Site icon Gazeta Nacional Albania

U NDA NGA JETA SKËNDER HALUCI , NJË JETË MES BURGUT POLITIK, DREJTËSISË DHE DINJITETIT NJERËZOR DHE PROFESIONAL. Nga dr. Mujë Buçpapaj

 

 

Është ndarë nga jeta në moshën 64 vjeçare Skënder Haluci, jurist i mirënjohur, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe i jetës publike shqiptare, një njeri që e përshkoi jetën përmes disa prej periudhave më të vështira të historisë sonë të afërt, duke mbartur mbi vete peshën e persekutimit politik, të burgut, të përpjekjeve për demokraci dhe, më pas, të shërbimit me nder në sistemin e drejtësisë.

Gjatë karrierës së tij, Skënder Haluci ushtroi disa funksione të rëndësishme, ndër të cilat atë të gjyqtarit dhe per disa vite edhe të kryetarit të Gjykatës së Vlorës dhe të komisionerit pranë Avokatit të Popullit. Për vite me radhë ai ushtroi profesionin e juristit, avokatit dhe gjyqtarit, duke u dalluar për përgatitjen profesionale, integritetin njerëzor dhe përkushtimin ndaj detyrës.

Skënder Haluci ishte gjithashtu një ish-i burgosur politik i diktaturës komuniste, pjesë e asaj gjenerate shqiptarësh që e paguan me vite burgu, internimi dhe vuajtjeje kundërshtimin ndaj sistemit totalitar.

Lajmi për ndarjen e tij te parakoshme dhe te papritur nga jeta është bërë i ditur nga familja.

Haluci ndodhej në vendlindje, në bjeshkën e Trokuzit, në Tropojë, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, më 13 gusht 2026, ai u kishte treguar familjarëve se nuk ndihej mirë dhe, vetëm pak minuta më pas, është gjetur pa shenja jete. Ende nuk ka një përcaktim zyrtar për shkakun e vdekjes, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e kësaj ndarjeje të papritur.

Një jetë e përballur me diktaturën

Skënder Haluci njihej si një profesionist me integritet të lartë njerëzor e profesional. Por jeta e tij ishte shënuar shumë herët nga përplasja me mekanizmat e egër të diktaturës komuniste.

Në vitin 1983, Skënder Haluci, ne ate kohe gjimnazist, së bashku me kushëririn e tij, Isuf Haluci, u arrestua dhe u dënua fillimisht me vdekje, nën akuzën për përfshirje në një atentat të pretenduar ndaj udhëheqësit komunist Ramiz Alia.

Ai u arrestua gjashtë muaj pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë dhe Has dhe më pas u dënua me vdekje. Një muaj pas dhënies së këtij dënimi, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ktheu dënimin nga vdekje në 25 vjet heqje lirie.

Haluci e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në atentatin e pretenduar dhe ka deklaruar ndër vite se i kishte shpëtuar pushkatimit për shkak të situatës së krijuar në Has dhe Tropojë pas ekzekutimit të disa personave.

Pas dënimit të tij, familja u internua, u përndoq dhe u persekutua egërsisht. Për Skënderin dhe familjen, nisi një jetë e gjatë vuajtjesh, një jetë burgu dhe mbijetese, por edhe një betejë e heshtur për të ruajtur dinjitetin njerëzor.

Përndjekja nuk përfundoi me rënien e komunizmit. Ajo, në forma të tjera, e ndoqi edhe në pluralizëm. Shkarkimin nga puna, të motivuar, sipas tij, nga arsye ideologjike, Skënderi e përjetonte si një dënim me vdekje që i ishte dhënë për herë të dytë.

Kushëriri dhe miku im

Skënder Haluci ishte kushëriri im, por edhe miku im. Ai ishte një njeri që dha kontribute të rëndësishme për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe për përmbysjen e mentalitetit të vjetër politik.

Rrjedha e ngjarjeve të Lëvizjes Antikomuniste të Dhjetorit 1990 më gjeti si student pasuniversitar në Tiranë, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku studioja për skenar të filmit artistik. Unë, si shumë studentë dhe intelektualë të rinj të asaj kohe, luajtëm rolin tonë në përpjekjen për fitoren e demokracisë, e cila do të merrte një dimension vendimtar me zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Skënderi u lirua në grupin e fundit të të dënuarve politikë, në qershor të vitit 1991.

Takimi im me të, pas daljes nga burgu, ndodhi në një nga ato ditë të trazuara të fillimit të demokracisë, në një demonstratë për rrëzimin e bustit të Leninit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Galerisë së Arteve në Tiranë.

Regjimi ishte detyruar të hiqte shtatoren e diktatorit Stalin në Tiranë, por në kryeqytet ende qëndronte monumenti i Leninit. Ndërkohë, me 22 qershor 1991 ishte paralajmëruar vizita historike në Tiranë e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker.

Për ne, studentët dhe intelektualët e Lëvizjes së Dhjetorit, ishte e papranueshme që përfaqësuesi i lartë i Shteteve të Bashkuara të pritej nën hijen e monumentit të udhëheqësit bolshevik rus, ndërkohë që vendi pretendonte se kishte hyrë në epokën e pluralizmit politik.

Nata e rrëzimit të Leninit

Në fillim të qershorit 1991, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës dhe intelektualësh të rinj vendosëm të organizonim rrëzimin e monumentit të Leninit. Me shaka e quanim  “Shoqata e rrëzimit të bustëve dhe monumenteve të diktaturës”.

U ndanë detyrat. Dikush duhej të siguronte kavo, dikush vare, dikush zinxhirë e mjete të tjera. Shumë prej tyre nuk arritëm t’i siguronim.

Në orën 19:00 të mbrëmjes, rreth monumentit u grumbulluan qindra, në mos mijëra njerëz. Bashkë me Arben Likën, Bardhyl Ukcamën, Zamir Mulajn, Arben Ibron dhe të tjerë, vendosëm të fillonim përpjekjet për rrëzimin e shtatores së diktatorit rus.

Litari këputej, ndërsa mjetet e tjera nuk po jepnin rezultat. Atëherë shkuam te Teatri Kombëtar, qe sihte pranë monumentit, dhe morëm kavon e skenës, më saktë atë që përdorej për mekanizmin e rrotullimit të skenës.

Kur u rikthyem me shpejtësi te puna e nisur, pashë një njeri të ngjitur në majë të shtatores së Leninit, i cili po përpiqej të vendoste një litar. Unë dhe disa tropojanë që ndodheshin aty e njohëm menjëherë.

I zgjatëm kavon dhe ai ia lidhi monumentit. Filluan tërheqjet, goditjet me vare. Busti u menjanua, u përkul, por nuk po rrëzohej.

Në atë çast Skënderi zbriti poshtë.

U takuam plot mall.

“Ku këtu, kushëri?” – e pyeta.

Më tregoi se sapo ishte liruar nga Spaçi dhe kishte ardhur në Tiranë me një makinë të tipit “Ifë”, së bashku me të burgosur të tjerë, të cilët kishin filluar të liroheshin që nga marsi i vitit 1991, pas insistimit të Partisë Demokratike dhe opozitës së djathtë.

Makina ishte ndalur pikërisht poshtë bulevardit dhe Skënderi, pa pritur asnjë sekondë, ishte përfshirë në aksion. Kishte qenë ndër të parët që ishte ngjitur në majë të monumentit.

Ishte një nga ato pamje që nuk harrohen dhe qe e kujtonin shpesh në biseda.

Ndërsa monumenti ishte anuar dhe dëmtuar, mbërriti një përfaqësues i qeverisë së koalicionit dhe na tha se do të dërgohej një vinç për ta hequr shtatoren e Leninit.

Ashtu ndodhi.

Atë natë monumenti i Leninit u hoq nga bulevardi.

Pak ditë më vonë, James Baker erdhi në Tiranë me ftesë të opozitës, në një pritje madhështore. Shqipëria e re politike po kërkonte vendin e saj në botën demokratike.

Nga beteja për demokracinë te drejtësia

Disa muaj para fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992, themelova dhe drejtova gazetën “Tribuna Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Ishte një gazetë e ashpër në denoncimin e krimeve të komunizmit, por njëkohësisht shumë e kërkuar nga lexuesit.

Në atë periudhë, unë dhe redaksia përjetuam kërcënime të shumta, edhe fizike. Skënderi, Isufi dhe miqtë e tyre u bënë mbështetës të redaksisë dhe të përpjekjeve tona për të mbajtur gjallë zërin e lirisë dhe të demokracisë.

Në vitin akademik 1992–1993, Skënder Haluci filloi studimet për drejtësi. Gjatë viteve të burgut kishte mësuar tri gjuhë të huaja, ndër to anglishten dhe frëngjishten. U diplomua me rezultate të larta. Edhe në gjimnaz kishte qenë një nxënës i shkëlqyer.

Punoi si avokat gjatë viteve 1996–2005 dhe më pas filloi punën si gjyqtar, ku u shqua për përgatitje profesionale dhe përkushtim të lartë ndaj detyrës.

Takoheshim shpesh. E kam vizituar me ftesën e tij edhe kur punonte në Vlorë, thjesht si kusheri pa asnje interes apo porosi. Ishte një njeri i drejtë. E respektonin njerëzit përreth, edhe pse drejtësia në atë qytet përballej me sfida të mëdha, shumë prej të cilave i njohim të gjithë. Ai, megjithatë, e kreu detyrën e tij me nder.

Më pas mbajti edhe funksione të tjera në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet publike, duke përfshirë detyrën e komisionerit pranë Avokatit të Popullit.

Në vitin 2020, largimi i tij nga sistemi i drejtësisë u përjetua prej tij si i padrejtë. Për një njeri që kishte kaluar me shume dinitet burgun komunist, që kishte luftuar për demokracinë dhe që kishte ndërtuar me mund një karrierë profesionale, kjo ishte një tjetër goditje e rëndë.

Bisedat tona të fundit

Pas largimit nga detyra, takoheshim herë pas here në “Hotel Tirana”, për kafe.

Bisedonim për “Gazetën Nacional”, për zhvillimet kombëtare, për letërsinë, për politikën, por veçanërisht për Tropojën, vendlindjen tonë.

Në një nga këto biseda më pati treguar se kishte ndërtuar një stan shumë të bukur në bjeshkën tonë në Alpeve, në Trokuz. Ishte i gëzuar që një pjesë të verës do ta kalonte në freskinë e bjeshkëve, larg zhurmës së qytetit dhe kujtimeve të rënda që kishte mbartur gjatë gjithë jetës.

Askujt nuk do t’i shkonte mendja se pikërisht atje do të gjente fundin e jetës.

Bjeshka jonë e Trokuzit është një vend përrallor nga me te rrallet ne Alpet Europaine. Një vend i bukur për të jetuar, për të kujtuar, por edhe per të vdekur. Disa nga të parët tanë  kanë varret në bjeshkë, në Trokuz.

 

Skënder Haluci u nda para kohe nga jeta atje ku kishte dashur të pushonte, në tokën e të parëve të tij, në  bjeshken e Trokuzit, mes maleve të Tropojës, pranë familjes dhe kujtimeve të vendlindjes.

Ai iku, por mbetet në kujtesën e atyre që e njohën si jurist, avokat, gjyqtar, ish-i burgosur politik, demokrat dhe, mbi të gjitha, si njeri.

Për mua, ai do të mbetet si kushëriri im, miku im dhe bashkëudhëtari im në ato vite të vështira kur Shqipëria po kërkonte rrugën drejt lirisë dhe demokracisë.

Kujtimi i tij do të mbetet i lidhur me ato ditë të mëdha të ndryshimit, me burgun që nuk e theu, me drejtësinë të cilës iu përkushtua dhe me bjeshkën e Trokuzit, ku zgjodhi të kalonte ditët e fundit të jetës.

Ngushëllimet e mia më të ndjera bashkëshortes, vajzes,  familjarëve, vëllezërve, të afërmve, kushërinjve dhe të gjithë miqve të Skënder Halucit!

Shpirti i tij u prehtë në paqen e përjetshme!

Dr. Mujë Buçpapaj

 

Tiranë, 13 gusht 2026

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version