Gazeta Nacional Albania

U mbajt në Tiranë promovimi i veprës letrare të shkrimtarit të famshëm Jusuf Buxhovi

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot konferencën kushtuar krijimtarisë letrare të shkrimtarit, studiuesit dhe historianit te mirenjohur Jusuf Buxhovi. I pranishëm nderi në këtë konferencë ishte Presidenti i Shqipërisë, zoti Ilir Meta icili e vleresoi lart vepren letrare te Buxhovit.
Zonja Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së, duke vlerësuar krijimtarinë dhe figurën e zotit Buxhovi, në fjalën e saj përshëndetëse ndër të tjera u shpreh se “teksa nisa të lexoja librat e tij, do të zbuloja shkrimtarin të cilin Buxhovi si çdo intelektual tjetër në Kosovën e trazuar e kishte lënë në heshtje. Në Kosovën që orvatej drejt konfigurimit të pavarësisë së saj, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte angazhimi i përditshëm për të ndihmuar vendin, në rrugën drejt lirisë. Sot kur kjo liri është fakt, mua më vjen mirë që bëhemi bashkë këtu në Tiranë, për të folur për korpusin letrar të veprave të tij, dhe të njohim më shumë Buxhovin shkrimtar, në kuadër te tetorit të librit, një muaj që ne ja dedikojmë librit shqip dhe nevojës për të komunikuar me njëri tjetrin”.
Kjo konferencë u organizua në kuadër të Tetorit të Librit zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, duke i dhënë këtë vit një hapësirë të veçantë shkrimtarëve nga Kosova.
Midis të ftuarve dhe folësve mbi krijimtarinë e Buxhovit, përmendim shkrimtarin Besnik Mustafaj, poeten Mimoza Ahmeti, studiuesit Ardian Haxhaj dhe Emin Azemi.,profesorja e UT Anila Mullai, etj