# „Libri na thërret në botën e përrallave“ – Një ditë magjike në bibliotekën e Shkollës Fillore „Bashkimi“
Nga Valbona Gojçaj Gjokaj
Shkolla Fillore „Bashkimi“ në Skorraq të Hotit organizoi një aktivitet të veçantë edukativo-kulturor me temën „Rregullat e bibliotekës“, nën moton „Libri na thërret në botën e përrallave“, duke sjellë një atmosferë të bukur, plot ngjyra, imagjinatë, lexim dhe kreativitet.
Aktiviteti u përgatit nga bibliotekistja e shkollës, znj. Amanda Dushaj, e cila, përmes kësaj veprimtarie, synoi të afrojë edhe më shumë nxënësit me librin, t’u kultivojë dashurinë për leximin dhe t’i njohë me rëndësinë e bibliotekës dhe rregullat që duhen respektuar në të.
Pjesë e aktivitetit ishin nxënësit e ciklit të ulët, të cilët, në bashkëpunim dhe me ndihmën e mësimdhënësve Robert Ivezaj dhe Valbona Gjokaj, përveçse lexuan përralla dhe u njohën me lektyrat e njohura për fëmijë, u shndërruan edhe në personazhet e tyre të preferuara. Të veshur dhe të maskuar si Kësulëkuqja, Ujku, Elsa, Belli dhe personazhe të tjera përrallore, ata sollën para të pranishmëve një botë magjike, ku leximi u ndërthur bukur me aktrimin dhe lojën.
Ishte kënaqësi e veçantë të shihje entuziazmin e fëmijëve, të cilët u mishëruan aq shumë me personazhet, saqë në fund shprehën dëshirën të qëndronin edhe më gjatë me kostumet e tyre, për të vazhduar të jetonin në botën e përrallave.
Sepse fëmijët nuk duan vetëm t’i lexojnë përrallat, por duan t’i përjetojnë ato, të bëhen pjesë e tyre dhe të udhëtojnë përmes imagjinatës në botën e personazheve që i duan aq shumë.
Një kontribut të veçantë në estetikën dhe pamjen e bukur të aktivitetit dha edhe psikologia e shkollës, znj. Merita Lucaj, së cilës i shprehim falënderime për bashkëpunimin dhe përkushtimin.
Drejtori i shkollës, z. Luigj Dukaj, vazhdon të mbështesë me përkushtim aktivitetet edukative, kulturore dhe krijuese të institucionit tonë, duke i dhënë rëndësi jo vetëm procesit mësimor, por edhe zhvillimit të gjithanshëm të nxënësve.
Biblioteka e shkollës nuk është thjesht një hapësirë ku ruhen librat. Ajo është një botë e hapur drejt dijes, kulturës, imagjinatës dhe mendimit të lirë. Është vendi ku fëmijët mësojnë të dëgjojnë, të lexojnë, të interpretojnë, të shprehen dhe të zbulojnë botë të reja.
Aktivitete të tilla kanë një rëndësi të veçantë në edukimin e brezave të rinj, sepse dashuria për librin kultivohet që në fëmijëri. Një përrallë e lexuar, një personazh i interpretuar apo një libër i hapur mund të zgjojë te fëmijët dëshirën për të mësuar edhe më shumë.
Le t’i nxisim fëmijët të lexojnë, sepse libri është miku që nuk na braktis kurrë, dritarja që na hap horizonte të reja dhe thesari që na pasuron mendjen e shpirtin.
Një fëmijë që lexon, ëndërron. Një fëmijë që ëndërron, krijon. Dhe një fëmijë që krijon, ndërton të ardhmen!
Valbona Gojçaj Gjokaj

