Gazeta Nacional Albania

ujtesa historike dhe genocidi serb ndaj Krushës së Vogël

K

Nga Agron LIMANI & Qemajl KRASNIQI

Nuk është aspak punë e lehtë mbledhja dhe sistemimi i materialeve që kanë të bëjnë me krimet serbe në Krushë të Vogël. Madje kjo është një përgjegjësi e madhe, sa ndaj publikut të gjerë, po aq edhe ndaj dëshmitarëve dhe viktimave të shumta shqiptare. Vrasja, djegia dhe më pas zhdukja e gjurmëve të këtij krimi monstruoz, përbën një nga shembujt më të vrazhdë të egërsisë serbe mbi shqiptarët. 113 burra e djem të këtij fshati u mblodhën në një vend, u ekzekutuan, kufomat e dogjën, ndërsa mbetjet e tyre u dërguan në drejtim të paditur.
Fati e deshi që gjashtë prej atyre që ishin në rreshtin e pushkatimit të dalin nga ato dhoma të tmerrit dhe me guxim të luftojnë me fatin e tyre tragjik, duke mbijetuar. Ata mbijetuan për të rrëfyer.
Një shtëpi e vogël e familjes Batusha u shndërrua në “dhomë gazi”, ku gjetën vdekjen këta burra e djem. U vranë me gjakftohtësi, me plan të detajuar dhe me një organizim të përsosur ushtarak. Të gjithë meshkujt që u ndodhën atë ditë aty, nga mosha 13 deri në 77 vjeçe u vranë.
Vrasja e fëmijëve dhe trajtimi i tyre çnjerëzor përbën shkelje të konventave ndërkombëtare, që ishin pranuar si të tilla edhe nga vetë shteti serb. Pra, u shkel Konventa mbi të drejtat e fëmijës (Convention on the Rights of the Children), miratuar në New York, më 20 nëntor 1989. Kjo dëshmohet me vrasjen e fëmijëve: Muhamet A. Emrullahu (12), Mursel H. Hajdari (13), Xhelal S. Shehu (13), Kadri N. Rashkaj (14), Abedin A. Hajdari (14), Bajram L. Ramadani (15), Visar A. Batusha (15), Lirim A. Batusha (15), Ajvaz N. Shehu (15), Mentor I. Shehu (15), Refki Sadik Rashkaj (16), Burim A. Batusha (16), Mehmet M. Shehu (16), Kujtim R. Shehu (16) dhe pesë 17-vjeçarë; Demir N. Rashkaj, Vesel H. Hajdari, Xhelal H. Zylfiu, Nait S. Shehu dhe Bekim S. Batusha.
Po ashtu në mesin e të vrarëve pati edhe njerëz me aftësi të kufizuar, duke shkelur kështu një parim bazë njerëzor, duke diskriminiuar personat me aftësi të kufizuar. Ndonëse në të drejtën ndërkombëtare kjo do të normohet vetëm në vitin 2006 (Convention on the rights on persons with disabilities), megjithatë gjendja e Sahit Hajdarit dhe Avdyl Limanit, të cilët ishin invalid në karrocë, nuk i pengoi serbët që t’i pushkatonin me gjakftohtësi.
Ky krim i rëndë u bë edhe më i rëndë pasi që serbët hodhën shishe molotovi dhe më pas edhe duaj të kashtës, të sanës dhe trungje të misrit për t’i djegur sa më shpejt kufomat e njerëzve. Kjo nuk mund të konsiderohet asgjë më pak se gjenocid. Me këtë shteti i Serbisë shkeli Konventën për parandalimin e ndëshkimit dhe krimeve të gjenocidit, miratuar në Paris më 9 dhjetor 1948 (Convention on the prevention and Punishment of the Crime of Genocide).
Shkelja e të drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të luftës nuk përbënte problem për Serbinë, sepse para vetes kishin memorandumet e akademikëve dhe qarqeve nacionaliste serbe për spastrim etnik të territoreve. Torturimi dhe poshtërimi i njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur ishte pjesë e këtij skenari nacionalist. Pra, Serbia shkeli Konventën kundër torturës dhe trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese ose ndëshkimit, (Convention agains torture and other cruel, inhuman or degrading treatment or punishment), miratuar në Nju Jork, më 10 dhjetor 1984.
Sjellje aspak humane nuk patën as ndaj grave e fëmijëve. Fillimisht dëshiruan që të ndajnë fëmijët nga nënat e tyre, por duke parë se kjo do të ishte e vështirë, hoqën dorë, duke i detyruar gratë e fëmijët që të largohen nga fshati dhe të shkojnë drejt Shqipërisë. Me këtë veprim shteti serb shkeli edhe dy konventa të tjera të OKB-së: Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, (Convention on the eliminations of all of discrimination against women), miratuar në Nju Jork, më 18 dhjetor 1979. Po ashtu shkeli edhe Konventën e OKB-së duke bërë spastrim etnik.
Me një fjalë, Serbia si shtet, organizoi spastrimin etnik në mënyrë sistematike, duke aplikuar metodën e “Tokës së djegur”. Shteti i Serbisë po ashtu shkeli në mënyrë sistematike dhe Paktin ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike, (International Covenent on Civil and Political Rights), i miratuar nga OKB më 16 dhjetor 1966. Neni 6 i këtij pakti përkufizon të drejtën e njeriut për të pasur një gjykim të drejtë nga një gjykatë kompetente dhe ofrimin e të drejtës për mbrojtje ligjore. Po ashtu, aty përkufizohet edhe veprimtaria e shtetit nën juridiksionin e të cilit është një territor i caktuar, për të mos u privuar askush nga liria pa ndonjë arsye bindëse e mbështetur në ligjet vendore dhe ndërkombëtare.
Republika e Serbisë, duke shfrytëzuar mekanizmat e shtetit, në territorin e Republikës së Kosovës ushtroi dhunë e represion të vazhdueshëm, duke rënë ndesh edhe me ligjet ekzistuese të vetë shtetit të Serbisë. Grumbullimi i njerëzve në një vend të vetëm, ekzekutimi, djegia e kufomave dhe më pas zhdukja e tyre, përbën një shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare, por edhe ligjeve të Serbisë.
Prandaj, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të organizonte mbledhjen e fakteve, sistemimin e tyre, nxjerrjen e padive për urdhërdhënësit, ekzekutuesit dhe ndihmësit e tyre, në mënyrë që të organizohen seanca të drejta gjyqësore të bazuara në fakte të pakundërshtueshme dhe të dokumentuara. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur ende dhe nuk pritet që do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Republikën e Kosovës, me mekanizmat e vet detyrues, do të duhej që të ushtrojë presion më të madh mbi organet shtetërore serbe për të dorëzuar pjesëmarrësit në këtë krim, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe familjarëve t’ju tregohet për fatin e më të dashurve të tyre. Plaga e Krushës së Vogël vazhdon të kullojë gjak. Ky gjak nuk thahet e nuk zhbëhet, sepse vazhdimisht po ujitet me lotin e nënave, baballarëve, grave, motrave, fëmijëve dhe familjarëve të të pagjeturve. Vuajtjet e tyre shpirtërore duhet të marrin fund. Këto vuajtje do të pakësoheshin nëse zbardhet fati i të pagjeturve, hapen procedurat e ndjekjes së kryesve të këtyre akteve të tmerrshme kundër jetës, dinjitetit individual e kolektiv të një populli, kundër atyre që vodhën e shkatërruan pronën private, pra shqiptimin e dënimeve të merituara nga një gjykatë kredibile ndërkombëtare dhe vendore. Urdhërdhënësit dhe kryesit e këtyre krimeve kundër jetës së njeriut duhet të kapen dhe t’ju dorëzohen organeve të hetuesisë e të drejtësisë të Republikës së Kosovës, sepse këtu është edhe vendi i kryerjes së krimit. Fakti se krimet nuk mplaken dhe mundësia për gjurmimin e krimeve serbe mbi shqiptarët e pambrojtur dhe paqësorë në Krushë të Vogël dhe gjithandej trojeve shqiptare, i shërben historisë dhe të ardhmes.