Gazeta Nacional Albania

VERA CAMAJ, MBESA E POETIT TË FAMSHËM MARTIN CAMAJ ZBULON DOSJEN E FSHEHTË TË SIGURIMIT NDAJ TIJ

Intervistoi: Muje Bucpapaj

Përndjekja dhe spiunimi i shumfishtë 50-vjecar i Martin Camajt nga shteti shqiptar në një dosje 500 faqesh

“Dosja e tij është mbyllur në 14 janar 1992 si rrjedhim i paligjshmërisë për shkak të ndërrimit të sistemit. Pra një muaj para se njeriu i madh i letrave të ndërronte jetë i malluar dhe larg vendlindjes”.

1. Martini lindi më 13 korrik 1925 dhe ishte i treti ndër shtatë fëmijët që lindën prej çiftit Kolë dhe Tereza Camajt.Ju lutem si e përshkruante babi yt dhe xhaxhallarët e tjerë Martinin e vogël dhe adoleshent?
V.Camaj: Martini ishte një tip shumë i ndjeshëm, sipas gjyshit tim të quajtur Kolë, ai i shikonte delet e qingjat si krijesa të brishta, u jepte jetë, i përkëdhelte sikur të ishin fëmijë, njerëz të afërm, pa të cilët nuk mund të rrinte dot.
Kecat dhe dhitë që i ndiqte në çdo shteg e monopat, brinja e gërxhe të pakapërcueshme, mbushnin tablonë e asaj natyre aq madheshtore në nëndërgjegjen e tij që e mori me vete kudo ku vajti, deri në Bavarinë e largët, zgjedhur jo rastësisht, por ngjashmërisht me vendlindjen e tij, për të qëndruar përgjithmonë, deri në frymën e fundit.
Martini, thoshin në familje i ngjante babës, Kolë por kishte edhe tipare nga nëna e vet, p.sh. të dy prindërit ishin të gjatë, nëna ishte më e ndjeshme, më e butë në temperament e karakter, e qetë e përmbante zemërimin. Lidhjet më të afërta i kishte me vëllanë Gjergjin, të cilit i këndonte vjersha nga të Fishtës, Mjedës, Pashko Vasës.
Librat i blente me kursimet e veta, nga ato që i falnin kumbari apo të tjerët shumë gjë e rrallë për kohën.
Ishte shumë përzgjedhës në ushqim, nuk hante shumë, biles pëlqente që të mos hante fare kur nuk e pëlqente një ushqim. Shokët dhe moshatarët i donte e nuk i linte kurrë në baltë.
Pasi filloj të rritej dhe në rininë e tij, e ndiqnin kudo vështrimet e fshehta nën sy e mbi sy të vajzave të fshatit, pasi binte në sy mënyra sqimatare e mbajtjes, veshjes dhe jeteses.
Kujdesej shumë për ato pak tesha të vetat që kishte.

2. Vera, si është fshati yt Telumi i Dukagjinit, ku ke lindur ti, por edhe xhaxhai yt Martin Camaj, i cili e ka motiv të përhershëm në poezinë dhe prozën e tij?

V.C.: Fëmijëria e Martin Camajt nis në vendin e bukur e të egër të quajtur Telum, të komunësTemal të Shkodrës. Sikurse e përmend edhe vetë:”…u linda në një vis të egër ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit, kaq i thyeshëm ky vend”. Fshati ynë i lindjes është tepër malor, me thepa e gërxhe, i bukur por edhe i vështirë për të jetuar. Kjo lloj vetmie dhe lirie individuale që të jep një fshat i tillë, i cili i përmbledh rreth shtepisë çdo gjë të mbijeteës por edhe të ciklit të jetës, si ara, livadhi, mullni, pylli, gjaja e gjallë etj, është shprehur qartë në karakterin dhe hermetizmin e poezisë së Martinit, në individualitetin e tij të spikatur.

3.Babai i Martinit, Kola ishte bari dhe bujk, ndërsa nëna e tij Tereza, shtepiake, bijë nga Shllaku (Vukaj). A kishte një traditë familja Camaj për artin,muzikën, folklorin apo diçka tjetër që do të vijonte Martini, apo ishte talenti i tij spontan?
V.Camaj: Në familjen tonë, nuk kishte njerëz të shkolluar, por vargjet e Gjergj Fishtës si Lahuta e Malcis, dihej përmendesh nga baba i Martinit, Kola. Po kështu Eposi i Veriut, Këngët e Kreshnikëve këndoheshin në dasma dhe luftra pa pra, por edhe në dhoma burrash kkryesisht gjatë netëve të dimrave të gjatë dhe më shumë deborë.Martini i kishte ndjekur me kuriozitet të madh këto perla të foklorit të veriut dhe të kombit tonë, ma vonë ai mesoi vetë në mënyrë autodidakte shkrim dhe këndim dhe librat e Fishtës filloi t’i lexojë vetë. Këta faktorë mendoj se kanë ndikue tek formimi kulturor dhe letrar i Martinit deri sa ai shkon në kolegj dhe e thellon kulturen e tij. I rritur në një zonë thellësisht të izoluar, Martini mbarti me vete zakonet e bukura e të egra të krahinës e vendit të vet si për vdekjet ashtu edhe dasmat dhe ritete tjera shqiptare të krahinës.
Dasmat ishin pjesa më e bukur idilike e jetës së banorëve, të cilët e kanë të shenjtë atdheun dhe traditën.
Martesa bëhej me shkuesi si garanci e fortësisë së familjes dhe prindërit zgjidhnin miqësi të sërës së tyre me virtyte ndershmërie, ndërsa shkuesi ishte njohës i mirë e me autoritet i të dy palëve.
Paja e nuses paguhej prej dhëndrrit dhe përbëhej nga veshje kombëtare etj, gjëra që i duhen nuses.
Në Shkodër, zakoni ishte që kur fejohej vajza dhe babai e komunikonte në familje, ajo duhet të shprehte një dëshpërim të thellë sepse do t’i duhej që të largohej nga failja, nga njerëzit e saj të dashur.
E ëma i jep të bijës një ruzare që dhëndërri e ka dërguar si besëlidhje për marrjen e fjalës. Për tre ditë vajza nuk duhet ta shohë babën në shënjë turpi.
Për rreth një vit, nusja përgatit pajën, ndërkohë që dhëndërri përgatit një dhomë të tij dhe nuk duhet ta shohë nusen e anasjelltas.
Të enjten, dy gra merren me stolisjen e nuses deri në lyerjen e flokëve e vetullave me ngjyrë të zezë, gjë që mbetet deri në ditën e largimit nga kjo jetë.
Të shtunën, vesh kostumin e rëndë të dërguar nga dhëndrri dhe në kryevënd ulet në një poltronë të veçantë e mbuluar me shami e fillon të qajë sa herë vijnë vizitorë për ta parë. Pesha e zinxhirëve të artë e stolive të tjera të dërguar nga dhëndërri janë stërmundim për të. Dasmat bëheshin me përgatitje njëjavore dhe ditën e fundit ka shfaqje apo lojera popullore gazmore me veshje të ndryshme, imitime dhe improvizimi si plaku dhe nusja etj.
Nusen e marrin dy gra, kumbarat, të cilat, pas celebrimit në kishë dhe çuarjes së nuses në shtëpinë e dhëndërrit, largohen.
Ne to është edhe një djalë i vogël si simbol i lindshmërisë së djemve trashëgimtarë.

Gratë shkodrane vishnin prekalinë, një lloj brekushesh të gjera dhe një këmishë të qëndisur, jelek i rrahur në fije ari e mbi të xhubletën.
Gjithmonë si stoli nuk do të mungonte kryqi i krishterë.
Krushqit majtas janë të dhëndërrit e ata djathtas janë të nuses që e përcjellin.
Nëna e baba nuk dalin prej shtëpie për ta përcjellë, zakonisht e përcjell vëllai.
Deri në shekullin e kaluar (vitet 1900), ndarja ishte tepër e vështirë dhe kush divorcohej, nuk mund të martohej më sepse kisha nuk jepte dy herë kurorë, gjë që bëhej shkak për emigrim.
Vdekja është tjetër rit që Martinin e vogël e ka magjepsur më shumë se çdo gjë, pasi ngjan me tragjeditë e lashta antike.
Njoftohen njerzit të cilëve u shtrohet kafe pa sheqer e cigare.Gratë qajnë me zë në dhomën e xhenazes.
Burrat e marrin arkivolin dhe i bëhen ritet me priftin.
Deri në të 5 javët vazhdojnë pritjet e ngushëllimet.
Vajtimi bëhet edhe nga vajtojcat me pagesë ose qajcat , ndoshta edhe burrat duke kryer ritualin e gjamës nga më të vjetrit në kulturën shqiptare dhe europiane.
Kur lindte djalë, burrat në çardak shtinin me pushkë dhe familja konsiderohej e fortë kur kishte sa më shumë meshkuj.
Pagëzimi i fëmijës bëhet nga një femër e një mashkull, kumbarët që e çojnë në kishë ku shpërndahen ëmbëlsira.
Martini ishte shumë kurioz për këtë rituale kur ishte i vogël dhe në rininë e hershme. Sic thoshte babai dhe gjyshi ai ishte i magjepsur pas tyre. Ai kurrë nuk e shkëputi lidhjen virtuale me botën ku u lind e u rrit.
Ai e kishte moto të tijën faktin që poeti mërgimtar që vërtetë do me mbetë ashtu siç është, merr frymë përmes gjuhës amtare, përmes peisazhit ku njohu vetëdijën e tij fillestare, ku mori imazhet e para të botës që e rrethon.
Ai është endacaku i përhershëm i halleve të vendit nga erdhi dhe i kërkimit të çdo kujtimi e i përcjelljes në letërsi të çdo skute të vendit të tij.
Fakti që ai shkruajti aq bukur në dialektin e vendlindjes, edhe pse ishte glosolog, etnograf, poliglot, albanolog, akademik, ndërkohë që po aq bukur mund të shkruante në gjuhën standarde, tregon se me vetëdijë donte të mbante gjallë dialektin e rrallë të veriut në rrezikun e shuarjes totale të tij. Ai mbeti e vetmja llambushkë e ndezur në atë terr me pasoja katastrofike prej diktaturës unifikuese deri tek gjëja më vetiake që zotëron njeriu, gjuha e mëmës me veçantësitë e larmitë krahinore.

4. Falë ish-pagëzuesit të tij P. David Pepës OFM, Martini dhjetëvjecar, si një femijë autodidakt dhe inteligjent, në vitin vitin 1935 fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku Rektor i kolegjit ishte P. Giuseppe Valentini. Si kujtohej kjo periudhë në famijlen tuaj ?

-V.Camaj: Ikja e Martinit në kolegjin Saverian të Shkodrës ishte jo e lehtë për familjen me shumë pjestarë të Camajve, pasi ishte fëmija i tretë dhe mbante një pjesë të rëndë të peshës së saj, pasi blegtoria në ato zona zinte të gjithë fondin e të ardhurave familjare.
Si të gjithë femijët në fshat, Martini ishte krah mbështetës i babës dhe i gjithë kullës së vet, megjithatë, familja, duke pas parasysh talentin dhe dashurinë e tij për shkronjat, për librin, për dijen, nuk ia prishi kumbarit të vet, pagëzorit të vet, David Pepës, nismën për ta marrë në Kolegj. Si me thënë, të shpëtonte e të nxirrte në jetë një prej pinjollëve të kullës së Camajve, që të nxirrnin një burrë madhështor për të lartësuar e përjetësuar emrin e fisit të kudogjendur nëpër luftërat patriotike të çdo periudhe, por që në këtë etapë të historisë, kur luftërat kishin pushuar dhe tashmë vendi ishte i lirë, kishte nevojë për dritën e dijes.
Nga ana tjetër, çerdhja e atdhetarisë e e iluminimit ku Martini u formësua në dije e në vetëdije, Kolegji franceskan, atje ku ziente vullkani i kulturës dhe i qytetërimit perëndimor me korifejtë e letërsisë, etnografisë, historisë kombëtare u bë njësh me vullkanin që ziente për dije të djaloshit Camaj.
Baba na ka tregue se Martini qysh vitin e parë në Kolegj ndryshoi shumë dhe vit pas viti e kështu me radhë. Intuitës së tij dhe inteleigjencës së tij ju shtua kultura që merrte nga profesorë të shquar. Kur ai vinte me leje dhe pushime në shtepi në Dukagin, gjithë moshtarët e tij por edhe më të mëdhenj mblidheshin që ta dëgjonin dhe t’i drejtonin pyetje, ndërsa përgjigjet e tij ishin aq mahnitëse që e kalonin përherë moshën e tij. Qysh atëherë prindërit e Martinit kishin fillue të ndjeheshin krenar me djalin e tyre.

5. Sigurimi i shtetit e rrëmben me forcë në 9 maj 1948, ditën që ai do të zbriste në Shkodër prej Prekalit ku jepte mësim, për të marrë pjesë në seminarin e përmuajshëm që organizonte seksioni i arsimit dhe pas rekrutimit me dhunë nga ky organ, Martini vendos të arratiset për t’i shpetuar kësaj përndjekjeje? A ishte kjo një pikë kthese për familjen tuaj e cila shihej tashmë si armike e hapur pushtetit komunist ?

V.Camaj: Si i shkolluar në kolegjin françeskan nën kujdesin e bërthamës së atdhetarisë e kulturës, priftërinjve katolikë tërhoqi vëmëndjen e Sigurimit të Shtetit si person i rrezikshëm për përmbysjen e pushtetit diktatorial.
Në këtë kuadër, për ta paralizuar, Shefi i sigurimit për Shkodrën, Fadil Kapisyzi( metastazat e të cilit kanë kapluar edhe sot shoqërinë shqiptare nëpërmjet “studiuesve” pa studime si A.T), i propozon Ministrisë së Brendëshme që të rrëmbejnë mësuesin shkrimtar e poet në mënyrë MISTERIOZE (kështu shkruhet dokumentin që gjëndet në dosjen e sigurimit, të rekrutohej me forcë në 9 maj 1948, ditën që ai do të zbriste në Shkodër prej Prekalit ku jepte mësim, për të marrë pjesë në seminarin e përmuajshëm që organizonte seksioni i arsimit, përndryshe, do të duhej të prisnin seminarin e muajit të ardhshëm.
E rrëmbejnë në atë datë dhe në cilësinë e të pandehurit, e rekrutojnë me forcë, sikurse e përmend dokumenti, proçes verbali në faqen 16 të kësaj dosjeje, datë 10 maj 1948, pra 1 ditë mbas rrëmbimit misterioz, ku Martini nënshkruan në kushte shtrëngimi se do të bashkëpunojë me organet kundër Komitetit të Maleve dhe kryengritësve.
Në të gjitha faqet e dosjes theksohet që M.Camaj nuk ka bashkëpunuar me organet edhe pse ka qënë nën survejim të plotë dhe thuhet se nuk ka dhënë asnjë informatë apo ka dhënë informata të rreme, derisa sa pas 3 muajsh nga rrëmbimi, ai arratiset në Jugosllavi për të shpëtuar prej kthetrave të këtij shteti diktatorial.

6. Falë aftësive të tij letrare dhe shkencore Martini bëri një karrierë të shkelqyer në perëndim?

-V.Camaj:Fillimisht Martini punon pak kohë mësues në Mal të Zi. Më pas shkon në Beograd ku mbaron studimet për Gjuhë e Letërsi e, me sa duket, nga besdisjet e tentakulave të sigurimit shqiptar apo të UDB-së dhe duke parë që i njëjti sistem politik lindor nuk do t’i hapte rrugët e të ardhmes, në 1958 shkon në Itali ku merr drejtimin e revistës SHEJZAT të Ernest Koliqit dhe e ngre në nivele shumë të larta e me tirazh të madh që shpërndahej kudo ku kishte koloni shqiptare si në ish-Jugosllavi, Kosovë, Egjipt, Amerikë, Kanada etj.
Jep mësim në gjuhën shqipe në Universitetin e Romës, kontakton me qëndrat universitare të arbëreshëve të Kalabrisë dhe me magnetofon në dorë shkon kudo ku flitej shqip, përfshi edhe Greqinë e mbledh material gjuhësor e letrar.
I përkushtuar për të mbajtur gjallë shqipen dhe veçanarisht dialektin e veriut që u godit edhe nga Kongresi i vitit 1972, por ndoshta edhe nga ndjekjet e spiunëve të Sigurimit që i kishte kudo si hije nga pas, largohet në Gjermaninë Perëndimore, në Landin e Bavarisë në vitet 1960 – 61, ku ngre Institutin e Albanologjisë, me degë edhe në Insbruk të Austrisë e në Romë dhe paralel me drejtimin e këtyre katedrave të gjuhëve Lindore, vazhdon të ndihmojë elementët shqiptarë studentë apo emigrantë, apo të ardhur me shërbime qeveritare të përkohëshme në Mynih, vazhdon edhe krijimtarinë letrare me poezi e prozë.+++++++++
Edhe në gjermani, korbat e sigurimit vazhdojnë misionin.
Ushtria e spiunëve vazhdon shpifjet se gjoja ai merret me veprimtari antishqiptare por në të gjitha raportet e tyre, herë me emër të plotë e herë me emër shifror, por në të gjitha raportet e tyre hamendësohet me formulimin standard:
“Mendohet, dyshohet se është agjent i Jugosllavëve,Italianëve dhe Amerikanëve, ndërkohë që në Amerikë ka shkuar me kërkesën e albanologëve të shquar amerikanë për të ngritur institutin e albanologjisë atje.
Ka dhënë edhe intervista në Zërin e Amerikës për bashkimin dhe organizimin e shqiptarëve atje që të përhapet kultura shqiptare dhe përparimi i vendit, pavarësisht kundërshtive ideologjike me regjimin diktatorial.
Në mënyrë konstante është shprehur gjithmonë për të drejtat e njeriut dhe brenga e tij ka qënë mërgimi i imponuar prej diktaturës, pamundësia për t’u kthyer e për të parë vendin e tij dhe të afërmit që vuanin vetëm dhe vetëm pafajësinë e tij.
Rasti flagrant i akuzës si armik i të arratisurit Martin Camaj është se Martini, si gjuhëtar e kreu i Albanologjisë në 3 katedra, përplasja që donin t’i krijonin me Akademikun dhe kreun e gjuhtarisë Shqipe, Eqerem Çabej, si dhe tentativa për futjen e këtij personaliteti si spiun të tij në vitet 1970, por vet urdhëruesit e këtij aksioni shprehen se integriteti i Çabeit është i tillë që nuk do të japë rezultate.
Një moment qesharak i degradimit të sigurimit është kur në klinikën e bashkëshortes, në vitet 1980 takon 2 specialistë të dërguar nga Shqipëria për të blerë lopë në Bavari.
Në vazhdim të traditës, i viziton e shoqja dhe i ftojnë në shtëpi për kafe, kur dalin prej tij, mysafirët lajmërojnë ambasadën tonë në Vjenë, e cila lajmëron Ministrinë e brendëshme në Tiranë se spiuni Martin Camaj ka pritur në banesë kuadrot e shtetit shqiptar.
Madje, të dy specialistët, sapo mbritën në Tiranë, shkuan vet në ministri dhe deklaruan se ne nuk e dinim që Camaj kishte qënë i arratisur.
Ky rast, përmëndet disa herë në fletët e dosjes, a thua se u propozoi diçka të keqe e jo që i mikpriti e i ndihmoi për shëndetin.
Vet veprimtaria e Camajt ishte dhe flet për mallin dhe përkushtimin e tij për shqiptarinë.
Tematika e veprave letrare dhe gjuhësore e albanologjike, në të gjitha krijimet, personazhet e tij janë vetëm nga atdheu.Domethënia është e vetkuptueshme.
Për 44 vjet rrjesht ai jetoi me mallin dhe brengën e Shqipërisë, të shqiptarëve, të të afërmve të cilët i vuanin dhe u imponuan që ta provokonin me letra e me korespondencë, por ata nuk u përzien.
Sigurimi bëri edhe një platformë me shpifje dhe i dërgoi 2 letra anonime të sajuara në zyrat e sigurimit në datën në 5 qershor 1986 përmendur në faqen 126 të dosjes, 3 vjet para se të rrëzohej muri famëkeq i Berlinit.
Kjo letër është shkruar nga spiuni Idai Xhafa dhe korrektuar nga dikush tjetër në dialektin e veriut (!!!), është një maskaradë e plotë.
Dosja është e mbushur me emra shpifësish e denonciatorësh, provokatorësh të mirëpaguar e privilegjuar që janë shpërblyer në poste më të larta deri në misionet tona në Organizatën e Kombeve e ambasada, sot marrin pensione të majme e shtesa speciale.
Dosja e tij është mbyllur në 14 janar 1992 si rrjedhim i paligjshmërisë për shkak të ndërrimit të sistemit. Pra një muaj para se njeriu i madh i letrave të ndërronte jetë i malluar dhe larg vendlindjes.

6. Vera, ndërsa njëri xhaxha Martini ishte arratisur, xhaxhai tjetër u burgos dhe u mbajt në burg politik për gati 30 vjet. Për ty si femijë, sa e veshtirë ishte të përballeshe me egërsinë e regjimit, por edhe të veglave të tij që e demonstronin në cdo rast urrejtjen ndaj klasës reaksonare, biles edhe ndaj femijëve. Si e kujton këtë periudhë? Cfarë ju ka mbetur vecenarisht në mendje nga kjo kohë?

-V.Camaj: Ishte një jetë ferri. Lufta e klasave shkonte deri tek ne femijët që na diskreditonin në klasë dhe në shkollë. Ky poshtrim nuk harrohet kurrë. Me vjen rëndë të kujtoj dhe të shkruaj sot ato që ka hequr familja jonë me një xhaxha të arratisur, me një xhaxha tjetër në burg për 30 vjet. Nuk ishte asgjë varfëria dhe mjerimi që kalonim se sa shtypja politike që na bëhej, kërcënimi i përhershëm nga lufta e klasave. Të jetosh me ndjejnjën që je armik i regjimit dhe për këtë shkak edhe survejuar prej tij, ishte e tmershme edhe për ne femijët e Camajve, por nëna na porosiste që të mos flisnim asgjë në shkollë dhe me femijët tjerë, pasi ishim të pambrojtur nga regjimi.

7. Ju ishit një familje me shumë femijë, si e përballonit jetesën, si ishin kushtet ekonomike? Si ishte jeta e një femije të një familjeje antiregjim?
V.Camaj: Më shumë vështirësi, me shumë halle dhe mungesa thelbësore. Nuk mund të konceptohet sot varfëria që kishte kapluar jetën tonë, por në të vertetë edhe të të gjithë popullit në përgjithësi.

9. Sigurimi i shtetit rezulton ta ketë përndjekur poetin Martin Camaj për 44 vjet me radhë, prej vitit 1948 deri më 14 janar 1992, kur regjimi komunist mori fund(22 mars 1992). Ju e këni patur mundësi për ta marrë këtë dosje nga Autoriteti i Dosjeve, cfarë ju ka bërë më shumë përshtypje ?

V.Camaj: Dokumenti i hapjes i dosjes Camaj që mban dt.9 maj 1948, ku shefi sigurims i Shkodrës kërkon aporovimin e Ministrisë përkatëse për rrëmbimin misterioz të mësuesit e poetit Martin Camaj, dhe deklarimi i këtij të fundit me shkrim se një deklaratë bashkëpunimi merrej me zor e nën kërcënim jete, fakti i pohimeve të spiunëve se Martini nuk dha kurrë informacionet e dëshiruara të sigurimit, ose dhënia e dëshmive çorienturse për shokët e tij, derisa, pas 3 muajsh arratiset nga vendi për të mos u bërë pjesë e tyre e për të mos e njollosur ndërgjegjen e tij, flet qartë për karakterin stoik te Martinit dhe perversitetin politik të kriminelëve të kuq.
I gjithë “krimi” në mërgim i Camajt, është kontributi i tij si redaktor i revistës kulturore “Shejzat” si dhe kontributi në albanologji dhe drejtues i tre katedrave të saj(në Mynih të Gjermanisë Perëndimore, në Vjenë dhe në Romë, tentativa për të organizuar në SHBA), kërkesat e tij për të drejtat dhe liritë themelore të të njeriut nëpër forumet ndërkombëtare dhe mos propagandimi i figurës së diktatorit.
Në dosjen Camaj, edhe pas më shumë se 70 vjetësh, ruhen ende emrat e spiunëve e informatorëve, në vënd që të publikohen, të stigmatizohen e të ndëshkohen për krimin e tyre.
Në 3 shkurt 1959, është aprovuar hapja e dosjes për veprimtarinë armiqësore të Camajt me motivacionin “ka urryer pushtetin dhe reformat e tij”, “krim” që sot do ta nderonte mësuesin dhe intelektualin Camaj dhe nuk do guxonte adnjë Auron në botë që ta denigronte atë
“Krimi” i Camajt sipas spiunit shifror nr.67 është se në datën 13 gusht 1957 ka shkuar në Kalabri me një kasetofon për të mbledhur këngë, vjersha, copëza e shprehje gjuhësore nga krahina të ndryshme të kalabrisë, e me këtë rast, hamendëson spiuni 67, që Martini e priste e përcillte si bashkëkombas i malluar e fisnik i traditës shqiptare, mund të bënte propagandë antikomuniste

10. Thatë se në të gjitha faqet e dosjes theksohet që M.Camaj nuk ka bashkëpunuar me organet edhe pse ka qënë nën survejim të plotë dhe thuhet se nuk ka dhënë asnjë informatë, e ka dhënë informata të rreme, ndërsa pas 3 muajsh nga rrëmbimi, ai arratiset në ish-Jugosllavi për të shpëtuar prej kthetrave të këtij shteti diktatorial. Pse mendoni se duan të përbaltin Martin gati 30 vjet pas vdekjes?

11. Dihet që ish-sigurimi i shtetit i ka përndjekur eksponëntët e shquar të Dipasorës shqiptarë të pasluftës së Dytë Botërore në Europë dhe SHBA. Kështu rezulton të jetë vepruar edhe ndaj Martinit, ku në dosjen e tij gjenden shpifjet se gjoja “ai merret me veprimtari antishqiptare”, etj. Ju që e keni parë dosjen, a ka në të prova apo vetëm hamendësime, trillime dashakeqe?

-V.Camaj: Një nga mashtrimet e spiunëve të Martinit është akuza se ai ka spiunuar gjuhëtarin dhe albanologun brilant, Eqerem Çabejn.
Është ironi therëse që bashkëqytetarin e tij diktatori shkollëpambaruar e persekutoi pikërisht për cmirën e tij dhe të merimangës së zezë Xhuglini për shkak të cmirës që kishte me të shoqen Shyretin, njëkohësisht edhe kushërirë e fqinjë që kalonte kohën në legalitet.
Përkundër këtyre akuzave dashakeqëse e të pabaza, dosja Camaj sjell faktin se informata e burimit nr.205 e dt.20 shtator 1962, në faqen 46 – 32, Camaj, në bisedë të përditëshme në kafene , në Romë me Koliqin, shprehet për letërsinë shqiptare dhe veprat e Çabejt i mirrte nëpërmjet Gjermanisë Lindore dhe se ky i fundit ishte Profesori i shquar ishte për të dhe për profesorët e tjerë gjermano – perëndimorë, e ai ishte albanologu më i madh që ka dalë deri më sot dhe është fat që sot në Shqipëri kanë një profesor shumë të mirë për gjuhën shqipe.
Mllefi i diktatorit pa shkollë e çoi Çabejn moçaleve me shushunja e mushkonja malarike në vitin 1946 e jo vlerësimi dashamirës superlativ i Camajt të plotësuar në gjithçka.
Në faqen 1 dhe 2 të dosjes, pa vulë e adresë, me shkrim dore, pa emër, për Martinin thuhet se :
Duhet t’i bëhet një studim më i hollë sepse paraqet interes për zbulimet e huaja e po qe se vihet në shërbim të tyre, bëhet i rrezikshëm për vendin tonë.
Megjithse armik i pushtetit tonë, me profilin që ka, duhet parë me kujdes pasi ai nuk mund të braktisë mëmëdheun e të shkëputet prej tij sepse i gjithë aktiviteti lidhet me vendin tonë.
Ai është personi më i përgatitur jashtë vendit. Ne duhet të mbajmë fillimisht lidhje të fshehta për punët gjuhësore e më pas edhe për punët e zbulimit.
Nga sa di unë, ky ka simpati të madhe për Çabejn…
Pra siç shihet, vetëm zoti Tare nuk ka mësuar ende të lexojë nga dosjet dhe raportimet korrejte të spiunëve sepse qëllimi dhe detyra që ka marrë e verbojnë para fakteve.

Në faqen 43 – 51 të dosjes në 4 Nëndor 1965 thuhet se Camaj nuk ka kryer akte terroriste e nuk është përgjakur me ne , duhet të shikohet mundësia se ndaj cilit zbulim duhet ta djegim pasi ka mundësi që të jetë agjent i italianëve, jugosllavëve dhe amerikanëve ndaj dhe propozoj që të shkruhen dy letra anonime kundër Camajt që të flasin për hakmarrje personale sikur të afërmit e tyre janë burgosur për shkak të tij, të kërkohet asgjësimi fizik i tij.
Letrat t’i shkruajmë ne sikur i shkruan një person nga Shkodra.
Letra ka nënshkimin ”
“D”
Ky është dokumenti më flagrant i intrigave të armës më të urryer të popullit shqiptar, i intrigave më të pështira, dëshmi e dobësisë dhe rëndomtësisë që thurte “syri i mrehtë i partisë”.
Unë u drejtohem institucioneve më të larta të shtetit si Presidentit, Kryeministrit, Kryeopozitarit, Avokatit të Popullit, Trupit Diplomatik, instancave Europerëndimore të pranishme që ta heqin atë ligj pengmarrës të demokracisë që mban të fshehur emrat e pështirë e të koduar të “D” e të gjithë alfabetit shqiptar nga AIDSSH, sepse Partia e Punës e Shqipërisë me në krye Gramoz Ruçin dhe Sigurimi i Shtetit me në krye Ilir Hoxhën i siguruan me ligj ruajtjen e fshehtësisë emrave të hafijeve që betonuan rregjimin e tyre vrastar e terrorist.
Emrat e spiunëve duhet të afishohen në publik që të mos mbajnë ende poste publike si “cigarja” që hartonte këto ligje dhe të tjerët që janë edhe sot specialistë në Ministrinë e jashtme në kontakte të përditëshme me të huajt apo fëmijët e tyre që po zëvendësojnë nëpër institucione ndërkombëtare prestigjioze baballarët e tyre.
Është më e pakta që duhet t’u thuhet një TURP TË KESH TI QË KE SAJUAR INTRIGA E QË KE PERSEKUTUAR QYTETARË TË NDERSHËM NË PUNË TË TYRE.
Në faqen 73 të dosjes, Pavllo Bakalli, puntori operativ në dt.6 tetor 1975 në një relacion përmbledhës shkruan:
Martin Camaj duhet të jetë vënë në shërbim të zbulimit amerikan, italian, jugosllav.
Shërbimi i fshehtë stigmatizon në mënyrë hipotetike intelektualin dhe atdhetarin e madh.
Ndërkohë në faqen nr.74, në një plan sekret masash të hartuar nga Xh.Bregu në 6 Tetor 1975, miratuar nga shefi Niko Popllo, shkruhet:
Të drejtohet bashkëpunëtori “Tigri” tek të dy vëllezërit e Martinit në Shllak, Zef e Gjergj Camaj, që të mësojë për aktivitetin e tyre aktual dhe reagimin ndaj të vëllait si dhe të thirren të dy vëllezërit që t’i shkruajnë letët Martinit me qëllim presioni ndaj tij dhe vëllai i vogël, Gjergji që nuk mban qëndrim të mirë, të arrestohet e internohet…
Dosja e Camajt, përveçse është një njollë e zezë për shtetin shqiptar, është kthyer në bumerang për vet këtë shtet të kalbur e të kotë që fantazonte armiq për të mbajtur popullin në represion, pasi, duke dashur të bëjë armik intelektualin atdhetar, pa dashur, pohon të kundërtën se deri në 5 korrik 1982, Camaj nuk është i zënë nga ndonjë zbulim i huaj sipas faqes nr.82 të dosjes sipas spiunëve “Morava” e Mitro Zike. Pra, një i arratisur e i plotësuar në karrierë e në ekonomi që nuk është rekrutuar qysh nga 1948 e deri në 1982, sipas dokumenteve të tyre, a mund të rekrutohet më pas, për çfarë arsye e me çfarë objektivi?
Rezidenca e Vjenës me në krye Jonuz Mersinin merr në ngarkim misionin e kosovarëve të Gjermanisë për largimin e tyre prej Martin Camajt duke e demaskuar atë përpara tyre; ajo shpërndante materiale shpifëse sipas planit të sipërpërmendur, ndërkohë që Martini përpiqej që të hapte qendra kulturore me kaseta, libra filma nëpër botën perëndimore ku paraqitej zhvillimi kulturor i vendit të tij.
Këto të raportuara nga spiuni “6724” student që Martini e priste e përcillte në shtëpinë e tij.
Letra anonime është shkruar prej spiunit fierak Idai Xhafa në sforcimin e tij për të imituar dialektin kosovar.
Pa asnjë ndrojë e frikë në anë të letrës shkruhet:
Përgatitur e dërguar nga ana jonë

P.op. Idai Xhafa.
Zbulimi politik, siç quhej atëherë, në datën 6 maj 1989 përsëri nxjerr nga sirtari i tij proçesverbalin e rrëmbimit të Camajt për ta paraqitur si një njeri tepër të rrezikshëm edhe pse era e shëmbjes së murit vrastar po afronte.
Me gjithë këtë, dosja e “të rrezikshmit” Camaj do të vazhdonte deri në 14 janar 1992, një muaj para se të ikte nga kjo botë pa arritur të na tregojë se kë ka spiunuar Martin Camaj, me kë ka bashkëpunuar, konkretisht çfarë veprimtari antishqiptare ka zhvilluar.
Edhe në vitet 1990 kur Camaj organizonte simpoziume për vlerat e kulturës e të traditës së kombit shqiptar të pa njohura nëpër botë si Simpoziumi për vlerën e Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili përbën bazën e të drejtës penale ndërkombëtare, kohë kur presidenti i fundit i diktaturës bënte pazare për të na lënë në kurriz katovicën dhe garantonte mosdhënien llogari, sigurimi i tij villte vrer për M.Camajn.
Shpura e hafijeve të Martinit që mbushin gati 300 faqe të dosjeve të tij si Belul Zoto, Idai Xhafa, Guri Selmani(post aktualisht në Ministrinë për Europën), Gëzim Balisha, zv.shef i Shërbimit inteligjent shqiptar në vitet e demokracisë ndërkohë që familjarët e Camajt dhe viktimat e tjerë të diktaturës mbetën varfanjakë të përjetshëm , theksojnë kalbëzimin dhe degradimin e demokracisë në Shqipëri, mbretërimin e përjetshëm të kriminelëve të konvertuar në miliarderë dhe shndërrimin e tyre në viktima.

12. Nga familja juaj duket se vetëm ju i jeni përkushtuar mbrojtjes të të vertetës për Martin Camajn dhe pastrimin e figurës së tij të lartë nga balta që duan t’i hedhin. Sa e vështirë është ta mbrosh të drejtën deri në fund?

-V.CamaJ: Unë po bëj punën time si mbesa e tij. Mendoj si kam lidhje te fuqishme shpirtërore me xhaxhain tim edhe pse nuk e kam takuar kurrë, e ndjej amanetin e tij cdo ditë dhe cdo orë të jetës time dhe dua ta përmbush me dinjitet. Besoj se si baba jëm ashtu edhe axha Martin ndjehen mirë atje ku janë në parajsë me përkujdesjen time ndaj tyre. Ka studiues dhe dashamirës të Martinit që janë marrë apo po merren me veprën e tij, por më tokon mua që reagoj fort ndaj cdo balte që hidhet nga armiqtë e tij ideologjikë dhe ish-mbeturinat e sigurimit të shtetit që akoma vijojnë të fajsojnë viktimat e tyre, apo ju dridhur dora dhe pa kërkuar as falje për krimet dhe përndjekjet që ju kanë bërë njerëzve dhe inteketalëve si xhaxhai im, vetëm për shkak të bindjeve të kundërta politike.

13. Pas vitit 1992 Martin Camaj fitoi të drejtën e botimit të veprës së tij në Atdhe, krijimtaria e tij u bë pjesë teksteve shkollore, deri në universitet, ndërsa u njoh dhe cmua lart kontributi i tij në studimet albanalogjike? A mendoni se është njohur si duhet vepra e tij letrare dhe gjuhësore apo Shqipëria i ka akoma borxhe Martinit ?
-V. Camaj: Fatkeqsisht, ende sot, Martinit nuk i është dhënë vendi i duhur në mjedisin kulturor, falë indiferencës së institucioneve, ekonomisë së përbindëshme të tregut në fushën e artit e të kulturës.
Madje edhe më keq, renminishencat e diktaturës që nxjerrin kthetrat e tyre herë haptaz e herë fshehtaz, nuk hezitojnë që ta përbaltin edhe sot, pas më se 30 vketësh të përbindëshit që i ndryshoi rrjedhën e jetës M.Camajt.
Urdhëri denigrues për emrin e Camajt, dalë nga qendrat e paprekura të Sigurimit të Shtetit, armës më vrastare të shqiptarisë, çerdhes mediokre të ndjekjes deri në varr të mendjeve më të ndritura të kombit deri në hedhjen në lumë të eshtrave të korifeut Fishta, është tragjedia më e madhe e kombit tonë, e cila, e financuar edhe nga qarqet më të errëta antishqiptare, gëlon në përditshmërinë tonë.

Në vend që institucionet tona të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat për reabilitimin dhe dhënien e vendit të merituar të figurës së intelektualit të përmasave botërore, nxjerrin disa brejtës të pështirë, që nuk kanë as idenë më të vogël nga kultura dhe krijimtaria, në kuadër të vazhdimësisë së luftës famëkeqe të klasave, duke patur pacipësinë që Camajn ta konsiderojnë e peshojnë me kriteret e kohës së diktaturës si armik e agjent të CIA e shërbimeve të huaja, pa dhënë asnjë fakt, asnjë detaj e asnjë dokument.
Ora e tyre e mbetur në 8 nëndorin e Mugoshëve e Popoviçëve nuk e zbehin kurrë emrin dhe veprën e burrit të madh.
Camaj, në veçantësinë dhe unicitetin e tij si shkrimtar do t’i bënte nder vendit tonë si autori i parë gjinisë së romanit psikologjik.
Romani i tij Dheu i Arbërit, i bën prezantimin Shqipërisë në botën moderne perëndimore, ku tregon të gjithë potencialin e shqipes si gjuhë bashkëkohëse, pra nuk flet për një tradhëtar të atdheut siç e prezantonte regjimi hoxhist, e siç mundohet ta paraqesë ndonjë mjeran i paarsimuar sot, puthadoras i drejtëpërdrejtë dhe nostalgjik familjar i diktatorit mediokër.
Askush nuk e feston në Shqipëri 27 Janarin si ditën ndërkombëtare të Holokaustit, ndërkohë që bota e kulturuar ka një vend të veçantë për këto viktima.
Kjo harresë institucionale bëri të mundur që sot, të shkëmbej viktimën me kriminelin; në vënd që thirrjet ulëritëse të përfshinin atmosferën shqiptare për rrëmbimin dhe grabitjen e mësuesit prej sigurimit të shtetit të “pushtetit popullor” që hidhte themelet e shtetit të krimit, vazhdon të kryqëzojë një nga viktimat më të herëshme të tij, një nga kurbanet e themelebe të shtetit të ri.
Si mundet që ende të kenë një gjendje të qetësisë së ndërgjegjes qytetare disa njerëz të tipit Auron Tare &co, brez relativisht i ri, në vënd që të klithë deri në qiell sot pas gati 75 vjetësh, bëhet tellall i regjimit banditesk që i detyronte qytetarët e veçanrisht edukatorët e brezave që ose të bëheshin pjestarë në krimet komuniste, ose të bëheshin hebrenjtë modernë me trastë në sup vend më vend të botës.

14.Cilat janë planet tua me dosjen që keni në dorë, dhe a mendoni se mund ta botoni të plotë, në mënyrë që brezi i ri, por edhe studiuesit e rinj, të kenë mundësi për të parë shkallën e intolerancës, censurës dhe përndjekjes së shkrimtarëve në regjimin komunist?

-Do të bisedoj me disa fondacione që të mund përgadisim për shtyp dhe të botojmë. Mendoj se u sherben edhe brezave te rinj dhe atyre që do të vijnë, për të mos harruar shtypjen komuniste, ideoologjinë e tyre intolerante, censurën dhe përndjekjen e egër ndaj intelektualëve.

15. Cfarë dëshironi të shtoni tjetër ?

V.Camaj: Mediat tek ne, si kudo në botë, janë mjeti më i shpejtë e përçues rekord i mesazheve, veçanrisht për zonat rurale ku qytetarët kanë pak mjete informimi e argëtimi. Ato kanë rolin edukues që duhet, por edhe duhet që të demaskojnë çdo formë totalitarizmi e diktature, me qëllim që të mos përsëritet tragjedia 50 vjeçare e përçarjes klasore, e vrasjeve dhe internimeve që shtyp çdo lloj lirie e humanizmi të cilat i shërbejnë një grupi represiv që herët a vonë do t’i nënshtrohen ndonjë Nurembergu.
Gazeta kombëtare Nacional e kryen me sukses dhe profesionalizëm këtë mision idealsit, dhe për këtë ju falenderoj! Posacërisht u jam mirënjohës për vendin që i rezervoni përherë në gazetë xhaxhait tim, shkrimtarit dhe gjuhtarit të shquar Martin Camaj.