1.
*Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
– Si ishte ky vit pandemik për jetën tuaj njerëzore dhe letrare?
– Qe një vit që shumëçka çrregulloi në jetën e përgjithshme dhe të veçantë! Ishte një situatë që nisi me çrregullime dhe vazhdoi me tragjedi. Ishte një situatë që na ndau dhe nga disa kolegë e miq, por dhe shumë nga ne na lëndoi duke përjetuar si një lloj tërmeti dhe duke lënë pasoja të paimagjinueshme. Shpeshherë dikur përdornin, sidomos të moshuarit: “Me nji dynja!” Por me një dynja ishte keq, madje shumë keq. Diçka që kurrë kësisoj nuk do ta ketë marrë me mend dikush ndër ne.
Situatat tragjike bartën më vete edhe shumë pasoja të tjera, të cilat në këto rrethana vetëm po thellohen, po rëndohen e vështirë po përballohen! Një botë komplekse që po na ndan edhe për së gjalli, edhe për së vdekuri! Për së gjalli takime të rralla, për së vdekuri duke ndjekur arkivolin në distancë, shoqëruar edhe me policë e pak veta të tjerë të afërt. Një shqetësim tejet i madh, që po kthehet në diçka të zakonshme; diçka që një ditë mbase do të dukej e rëndomtë?!
Edhe pse situatë e jashtëzakonshme me një përkrahje jo të mjaftueshme dhe të munguar në kohë, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës ia ka dalë të mbajë tri veprimtaritë tradicionale kryesore: “Ora e Lirisë”, që mbahet më çdo 5 mars, festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik” më 10 qershor (u mbajt vetëm në Prishtinë, kurse plot dhjetë vjet edhe në Prizren e Kukës) dhe takimi letrar “Esad Mekuli” më 17 dhjetor në Prishtinë, në ditëlindjen e poetit e veprimtarit tonë të shquar, Esad Mekuli. Në këto rrethana, deri tani u botuan edhe dy numra të revistës letrare “Metafora” të LSHK-së dhe numri i tretë është në proces, por, për fat të keq, me gjithë premtimet, ende nuk janë hedhur ato pak mjetetë premtuara nga Ministria e Kulturës e Kosovës për revistën!?