Marre nga Zeri i Amerikes. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të hënën se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.
Ai tha në një konferencë më gazetarë në Beograd se kjo i është thënë të premten në takimin me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, të dërguarin amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
“Në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan”, tha ai duke theksuar se në rast të mospranimit Serbia do të përballet me: “ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”.
Ai tha se “de fakto” plani u shndërrua në kuadrin e ri të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunon për këtë, duke nënvizuar se propozimi tashmë është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën.
Duke i cilësuar bisedimet e së premtes si shumë të vështira ai tha se në rast të refuzimit, për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet.
Serbia tha ai duhet ta ketë të qartë se cila është fuqia e saj dhe ajo e vendeve që mbështesin propozimin. Presidenti serb kujtoi se edhe (Slobodan) “Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, duke iu referuar fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe pasi Beogradi refuzoi një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi në pranverën e vitit 1999.
Të hënën shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se pret përkushtim serioz dhe gatishmëri për angazhim konstruktiv nga Kosova dhe Serbia për ta çuar përpara propozimin evropian.
“Theksojmë se përparimi në këtë proces mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja palët. Unë vlerësoj se është mënyra e vetme për të ndalur këtë rreth vicioz të krizave në terren dhe për të zbutur rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm”, tha zoti Borrell pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së me të cilët diskutoi gjatë ditës edhe për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi pas vizitave të të dërguarve amerikanë dhe evropianë në Prishtinë e Beograd të premten.
Propozimi nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e të dyja palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese dhe presidenti serb tha të hënën se kjo krijon hapësirë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ai u shpreh i bindur se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës e mbase edhe NATO-s dhe Serbia nuk ka mundësi të ndikojë.
Propozimi evropian parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Diplomatët sërish vunë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Autoritetet në Prishtinë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se nuk mund të bëhet një mekanizëm një etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së vendit.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Asociacioni është një detyrim ligjor ndërkombëtar për Kosovën dhe duhet të zbatohet.
Qeveria e Kosovës ritheksoi se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtejme, por nuk komentoi kërkesën e vendosur për Asociacionin, themelimi i të cilit për Beogradin është kusht që serbët në veriun e Kosovës të kthehen në institucionet vendase që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar mes tensionesh lidhur me përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.