Ekipi i xhudos i Kosovës që u kthye nga Lojërat Olimpike në Tokio me dy medalje ari u prit në mënyrë solemne në aeroport dhe më pas në qendër të Prishtinës, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhudistet Nora Gjakova në kategorinë 57 kilogramë dhe Distria Krasniqi në kategorinë 48 kilogramë fituan medalje ari në Olimpiadën e Tokios, me çka ekipi i Kosovës zuri vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të xhudos, pas Japonisë nikoqire.
Xhudistet u pritën në aeroportin “Adem Jashari” me qilim të kuq, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha në një konferencë për shtyp në aeroport se ekipi kosovar kishte pesë xhudistë të cilët shkuan në Olimpiadë me një normë të plotësuar dhe u renditën ndër dhjetë më të mirët në botë, kështu që, siç tha ai, medaljet ishin të pritura.
Trajneri Driton Kuka tha se prisnin një ose dy medalje, por jo dy të arta.
Xhudistja Distria Krasniqi shprehu falënderime për pritjen dhe tha se këto medalje janë të gjithë Kosovës.
Më pas, ekipi i xhudos me autobus special me fotografi të ngjitur të xhudisteve fituese shkoi në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës, ku u përshëndet nga një numër i madh i qytetarëve.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, me përkushtimin e saj i hapi rrugën Norës dhe Distrisë, të cilat vazhduan në Tokio.
Nora Gjakova tha në shesh se ua dedikon medaljen e saj të gjithë kosovarëve dhe falënderoi të gjithë për mbështetjen. Distria Krasniqi gjithashtu shprehu falënderime për mbështetjen, duke premtuar edhe më shumë medalje të tjera.
Ndryshe, në Olimpiadën e mëparshme Rio 2016, ku Kosova garoi për herë të parë, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen historike të artë për Kosovën.
Me medaljet e fundit, Kosova ka gjithsej tri medalje olimpike, të trija të arta, që kur filloi të garojë në Lojërat Olimpike, pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të vitit 2014 për të njohur Komitetin Olimpik të Kosovës.