Diaspora përfaqëson rreth 11% të popullsisë zvicerane
U MBAJT KONGRESI I 100-TË I DIASPORËS ZVICERANE
“Që nga viti 1977, shtetasit zviceranë jashtë vendit kanë të drejtën e votës. Në vitin 1992, votimi me postë realizoi riintegrimin e kësaj popullate “emigrante” në trupin politik kombëtar. Por kohët e fundit, sjell ndërmend gazetari, është vënë në tavolinë çështja e votimit elektronik, ndërsa votimi me postë ndonjëherë mbetet i ndërlikuar për shkak të vonesave postare”.
Nga e enjtja deri të shtunën, më 11, 12 dhe 13 korrik, në resortin Brunnen në breg të Liqenit të Lucernës, u mbajt Kongresi i 100-të i Zvicrës së Pestë, emër me të cilin njihet Diaspora Zvicerane.
Është një vend poetik. Këtu kaluan natën e 27-28 gushtit 1830 tre poetët e mëdhenj romantikë polakë Adam Mickiewicz, Zygmunt Krasiński dhe Antoni Edward Odyniec. Winston Churchill kaloi këtu muajin e mjaltit. Piktori i madh J. M. W. Turner e përjetësoi në disa akuarele gjatë viteve 1840. Edhe piktori i famshëm i peizazheve Heinrich Müller ka realizuar këtu gjatë viteve 1870-1880 disa punime. Në historinë më të vonë shënohet se këtu më 1947 Lidhja Zvicerane e Mbrojtjes së Mjedisit organizoi konferencën ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës që çoi në krijimin e Unionit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës më 1948.
Kongresi i parë i Zvicrës së Pestë u mbajt në Bazel në vitin 1918. Meqenëse kongreset u anuluan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pandemisë së koronavirusit, edicioni i 100-të u mbajt vetëm në vitin 2024. Zvicra e Pestë e festoi përvjetorin me një udhëtim me varkë nga Lucerna në Brunnen dhe një ceremoni të posaçme festive.
Zvicrës së Pestë i shërbeu ky Kongres i sjvetëm për të rikthyer shikimin e saj në 106 vitet prej kur bashkësia e shtetasve zviceranë të ngulitur jashtë vendit mori formë për herë të parë. Në atë kohë zviceranët emigruan përgjithësisht për të mos u kthyer më në atdheun e tyre. Prirjet e sotme, krahasuar me atëherë kanë ndryshuar. Sot zviceranët i ndryshojnë adresat e banimit përkohësisht për arsye profesionale.
Edhe ky kongres, si gjithë të tjerët, shërbeu për të promovuar marrëdhëniet ndërmjet Konfederatës dhe qytetarëve të saj nëpër botë.
Një ndër dy temat e seancës plenare të së enjtes ishte lëvizja e lirë e njerëzve brenda Bashkimit Evropian. Për sa i përket lëvizjes së lirë, delegatët miratuan një rezolutë për negociatat midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, në të cilën Këshillit Federal i kërkohet të marrë parasysh interesat e të ashtuquajturës “Zvicra e Pestë”.
Përmes një sërë botimesh të shtypura dhe elektronike, organizata ofron informacion mbi kanalet e saj të komunikimit dhe rrjetet sociale, si dhe këshillon qytetarët që dëshirojnë të emigrojnë ose kthehen në Zvicër për çështje ligjore që lidhen me sigurimet shoqërore, financat dhe pensionet. “Dy shekuj më parë njerëzit nuk u kthyen në Zvicër”, shpjegon Lombardi. “Sot, megjithatë, është e rëndësishme të kujdesemi edhe për bashkatdhetarët tanë që duan të kthehen.”
PJESËMARRJA NË DEMOKRACI, NJË SFIDË PËR ZVICRËN E PESTË
Në një reportazh nga kongresi, me autor Julien Furrer të RSI, thekson se nëpërmjet Këshillit të Zviceranëve Jashtë Vendit, një lloj Parlamenti i cili tradicionalisht mban një nga dy mbledhjet e tij vjetore gjatë kongresit, iu bëhen të njohura Zvicrës “zyrtare” interesat e mërgimtarëve. Që nga viti 1977, shtetasit zviceranë jashtë vendit kanë të drejtën e votës. Në vitin 1992, votimi me postë realizoi riintegrimin e kësaj popullate “emigrante” në trupin politik kombëtar. Por kohët e fundit, sjell ndërmend gazetari, është vënë në tavolinë çështja e votimit elektronik, ndërsa votimi me postë ndonjëherë mbetet i ndërlikuar për shkak të vonesave postare. Për zgjedhjet federale të vitit 2023, tri kantone kanë vënë në dispozicion të qytetarëve të tyre këtë metodë votimi elektronik: Basel-Stadt, St. Gallen dhe Thurgau. Testet u mirëpritën nga zviceranët jashtë vendit, të cilët kanë kërkuar edhe një herë përgjithësimin e sistemit. Rruga e ndjekur nga tri kantonet synon të thellojë marrëdhëniet politike midis diasporës dhe demokracisë zvicerane, duke rritur ndikimin e mundshëm politik të zviceranëve jashtë vendit. Sepse përveç votimit elektronik, komuniteti dëshiron që autoritetet zvicerane të bëjnë përpjekje më të mëdha për të promovuar pjesëmarrjen, siç theksohet në një analizë të thelluar nga swissinfo.ch tashmë në vitin 2023.
NJË ELEKTORAT JO I PAPËRFILLSHËM…
Popullsia e Zvicrës jashtë vendit po rritet. Në fund të vitit 2023, jashtë kufijve të tyre kombëtarë jetonin 813 400 zviceranë jetonin jashtë kufijve të tyre kombëtarë, që është 1,7% më shumë se një vit më parë, shpjegon në detaje një artikull nga swissinfo.ch. Kështu që diaspora përfaqëson rreth 11% të popullsisë zvicerane. Pothuajse dy të tretat e emigrantëve zviceranë jetojnë në Evropë: Francë, Gjermani, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë.
Në një statistikë të vitit 2023 nga Swii swisinfo.ch bëhet e ditur se zviceranët që jetojnë jashtë vendit janë 813 400 vetë, 54% e tyre femra dhe 46% meshkuj, 21% deri në moshën 18 vjeç, 55,6% në moshën 18-64 vjeç dhe 23,4% në moshën mbi 65 vjeç.
Në Francë jetojnë 209 300 shtetas zviceranë, në Gjermani 99 600, në SHBA 83 700, në Itali 52 000, në Kanada 41 500, në Britani 40 200, në Spanjë 26 500.
Diaspora zvicerane është e përhapur në të gjitha kontinentet, është shumëgjuhëshe, shumëkulturore dhe formon një mozaik që kontribuon në atraktivitetin e Zvicrës jashtë vendit. Prandaj është thelbësore që burrat dhe gratë zvicerane në mbarë botën të mbajnë një lidhje të fortë me atdheun e tyre dhe me njëri-tjetrin.
Sipas kontinenteve, shpërndarja e popullsisë zvicerane jashtë vendit është 64% në Evropë, 16% në Amerikën e Veriut, 7% në Amerikën e Jugut, 7% në Azi, 4% në Australi e Oqeani, dhe 2% në Afrikë.
Një veçanësi e re që u trajtua në këtë kongres ishte prania e afërsisht 6000 pensionistëve zviceranë që janë larguar në Tajlandë. Kjo bashkësi kërkon më shumë mbështetje politike nga Berna.
Në intervistën për Agjencinë Telegrafike Zvicerane (ATS) Presidenti i Zvicrës së Pestë Filippo Lombardi lidhur me prirjet e sotme të zviceranëve jashtë vendit ndaj atdheut, ai theksoi se tani “më shumë zviceranë po largohen dhe më pas po kthehen në atdheun e tyre.” Në këtë kuptim, theksoi ai, nuk është për t’u habitur që ne votuam për një rezolutë që hedh poshtë nismën “Mjaftojnë 200 franga”, sepse për zviceranët jashtë vendit Radiotelevizioni publik Zviceran, përfaqëson një burim shumë të rëndësishëm informacioni dhe ndoshta lidhjen kryesore me vendin”. Lombardi solli pikëpamjen e tij se për Zvicrën është më interesante kur të rinjtë zviceranë të cilët janë trajnuar në vende të tjera vijnë të punojnë për ekonominë tonë, sesa të importojnë fuqi punëtore nga jashtë”.
“Sidomos ata që largohen me synimin për t’u kthyer në Zvicër pas disa vitesh do të donin të qëndronin sa më shumë të lidhur me sigurimet shoqërore, vijoi Lombardi. Problemi është se, pasi të dilni nga sistemi, nuk është më e mundur të rihyni në sistemin AVS dhe është gjithashtu e vështirë që kompanitë e sigurimeve shëndetësore të mbeten të lidhura. Më pas kërkohen zgjidhje përmes diskutimeve ndërmjet palëve. I njëjti arsyetim vlen edhe për bankat, me të cilat, në disa raste, ne kemi negociuar kushte që zviceranët jashtë vendit të mbeten mbajtës të llogarive në Konfederatë”.
KONGRESI I ZVICERANËVE JASHTË VENDIT NUK DO TË MBAHET MË ÇDO VIT
Organizata e Komunitetit Zviceran Jashtë Vendit (ASO), SwissCommunity, e cila përfaqëson dhe mbron interesat e Zvicrës së Pestë, informon qytetarët zviceranë jashtë vendit në internet dhe në revistën «Schweizer Revue» e «Gazzeta Svizzera» dhe ofron këshilla për tema të rëndësishme.
Revista Zvicerane, organ informues për shtetasit zviceranë që jetojnë jashtë vendit, është botuar gjashtë herë në vit që nga viti 1974 në gjermanisht (Schweizer Revue), frëngjisht (Revue Suisse), anglisht (Swiss Revue) dhe spanjisht (Panorama Suizo) me një tirazh total prej 427 000 kopjesh dhe një shtrirje prej 751 800 lexuesish. Zviceranët italishtfolës jashtë vendit informohen veçmas nga Gazzetta Svizzera, e cila u botua për herë të parë në vitin 1968, gjashtë vjet përpara Revistës Zvicerane.
Kongresi i 100-të vendosi që Revista Zvicerane të botohet tashmë 5 herë në vit.
Një revolucion cilësor u shënua në vendimet e Kongresit të 100-të të Zviceranëve Jashtë Vendit është se kongresi nuk do të mbahet më çdo vit, por do të mbahet një herë në katër vjet. Kongresi nuk do të zhvillohet më në muajin korrik, por në muajin gusht.
Aspekt tjetër cilësor do të jetë mënyra e votimit për organet drejtuese të Zvicrës së Pestë. Deri tani bashkësitë e shtetasve zviceranë, nëpër ngulimet e tyre në botë, i zgjidhnin drejtpërdrejt delegatët, të cilët pastaj, në Kongres, i zgjidhnin organet drejtuese. Në Kongresin e 100-të u paraqit një platformë e cila mundëson që të shtrihet edhe në Diasporë demokracia direkte që zbatohet në Atdhe. Kështu që çdo zviceran në moshë votimi do të hedhë votën e tij për të zgjedhurit e rinj në krye të Diasporës Zvicerane.