Gazeta Nacional Albania

Xhahid Bushati: MJESHTRI I SHQUAR SERAFIN FANKO, NË RRËFIMIN TIM…

Sprovë përkujtimore në 85-vjetorin e lindjes të artistit të famshëm shkadran

Mjeshtri Serafin Fanko (24.05.1937 – 29.11.2007), mbetët një figurë emblematike e teatrit dhe e filmit shqiptar, e më gjerë. Gjurmët e tij si regjisor, dramaturg, skenograf, muzikolog… etj., mbeten ende udhërrëfyese për teatrin shqiptar, veçanërisht për konceptet, estikën dhe estetikën, risitë dhe vizionet…
Nga Xhahid Bushati

1.

Astrit Fani, një mik i çmuar i imi, arkivisti model i Teatrit “Migjeni” dhe një nga të rrallët e Teatrit shqiptar, përmes telefonit më kujton Pavdekësinë e Serafin Fankos. Në çast m’u kujtua, se e kam njohur Mjeshtrin e shquar Serafin Fanko (24.05.1937 – 29.11.2007), një figurë emblematike e teatrit dhe e filmit shqiptar, e më gjerë. Gjurmët e tij si regjisor, dramaturg, skenograf, muzikolog… etj., mbeten ende udhërrëfyese për teatrin shqiptar, veçanërisht për konceptet, estikën dhe estetikën, risitë dhe vizionet…
Gjithashtu, m’u kujtua poezia “Poeti” e poetit brilant Xhevahir Spahiu
Më veshët rraso, rrason ua grisa
më lypët këngë, këngët s’iu dhashë
ju prisnit trëndafilë, u hodha hithra
me thikat e sarkazmave ju rashë.

Kur patë se goditja keq ju theri
ju shpikët heshtjen si një mur të ftohtë
një ditë gjithçka mund të ma merrni
po penën kurrë nuk ma merrni dot.

SERAFINIT – RRUGA DIELL!

2.
SERAFINI DHE REGJISURA
Në jetën artistike të Serafinit, regjisura ishte një komponent i rëndësishëm artistik, në mos më i rëndësishmi, do të thoja. Rrezatoi estetikisht mahnitshëm!
Në shfaqjet që vuri në skenë, ai shpërfaqi konceptet e krijimtarisë së tij duke ndërtuar platforma interesante në skenën e dramaturgjisë shqipe. E çmonte shumë kombëtaren. E lidhte me identitetin. Si regjisor iu përkushtua dramës shqipe. I dha asaj vlera dhe dinjitet.
Në shfaqjet që vuri në skenë, përdori të gjitha mjetet e veprimit skenik, të mizanskenës, të dekorit, dritave, muzikës, rekuizitës, etj. Punoi me forcë në skalitjen e individualitetit të aktorit apo aktorit-ansambël duke e materializuar me tekstet e dramës, komedisë, etj. I përcolli hijshëm, plot finesë e poetikisht te spektatorët. Puna e Serafinit dallohet edhe për logjikë, qartësi dhe impulse dramatike. Nëpërmjet detajeve, theksimit të ngjarjeve kryesore, ndërtimit të kontrasteve, etj., komunikon qartë dhe plot emocion me spektatorin, me ndjenjat dhe zemrën e tij. Regjisori-Serafin në të gjitha dramat që vuri në skenë, i zbërtheu ato gjer në imtësi, i zbuloi çdo vlerë dhe i minimizoi në maksimum çdo të metë të saj. Në mendësinë e tij si regjisor, kurrë nuk e filloi punën pa patur të qartë çdo qelizë të materialit, duke mos i lënë asgjë spontaitetit dhe rastësisë.
Gjatë hulumtimit për gjetjen e detajeve e dukurive të reja të regjisurës së Serafin Fankos, horizonte të reja, veçanërisht, na fali studimi i prof. dr. Josif Papagjonit. Qasja ndaj dramave të vëna në skenë dhe grupimi i tyre në përbashkësinë e platformave, analizat e thelluara dhe deduksionet në marrëdhënie me kohën dhe kohësinë e çdo drame, kanë bërë që të ndriçohet e plotë figura e tij regjisoriale. Në mënyrë të përmbledhur po japim disa veçori të konstatuara nga studiuesi Papajorgji, të cilat janë:
*Dallohet për trajtimin regjisorial të thelluar dhe elegant të veprës dramatike, për kulturën e pasur skenike që derdhet harmonishëm në të gjithë përbërësit teatrorë.
*Mendimi regjisorial zbuloi te kjo dramë (“Fisheku në pajë” – shënimi im Xh. B.) botën e ndrydhur të gruas malësore prej zakoneve të vjetra, me kërcënimin e vdekjes së paralajmëruar në rast kundërshtimi ndaj burrit. Ky kah u gërshetua me aksionin politik për çlirimin dhe emancipimin e gjithë shoqërisë shqiptare, me apelin për respektimin e të drejtave të gruas, si dhe të jetës si e drejtë natyrore.
*Me dramën “Gjaku i Arbrit” e F. Krajës, 1981, ai i dha trajtë poetike e dramatike baladës shqiptare të Doruntinës dhe Kostandinit, si dhe asaj të Ago Ymerit, duke ndërtuar një spektakël të modelit epik, në suazat dhe përmasat e të madhërishmes, tragjikes dhe sublimes, çka u vërejt në mënyrën dhe stilin e lojës së aktorëve, në skenografi, në mizanskenë, etj.
*Një nga tiparet e artit të S. Fankut është fakti se ai arrin të gërshetojë kompozimin piktural me lojën realiste të aktorëve, duke i çuar këta drejt karaktereve të vërtetë.
*Shprehja e pastër e mizanskenës, paraqitja vizuale e tipit monumental, sensi i hollë dhe bukuria e fjalës poetike, bashkë me mendimin e figurshëm dhe ngarkesën metaforike të detajeve, janë disa nga cilësitë dalluese të këtij regjisori, të cilat u shprehën edhe në konceptimin e dramës “Baca i Gjetajve”, 1968, e F. Krajës.
*Në vitet ’90 arriti të pasurojë dukshëm format shprehëse, si një regjisor me identitet të spikatur.
*Koncepti i tij regjisorial ka synuar të diskutojë, sidomos pas viteve ’90, mbi problemet ekzistenciale të kombit shqiptar në zgripe e kthesa të forta të historisë, duke mbajtur qëndrim kritik ndaj miteve e tabuve, ndaj shtresimeve arkaike, atyre patriarkale e konservatore, si dhe ndërgjegjes kolektive destruktive përgjithësisht. Ai ka apeluar për përqafimin e një mendësie të re.
*Përgatitja teorike, njohuritë e gjera në fushën e artit, të psikologjisë, të filozofisë, të historisë etj., i kanë dhënë mundësi të parashtrojë para trupës së Teatrit të Shkodrës, si dhe teatrove të tjerë, platforma regjisoriale të thella e shembullore, të cilat kanë qenë modele për kohën.
*… ka realizuar një harmonizim të dukshëm midis shëmbëllimeve realiste dhe atyre jorealiste, midis parametrave aristotelianë të rikrijimit të gjasës jetësore dhe parametrave të tjerë joaristotelianë, që e tjetërsojnë, që e shfytyrojnë, apo që e shpërqendrojnë pjesërisht, deri edhe tërësisht këtë gjasë jetësore, …
3.
Trajtimi regjisorial i materialit dramaturgjik nga Artisti i Merituar Serafin Fanko u është përgjigjur cilësisht veçorive të dramës. Janë nxjerrë në pah vlerat më të mira si mprehtësia e konfliktit, forca edukuese e ideve që burojnë prej tij, figurat artistike që mishërojnë tipa realë me musht jetësor.

Me shije e kulturë është punuar edhe në ndërtimin e mizanskenave, në trajtimin e retrospektivave të dramës, që është bërë në mënyrë të atillë që nuk ndërpret rrjedhën e ngjarjes kryesore. Në çdo premierë na shfaqet ai tipar i rëndësishëm i krijimtarisë regjisoriale të Serafin Fankos, i cili përcaktohet nga ndjeshmëria e tij në gjetjen dhe ruajtjen e masës në të gjithë elementët skenikë. Edhe vetë këto elementë skenikë duke u harmonizuar në një masë të caktuar, japin tek shikuesit një parafytyrim të asaj copëze jete që luhet në skenë. Gjetja e drejtë e kësaj mase ka të bëjë me tipare të rëndësishme të krijimtarisë artistike, siç janë tipizimi e përgjithësimi, individualizimi etj., të cilat në çdo premierë, mendojmë se, janë zgjidhur në përgjithësi drejt.
4.
Me spektaklin “Quo vadis?” regjisura e tij na vjen me një pozë krejt të re, e cila ka dimensione dramatike, lirike dhe prirje për kredhje filozofike. Në këtë spektakël ai abstragon dhe i tejkalon të gjitha rastisjet, eventualitetet përgjuese mbase dhe të koiçidencave fare të ngjashme të regjisurës së tij të mëparshme. Laboratori alkimik i tij gjallëron dhe vë në lëvizje dramatike tërë ambientin krijues me kope detajesh që flasin artistikisht bukur në tërë atmosferën skenike në shërbim të spektaklit. Regjisura apo fuqia krijuese e Fankos ecën në saje të arsyes jo të rëndomtë, në saje të fuqisë së imagjinatës së rrallë, në koncentrimin total apo në intuitë.
5.
Magjia e këtij spektakli (është fjala për dramën “Ftesë për darkë” të autorit Stefan Çapaliku, – shënimi im Xh. B.) mbetet, padyshim, regjia cilësore e të mirënjohurit Serafin Fanko, këtij filozofi të teatrit bashkëkohës shqiptar.
Fanku, mes Golgotës së artit dhe peshës së rëndë të vetësakrifikimit krijues, ka arritur më së fundi aty, tek kryqi i shenjtë i vlerës, ku sublimohet dhe afirmohet e bukura…
Te kjo shfaqje, Fanku krijon qasje të tilla që nxitin meditimin, që krijojnë sintezat filozofike, çka lind natyrshëm simbolet e qenies sonë kombëtare, rrjedhën e saj shekujve të mbijetesës, udhëkryqit, mëkatin dhe komplekset vetasgjësuese. Por edhe virtytin edhe aftësinë rigjeneruese të racës. Koncepti i tij ka një sens kritik. Megjithatë ai është në thelb sublim. Gjuha e tij është moderne, sugjestive. Është një teatër akademik bashkëkohor.
6.
PËRSËRI NGA NJOHJA ME SERAFININ…
Njohja me regjisorin elegant Fanko ka një rrugëtim shumëvitesh. Duke e parë nga larg, si bashkëqytetarin tim, te Serafini çdo gjë ishte elegante, shije, ecja, veshja, fytyra, shikimi, edhe flokët e sapothinjura… Dallohej nga të tjerët, veçanërisht “për modernitetin e tij” dhe dukej sikur “stononte” me realitetin ekzistues, që shpesh herë ishte i ashpër edhe për modën e veshjes. Në fakt, te Serafini çdo gjë ishte njerëzore, e zakonshme, etike e estetike e njëkohësisht evropiane.
Miqësia jonë erdhi duke u forcuar dhe bisedat tona u bënë më të shumta, kur fillova punën si gazetar në Radio Shkodra. Intervistat e shpeshta, kultura e rrëfimit të tij, profesionalizmi… etj., nuk bënin gjë tjetër veçse plotësonin portretin e tij dhe e dritësonin atë. Më pas, pjesëmarrja ime në premierat, ku Serafini ishte regjisor, më vonë si dhe regjisor e dramaturg; nisën të bëheshin më të shpeshta. Po, më të shpeshta ishin “trokitjet” në dyert e Teatrit si spektator, dashurues i Teatrit e si studiues. Më ka qëlluar, po shpesh, të merrja pjesë në diskutimet që bëheshin pas shfaqjes-premierë të vënë nga Serafini. Shikoja e dëgjoja trysninë , shpesh të ashpër të debateve, kritikat kot së koti e deri ato të karakterit ideologjik që nuk mungonin… etj. Disa drama të Serafinit, jo për fajin e tij, po për hir të prurjeve dhe imazheve të reja që sillte, “e trondisnin” këshillin artistik apo diskutantët e ndryshëm që merrnin fjalën… Vizioni i regjisorit Fanko shpesh nuk kuptohej… E “për të qenë brenda dhe i sigurt”, disa shfaqje “ e kishin rrisk” t’u bëhej analiza ditë e net me radhë. Ka pasur shfaqje-premierë që në “biografinë e tyre” jepeshin deri në 10 herë, derisa “t’u jepej leja” për t’u shfaqur për spektatorin… Tani, sikur “drama” i plotësonte kushtet, ishte përmirësuar. Mendoni një çast botën e trazuar të regjisorit Fanko, bisedat e tij me vetveten, dramën e tij shpirtërore… Ai fliste në emër të artit bashkëkohor e, ata, ishin larg, shumë larg tij, shumë larg kulturës së tij… E vjetra dhe provincialja dukeshin dhe zhdukeshin e përsëri dukeshin me rrënjët e mykta që i prodhonte realiteti ekzistues…
Pastaj, erdhi një moment, kur po punoja për librin kushtuar Teatrit “Migjeni” me titull: “Teatrit “Migjeni”, kujtesa e një qyteti”, libër që më kushtoi 31 vjet punë. Në mes aktorëve ishte dhe emri i Serafin Fankos, që e njoha edhe më në thellësi. Realisht për Serafinin mungon një monografi studimore. Mbase, dikush, ndonjë ditë do të kujtohet…
Vitet kalonin… Erdhi një moment i trishtueshëm në jetën artistike të Serafinit, kur ai kishte nisur bisedën me vetminë. Në këtë kohë i telefonoi dhe i kërkoi për një intervistë. Ai më kundërshton disa herë. Më në fund “dorëzohet”. I dërgoi pyetjet. Atë ditë, kur trokita dhe Serafini doli të më priste, pashë në fytyrën dhe sytë e tij një dritëz që nuk e kisha parë më herët, e përzier me ca pika loti. U përshëndetëm dhe u përqafuam. Pashë shënimet e tij anash fletëve të pyetjeve të mia. Ishte përgatitur, ashtu siç dinte regjisori. Ndoshta edhe ky bashkëbisedim i dukej si një “shfaqje e re”… Mund të ketë zgjatur kjo intervistë rreth katër orë. Në fund më tregoi edhe “Muzeun” ku qëndronin trofetë e fituara me djersë, me mund, me talent. Në ikje u përqafuam përmallshëm. Nuk do ta shihja më, se kishte vendosur të jetonte në Tiranë.
Teksa zbrisja shkallët, sikur më shfaqeshin rradhë-rradhë shfaqjet e regjisorit e dramaturgut Serafin Fanko. Më dukej vetja si në një amfiteatër dhe, ashtu, jo i vetmuar, po ndiqja dramat e vëna në vite, në fakt po ndiqja jetën e tij mrekullidhënëse kushtuar teatrit, regjisurës dhe filmit.

NË GJURMËT E SHKRIMEVE… NË GJURMËT E KUJTIMEVE…

1.
Serafin Fanko: “… propozimi për ta vënë në skenë këtë dramë (është fjala për dramën “Nita” të Josip Relës, shënimi im Xh. B.) është i Teatrit të Kombësive të Shkupit, gjë që mua më pëlqeu shumë dhe punës ia nisa me vullnet të madh. … … kam synuar që drama të paraqesë luftën për ekzistencë, domethënien e besës së dhënë; luftën kundër zakoneve të egra, gjëra këto që e aktualizojnë dhe i japin shtrirje më të gjerë kohore.”
2.
“Ashtu si dhe në festivalin e vjetshëm me shfaqjen ‘Çmurosja”, e cila u vlerësua me çmimin e parë; me “Ftesë për darkë” të shkruar nga Stefan Çapaliku, teatri i Shkodrës dhe Serafin Fanko vijon në temën e tij madhore të ekzistencës dhe spikamës kombëtare, për të gjetur e rigjetur rrënjët thellë nëpër mugëtirën e shekujve, deri tek ankthi i pritjes tek përcaktueshmëria e vetëdijes, tek shpërfaqja e ethashme para një drite e nje dielli që duket se vjen kah perëndimi.
Drama dhe shfaqja kanë parapëlqyer konvencionin letrar dhe atë teatror.
Dramë e dilemave ekzistenciale
*Një plak i moçëm 600 vjeçar, medium i psikikës kombëtare që mban gjallë ëndrrën, që mëkon kujtesën historike, që përcjell brezave porosinë e të Parit.
*Një plak tjetër 400 vjeçar, i zdërhalluar në epshe dhe instiktin riprodhues të jetës, që siguron mishin e freskët njerëzor të mbijetesës, me farën e tij tashmë jo aq fisnike…
*Një profesor, qasja e trurit të mplakur e të sugjestionuar të këtij fisi, interpret i përvuajtur i asaj që shfaqet dhe kërkohet si nevojë imediate dhe (jo njëherë) i asaj që fshihet në nebulozën e kujtesës historike, që lipset kërkuar si udhërrëfim e perspektivë por që ai s’i gjen dot…
*Një grua vitale që pjell vazhdimisht fëmijë, e si një ulkonjë…
*Një djalosh i ri, i kthyer rishtazi në kullë, pas ropatjes, sfilitjesh jashtë saj.
*Dhe gjithherit i pranishëm një stërgjysh, krejt i shushatur, në humbëtirën e trurit të tij të fikur – rudimenti ynë njerëzor e kombëtar, me zgërbonjën e trupit të drobitur, si një dëshmi a relikte e asaj kohe primitive prej nga është riprodhuar kjo racë: shqiptarët. Ai asnjëherë nuk thotë dot asnjë fjalëz të vetme, veç bulurin si kafshët…
*Të gjithë këta njerëz vinë tek kjo darkë kujtimesh të frikshme. Regjisori S. Fanko dhe trupa e aktorëve duket se së toku vë para nesh pyetjet: -Cilët jemi, ç’kemi qenë, ku po shkojmë, çdo të bëjmë? Janë pyetje ekzistenciale. Është një asocacion, me ngarkesë tejet filozofike, që aq fort puqet me udhëkryqin tonë.

Djathtas është një portë. Ajo hapet dhe mbyllet, si një portë e një burgu a kështjelle, sa herë ndokush nga personazhet (mbytur nga asfiksia e ngujimit shekullor) hyn e del prej këtyre mureve të gurta, lagështisë dhe e ngujimit shekullor).

Duan t’i shpëtojnë tmerrit dhe delirit që pjell vetmia, ankthi, trysnia, aty brenda. Por… o Zot! Ata rishtazi hyjnë brenda kështjellës. Por kësaj radhe çiltërsisht të mplakur, të shqyer, të zvogëluar, të tjetërsuar. Ndonjëri vjen madje i gjakosur. Çmeritja e tyre është e dhimbshme, e frikshme. Aktorët e Shkodrës V. Bruçeti, Y. Bala, R. Gjeka, Gj. Gjoni, dinë të na e japin mirë këtë imazh.

Aleluja!.. Në humbëtirat e kujtesës, vetëdija e tij historike sjell ndërmend se paska një dalje tjetër; të vret sytë me dritën e saj verbuese, por që më pas, sa shumë t’i afrohesh diellit, aq më tepër ngroh. Dhe ti sheh më mirë. Ky është një diell tjetër, që vjen tej. Mos është vallë iluminishenca e Oksidentit, idenë i madhërishëm, i artikuluar aq qartë nga Rilindësit? Them se po, ajo është derë, dje dhe sot, është dalja shpëtimtare e shqiptarëve. Kërkojeni atë – ja mesazhi madhor i Fankut. Nëpërmjet spikamës së talentit të epokës, që gjithnjë e më fort shfaqet në gjerësinë e vet, por edhe të krejt rrudhave asociative të shfaqjes në tërësi.”

NË GJURMËT E KUJTIMEVE… NGA ANISA MARKARIAN
“Serafini kishte fisnikërinë, urtësinë dhe hijeshinë e një princi të qëmotshëm. E, në vend të diademës, një kurorë misteri… Kur më njoftuan që kishte pranuar të interpretonte rolin e ‘Profesorit’ në filmin “Pranvera s’erdhi vetëm…”, natyrshëm më kaploi dëshira t’i puthja dorën në shenjë falënderimi.
Angazhimet teatrore e patën penguar të vinte në Kinostrudio për fazën përgatitore. E takova “për së vërteti”. (Në ëndërr, tashmë, e hasja pothuaj çdo natë), vetëm pak minuta përpara se të xhironim skenën tonë të parë. Nuk i putha dorën, siç kisha menduar… Iu hodha në qafë. Më ftoi t’i ulesha pranë, tek e grimonin. Nxori nga xhepi tri faqe të skenarit (të nënvizuara, të plotësuara, të komentuara rresht pas rreshtit), e m’i dha t’i lexoja.
-Si po mendon, oj burrneshë?
-Jam dakord, Profesor…, – iu përgjigja, sy më sy.
Ishim gjetur përpara se të njiheshim; ishim sinkronizuar në të njëjtat gjatë valësh; kishim komunikuar në gjuhën që flasin (ose më saktë, nuk flasin, sepse u është e tepërt) ata që mirëkuptohen artistikisht kur përbashkojnë shkëndijëzat e frymëzimit, kuturisjet e penës hazdisjet e fantazisë, përpëlitjet dhe mëdyshjet, improvizimet përpara kamerës, thjeshtësinë e interpretimit…
Thjeshtësia gjer në madhështi! Fliste pak e rrëfehej edhe më rrallë. Për t’ua lënë vendin gjesteve, veprimeve, mimikës. Dy trokitje të lehta mbi sup, për të më kujtuar që nuk duhej t’i mëshoja germës “sh”, (sepse gërvishja ajrin, sikur po fishkëlleja); një vezullim i syve, si një kërcitje çak-u, për të më dhënë sinjalin e fillimit të dialogut; një puthje në ballë pas dublit të fundit për të më hequr lodhjen e ditës; zhubrosja mospërfillëse e vetullave zashkane sa herë që e këshilloja të pakëzonte duhani; dora që kridhej në flokët e dendur e rrëzonte përdhe grimca xixëlluese… (Po shkërmoqej diadema e mistershme?!)
Serafini sekret, me bërthamën të padepërtueshme. Zanafillën e talentit në një burim të pazbuluar; lëndinat e frymëzimit ende të parrahura; hovet krijuese të pazbërthyera. Gjer ditën fatbardhë kur do të shkelja në Shkodër për premierën e filmit. Në Shkodrën e tij. Aty ku më mirëpritën Fadili (Kraja), Barleti, Mjeda, Fishta, Koliqi, Prennushi, Migjeni, Gurakuqi… Në Shkodrën e kulturës gjithëkohore, që më besoi kodin e fshehtë për të dëshifruar ARTISTIN. Po përse, përse nuk e kisha njohur më parë?! (Sa herë ia kam bërë këtë pyetje vetes pas përfundimit të filmit.) Sepse do ta kisha ndërtuar ndryshe rolin e Profesorit po ta kisha parandier që do ta interpretonte ai. Do t’i kisha vënë në gojë fjalë me poetike, në përputhje me lirizmin e shpirtit; do t’i kisha shtruar livadhe pauzash për t’i nxënë qetësinë e mendimit; do të kisha sajuar një përmasë të katërt për t’i karakterizuar eklektizmin.
Serafini ëndërrimtar, me sytë miklues drejt pafundësisë së qiellit, duke gjurmuar shtegun që do t’i lejonte udhëtimin e amëshuar. Aq sa nuk ngurroi në asnjë çast, kur e pikasi. (Ç’ishte gjithë ky ngut, Profesor?!). Shpalosi krahët ngjyrë argjendi e mori fluturimin, dy vjet, ditë më ditë, përpara sime mëje. Ja, përse, në çdo 29 shtator ndez dy qirinj mbi varrin e saj. Edhe sot…”.

ÇMIMET
1954 – Libreti i Operetës “Me ne është gëzimi” të V. Çangut, T. Daisë (bashkëautorë me Mensur Hakon, Lec Fishtën), Çmimi i dytë.; 1960 – Filmi “Adoleshentët” (skenari dhe regjia), Kupa për punën më të mirë të vitit në Akademinë e Filmit, Pragë.; 1962 – Në Konkursin Kombëtar të recituesve, me poezinë “Mustafa Pasha në Babunë” të Nd. Mjedjes, Çmimi i dytë.; 1968 – Në Konkursin e Parë Kombëtar të Teatrove, për pjesët “Këshilli i ndrikullave” i Sh. Mitës, “Lagjja e varfër” e F. Paçramit, (si regjisor).; 1978 – Në Festivalin Kombëtar të Teatrove, për pjesën “Baca i Gjetajve” të F. Krajës, (si regjisor).; 1982, Në Festivalin Kombëtar të Teatrove, për pjesën “Gjaku i Arbrit” të F. Krajës, (si regjisor).; -Në Konkursin letrar – artistik me rastin e 30 vjetorit të çlirimit të Atdheut, pjesa “Lindje në shtrëngatë” (Çmimi i dytë, autor).; 1990 – Çmimi “Pllaketa e Artë” dhënë nga Ministria e Kulturës së Reepublikës së Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut).; 1994 – Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, për pjesën “Çmurosja” e S. Fankos, Çmimi “Aleksandër Moisiu”, (spektakël – regji).; 1995 – Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, për pjesën “Ftesë për darkë” e S. Çapalikut, Çmimi i parë (regji).; 1997 – Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, për pjesën “Quo vadis” të S. Fankos, Çmimi “Aleksandër Moisiu”, (shfaqje e regji), Çmimi i parë (regji).; etj.
V E P R A T
-“Me ne është gëzimi”, autorë S. Fanko, M. Hako, L. Fishta; libret operete, 1954.; -Cikël me poezi, botuar në shtypin e kohës, vitet 1954 – 1955.; -“Lukja” (skenar filmi me metrazh të shkurtër), 1960.; -“Adoleshentët” (skenar filmi me metrazh të shkurtër), 1960.; -“Ishulli i vetmisë” (dramë e humbur), 1962.; -“Përtej pragut” (dramë), vënë në skenën e teatrit “Migjeni”, 1964.; -“Katër nga armata” (dramë), vënë në skenë nga Akademia e Arteve, Vlorë, Shkodër, e shumë grupe amatore; 1967.; -“Lindje në shtrëngatë” (dramë), vënë në teatrin “Migjeni”, Lushnjë; 1974.; -“Kanga e dhimbjes krenare” (skenar poetik mbi veprën e Migjenit), vënë në skenë në Shkodër, Strugë, Teatri i Operas dhe i Baletit Tiranë.; -“Tregim për Makbethin” (skenar poetik i mbështetur mbi veprën e U. Shekspirit, të autorëve Meri dhe Çarls Lamb e Nolit, vënë në skenë në teatrin “Migjeni të Shkodrës.; -“Pse?” (dramë, mbi motivet e romanit me të njëjtin titull të S. Spasses), vënë në skenë në Shkodër, Teatri turk në Shkup, 1992, 1993.; -“Shtegtim në ankth” (dramë, mbi motivet e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i I. Kadaresë, vënë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.; -“Çmurosja” (dramë, vënë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, 1994.; -“Quo Vadis” (dramë, vënë në Teatrin Kombëtar Tiranë, 1997.; -“Trokitje në dyert e dhimbjes” (dramë, vënë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, 1998).; etj.
Skedë teatrore
30 vite më parë, më 16.01.1989, në skenën e Teatrit “Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran, premiera “Shtegtim në ankth”. Dramë nga Serafin Fanko. (Sipas motiveve të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë). Regjisor: Serafin Fanko, Skenograf dhe kostumograf: Bep Shiroka, As/ regjisorë: Zehrudin Dokle, Margarita Koka.
Interpretuan:
Gjenerali – Bruno Shllaku.; Prifti – Ymer Bala.; Specialisti – Fatbardh Smaja.; Nica – Tinka Kurti, Mirjam Bruçeti.; Leitnanti – Viktor Bruçeti.; Mullixhiu – Bep Shiroka.; Gruaja e Gjeneralit – Rajmonda Marko.; Kontesha Zampa – Violeta Sekuj.; Beti – Paskualina Shllaku.; Plaku i dasmës – Elez Kadrija.; Plaku i dytë – Enver Hyseni.; Kryepunëtori – Nefail Piraniqi.; Këngëtarja – Kleoparta Dokle.; Në role të tjera: R. Rama, Gj. Kola, A. Dizdari, S. Gjyrezi, Sh. Malaj, M. Gargjola, Sh. Garuci, A. Gjini, F. Fistani, R. Gjeka, A. Ademovi, G. Puka, S. Shallvari, M. Kola, E. Sanaj, M. Malacaj, M. Gjeloshi, S. Prenushi, S. Balza, Gj. Plani, I. Dragovoja, A. Tuzi, A. Gjyrezi, I. Hebovija, A. Kruja, R. Skota.
Inspektor skene: Gjovalin Toni.; Përgjegjës teknike: Zef Cungeli.; Efektet zanore: Fatmir Gokovi.; Ndriçues: Pashko Prendi, Bashkim Lloja.; Butaforist: Edi Koka.; Mjeshtër kostumesh: Sulë Hyseni.; Garderoba – rekuizita: Shaqe Pepa.; Grimi: Albert Shiroka.; Mjeshtër dekori: Eqerem Kastrati.; Teknikë skene: Çesk Petani, Mikel Vuksani, Maliq Sejdini, Sokol Bala.
Kjo dramë është shfaqur: 6 herë. Spektatorë 2.343.
-Arkivi i teatrit “Migjeni”-
Skedë teatrore
45 vite më parë, më 14.12.1974, në skenën e Teatrit “Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran, premiera “Çifti i lumtur”. Komedi – dramë nga Bik Pepa, Regjisor: Serafin Fanko, Skenografia: Bep (Zef) Shiroka, Piktor ekzekutues: Lec Fishta, Inspektor skene: Çesk Vuksani.
Interpretuan:
Fanatiku – Bep (Zef) Shiroka.; E shoqja – Tinka Kurti.; I biri – Nefail Piraniqi.; Halla e Fanatikut – Vitore Nino.; Përparimtari – Ramiz Rama.; E bija – Marije Qyrsaqi.; Brigadieri – Edmond Mëhilli.; Kryetarja e Kom. Profesional – Ana Gjini.; Lektori – Petrit Turja.; Roja – Gjon Kola.
Kjo komedi është shfaqur më shumë se 10 herë. Shënimet e mbajtura janë të sakta deri tek shfaqja e 7-të. Spektatorë 3400. Që në fillim të vitit 1975, kjo komedi u bë një frymëzim për Kinostudion “Shqipëria e Re”, e cila realizoi një nga filmat e saj më të suksesshëm “Çifti i lumtur”. Premiera e filmi u dha, më 19.10.1975. Skenaristë: Bik Pepa, Kiço Blushi dhe Pirro Milkani. Regjisor: Pirro Milkani.
-Arkivi i teatrit “Migjeni”-
Skedë teatrore
40 vite më parë, më 11.04.1979, në skenën e Teatrit “Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran, premiera “Baca i Gjetajve”. Dramë nga Fadil Kraja, Regjisor: Serafin Fanko, Skenografia: Agim Zajmi, Kompozitor: Pjetër Gaci, As / regjisore: Violeta Sekuj, Inspektor skene: Ismet Shkreli.
Interpretuan:
Baca – Ndrek Luca, Ymer Bala.; Zarja – Vitore Nino, Violeta Sekuj.; Xhixha – Shpresa Garuci.; Rama – Gëzim Mesi.; Nusja – Tinka Kurti.; Ceni – Gjon Kola.; Loci – Agron Dizdari.; Shpendi – Ferdi Bajri.; Selimi – Enver Hyseni.; Reshiti – Bep Shiroka.; Kadria – Lec Bushati.; Dervishi – Tonin Ujka.; Harapi – Viktor Bruçeti.; Qosja – Ramiz Rama.; Fshatari i parë – Esat Kola.; Fshatari i dytë – Zef Kurti. Marrin pjesë edhe: Nd. Prela, K. Kaftalli, D. Franja, A. Gjini, M. Qyrsaqi, M. Bruçeti, Sh. Malaj, K. Metani, Z. Marashi, Gj. Vata, Nd. Çekliqi, Y. Babliku, I. Ademi, A. Metaj, F. Neziri, S. Koçiu, T. Pirani.
V.0. Me këtë shfaqje është realizuar turneu i parë i teatrit “Migjeni” jashtë kufijve të Shqipërisë. Kosovë, nga datat 28 maj – 14 qershor 1980. Gjatë këtij turneu 17 ditor janë realizuar 22 shfaqje.
Teknika: Dritat dhe efektet zanore nga: Z. Cungeli.; Elektriçistë: P. Prendi, B. Lloja, F. Gogovi.; Rrobaqepës: S. Hyseni.; Marangozë: E. Kastrati, Gj. Gjoni.; Teknikë skene: M. Sejdini, Ç. Petani.; Garderoba: Sh. Çekrezi.
-Arkivi i teatrit “Migjeni”-

Skedë teatrore
25 vite më parë, më 04.11.1994, në skenën e Teatrit “Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran, premiera “Çmurosja”. Dramë nga Serafin Fanko, Regjisor: Serafin Fanko, Skenograf dhe kostumograf: Serafin Fanko, As / regjisor: Ismet Drishti.
Interpretuan:
Nëna – Tinka Kurti.; Trimi – Bep Shiroka.; Djali I – Ymer Bala.; Djali II – Agron Dizdari.; Djali III – Gëzim Puka.; Vogëlushja – Marilda Malacaj.; Vuku – Sokol Balza.; Korifeu – Viktor Bruçeti.; Kori – Rita Gjeka, Marije Gargiola, Shpresa Garuci, Merita Smaja, Raimonda Marku, Elez Kadrija, Gjon Kola, Gjovalin Gjoni, Nefail Piraniqi, Ismet Drishti.
Shef Teknike: Zef Cungeli.; Efektet zanore: Fatmir Gokovi.; Ndriçues: Pashko Prendi, Arben Meshnuni.; Piktor ekzekutues: Muhamet Ganjolla.; Butaforist: Hysni Halili.; Rrobaqepës: Sul Hyseni.; Garderoba: Shaqe Pepa.; Grimi: Albert Shiroka.; Marangozë: Gjovalin Toni, Nikolin Ujka.; Teknikë skene: Mikel Vuksani, Tonin Maklaj, Daniel Çekrezi.
Kjo dramë është shfaqur: 10 herë. Spektatorë: 1865.
-Arkivi i teatrit “Migjeni”-

Shkodër, më, 24.05.2022