Gazeta Nacional Albania

Vasil Premçi : Njeriut të heshtur dhe të talentuar, poetit Agim Mato

Njeriut të heshtur dhe pa fjalë, poetit Agim Matos, nuk iu thanë dot në gjallje të gjitha vlerat që meriton. Por ndoshta m’u për këtë është ngushëllues fakti se ai ngjason me mjaft sivëllezër, të famshëm sot, në saj të zbulimeve nga kritika e studimet letrare të vlerave të vërteta të krijimtarisë së tyre. Në Shqipëri këtë fat përjetoi poeti ynë i famshëm, Migjeni, ndërsa në botë, Uilliam Blejk, Uollt Uitman, Emili Dikson, etj, etj.

Në krijimtarinë poetike të Agim Matos gjejmë të sendërtuar mendimin e poetit kombëtar amerikan Wollt Witman, i cili do të shkruante në hyrje të kryeveprës së tij, “Fije bari”: “Arti i artit, lavdia e të shprehurit dhe shkëlqimi diellor i dritës së letërsisë është thjeshtësia. Asgjë nuk është më e mirë se thjeshtësia… Asgjë nuk mund të zëvendësojë teprinë dhe mungesën e qartësisë. Mbartja e peshës së impulsit, zhbirimi i thellësive intelektuale dhe artikulimet e përveçme të temave, nuk janë aftësi të zakonshme, as shumë të pazakonshme. Por të flasësh përmes letërsisë me saktësinë dhe lirshmërinë e përkryer të lëvizjeve të kafshëve, dhe me ndjesinë e panjollosshme të pemëve në pyje dhe të barit buzë rrugës, është ngadhënjimi i pacen i artit.”

Për çfarë duhet lëvduar poezia e Agim Matos?

Sigurisht, në radhë të parë për vlerat estetike dhe shpirtërore, për poezitë e tij lirike të shkruara ndryshe dhe në një mënyrë krejt të veçantë.

“Dihet, vëren kritiku i njohur amerikan, Harold Blum,-të shkruarit keq, vjen i gjithi në një formë, kurse të shkruarit bukur është çmëndurisht i ndryshëm.”

Mjaft poezi të poetit Agim Mato pikturohen qartësisht me penelata trishtimi; aq qartë, sa të duket sikur sheh edhe gjakun të lëvrijë nëpër damarët e lirikave të tij.

Motivet ai i qëmtoi nga përditëshmëria e realitetit tonë. Në diapazonin e gjerë motivor e tematik të poezisë së Matos tingëllon dhimbshëm edhe përvoja dramatike e jetës së tij si njeri e poet në kushtet e intolerancës së luftës të klasave dhe të dogmës teorike e praktike të realizmit socialist. “Përkundër, – thekson shkrimtari e studiuesi i mirënjohur Prof.Dr.Anton Nikë Berisha në punimin për këtë poet, – gjendjes së rëndë, ku pësohet dhe ku është e kufizuar liria e të shprehurit dhe e veprimit, poeti e do Atdheun e vet dhe e duron të keqen; dashuria për të është më e madhe se vuajtjet…”

Duke dashur të shuaj përvëlimin e disa mendimeve mbi veçoritë e poezisë së tij, po e nis nga më kryesorja: Poezia e Agim Matos është përshëkënditëse. Keni provuar t’i fryni një zjarri brambullues në oxhak, i cili pas çdo fryme leximi që lëshohet mbi atë, shkëndijon paprerë dhe ndez zjarre të reja? E tillë është poezia e Agim Matos.

Për të shijuar sa më mirë bukurinë e vargjeve të poezive të tij, më parë duhet të kesh njohur kodin e tij poetik. Përmasat e flatrave të atyre vargjeve janë kozmogone, sepse rrahin t’u përgjigjen dhe të pushtojnë kohë-hapësirën. Dhe kështu, varg pas vargu e faqe pas faqe në vëllimet poetike të Agimit, zë e zbulon një botë farfuritëse që të këndell me ëndrrat më të bukura njerëzore. Sado moderne të jenë poezitë e Agim Matos, sado medituese e abstraguese, ku shpaloset flatrashtrirë dyshimi, ëndërrimet frymëzuese, energjia e tyre nuk resht e s’mbaron , sepse ushqehen nga ndjenja të selitura fisnike dhe dashuria e poetit për njeriun dhe të bukurën.

Qëmtimet dhe motivet poetike të Agim Matos i bien pash më pash universit, nga qielli i kaltër ku “gugat gugashi bardhë, që ulet në degën e lulëzuar të shpirtit tënd”, një varg i tij poetik, deri në thellësitë e errëta ose mbushur citë me korale shumëngjyrëshe të oqeaneve. Edhe në këto hapësira të fshehura nga syri i njeriut dhe drita e diellit, hyn shkëlqimtar vargu dhe mendimi poetik i Agim Matos.

Agimi nuk druhet nga thjeshtësia dhe qartësia e vargut të tij, i cili mbart një kuptim të thellë dhe të fshehtë, si ujërat e një lumi të thellë që nuk ngre dallgë dhe as nuk bën zhurmë. Bash aty flenë edhe forca, edhe misteri, por edhe bukuria!

Ndërsa lexoj e shkruaj mbresat e mia mbi poezitë e këtij poeti të mrekullueshëm, njëherësh kaq shumë modest, ndihem i lehtësuar në shpirt nga ajo ndjenja e fajësimit që nuk e thamë mendimin dhe pëlqimin deri në mahnitje, sy ndër sy kur ishte gjallë ky poet i talentuar.

Ja, le të hedhim vetëm disa hapa në kopshtijet poetike të Agim Matos. Pastaj mos i pëlqe e admiro po deshe ato vargje me një mendim e bukuri të pashoqe!

Tërë ajri që thithim në mushkëritë tona

mbushet me kopshte të lulëzuara.

Jeta na provon se është një vuajtje e bukur.

Kam këtu një çelës të kaltër të syve të tu

dhe di të shoh nëse është turbulluar

rezervuari i dritës brenda tyre.

Kur shkruan për vlerat dhe veçoritë e një poeti si Agim Mato, do të ndihesh gjithmonë pakëz i turbulluar, sikur ke humbur rrugën në universin e tij të bukur poetik, sikur, sado e sido që je përpjekur, nuk ke mundur dhe as nuk mund t’i thuash dhe renditësh të gjitha vlerat e artit të tij poetik. Po, a nuk është vallë e tillë, e pafund dhe e pambarimtë edhe vetë bota?

Poezia e Agim Matos është një pjesëz dinjitoze e asaj.