Gazeta Nacional Albania

Vladimir Muça: Vështrime kritike rreth librit të Xhelal Toskut “Katundi është sy”

POEZI E NJË “HERMETIZMI TË ZBULESËS”
Vështrime kritike rreth librit të Xhelal Toskut “Katundi është sy”,
botim i OMBRA GVG 2021

Në shkencën humane të letrave, pas viteve 1990, më së shumti në poezi, filloi të gëlojë, në “drejtimin e ri letrar”, hermetizmi e simbolizmi i shkalafitur, “en bllok”, i kopjuar nga letërsitë e huaja. Në shuminë e tyre, këto poezi, vinin cerebrale, pa ndjesi dhe me një perceptim të vagët mendimorë tek lexuesi.
Poezisë, në tërësinë e saj, në këto krijimi të ashtuquajtura moderne, u mungon thelbi subjektiv, i cili është areali vendali, ajo që i jep aromën shqiptare, cilësitë autentike, të përveçme, të cilat e mbajnë larg plazhiaturave të rëndomta me simotrat e saja të huaja.
Por, në këtë pluralizëm krijues, krahas këtyre poetëve, të cilët më së shumti rendin pas “qiejve që pikojnë yje”, apo poezive të rëndomta me “buzë e shalë”plazhituriste, ka edhe poetë të ndërgjegjshëm, me botëkuptimin e tyre krijues, si poeti Xhelal Tosku, një poet avangardë në kuptimin e tij krijues, sa i përveçëm, ungaretian do e quaja në bindjen time, që poezinë moderne, me dukuritë hermetike, e sjell tjetërlloj, të brujtur me subjektivitetin e arealit shqiptar, duke e “ardhur” këtë brumë poetik, me ndjesitë e kohës, vendit, përjetimit të ngjarjeve e fenomeneve në bio-diversitetin shqiptar.
Nër biseda mes miqsh krijues, poeti Xhelal Tosku, e sintetizon poezinë: si aftësi për të shprehur botën e brendëshme, mendimet, brengat, paudhësitë, mirësitë, keqadashjet, dashuritë në universialitetin e tyre, të gjitha si një shteg i vetëvetes. Shembulli i Ungaretit, e ka shtyrë Toskun, që në kushtet e një shtratifikimi shqiptar, të adoptojë teknikën hermetike në shprehitë poetike. Një ndikim i tillë, adoptuar në kushtet e reja të arealit, sociologjisë, e bën poezinë të jetë një poezi e një “hermetizmi të zbulesës”. Kjo teknikë i ka dhënë mundësi autorit, për t’i dhënë poezisë, fjalës, një shprehi më të hapur, më nënkuptimore, dhe përmes shfuqizimit të rolit të shenjave të pikësimit, veçantisë tipografike dhe stilit rebel me përbërje epigrafike, ku pikëpyetjet mendimore, janë fjalëkryqet që zgjidhen përmes alegorisë e simbolit.
Nga mënyra se si është formatuar poezia, ndjesitë e çastit që percepton lexuesi në poezinë e Toskut, të bëjnë përshtypje, se ajo del natyrshëm nga shpirti krijues e pa paramenduar nga sforca krijuese, vjen organike, pamvarësisht substancave kohore ku ajo është çertefikuar. Për të bërë një poezi të tillë, krijuesi duhet të ketë dy elementë bazë: gjendjen shpirtërore e cila diktohet e maturohet nga situatat rastësore, por dhe në kushte antrakstive. Tjetra është zgjedhja estetike, stili i veçantë provokativ, fjala e përzgjedhur poetike, eksperimentimi në formate të rinj, të cilët vijnë nga intelekti i krijuesit, njohuritë që ai ka përfituar në jetë, studimi i vazhdueshëm i risive, që sjell një drejtim letrar.
Them me bindjen time, pasi i rilexova këto poezi, se Xhelal Tosku, këto cilësi i maturon mençurisht në çastet krijuese, ndaj dhe poezitë janë organike bio-shqiptare, në polifoninë e fjalëve, se organik është dhe vetë krijuesi në jetën e tij e në çastin krijues.
Si çdo gjë shoqërore, dhe arti shkrimor në tërësinë e tij, në konceptimin filozofik të poetit, po e jeton kohën e deheroizimit masiv, ku qenia njeri është shndërruar në një liliput, apo një kokërr meli pa identitet ku:
“ e mori milingona
dhe e futi
në dhe”
Ligji dialektik i mohimit të mohimit, si themeltar i një zhvillimi shoqëror, gjen shtratin e vet edhe në letërsi, ku arti i vërtetë lind nga vetë mohimi, lind nga diçka që me një apo tjetër formë, është vetëmohuese. Në konceptin hungaretian, inarracioni letrar, nuk vjen i përkufizuar me subjektivitet, siç është në formatin e saj të konceptimit si trill poetik, as e përkufizuar në një kohë, por poezia, vargu, haperon në hapësira të gjëra kohore. Kjo poezi, ndonëse hermetike pakësa në konceptimin stilistik, por duke pasur si maja arealin përjetues shqiptar, ajo vjen ndryshe, vjen bio-shqiptare. Kjo poezi gjendet kudo: mes një pylli, buzë brrigjeve të lumit, përroit, në majë të një mali, në formën e erës, zjarrit, dëborës. Në grinatë, ndonëse në gjysëm errësirë, ajo merr funksionin e një dielli alegorik si në poezitë e faqeve 15,18, 24, 29. duke u bërë rrezja e vetë shpirtit të poetit ku:
“dëbora sheh dëborën që bie
dhe malet tej në male
humbasin nën dëborë

shiu sheh shiun që bie
dhe fushat tej në fusha
humbin nën shi

era sheh erën që rritet
vendi im i paktë
gjithë jetën në stuhi.

Në shumi, në poezitë ekstra ungaretiane, ka shumë natyrë dhe forma të prezantimit të botës poetike. E gjitha kjo vjen nga vështrimi tredimensional i botës shpirtërore të poetit, të arealit përjetues dhe të subjektivitetit, që është një aspekt i një drejtimi letrar, por ajo që është esenciale, e një shpirti krijues është bota e madhe e vetë poetit, i cili nga një mikrokozmos, krijon nga një bing-beng poetik, një botë makrokozmike, në hapësira të gjëra shoqërore. Asgjë që thuhet nëpërmjet një vargu, nuk vjen si e ndarë me thikë, por gjithçka vjen si një tërësi unike e perceptimeve shqisore, të ndjenjës së poetit Tosku, ku në poezinë “Kalorësit e dritës”, autori i përbashkon këto ndjesi në një amalgamë dhe në poezitë e faqeve 36, 48, 54.
Në këto poezi, në vetorë të ndryshëm për poetin, krijimi është gjithnjë një zbulim, një vazhdimësi, me risitë që sjell koha dhe zhvillimi shoqërorë, si një përcaktueshmëri artistike e një stadi të panjohur më parë. Në këtë kontekst stilistik dhe sjellja poetike në formë trilli “e coptuar” në subjektivitetin e vet, vjen në përshtatje me atë çfar i ka diktuar poetit substanca kohore, me përthyerjet e xhamta, gremisjet, shkërmoqjet, aluvionet shoqërore që ato kanë sjellë si palimpseste të një zhvillimi absurd shoqëror. Këto poezi të përngjashme me Tanken dhe Haikun japonez, në paleontologjinë e tyre, vijnë si të ndërprera, si të papërfunduara në leximin telegrafik, sikur poeti s’e thotë atë çfar duhet të tipizojë fjala e bukur poetike. Sipas meje, në konceptin e Toskut, kjo ndodh ngaqë poeti udhëton në garën për një origjinalitet të mirëfilltë, duke “mundur” orë e çast dhe vetëveten, duke përafruar në përbashkësi letrare, kolazhin kinematik të reales me surealen, drejt një krijimi sugjestionues, siç e përfaqëson denjësisht poezia “Kalorësit e dritës”, një poezi antologjike ku:
“ata e ndajnë bashkë
lavdinë, titujt, pushtetin
dhe sidomos paratë
dhe mençurinë
dhe laviret
të gjithë gazetat e ditës
flasin veç për kalorësit e dritës
unë lexoj
në errësirë”

Një poezi që përcjell tek lexuesi ngarkesa të thekura emocionale, mendime përmes një kontrapunti poetik. Kontraversi letrar, mes palimpsesteve vargëzuese, vjen si një domosdoshmëri kohore, ku gazetaxhinjtë me tam-tamet e tyre, si dikur daullet turkoshake, shurdhojnë polifoninë njerëzore e, njeriu i mjerë, lexon e lexon në errësirë. Jo më kot, në përbashkësi të vazhdimësisë të subjektivitetit poetik, autori në faqet 40-41, sjell dy poezi sociale, ku:

“sido që të fryjë era
gjithmonë
vetëm të përkohëshmit
ndodhen në kohën
e tyre”

dhe i “varfëri të këput shpirtin
i pasuri të merr shpirtin
bota pa sy”
Dy poezi pothuaj nga një trung poetik. mbarsur me filozofinë e një antraksioni shoqërorë, me të përkohëshmen e saj si interpretativ, nga ku do të kalërojnë “kalorësit e dritës”. Një lidhje e përherëshme, e cila e shoqëron lexuesin gjatë gjithë leximit nga poezia në poezi. Në përbashkësi madhore, lexuesi përfton dhe ndjesitë e një poeme të filozofisë jetësore, ashtu sikundër e sintetizon estetika japoneze haikun e tanken, në përbashkësi si një poemë. Personazhet poetike, siç janë poezitë e vockla dhe jeta e tyre në këtë absurd shoqëror që po kalon shoqëria shqiptare, në këtë tranzicion të tejzgjatur, është kthyer “sa një kokërr meli”, ku në vazhdimësi poeti, si përbashkësi poetike definon:
“unë nuk kam biografi
jeta ime është e vockël
sa një kokërr meli
e mori milingona
dhe e futi
në dhe”
Një konceptim avangardë i diskriminimit shoqërorë, ku njeriu në qenësinë e tij, ka humbur vlerat njerëzore, vjen disi si “Inat” të Niches si një liliput, i vockël, antipod i mbinjeriut niçejan, i cili mbisundon sot në jetën shoqërore, ku njeriu i thjeshtë është një kokërr meli, që e merr një milingonë dhe e fut në dhe.
Më shumë se në çdo vëllim të mëparshëm, në këtë përmbledhje poetike, në çdo poezi, ndjehet fryma e konceptimit filozofik niçejan. Poeti, përmes imazhesh poetike, të aranzhuar rrjedhshëm në arealin përjetues, percepton për një jetë e moral më të mirë njerëzor.
Në vëllimin “Katundi është sy”, siç e paralajmëron lexuesin që në ballinë, vërehet konsolidimi i një stili vetanak, ku gjuha poetike vjen përmes metaforave e simboleve. Në këtë libër, simboli dhe metafora kryesore është “syri i poetit”. Përmes këtij syri, autori ka arrit të kryejë në subkoshiencën e tij, një shqisë të gjashtë, shqisën e shpirtit. Përmes kësaj shqise, autori arrin të kristalizojë në një xinxife, shprehjen poetike, të befasishme, ndaj qoftë në stil dhe estetikë, këtë libër mund ta quaj, librin më të suksesshëm, përfaqësuesin më modern, në konceptimin e një hermetizmi të çliruar bohem, bio-shqiptar.
Përgjithësisht në këtë vëllim, natyra me arealin e saj, zen një vend qëndrorë. Me simbolikën e saj, ajo rrugëton me gjendjen shpirtërore të personazheve poetikë, duke thyer dukshëm normat klasike të trajtimit të ndjenjës, si burimore e një shpirti të përvetshëm. Në simbolikën e saj, ajo shpalos universin lirik, si një dukuri mikro e makrokozmike në rrafshin shoqërorë. Jo më kot, poeti në poezitë e faqeve 31,38, 43,45,47, uni poetik, i flet si një personazh atipik të paidentifikuar, ku drita dhe errësira, janë dy konvencione, që lidhen ngushtas me ndjesitë e personazheve, botën e subjektivitetin e tyre lirik. Atëherë kur bie errësira e plotë, poeti gjen dritësirën e tij shpirtërore, zgjon dëshirën, mallin për të dashurit, por dhe përjeton vuajtjet gjer në thelbin e një kumti të fundit njerëzor:
“edhe kur te keshë ikur
do të gjuajnë me gurë
nuk do mundesh të përgjigjesh
me ëndërra njerëzish
nuk do keshë më punë
dritë e aegjendtë e hënës
dhe shiu i butë i mbrëmjes
do të ndihmojnë
të mbijnë
edhe barë
edhe lule”

Në këtë citim poetik, si dhe në shumë të tjera, autori me bindje definon në përceptimin e tij shoqërorë: Se në rast se nuk e pranojmë këtë “luftë” me vetëveten tonë, anën tonë të errët, ta vëzhgojmë atë me durim e këmbëngulje, kurrë nuk do të arrijmë dritën e dëshiruar, të blerojë barë dhe lule. Ky realitet i egër, përmes fitoreve dhe dështimeve, vetëm duke qenë bashkëudhëtarë i tyre, duke i pranuar ata si rrugëtarët tanë të jetës, bën që kalimi në çdo bazë përmes fitoreve dhe humbjeve, mund të arrijmë të lartohemi nga njeriu “kokërr meli”, në njeri duke fituar vetëdijen përmes guximit.
Në përmbajtjen e tyre, poezitë e Toskut gëlojnë nga misteri. Misteri për poetin është majaja me të cilin ai majos brumin poetik. Me të autori krijon një lloj magjie poetike, një energji artistike, e cila vjen nga brenda qenies së tij, por edhe nga diversiteti që krijon përmes saj. Autori nuk rend pas kësaj magjie poetike, por është kjo magji që rend pas tij, si një alterego, si fuqizuese e shpirtit krijues. Autori në atë qoshkun e tij, mediton me “Xhelalin” e dytësuar në fantazinë e tij, mediton mbi pjellimin poetik, së pari duke u vënë në interferencë me zërin e tij, me këtë gjallim poetik. Esenca, majaja është aty, brenda brumit poetik, ato presin që me durim dhe dashuri, për fjalën e bukur poetike, t’i hiqet mbulesa e nusërisë, të frymohet, të përkëdhelet si fëmija, ku esenca vetanake është qumështi shpirtërorë, që do ta mëkojë.
Ky është procesi i krijimit poetik i poetit modern bashkëkohorë Xhelal Tosku dhe kur bisedojmë, por edhe “grindemi” për fjalën e bukur poetike “si është e si do të jetë”.
Natyra është një komponent artistik, gati i përhershëm, në poezinë e Toskut dhe pa mëdyshje, në konceptimin tim, atë mund ta quaj poetin që lidh në formatin polifonik të poezisë, shpirtin me natyrën. Me guxim, duke u mbështetur në këtë konceptim, me regjinë poetike, ai shmang gjithë kanonizmat letrare të poezisë: si metrikën, strukturën, duke e kthyer poezinë, në një koncentrat të thukët, përmes një gongu poetik. Në pak vargje, autori mëton të japë një gjendje shpirtërore, një aspiratë njerëzore, përmes të cilave ai gjen këngëzimin e gjuhës shqiptare me mëvehtësinë e saj, përmes zërave të larmishëm, zërave të veçantë, në shprehjen e ndjesive e të mendimeve.
Poeti në këto kontekste, synon që përmes këtij diversiteti mjedisorë dhe ndjenjësorë, t’u japë zë konflikteve të brendëshme shoqërore, pikëpyetjeve dramatike që solli koha. Në ato pak vargje, si në një çelës soli poetik, ai kërkon sigurinë dhe limanet shoqërore, ngulmon në misteret e aktualitetit, duke vënë në ballancën e mendimit, efemeren, më të përjetëshmen, në rrugëtimin e dhimbshëm jetësorë, duke kapërcyer të qenit tokësorë.
Natyra me arealin e saj, për poetin janë edhe impute poetike, të cilat, jo që nuk ndryshojnë kaq lehtë, por ndikojnë drejtpërdrejt tek njeriu në përfitimin e karaterit, të maturisë, të dashurisë për jetën, si distributorë të ndjesoive më të çiltërta njerëzore. Autori, në vazhdimësi të poematikës mbi filozofinë e jetës, në faqen 46, vendos një lirikë të bukur ekspresive, ku natyra dhe njeriu, vijnë të shkrirë në një amalgamë poetike, si një përbashkësi e një universi jetësorë. Natyra e vendit tënd, pjellë e të gjitha mirësive dhe e përbashkësive ndjenjësore, vjen si një gjenerator poetik, në poezinë e faqes 49, ku kjo ndarje e shpërbërje e jetës shoqërore, por dhe e familjeve, humbja e sensit të bashkësisë, në luftën për vetëveten, e ka tret kuptimin shoqëror të jetës. Poeti thirrmon me britmë, gjer në kumtin e fundit jetësorë:
‘vdisni të gjithë
dhe zgjohuni kur jeta
të ketë kuptim”
Gjithçka kumbon mes këtyre vargjeve, për një jetësim më të mirë sepse:
“njerëzit do të ikin
jeta qëndron këtu
fruta për çdo stinë
ku ka si kopshti
yt”
Urtësia popullore, si një diamant, e sjell në formatin poetik, ku puna dhe vepra, kanë në vetëveten e tyre nocionin e pavdekësisë, ku çdo gjë fruton në çdo stinë, atje ku ka mirësi e harmoni.
Syri i katundit sheh cilindo që ikën e vjen, se katundi ka sy. Një lirikë e bukur, e cila vjen si distributore ndjesishë, si kumt vazhdimësie e poezive, ku metafora e syrit, vjen përmes një parabole, natyrore, në funksion të plotë artistik.
Duke u marrë në shumi me natyrën dhe trillet poetike, me thelbin e fjalës së bukur poetike, Xhelal Tosku, i rriti dukshëm vlerat artistike të metaforës dhe simbolit, solli në poezinë shqipe risitë e një moderniteti, me një hermetizëm inovativ, me dukuri të natyrës dhe arealit shqiptar.
Autori me përmbledhjen “Katundi është sy”, i veshi kësaj poezie, një natyrë krejt të re, duke arritur estetikisht ta shndërrojë në një poezi të “hermetizmit të zbulesës”, më i lexueshëm e më i kuptueshëm, në interpretimin e figuracionit e të nëtekstit mendimorë.