Gazeta Nacional Albania

Vasel Gilaj: Biri i Kastratit, Akademik Gjovalin Shkurtaj, me fjalorin e botuar, i ngre një monument pavdekësie Malësisë së Madhe

“Me dashurinë e një biri modest të Malësisë tonë të Madhe”, Prof. Dr, Gjovalin Shkurtaj, Akademik Emeritos, duke sjellë “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistikë të Malësisë së Madhe”, ai ka ngritur përmendoren më të lartë të atij përfaqësimi, i cili nuk është thjeshtë një rrugëtim njohës akademik në mrekullitë e pakrahasueshme të fjalëve, shprehjeve frazeologjike, urtësive dhe një pasurie të larmishme që e shpall Malësinë si Olimpin e perëndive të pavdekshme të traditës.
Kjo sfidë mbi 50-vjeçare është ajo përmbushje amaneti që profesori, biri i Malësisë i’a kishte borxh vendit ku ai u lind, magjisë së dashurisë, me të cilën ishte mëkuar dhe gjithë atyre malcorëve, më të cilët ai u takua dhe prej të cilëve ai mori mushtin më të ëmbël për dehjen e gjuhës dhe traditës.
Sipas Gjovalin Shkurtaj, lënda e parë e këtij fjalori vjen nga një trevë shumë e pasur; nga ana shpirtërore, kulturore, etnografike. Në Malësi ka veshje të mahnitëse, ka këngë të rralla, ka urime të bukura dhe të veçanta, ka ngushëllime shumë origjinale, të cilat nuk hasen në asnjë trevë tjetër të Shqipërisë së Veriut. Dhe është kjo veçanti, janë këto specifika, është gjithë ky thesar shpirtëror, i cili duke u grumbulluar me një përkushtim dhe pasion, që vetëm një bir i këtyre anëve mund ta dëshmojë, ka bërë të mundur që kjo jehonë të dëgjohet si një kushtrim, si në thirrjen e zëshme nga thellësia e kohës ashtu edhe nga rrënjët e limfës.
Dhe ky “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistikë i Malësisë së Madhe”, është kulmimi i punës studimore, veprës gjuhësore dhe kontributit akademik të Gjovalin Shkurtaj, të këtij biri të denjë të Kastratit dhe Malësisë, atij pinjolli, i cili ju kushtua një jetë një fjalori, duke ju dhënë kësaj lartësia të shenjtëruar si një blatimi.
Ai, bëri rrugë të gjatë dhe sfiduese, për të ardhur deri të ngritja e kësaj madhështie, te ngritja e këtyre bedenave të identitetit dhe qëndresës, të përfaqësimit dhe të bukurës së Malësisë dhe malësorëve.
Botimi i këtij fjalori, në një vepër që do tu shërbejë brezave, do të udhëprijë hulumtues dhe kureshtarëve në gjithë shqiptarinë, ishte padyshim një punë titane, triumf i një vullneti epik. Profesor Gjovalin Shkurtaj me këtë fjalor ka përjetësuar vlerat unike të Malësisë, duke i bërë vendlindjen e tij një prej monumenteve më të larta gjuhësore, frazeologjike dhe leksikologjike.
Duhet pohuar me krenari dhe padyshim edhe me korrektësinë e një vëmendjeje korrekte të gjithë asaj pune voluminoze dhe të vlertë, Akademik Emeritus, Gjovalin Shkurtaj është një nga kërkuesit më të zellshëm të fjalës shqipe, të fjalëve të ngulitura thellë në të folmen e njerëzve të thjeshtë, atyre që e pasuan, pasuruan dhe e trashëguan këtë thesar të çmuar.
“Vitet kalojnë dhe njeriu shkon drejt fundit të vet si dielli drejt perëndimit. Rrezet e tij në atë copëherë që i mbetet duket se përskuqen e përflaken më shumë, madje janë edhe disi më të bukura, por ato nuk përvëlojnë më dhe, sidoqoftë, dalëngadalë do të zhduken prapa horizontit e, pa shkuar gjatë, mbi dhe do të bjerë nata… Eh, njeriu i shkretë, lavërtar i papërtuar në arat amëshimit, të cilat i do aq shumë, edhe pse e di mirëfilli se nuk do t’i gëzojë pafundësisht, tek vjen muzgu dhe ndihet aq i lodhur sa mezi e pret qetimin, para se ta lërë punën, kthen sytë ndaj arës që ka lëruar dhe vështron lavrën që ka bërë. Lum ai që mund të thotë me vete:”Ehu, sa paskam punuar!”, mëton Shkurtaj në një thirrje të zëshme të shpirtit, atë shpirt që e udhëpriu për të realizuar këtë vepër monumentale.
Fjalorët dhe gramatikat vlerësohen gjithandej si vepra të vështira, të cilat përgjithësisht gjejnë pak vend te lexuesi i thjeshtë për shkak të peshës akademike dhe një korrektësie strikte auditorësh. Por fal një gjithëpërfshirje të asaj shpirtëroreje, me të cilën ai e ka begatuar këtë kryevepër, Akademik Emeritus, Gjovalin Shkurtaj, i ka bërë vend çdo interesi, qoftë i njerëzve të thjeshtë, qoftë i studentëve dhe hulumtuesve të kësaj pasurie.
Këtë fjalor leksikor dhe frazeologjik, profesori e ka ideuar e nisur ta hartoj qysh në fillesat e punës si dialektolog në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, e pikërisht në janar të vitit 1969. Saktësisht në rrjedhë të moteve, ndërsa do të hartonte monografitë përkatëse për Hotin, Kelmendin, Rranxat e Mbishkodrës etj. të botuara në faqet e përmbledhjes “Dialektologjia shqiptare” (I-IV). Në këtë sipërmarrje këmbëngulëse dhe vendosmërisë për t’i shkuar deri në fund çdo fjale e çdo fraze, profesori ka mbledhur e shtuar fjalë e shprehje, ka bërë hartimin dhe rivështrimin e pjesëve të tij gati çdo ditë “me kohë të pjesshme”, gjithnjë duke gjetur fjalë e frazeologjizma që duheshin përfshirë në të.
Gjovalin Shkurtaj, pa dashur të ngrihet në përmbajtjen e sentencave të mësipërme, ai është i bindur, se ka shumë fjalë e mënyra të thëni që beson se do ta pasurojnë njohjen e leksikut e të frazeologjisë shqipe dhe, mbi të gjitha, ka shumë dashuri e adhurim për Malësinë e Madhe, “Nderi i Kombit”.
“Si bir modest e i përvujtë i saj, ashtu si emnaku i nderuar i anëve tona, dom Gjoni i Bdek Buzukut, që pat thënë se e shkroi librin e tij “ën së dashunit botës sanë”, edhe unë, në krejt sa kam mbledhur, shkruar e botuar, para këtij Fjalori dhe në faqet e tij, kam shkuar sipas hullisë Buzukiane “deshta me u fëdigun, për sa mujta me ditun…” që e folmja, fjalët dhe urtësia e Malësisë sonë të Madhe të marrin shkëlzimin e njohjen që meritojnë, i bindur se shqipja jonë kaq e pasur, vazhdon të freskohet e pasurohet me burimet e pashtershme të dialekteve të saj.” është shprehu Shkurtaj.
Gjatë ekspeditave dhe anketimeve të bëra për mbledhjen e materialeve dialektologjike dhe etnolinguistike në Malësi të Madhe, profesorin në këtë sipërmarrje e kanë shoqëruar dhe ndihmuar për të gjetur informatorët e duhur shumë veta, shokë, miq e familjarë të tij, po edhe plot të tjerë, sidomos arsimtarë të zonave përkatëse ku i është dashur të qëndroj për ditë të tëra, të cilët i kujtoj me miradije, ndonëse tashmë shumë prej tyre nuk janë më midis së gjallësh, kurse disa, ashtu si dhe ai, janë tashmë të ngarkuar me shëngjergja: të gjithëve u blatoj falënderim dhe mirënjohje për mikpritjen, shoqërimin dhe mbështetjen e tyre.
Malësi të Madhe, me gjithë shtrirjen e saj të gjerë tokësore, shqyrton Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, më fort se për një grup të folmesh luhatje buron mund të flitet për një të folme të vetme, me disa dallime e brendapërbrenda. Natyrisht, kjo afri nuk është aspak e rastit, por ajo përbashkësi e gjatë ekonomiko-shoqërore dhe politiko-administrative që i ka karakterizuar përherë “malet” e Malësisë së Madhe. Le të kujtojmë p. sh. se malësorët, veçanërisht ata të Hotit, Grudës, Kastratit, Kelmendit e të Shkrelit, nënvizon Shkurtaj, kanë qenë të përmendur për qëndresën e tyre heroike, për shumë vjet me radhë, kundër pushtuesve osmanë dhe feudalëve të Shkodrës e të Pejës. Të lidhur fort pas shkëmbinjve dhe trojeve të tyre malore, malësorët, pothuajse gjatë tërë periudhës së pushtimit osman, mbeten “rebelë”, që s’iu shtruan sheriatit, por ruajtën organizimin e vet tradicional, të një përbashkësie të mbështetur në organizimin fisnor dhe në kanunin e Lek Dukagjinit. Tërë historia dhe krijimtaria gojore e kësaj krahine është dëshmi e faktit se çdo përpjekje e njërit nga “malet” e Malësisë është shndërruar përherë në ndeshje me të gjera, me pjesëmarrjen e mbarë Malësisë, ku ka derdhur gjakun ajka e “djelmënisë” malësore.
Në ruajtjen e përbashkësisë, sidomos shpirtërore, ka çuar peshë edhe ruajtja e një rregullsie të caktuar ne marrëdhëniet martesore, specifikon profesori. Malësia e Madhe, me përjashtime tepër të rralla, nuk ka bërë martesa jashtë “maleve” të saj. Ndërkaq, brenda të njëjtit “mal” martesat kanë qenë të pakta ose krejt të ndaluara (si p. sh. në Hot deri në ditët tona), kështu që “bijat” kanë shtegtuar nga një pjesë e Malësisë në tjetrën. Kaq e fortë ka qenë kjo traditë, saqë, edhe malësorët e shpërngulur që para shumë vjetësh në vise mjaft larg nga Malësia, si p.sh. në fushat rreth Shkodrës (Hot i Ri, Grudë e Re, Velipojë, Trush etj.), në rrethin e Lezhës (Breg i Matës, Ishull i Lezhës, Ishulli Shëngjinit, Balldren etj.), në rrethin e Krujës (Gurëz, Gorre) etj. deri në ditët tona kanë vijuar të kenë martesa vetëm brendapërbrenda “zonës së xhubletës” d. m. th. me Malësinë ose me malësorët e shpërngulur tekdo që gjenden. Duhet thënë se, vijon Shkurtaj, se edhe me Dukagjinin, (që në fakt hyn në zonën e xhubletës), martesat kanë qenë të kufizuara dhe të lokalizuara, kryesisht në anët e Malësisë që janë në kufi me të (Boga, Rrjolli, një pjesë e Shkrelit). Sipas Gjovalin Shkurtaj, është për t’u theksuar, gjithashtu, se rastet martesave me Dukagjinin, sado të rralla, kanë qenë kryesisht dhënie bijash (disa herë edhe në formën e grabitjeve); përkundrazi, vajzat nga Dukagjini të martuara në Malësi të Madhe kanë qenë tepër të rralla.
Ja përse, edhe në planin gjuhësor, nënvizon profesori, Malësia e Madhe (duke përfshirë këtu edhe ata që janë shpërngulur dhe jetojnë si ishuj etnolinguistikë në vise të ndryshme jashtë saj, kanë ruajtur një fytyrë të afërt, pothuajse të njëjtë, me disa tipare specifike, që bien në vesh menjëherë dhe e dallojnë të folmen e saj, prerazi, nga të folmet e tjera, qoftë edhe të grupit veriperëndimor. Kjo veçori tashmë është një gjë e njohur dhe e venë re që herët, shton profesori, duke sqaruar se qysh në vitin 1916, albanologu austriak M. Lamberc, duke konstatuar afrinë e të folmeve të pjesëve te ndryshme të Malësisë, shprehej: “Kështu p. sh. dialektet lokale të Kosovës dhe të Gjakovës, në bazë të vetive të tyre tingullore dhe flektive, formojnë një grup; prej këtij grupi dialektet lokale të Malësisë, që janë shumë afër njëri-tjetrit na përçojnë ke dialekti i qytetit të Shkodrës, i cili qëndron autonom për sa u përket vetive të tij”.
Më shkoqur, po edhe në mënyrë të atillë që të shihen si afria e gati njëjtësia fonetike e morfologjike e të folmeve të Malësisë së Madhe, mund të ndjekim tri boshtet e krahasimit, sipas hulumtuesve, me rëndësi parësore, që na zbulojnë përputhjet e tyre shumë të mëdha, po edhe dallimet e tyre, sado të vogla qofshin.
Degëzimi dialektor i shqipes në gegërisht e toskërisht ka tërhequr prej kohësh interesimin dhe vlerësimet e gjuhëtarëve dhe albanologëve, qysh para se të lindte e të mëkëmbej dialektologjia shqiptare si degë studimore, saktëson Shkurtaj. Gustav Majeri e Norbert Jokli, pastaj edhe Maksimilian Lamberci, Eqrem Çabej, janë shprehur dhe kanë argumentuar se ky degëzim është relativisht i ri.
“Me anë të krahasimit të dialekteve të Atdheut e të Kolonive, si midis tyre si me monumentet e vjetra letrare e me emrat historikë të vendeve e të personave, arrihet të vërtetohet që toskërishtja e mbarimit të mesjetës, ashtu si na shfaqet në të folmet e ngulimeve të shpërndara nëpër Greqi e në Itali, qëndron më afër gegërishtes veriore të shek. XVI e XVII, pasqyruar në monumentet letrare, nga ç‘afrohen sot dy dialektet kryesore në mes tyre”.
E kësisoj kështu vijon rrugëtimi i birit të Malsisë, Gjovalin Shkurtaj në ballafaqimin e tij të themeltë, përmes këtij fjalori, i cili nuk është thjeshtë një fjalor, por është gjithë historia e traditës, dokeve dhe zakoneve, asaj pasurie shpirtërore, e cila kohë pas kohë dhe brez pas brezi ka arritur të shtrojë shtresë pas shtrese atë humus ku sot harliset një realitet i larmishëm, jo vetëm linguistik por edhe etnografik dhe më gjerë.
Ky “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” vjen si përmbushja e një amaneti që biri i Malsisë ka bërë për t’i qenë mirënjohës asaj çfarë ai është, asaj çfarë ai arriti dhe gjithë asaj që secili që e ndjen veten malsor e ka si obligim, dhe kërkon ta pasojë dhe pasurojë ndër breza si një testament të shenjtë të vendlindjes.

“Zani i Malsisë”