKANËT NË “DISTANCIM SOCIAL”

Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje njerëzve të qëndrojnë brenda, me përjashtim të rasteve kur u duhet të blejnë ushqime, apo të shkojnë në farmaci ose në spital.

Në Shtetet e Bashkuara nuk janë vënë në zbatim masa karantine për zona të mëdha të banuara, por në qytete si San Francisco e Kalifornisë, njerëzve u kërkohet të qëndrojnë brenda.

Në mesnatën e së martës autoritetet urdhëruan që të 900,000 banorët e qytetit të mos dalin nga shtëpia deri më 7 prill me përjashtim të rasteve të domosdoshme.

Policia tha se po u kërkon njerëzve ta zbatojnë vullnetarisht urdhërin, por shtoi se ajo ka autoritetin ta imponojë atë me forcë.

Kryetari Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha se 8 milion banorët e qytetit duhet të përgatiten për t’u përballur me mundësinë se tani mund të jetë radha e tyre për të mos dalë nga shtëpia.

“Nuk e kemi marrë këtë vendim. Por puna ka ardhur në atë pikë që vendimi duhet marrë shumë shpejt,” tha zoti De Blasio. Ndërkaq, guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Andrew Cuomo thotë se nuk ka aspak plane për ta vënë Nju Jorkun apo ndonjë qytet tjetër të këtij shteti në gjendje karantine. Shteti i Nju Jorkut ka 2.382 raste të konfirmuara të virusit, numri më i lartë në SHBA.

Me rritjen e numrit të të infektuarve në SHBA, ndikimi po shihet në të gjitha aspektet e jetës së amerikanëve. Tani për tani i ashtuquajtur “distancim social” është kthyer në një normë të re në SHBA, të paktën për të ardhmen e afërt.

Në të gjithë vendin, shërbimet e transportit publik po shohin kufizime të mëdha, për shkak se njerëzit përpiqen t’i shmangen grumbullimeve. Në qytete si Uashingtoni, metroja po shkurton ndjeshëm shërbimet për publikun.

Ekspertët e shëndetësisë kanë thënë se do të duhen disa javë e ndoshta më gjatë deri sa të dihet nëse masat e marra kanë patur ndonjë efekt për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Eksperti i njohur në grupin e posaçëm për koronavirusin, Anthony Fauci, tha se nëse amerikanët ndjekin udhëzimet e dhëna, sidomos të rinjtë, atëherë do të shohim një kurbë më të zbutur të përhapjes së virusit, se sa një përhapje në formë maje,” që mund të krijonte strese për spitalet, nëse shumë njerëz kërkojnë ndihmë përnjëherësh.