Site icon Gazeta Nacional Albania

Unë me mua në Kampin e Bllacës. Nga Adem Nimani

Unë me mua në Kampin e Bllacës

Adem Nimani

Prill 1999, në vijë të kufirit Kosovë-Maqedoni
Në të dy anët e kufirit jetojnë shqiptarët autokton. Në mes tyre policia e ushtria serbe.
Numerikisht, policët e ushtarët serbë janë shumë më pak. Na jemi me mijëra. Jemi aq afër policisë serbe sa mund “të përqafohemi”! Ku shkojmë nuk e dimë. Sa shumë jemi, por askush nuk flet. Duket sikur askush nuk ka as çka thotë.
Fill pasi qe ndarë Maqedonia nga Serbia, një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës u largua nga vendi, ndërsa një pjesë e madhe po mendonte të punonte çka do qoftë, për të mos u larguar nga vendlindja.

Prill 1994 Bllacë
Unë me një koleg pune, ish punëtor të Radiotelevizionit të Prishtinës, pasi kishim blerë ca gjera në Kratovë të Maqedonisë, po ktheheshim për Prishtinë. Në vendkalimin kufitar të Bllacës krijoheshin kolona. Kishim kohë për pak pushim. Një shkupjan dhe unë dalim nga makina dhe ndezim nga një cigare. Shikojmë luginën e Lepencit nga rruga.
Shkupjani më pyet?:
= E sheh këtë luginë? A të dukët e përshtatshme për kamp përqendrimi?
Kjo fjali më shkakton tronditje të fortë.
= Mua më duket vetëm një luginë e bukur, – them unë!
Kolegu im qesh me zor e plot dhembje dhe shton:
-E more dai; ky vend është paraparë nga Serbia për kampin e shfarosjes së shqiptarëve. Ai ngre dorën kah lugina.- Këtu shumë shpejt do të jetë kampi.
-Kë dëgjuar për “Korridorin” e Gligorovit? Serbët e maqedonasit moti janë marrë vesh për të na hequr qafe përfundimisht.
Dhe ja, pas pesë vjetësh, unë isha në atë kamp me gjithë familje, bashkë me qindra mijëra familje tjera shqiptare dhe aty qëndruam për shtatë ditë e net dhe ishim jo fort larg shfarosjes së vërtetë.
***
Më shumë se dyqind fshatra të pjesës qendrore të Kosovës, tashmë ishin djegur.
Prishtina ishte stërmbushur me refugjatë nga fshatrat e djegura. Sa njerëz kishte atë ditë Prishtina, askush nuk e dinte. Kishte filluar të ndjehet mungesa e artikujve themelor të ushqimit të zakonshëm. Atëbotë Kosova faktikisht ishte pa mjete të informimit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte depërtuar në Mihjen Sipërfaqësore të thëngjillit në Bardhin e Madh, jo fort larg Prishtinës. Me komunikatë, UÇK njofton se do të hy së shpejti edhe në Prishtinë. Fehmi Agani thotë, mos hyni edhe ju në Prishtinë se edhe ashtu jemi tepër.
Shumë njerëz në qytet po kalonin netët pa gjumë. Sa më shumë që flitet për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, Serbia sjell forca të të tjera të shumta ushtarake, policore e paramilitare. Në qytet më nuk ka siguri.
Paramilitarët serb futen në Lagjen Kodra e Trimave (Vranjevc). Dëgjohen të shtëna të shumta armësh. Popullata ikë më panik nga ajo lagje. Masa e njerëzve sjell me veti edhe lajmet për të vrarët. Atë ditë kuptuam që paramilitarët kishin vrarë 17 qytetarë shqiptarë, në mesin e tyre edhe dy punëtorë të Radiotelevizionit të Prishtinës, Selim Gerbeshin dhe Musa Tolajn. Vetë lajmi shkakton rrëmujë tjetër. Kush mundët, ikë nga qyteti. Ata që ishin nisur me vetura për Maqedoni policia serbe kishte filluar ti kthente mbrapa.
Në mesditë, një njësi paramilitare serbe arrin në lagjen tonë, ngjitë me lagjen Velania. Paramilitarët filluan të hapin me forcë çdo derë oborri apo shtëpie.
-Ikni prej këtu!- kërcënohen ata.
-Shkoni në Amerikë, të cilën e doni!
Ka filluar zbrazja e Prishtinës me dhunë! Nuk ka shesh a rrugë për të zënë atë masë njerëzish. Afër qendrës së qytetit policia lokale përpiqet të mbaj njëfarë rregulli për të pasur kontroll mbi masën. Krijon pak rreshta të detyrueshëm.
Aq e madhe është masa e njerëzve sa askush nuk mund të bëj as edhe një hap drejt stacionit të trenit. Me mijëra njerëz të të gjitha moshave e gjinive, të të gjitha profesioneve e të gjitha niveleve të shkollimit, janë aq shumë sa më askush nuk mund të lëvizë dot nga vendi.
Policët lokal serbë, pushtuesi i përdorë me qellim. Ata njihen nga popullata lokale. Shumë të moshuar përpiqen të gjejnë çfarëdo vendi për tu ulur pasi më nuk i mbajnë dot këmbët.
Krejt afër meje, një plak ulur mbështjellë një cigare duhan koçak. Polici serb i afrohet. Mendoj se do ta rrahë? I thotë mbështillma një cigare! Plaku shqiptar ja mbështjell një cigare, i qetë fare. Ia ndezë edhe cigaren.
Isha aq afër sa e dëgjova kur polici i tha plakut- “i lumi ti që po shkon”
( bllago tebi shto idesh- serb.)
Policia sillet rreth kolonave, pa ndonjë vërejtje derisa hapet me forcë një krah i rrugës që shpie drejt stacionit të trenit. Aq shpejt mbushet hapësira mes binarëve më shumë se dy kilometra sa ndrydhja më nuk durohet. Masa përhapet në të dy anët e hekurudhës.
Terri ka ra. Një dyqan ushqimesh që ka punuar afër stacionit hekurudhor deri atë ditë, ishte mbyllur. Turmat e njerëzve kërcënojnë jetën e vetvetes.
Me mijëra njerëz të të gjitha profesioneve, gra e fëmijë, pleq e plaka,, të sëmur e invalid të palëvizshëm, janë grumbulluar përgjatë stacionit të trenit. Dikush bart dikën me lese duke dhënë shpirt. Masa shtohet vazhdimisht.
Avionët e NATO-s dëgjohen, por nuk shihen.
Në gjithë atë masë njerëzish mbretëron qetësi ekstreme. Sa herë dëgjohet fishkëllima e raketave “Tomahowk” që fluturojnë drejt caqeve serbe, ushtria e policia serbe zhduket diku. Sapo kalon fishkëllima e avionëve, ushtria serbe e dislokuar në shumë pika të zgjedhura të qytetit fillon të shtënat e panumërta kundërajrore.
Ora 1 pas mesnate! Një grua shtatzënë ka kohën e lindjes se fëmijës. Dikush kërkon mjek. Kishte plot mjek në turmë. Menjëherë afrohen dy tre prej tyre, duke krijuar edhe hapësirë për lehonën. Thyejnë derën e dyqanit dhe shtrojnë batanije në tokë. Aty lindi ajo grua. Fillojnë të vijnë kamion të rëndë transporti dhe autobusë.
Masa është aq e madhe, gjithnjë e më tepër, rrezikon vetveten. Pa urdhër policor askush nuk guxon të lëvizë.
Kamioni i parë mbushet me aq shumë njerëz sa që askush nuk mund të lëvizë dorë as këmbë. Dikush kërkon ujë. Aq njerëz kanë hipur në kamion sa nuk mund ti jepet as ndihmë edhe po të ofronte dikush.
E njoh Prishtinën mirë, çdo rrugë, çdo kthesë të vogël a të madhe. Nuk i them askujt asgjë. Në shpirt me kaplon frika se mund të na dërgojnë në Serbi.
Pastaj me kujtohet Srebrenca e Bosnjës. Kamioni nuk niset përpara por shkon mbrapa. Mendoj se kjo është shenjë e keqe. Pastaj kamioni ndalon dhe fillon të lëvizë përpara. Pastaj thyen për pak udhën. Prapë më shkakton frikë, E di përmendesh rrugën prej ku jemi nisur dhe përpiqem ta masë përmendesh distancën që kalon kamioni. Frika se kamioni mund të drejtohet andej nga Serbia shton ndjenjën e tmerrit. Ka disa udhëkryqe derisa kamioni të drejtohet andej kah Çagllavica. Më kthehet shpresa. Krejt këto fjalë më sillen në kokë në heshtje të plotë. Askush nuk flet asgjë. Shpejton kamioni drejt kufirit Kosovë-Maqedoni. Për të qenë korrekt, të gjithë sa ishim në kamion me siguri merrnim frymë më lehtë.
Buzë kufirit, policia serbe nuk lejon të dalim nga kamioni. Krijohet kolonë e madhe kamionësh, dhe rrugët e Hanit të Elezit nuk zënë më tepër. Na lejojnë të zbresim. Nata kaloi dhe dita e parë na zuri pa kaluar vijën e kufirit, për të dal në zonën neutrale. Kolonës së kamionëve nuk i shihet fundi. Secili sjellë nga dyqind e treqind veta. Masa shtohet rrufeshëm. Policia lejon një numër të kufizuar njerëzish të dalim në zonën neutrale. Sa minutë që kalon, kolona tjetër e kamionëve rritet. Masa e njerëzve shtohet. Filluan të arrinin edhe trenat plot me njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Natën e parë shumica e kalojmë ulur galuc në zonën neutrale. Policia maqedonase punon në koordinim të plotë me policinë serbe dhe nuk lejon të dali askush përtej zonës neutrale.
Dita e dytë në zonën neutrale kalon me shumë njerëz. Fillon nata e tmerrit. Arritja e kamionëve, veturave e trenave të tjerë, vazhdon.
Jemi tepër afër vijës kufitare ku qëndrojnë policët serbë.
Shoh mirë me qindra vetura të shqiptareve që presin ta kalojnë kufirin, por mashtrohen. Pasi kolonës nuk i shihet fundi, policia urdhëron që secili shofer ta lë çelësin e makinës dhe të rreshtohet atje buzë kufirit. Krejt makinat mbushur top me shumë gjësende dhe para, i konfiskon policia dhe i largon nga rruga për t’ia lëshuar vendin kolonës tjetër. Kam par më sy kur policia serbe kur shihte se nuk kishte më asnjë vend për të parkuar veturat e konfiskuara, lironte ca vetura të shqiptarëve që të kalonin kufirin, por duke paguar çmim aq sa kushton vetura.
Është muaji Prill! Sikur edhe natyra i bashkohet kushteve të rënda të tmerrit. Bie borë dhe ngrinë. Jemi krejt të lagur. E vetmja gjë që mund të bëjmë, janë dy batanije që kemi me veti, për ti mbështjellë tre fëmijët. Të rriturit në dorë të zotit. Dita e dytë bëhet më e tmerrshme. Kanë arritur dyfish më shumë qytetar të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Nga dhjetëra mijëra që jemi në zonën neutrale, policia maqedonase gjatë gjithë ditës nuk lejon të dalin prej aty më shumë se njëqind veta.
Shqiptarët e Maqedonisë shtojnë ndihmat ushqimore e mbulesat. Sjellin edhe plasmas të llojllojshëm për të bërë pak strehë. Ushqimi derdhet nga kamionët pa ndalur. Me siguri sasia do ishte e mjaftueshme por të mos fillonte edhe keqpërdorimi. Nuk ka teori që mund të sjellë rend brenda kësaj mase.
Sa shumë bukë që ka ardhur, por shumë njerëz nuk e prekin dot. Kam parë thasë me bukë të kalbur në shi. Sillnin shqiptarët e Maqedonisë qumësht me kamion, por masa nuk arriti kurrë të bënte një korridor human.
Nata e tretë, jemi krejt të lagur dhe fëmijët i mbulojmë ulur galuc mbi dy çanta dore.
Natën e katërt, atje mes varreve të Bllacës, ne mesin e mijëra çadrave të vogla nga plastika, ndërtova një çerdhe sa për të futur kokën tre fëmijët.
Të ftohtit vazhdon.
E kam me veti një thikë çeliku, të fortë e të mprehtë. Pres dru të imta dhe ndezi pak zjarr aty para çadrës. Vjen një plak i humbur afër meje. Flasim pak për ti dhënë kurajë njeri tjetrit. Të dy vazhdojmë të presim ca kaçuba a degë dru- njësh për të mbajtur zjarrin ndez deri në mëngjes. Aq shumë që ka nevojë për dru, por ajo masë nuk furnizohet dot sa duhet me asgjë. Flenë masa e lodhur tash katër net nën qiellin e hapur.
Sa e disiplinuar duket ajo masë njerëzish përballë policisë maqedonase është e pabesueshme. Nuk ka asnjë lider kjo masë, më ma shumë se dyqind mijë shpirtra të të gjitha moshave e profesioneve. Hapësira kur jemi të rrethuar nga policia e ushtria maqedonase është tepër e vogël për të zënë atë numër njerëzish.
Zor se dikujt i ka shkuar mendja për nevojat që kryejnë gjithë ajo masë aty ngujuar. Kundërmimi nuk durohej më. Këtë erë të vdekjes, sa duket nuk e duron as policia maqedonase. Nuk janë hiq larg as vëzhguesit e huaj. Madje helikopterët e NATO-s fluturojnë disa herë në ditë mbi ne. Seriozisht mendoj për ndonjë eksperiment.
Tërhiqet pak mbrapa polica maqedonase. Masa vërshon tutje si lumë. Krijohet njëfarë hapësire e re pak e pastër për të ndërtuar ndonjë çerdhe plasmasi. Nata e katërt vazhdon. Kurrë nuk kam fjetur as një minutë. Kalëroj gjithë natën nëpër atë pjesën prej nga është tërhequr masa pak më parë. Asnjë njeri nuk ka mbetur andej Kundërmimi vret. Nuk duhen edhe tre katër ditë këtu për të plasur Malaria.
Eci tutje. E di se fëmijët flenë. E di se shoqja është aty pranë. Unë eci mbi mbeturinat prej nga është tërhequr masa e njerëzve për shkak të ndotjes tmerruese. Shkeli mbi grumbuj mbeturinash, sa mund të fundosëm. Preku me këmbë pako që dallohen lehtë kur janë plot. Dalloj një pako plot qumësht. Me shtohet bindja se edhe shumë pako tjera plot me qumësht kanë përfunduar në bërllok. E marr atë pako me 12 litra qumësht dhe filloj të kthehem mbrapa. As që mendoj akoma të kthehem në kotecin tim nga plasmasi. Kaloj edhe mbi njerëz që flenë sikur të vdekur. Nuk e beson njeriu si mund të flenë në pleh dhe mbuluar me shtresë bore. Gërhasin njerëzit duke fjetur. Një fëmijë qanë me të madhe. Afrohem dhe e pyes nënën e tij se çka ka fëmija?
-Nuk kemi arritur të marrim asnjë bukë që tri ditë, thotë ajo. Ia zgjati një litër qumësht. Mendoj se këso nënash me fëmijë pa bukë ka me mijëra, aty pa lëvizë një hap. Nuk bëj dy hapa është nëna tjetër me tre fëmijë, ia zgjasë edhe një litër qumësht për ta. Pako letohet brenda pak hapash. Nuk ka nevojë për të bërë edhe shumë hapa dhe ato 12 litra qumësht i shpërndava. Sa mjaftojnë ato, mund ta merrni me mend?! Mendoj se ata pak qumësht zgjatë jetën e dikujt edhe pak.
Pak kush beson sa të fortë mund të bëhen njerëzit në situata të rënda. Sa human mund të bëhen, por edhe tri herë më të egër.
Lëvizi nëpër kamp edhe ditën. Trenat arrijnë njeri pas tjetrit nëpër hekurudhë. Policia i urdhëron të qëndrojnë brenda binarëve duke i frikësuar se po te dalin përtej binarëve, toka është e minuar. Me orë të tëra, mijëra njerëz, gra, fëmijë, pleq e plaka, invalid e të palëvizshëm qëndrojnë aty në atë hapësirë të ngushtë e të gjatë deri në rraskapitje, derisa arrin treni tjetër që i trusë tutje. Dita kalon. Ka filluar të ngrysët. Një nënë sillet vetëm me tre fëmijë të vegjël dhe qanë afër binarëve. E pyes pse qanë. Thotë se një fëmijë e ka lënë diku mbrapa pasi ka vdekur. Kthehem andej nga thotë ajo grua dhe shoh dy tre djem që e kanë gjetur të gjallë atë fëmijë. Ata e kërkojnë nënën e tij. Ata tregojnë se e kishin gjetur gati të vdekur por i kishin dhënë frymarrje me gojë dhe fëmija ishte kthye në jetë. Nuk e kisha larg atë nënë që e lash duke qarë. Shkuam tek ajo nënë bashkë me ata djem dhe fëmijën e saj.
-A është ky fëmija juaj që e keni lënë të vdekur?
-Po!- thotë ajo nënë dhe duket sikur nuk gëzohet aq shumë. Tre fëmijët që ishin me nënën e përqafojnë fort vëllain e gjallë.
-E lash të vdes me synim që të shpëtojë këta tre të tjerët, thotë ajo nënë.
Dita e pestë!
Shqiptarët e Maqedonisë thuajse janë më shumë e më të fortë se një shtet, vazhdojnë të sjellin ndihma pa fund. Masa shtohet përditë. Furnizimi nuk ndërpritet asnjë herë.
Krejt me koordinim, policia maqedonase punon sipas urdhrit të policisë serbe.
Për të mos harruar, një ditë në zonën neutrale pati tentim për ndarjen e burrave nga gratë, krejt sikur në Srebrenicë. Nuk di si ndodhi por kurrë nuk kam kuptuar si ndodhi. Nuk arritën të ndajnë askënd. Në fillim kam pyetur a mund të pranojë dikush të ndahet nga familja? Pastaj e pashë se nuk pranoi askush?!
Herë pas here, policia maqedonase lëshon ndonjë grup të vogël të vazhdoi rrugën jashtë kampit drejt Shkupit. Dikush ka informacion çka po ndodhë me ne! Qe nga dita e parë filluan të vdesin njerëzit, por nuk krijohej ndonjë panik. Natën e pestë, pas bie terri, pasi rehatoi fëmijët atje mes varresh të Bllacës, dal të shëtis andej prej nga është tërhequr masa por ku ka aq shumë mbeturina dhe kundërmimi i fekaleve të vret. Dru nuk kemi. Mbledh letra gjithfarësh për të ndezur zjarrin pranë çerdhes së plasmasit. Sa hap që bëj, gjej diçka nga ushqimi që u ka “teprua” atyre që kanë rrëmbye më tepër.
Gjej edhe dy pako me qumësht që masa e njerëzve i ka shkel me qindra herë. Në Atë masë bërlloku mund të zhdukej edhe elefanti. Tutje një plak flenë mbi një thes me bukë e cila ishte lagur dhe më nuk i duhet askujt, as plakut. I them vet me veti; Ma mirë tua kishe ndarë fëmijëve atyre që janë aq shumë, i them vet me veti plakut, pa ia prishur gjumin e vdekjes.
Rrëmuja vdekjeprurëse krijohet veçanërisht kur policia maqedonase liron ndonjë grup të vogël, të cilët i ngarkon në autobus dhe i dërgon diku.
Aq shumë njerëz të njohur që shihja dhe secili ankohej, pa u përpjekur të bënte diçka. Kam parë goxha njerëz emërmadh me nga një bukë nën sqetull.
Natën e gjashtë nuk dola në shëtitjen e lakuriqëve.
Kisha dertin si të ndezi zjarrin pa dru. Ishte një lis bukur i trashë tik para derës së çadrës ku flinin tre fëmijët e mi. Një burrë plak më shoqëron. Të dyve na pëlqen biseda. Nuk kam fuqi sa mund të priste dru thika që kisha. Më ndihmon plaku sa herë më lodhen duart. Është e vogël thika, por kryen punë. Para mbrëmjes fillojmë t’ia presim degët e lisit. Digjen drutë duke ngrohur ndopak edhe aq shumë dhembje në zemrat tona. As na shkonte mendja për gjumë. Fëmijët flenë afër. Ik nata ngadalë, por zjarrin nuk e lëmë të fikët. Se çka mund të bëjnë dy burra kur veprojnë bashkë, është e pa besueshme. Me atë thikën e vogël e shkurtuam lisin pjesë pjesë deri në cung. Ajo thikë në duar të forta po kryente punë jete.
Kushtet akoma janë tepër të rënda. Çdo lajm për çdo të vdekur shpërndahet shumë shpejt. Askujt nuk i bën aq përshtypje as vdekja.
Në ditën e gjashtë shkova buzë lumit Lepenc. Kishte shumë njerëz. Duke parë se nuk vinte asnjë lajm shprese, pyeta a di kush not? Mendoja seriozisht se ajo masë aq e madhe mund të krijonte një urë për kalimin e Lepencit, i cili si për inati gati ishte bërë aq i rrëmbyeshëm sa pritej të dilte nga shtrati.
Me ka shkuar mendja shumë herë për shtëpitë e shqiptarëve të fshatit Bllacë. Kam pyetur vetën a fjeti dikush atje. Nuk kam vërtetuar se dikush ka pasur guxim të dali nga masa dhe të bëj konak në ndonjë shtëpi normale të cilat i kishim aq afër. Këtë nuk e kam kuptuar kurrë.
Dita e gjashtë më doli më e gjata! Policia maqedonase lëshoi pak njerëz si për inati për të krijuar masën e rrezikshme. Gruaja thotë duhet të hymë në atë masën që synonte të dali andej ku lejonte policia, por aty ishte vet ferri i Dantes.
I them gruas; Jo nuk bënë! Ajo thotë po, dhe merr dy fëmijët me veti e futet brenda turmës. Masa e shtynë aq larg nga unë, sa ma nuk ka shpresë për ta gjetur. Djali i madh nuk më lëshon nga dora. Masa luhatët mbrapa. Aq larg ishim sa mua me djalin e madh, masa me shtyu pikërisht të shtegu. Djali nuk më lëshonte nga dora. Fuqia më kishte lëshuar. Aty afër më dhanë ndihmën e parë dhe kam fjetur ndoshta një orë apo dy. Një autobus na mori për të na dërguar diku në Maqedoni. Vetëm kur jemi ndarë nga rruga e Shkupit dhe autobusi po shkonte drejt Tetovës kam kuptuar. Djali i madh ishte me mua. Autobusi nuk ishte mbushur as përgjysmë sa mund të zinte. Masa e njerëzve të rrezikuar mbeti atje në Bllacë edhe natën e shtatë. Me atë masë mbeti edhe shoqja ime me dy fëmijët tjerë më të vegjël. Ata atje kaluan edhe natën e shtatë, kur ishte marr vendimi për evakuimin e gjithë kampin e Bllacës.
Shqiptarët e Maqedonisë, për vëllezërit e motrat nga Kosova, kanë bërë aq punë sa nuk ka për ta përshkruar kush sot e njëqind vjet.
Arritëm në kampin e papërfunduar akoma në Neproshten, larg Tetovës një orë këmbë. Djali i madh dinte mirë anglisht dhe gjermanisht. Filluan regjistrimet për shumëçka. Akoma aty kishte fare pak refugjatë. Ushtria gjermane po e mbikëqyrte situatën. Policia maqedonase rrethon kampin dhe bënë rojë.
Nuk na mungon asgjë. Adriatiku iu bashkohet gjermanëve për të ndarë ushqimin.
Mëndet i kemi në Bllacë. Atje vdekja vëzhgon nga afër. Në mbrëmjen tjetër marrim vesh se Kampi i Bllacës po evakuohet. Me mijëra shqiptarë të Kosovës janë vendosur edhe nëpër mijëra shtëpi të familjeve shqiptare të Maqedonisë. Gjatë gjithë natës arrijnë autobus të tjerë plot e përplot. Pas mesnate në Neproshten arrijnë edhe dy mijë veta. Ekipet diskutojnë gjatë. Nuk ka më asnjë vend në Nerposhten.
Reagojnë fuqishëm shqiptarët e Maqedonisë.
Ata nuk kanë pushuar kurrë. Kishin siguruar vend për të gjithë. Autobusët i drejtojnë për ti vendosur njerëzit andej nëpër shtëpitë e shqiptarëve, fshat për fshat.
Kampi i Neproshten akoma nuk ishte i gatshëm me kushtet elementare për jetë. Logjistika e ushtrisë gjermane punon pa ndalur. Ushqimi vjen me kohë. Arrijnë edhe ndihma të ndryshme. Sjellin edhe lodra fëmijësh me kamionë. Ngritja edhe kompletimi çadrave tjera vazhdon.

Exit mobile version