Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot ka qëndruar në Pallatin Elysee në Paris, ku për rreth 4 orë ka zhvilluar një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku temë kryesore ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, transmeton Gazeta Express.
Vuçiq tha se ia shpjegoi Macronit pozicionin e Serbisë në dy bisedat që tha se u zhvilluan në “katër sy”, ndërsa përmendi “gjetjen e një zgjidhjeje inovative” lidhur me problemin me Kosovën.
“Ne kryesisht biseduam për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, i tregova se cili është pozicioni i Serbisë. Unë besoj se do të kemi mbështetje serioze nga Franca në rrugën evropiane. Franca do ta mbështesë Serbinë në rrugën evropiane dhe unë besoj në gjetjen e zgjidhjeve inovative të kompromisit për Kosovën dhe Metohinë”, tha ai.
Lidhur me Kosovën, Vuçiq deklaroi se është e nevojshme që pala kosovare ta kuptojë se dialogu “nuk është një pus dëshirash”.
“Unë nuk shoh asgjë që mund të na sjellë më pranë një dialog serioz. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime, por çdo marrëveshje kërkon dy palë që përpiqen, por për momentin nuk shoh palë tjetër”, tha ai.
Ai tha se Macron do ta vizitojë Serbinë në shtator ose tetor.
“Do të jetë një vizitë e madhe, do të kemi shumë kontrata për të nënshkruar”, tha ai. /Express/