Silvio Berluskoni, manjati i mediave dhe miliarderi që shërbeu si kryeministri më afatgjatë i Italisë, megjithë skandalet dhe akuzat për korrupsion që e shoqëruan, vdiq të hënën në moshën 86 vjeçare. Ai ishte shtruar në spital të premten për të dytën herë gjatë muajve të fundit, pasi vuante nga leuçemia.
Rrjeti televiziv Mediaset, në pronësi të zotit Berluskoni, njoftoi vdekjen e tij nëpërmjet faqes së internetit.
Ndërsa ishte shtruar në spital për shkak të leuçemisë, zoti Berluskoni vuante prej vitesh edhe nga probleme të zemrës, nga kanceri i prostatës dhe ishte shtruar në spital edhe nga COVID-19 në vitin 2020.
Berluskoni përdori rrjetet e tij televizive dhe pasurinë e madhe për të ndërtuar një karrierë politike që mori besnikërinë e mbështetësve, por edhe urrejtjen e kundërshtarëve.
Për admiruesit, politikani që shërbeu tre herë si kryeministër i vendit ishte një burrë shteti i aftë dhe karizmatik, që u përpoq ta ngrejë imazhin e Italisë në skenën botërore. Për kritikët, ai ishte një populist, që rrezikoi të dëmtonte demokracinë, duke përdorur pushtetin politik si mjet për pasurimin e vetes dhe të bizneseve të tij.
Megjithëse zoti Berluskoni nuk mbante vetë ndonjë post, vdekja e tij ka të ngjarë të destabilizojë politikën italiane në muajt e ardhshëm. Partia e tij Forza Italia është pjesë e koalicionit qeverisës të Kryeministres Giorgia Meloni, një udhëheqëse e së djathtës së skajshme, që mori pushtetin vitin e kaluar.
Miqësia e tij me Presidentin rus Vladimir Putin e vendosi në kundërshti me zonjën Meloni, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.
Për ditëlindjen e tij të 86-të, ndërsa lufta vazhdonte, Presidenti rus Putin i dërgoi zotit Berluskoni urime si dhe një shishe vodka. Zoti Berluskoni më pas u mburr se ia ktheu favorin duke i dërguar verë italiane.
Nga takimi me presidentin rus në shtator 2015
Nga takimi me presidentin rus në shtator 2015
Me kalimin e moshës, disa kritikonin paraqitjen e tij, me nxirjen e përhershme të lëkurës dhe transplantet e flokëve, si dhe për të dashurat me të cilat bashkëjetonte dhe që ishin me dekada më të reja se ai. Për shumë vite megjithatë, zoti Berluskoni dukej se ishte i paprekshëm megjithë skandalet personale.
Çështjet penale filloheshin dhe përmbylleshin për shkak të kalimit të afateve në sistemin e ngadaltë të drejtësisë italiane, ose ai i fitonte ato në apel.
Objekt i hetimeve ishin festat e manjatit, ku përfshiheshin vajza të reja dhe të mitur, apo bizneset e tij, si ekipi i futbollit AC Milan, tre rrjetet më të mëdha televizive të vendit, revistat dhe një gazetë e përditshme, si dhe kompanitë e reklamave dhe filmave.
Njëra prej çështjeve gjyqësore përfundoi me dënim për mashtrim me taksat nga shitja e të drejtave të një filmi. Vendimi u konfirmua në vitin 2013 edhe nga gjykata më e lartë e Italisë, por për shkak të moshës 76-vjeçare që kishte në atë kohë, ai u dënua vetëm me shërbim në komunitet për pacientët me sëmundjen Alzheimer.
Ai humbi megjithatë vendin në senat dhe iu ndalua pjesëmarrja në politikë për gjashtë vjet, bazuar në ligjet anti-korrupsion. Zoti Berluskoni qëndroi megjithatë në krye të partisë së qendrës së djathtë Forza Italia, që e krijoi vetë kur hyri në politikë në vitet 1990 dhe emrin e të cilës e huazoi nga thirrjet e tifozëve italianë gjatë ndeshjeve të futbollit. Ai arriti gjithashtu të zgjidhet sërish në Parlamentin Evropian në moshën 82-vjeçare dhe vitin e kaluar edhe në senatin e Italisë.
Partia e tij nuk është më forca dominuese në spektrin e djathtë të politikës në Itali dhe ka humbur terren përballë lëvizjes populiste Lega Nord, të udhëhequr nga Mateo Salvini, dhe më pas lëvizjes me origjinë neo-fashiste Vëllezërit e Italisë, të udhëhequr nga zonja Meloni.
Zeri i Amerikes