Gazeta Nacional Albania

Zeri i Amerikes: Kosova kujton viktimat e sulmeve të 11 shtatorit në SHBA


Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës së bashku me zëvendës ambasadorin amerikan në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, vendosen të shtunën kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore për viktimat e 11 shtatorit, që është ngritur brenda oborrit të qeverisë së Kosovës.

Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve përballë kërcënimeve terroriste duke nënvizuar se Kosova do të qëndroj përgjithmonë bashkë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë.

Sirenat e zjarrfikësve dhe të shërbimeve të shëndetësisë, ulja e flamurit amerikan në gjysmë shtizë dhe ndezja e qirinjve ishin disa nga veprimtaritë të organizuara nga shoqata Miqtë e Amerikës në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çdo vit, 11 shtatori shënohet në forma të ndryshme në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës por edhe për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike.