Gazeta Nacional Albania

Xhahid Bushati: NDREK PRELA, “MJESHTËR I ROLEVE TË VOGLA ME ART TW MADH”, APO “AKTOR I FAMSHËM I ROLIT TË GJYSHËRVE”

Aktori i teatrit “Migjeni” të Shkodrës, që interpretoi në skenën teatrore dhe në film

Lindi në Tivar më, 13.03.1920 dhe vdiq më 14.11.2011 në Shkodër.

1.
Aktori i teatrit “Migjeni” të Shkodrës Ndrek Prela interpretoi në skenën teatrore dhe në film. Edhe pse regjisorët e formatuan si “Mjeshtër të roleve të dyta”, ai nuk i përçmoi a nënvlerësoi ata, nuk i kundërshtoi apo i debatoi; i mirëpranoi, i nderoi dhe i respektoi. I aktroi me një ndjeshmëri të lartë! Aty krijoi dhe profilin e tij artistik.
Edhe pse mbeti në “pozicionin” e pothuajse të roleve të dyta, shtypi nuk e harroi; e kujtoi herë pas here, duke e quajtur herë: “Aktor i rolit të gjyshërve”, e herë “Mjeshtër i madh i “foleve të vogla””. I kujtoj dhe tani fjalët e Ndrekës, që më thoshte: “Ka vetëm aktorë të mëdhenj dhe aktorë të vegjël”. Kjo thënie, sigurisht e dalë nga zemra, ishte motoja e tij. Ishte edhe arsyeja që jetën e tij e njëjtësoi me skenën, më se 60 vjet në skenë dhe në ekran. Aq sa… edhe deri në momentet e fundit të jetës së tij, edhe pse ishte 91 vjeçar, ende donte ta shihte skenën: të ngrohej nga malli e kujtimet e saj. Ende donte ta prekte e ta puthte skenën, nuk ngopej me dritën dhe nurin e saj, ku rinia dhe pleqëria e tij u bënë personazhe për më shumë se gjashtë dekada. “Role të vogla dhe art i madh”, – e ka quajtur kritika e kohës. “Ai e do personazhin, ashtu të vogël, siç ia kanë dhënë, dhe kësaj gjëje të vogël i jep shpirt, projekton në vetveten dhe s’na lë ne të rrimë shpërfillës ndaj së voglës, ndaj së vërtetës, – citohet në revistën “Skena dhe ekrani” të vitit 1990.
2.
NDREK PRELA 91-VJEÇAR!..
Vjen një ditë e njeriu plaket. Kujtohet për gjithçka dhe pyet veten: “Kush kam qenë? Cila ishte jeta ime?” Këto pyetje ia ka bërë vetes edhe Ndrek Prela kushedi sa herë dhe, përgjigjet kanë qenë se nuk i ka shkuar asnjëherë në mendje se një ditë do të bëhej aktor i njohur e me emër. Këto përgjigje i pëlqente t’i ilustronte me një fragment mbresëlënës të njërit nga romanet e shkrimtarit amerikan Shtainberg: “Na andërrimtarët e shkretë që dojshim me mësue kohën, s’e dinim ç’do të bëheshin fëmijët tanë…”.
Lindi në Tivar (Mali i Zi) më, 13.03.1920, dhe vdiq më 14.11.2011 në Shkodër.
Në Shkodër erdhi për herë të parë në moshën 5-vjeçare. E pëlqeu këtë qytet familja e Ndrekës, ndaj dhe erdhën familjarisht. Shumë shpejt, në vitin 1927, shtegtuan përsëri… kësaj here drejt Argjentinës. Kriza e madhe botërore i riktheu sërish në Shkodër, në qytetin e ëndrrave, në vitin 1934. Gjatë viteve ’40 – ’41 mori maturën. Më pas shkoi në Firence për farmacist. Kur u kthye në Shqipëri, nuk iu dha e drejta të vazhdojë zanatin për çfarë kishte studiuar. Përtej, lufta ishte kudo…
Është për t’u shënuar se e ëma e Ndrekës, Adelajde Gera, qe ndër mësueset e para të shkollës shqipe në Shkodër. Ajo ndikoi në formimin e djaloshit të atëhershëm. Në shtëpinë e familjes Gera, nip në të cilën ishte Ndreka, organizoheshin karnavalet e Shkodrës. Ndoshta këtu ka qenë dhe lidhja e parë e padukshme e Ndrekës me profesionin e aktorit. Ndoshta…
3.
ÇFARË MË KA THËNË NDREKA… (1)
“Unë jam msu me folë gjithmonë me letra përpara, çfarë ka shkruar Fadil Kraja, Gorki, Ibseni, Molieri, Ndrekë Luca… Unë nuk kam mendu asnjëherë se kam ba ndonjë punë kushedi se çka. Vetes nuk i kam njoftë ndonjë meritë. Veç, ama, kam punu me mish e me shpirt. Kjo asht e vërteta. Kjo asht merita që kam.
Në Shkodër kam ardhë në moshën 5-vjeçare. Shkodra, më asht ba vendi im. Gjithashtu kujtoj, se shumë e shumë vite më parë në skenën e teatrit “Migjeni” kemi vu pjesën “Përmbysja” e Lavranjevit. Unë kisha rolin e komandantit. Dhëndërri im vjen e më thotë: “Unë do të iki prej këtij vendi! Unë do të iki, unë s’do të rri këtu!” Dhe unë i përgjigjem: “Prej çastit që do të kalosh këtë prag, do të jesh shtegtar i përhershëm! Pa Atdhe! E s’ka më kthim për ty!” E kujtoj këtë skenëz… se për Shkodrën time që m’u bë vendlindje, më dhemb përherë shpirti!”

Çfarë më ka thënë Ndreka… (2)
“Me ju thanë të drejtën dëshirën për t’u bërë aktor nuk e kam pasë ndonjëherë në mendje. Unë vetë e kam dasht teatrin, por e kam dasht thjesht si spektator. Shfaqjet dramatike që janë dhanë në qytetin tim rreth viteve ’35, ’36, ’39, 40; i kam ndjek gati të gjitha, edhe më kanë pëlqy. Shfaqje teatrore apo filma asokohe kam patur rastin t’i shoh edhe jashtë, në Itali. Kam mbetë jashtëzakonisht i habitun prej interpretimit të aktorëve. Kjo më ka vlejt edhe si një shembull që do të nevojitej ma vonë, sepse unë i shihja me sa pasion, e me sa dashuri e trajtonin ata rolin. Kështu në dhjetor ’44-ës kam takuar Filip Ndocajn, një profesor në gjimnaz atëherë (që ishte edhe shkrimtar, e ka shkruar romanin “Vlaga e Dheut”). Filipin e kisha shok, ndonëse nuk ishim të një moshe. Më thotë se donin të vinin në skenë një pjesë. – Hajde edhe ti, – më thotë. – Unë i thashë: po për çka?! -Me marr ndonjë rol, – më përgjigjet. –Jo, mos, po unë nuk kam dalë në skenë kurrë… –Hajde, mor se nuk asht ndonji gja e madhe, – ma kthen. Dona me vu “Bujtina e të vorfënve”, tash thirret “Fundërrinat” e Gorkit.
Unë atëherë e kundërshtova. Ai më thoshte: ‘do të vish se s’ban…’ deri sa ma mbushi mendjen. M’u dha roli i Kastilovit. Personazhi ishte në moshë 80 vjeç. Unë 24 vjeç. Ajo që më habiti ishte se kur dola në skenë, nuk më bani ndonjë përshtypje. As njerëzit nuk më banë përshtypje që po më shihnin në skenë. Për çudi kisha fituar një gjakftohtësi të rrallë, e kisha vetëm fare pak emocione, si me pasë dalë shumë herë në skenë. E dhashë atë rol e më përgëzuan se e kisha luajtur mirë. “Bravo! Shumë mirë! Shumë mirë!” Unë nuk e dijsha se kisha ba gja. Më vonë më kanë marrë ushtar. Ishte viti ’45. Kam qenë në Delvinë nja dy muaj. Më pas më transferuan në Gjirokastër në grupin artistik të Divizionit të Parë Sulmues. Krijova një grup artistik teatror, ku isha dhe regjisor. Për 8 muaj vura në skenë 3 pjesë: “Tetoja e Karlit” e Tomas Brandonit, si dhe komeditë: “Efrejmi deputet” dhe “Armiku i popullit” të H. Ibsenit. Isha sa aktor aq dhe regjisor në një trupë tërësisht amatore. Në fund të 1945-ës erdha në Shkodrën time të dashur. Regjisori i atëhershëm, Andrea Skanjeti, më thirri të aktivizohesha në shfaqje të ndryshme. Kjo vazhdoi deri sa u krijua teatri profesionist i qytetit. Tani, për mua nisi një udhë e re artistike… U bana aktor, pa e pasë menduar ndonjëherë…
Roli i parë ka qenë Bersolievi, nga pjesa sovjetike “Përmbysja” e Lavranjevit. Kisha rol komandantin e anijes, një rol shumë i bukur, shumë njerëzor, i cili më pat lënë mbresa të mëdha. Mandej kanë ardhur rolet e tjera. Më kujtohet kemi pasë lujt një pjesë të Goldonit “Shërbëtori i dy zotnive”. Ndoc Ndreka edhe unë kishim rolin e dy hamejve, që kishin dy fjalë gjithsej. Këto u cilësuan si figurat më të bukura të pjesës. U munduam si ai si unë me ia ba “hyzmetin”.
4.
Role të Ndrekës në teatër: *”Shtatë shaljanët” (roli i Ndrekës), *”Trumbetjerja”, *”Tragjedi optimiste” (në rolin e marinarit), *”Kunora e Nurijes” (në rolin e Hoxhë Kobures), *“Lagjja e varfër”, *“Plaku i maleve” (në rolin e Sadriut), *”Familja e Adamit”, *”Këneta” (në rolin e inxhinier Mborjes), *”Fisheku në pajë” (në rolin e Gjelosh Nikës), *”Përkolgjinajt”, “Çështja e Blertës” (në rolin e Rahmi Sulës) etj.
Role të Ndrekës në film. Interpretoi në 13 filma. Filmi i tij i parë qe “Detyrë e posaçme”, 1963, ku ishte në rolin e një ndihmësmjeku, – që siç thoshte vetë – ‘vetëm të shëroja nuk dija’. Me kalimin e kohës merr pjesë tek filmat: “Vitet e para”, 1965; “Këneta” (lundërtari), kushtuar Avni Rustemit (fotografi), “Komisari i dritës”, 1966 (gjyshi i Shkabajve); “Operacioni “Zjarri”, 1973; “Shpërthimi”, 1974; “Në fillim të verës”, 1975 (babai plak i Verës, Riza Kora); “Në pyjet me borë ka jetë”, 1978 (plaku Xhiku); “Emblema e dikurshme”, 1979; “Balonat”, 1979 (në rolin gjyshi i Dritës); “Ditët që sollën pranverën”, 1979; “Qortimet e vjeshtës”, 1981; “Flaka e maleve”, 1982; “Militanti”, 1984; “Balada e Kurbimit”, 1990 (njëri nga kurbinasit).
5.
ÇFARË MË KA THËNË NDREKA… (3)
Çfarë më ka thënë Ndreka… për figurën e plakut (gjyshit) që arriti të mos përsëriste vetveten…
“Kjo puna e lakut më mbeti “trashëgim” qysh në rolin e parë që pata. Mandej vazhdimisht gati të thuash më kanë ndjekur pleqtë. Pleqtë ose edhe burra të pjekun. Po unë i kisha qejf veç. I kisha qejf, edhe si ju thashë mundohesha me mish e me shpirt me krijue diçka të re. Bile jo një herë më ka ndodhë me ardhë e me m’përgëzue njerëzit. “Faleminderit”, – i thosha atij që më përgëzonte.
Unë kujtoj aktorin Adem Kastrati. Një aktor i madh për mua, me të vërtetë i madh. Komunikonte mirë, ishte i sinqertë, pa lojna. Kujtoj Vitore Ninon, që gjithmonë ka interpretuar e kurrë nuk ka “luejtë”, Violeta Sekujn, Bep Shirokën, Ymer Balën, etj. Kanë qenë partnerë që e ndihmonin partnerin e frymëzoheshin, dhe kam punuar me dëshirë me ta.”

6. ROLI I FUNDIT
Roli i fundit. Në vitin 1975 Ndrek Prela doli në pension. E nxorën në atë kohë kur teatri kishte nevojë më shumë se kurrë për të. Ndoshta e dinte se herët a vonë do të kujtohen për të. U kujtuan… pas 9 vjetësh. E thirrën, bile e lutën të interpretonte Rahmiun tek “Çështja e Blertës” dhe i përloti spektatorët. E thirrën tek “Franku i V-të” dhe i mahniti spektatorët. Me këto dy shfaqje mbylli kapitullin e punës së tij aktoriale ky artist i madh.
Po Ndrek Prela, çfarë më ka thënë për rolin e fundit? (4)
“Edhe roli i fundit ka qenë një plak, në fakt ai ishte nji burrë i pjekun, afër pleqnisë, me djelm të rritun. E kam fjalën për Rahmi Sulajn te “Çështja e Blertës”. E mora këtë rol, e shikova… Ishte një rol që më frymëzonte. Një rol që të bëntë të dridheshe, e unë mendova me e paraqitë këtë njeri, se ishte me të vërtetë njeri ky Rami Sula. Mbetet një nga rolet që më kanë entuziazmu ma tepër.”
7.
NDREKA… E VËRTETA E KËTIJ QYTETI…
Bep Shiroka, Artist i Merituar: “Me Ndrekën më lidhin shumë kujtime. Kujtimet flasin për mësuesin, për partnerin, për shokun e mikun tim të disa dekadave, Ndrek Prelën.
Natyrisht, kur flitet për një periudhë të gjatë kohore, është e pamundur të mos përmendësh bashkudhëtarët e Ndrekës, ata që nuk jetojnë e ata që jetojnë: të cilët në miqësinë tonë, në shoqërinë tonë dhanë aq shumë për Shkodrën, si: Nd. Prela, Z. Jubani, A. Kastrati, V. Nino, T. Kurti, P. Lacaj, P. Lëkunda, A. Fishta, Y. Bala, etj. I dhanë talentin, kulturën teatrore, galerinë e pafund të personazheve qytetit të Shkodrës. Qyteti i Rozafës kurrë nuk i harron. Ndrek Prela me kolegët bashkëkohës janë si ata gurët e fortë që formuan themelin e kulturës shkodrane, e në veçanti fytyrën e teatrit “Migjeni”.
Ndrek Prela punoi shumë e shumë vite me radhë në teatër. Asnjëherë nuk diti të fliste për vete. Nuk diti kurrë me thanë një fjalë, se unë, unë, unë… Këtë “uni-in” nuk e njohu kurrë. Ai, punën e tij të bukur, të mirë e fisnike nuk e shkëputi kurrë nga puna me shokët e tjerë. Krijoi figura të besueshme, të bukura, që nuk harrohen në teatër e në kinematografi. Jo vetëm kaq, por Ndrekë Prela me ditarin e jetës së tij prej qytetari e artisti është krenari e vërtetë e qytetit, është e vërteta e këtij qyteti.”
8.
NDREK PRELA KA INTERPRETUAR NDREK PRELËN…

Fadil Kraja, Mjeshtër i Madh e dramatug: “Ndrek Prela, në të gjitha rolet që interpretoi, ishte logjik, bindës, do të thoja mishërimi i të mirit, të drejtit, patriotit, trimit, i njeriut me zagushi të brendshme. Për këtë bindesh kur shfleton arsenalin e figurave që gdhendi me talentin e fuqinë interpretative. E studionte rolin në thellësi. Për javë e muaj të tërë e jetonte atë si në teatër aq edhe në familje. Studionte çdo detaj. Vuante, dridhej, bëhej nervoz me veten e pastaj me të tjerët. Skrupuloz deri në ekstrem. Edhe për gjërat më të vogla. Kërkues i rregullit në prova dhe në shfaqje. I tillë mbeti Ndrek Prela, i tillë do të kujtohet përgjithnjë…
Më kujtohen shfaqjet e dramës “Fisheku në pajë”, ku Ndreka luajti Gjelosh Nikën mbi 200 herë, pas vdekjes së aktorit të teatrit Preng Lëkunda. Dhjetë minuta para shfaqjes, qoftë ajo edhe shfaqje në fshat; Ndreka ishte në shkallët e drunjta të skenës duke kontrolluar kandilin, kutinë e duhanit, pushkën, postiqet… Kështu edhe te drama “Çështja e Blertës”, e shihje tek dridhej i tëri para gjykatësit. I mbusheshin sytë me lot. Fërkonte duart për xhaketë. Bebëzat e syve i ndrisnin e zëri i dilte aq i dhimbshëm sa dukej që mbronte në atë gjyq bijën e vet të vërtetë, e jo të dramës. Dhe pas shfaqjes dilte aq i lodhur, dhe aq i djersitur sa të impononte adhurim e respekt.”

9.
Ç’TË KUJTOJMË MË PARË NGA JETA E NDREK PRELËS?..
Qytetin San Rafael të Argjentinës, kur një shqiptar i vogël 13 vjeçar, bir i një emigranti, interpretonte me sukses rolin kryesor në një tablo muzikore që shfaqte shkolla e tij, apo fëmijërinë e tij plot çapkënllëqe, apo fëmijën lojcak e simpatik, apo aventurat në fushën e artit, apo njeriun që s’i pëlqente rakia e që kishte një dashuri të pamatë për gruan dhe fëmijët, apo merakliun që gjuante me çifte, apo të duruarin me orë të tëra atje në brigjet e Bunës apo të Liqenit të Shkodrës teksa gjuante peshk, apo lulishtarin e pa mërzitur që kujdesej për lulet e oborrit që i kishte për zemër e traditë, apo kujdestarin e përkorë të hardhive që i rritte me kujdes, apo lexuesin dituror të dashuruar pas italishtes e spanjishtes, apo tifozin e thekur të “Vllaznisë”, apo tifozin brazilian…, apo shkëlqimin e roleve, apo njeriun korrekt të një punë korrekte, apo për shkodranin që e deshi me gjithë zemrën e tij Shkodrën për të cilën qeshi e qau, apo për…

Shkodër, mars, 2022