Gazeta Nacional Albania

Zeri i Amerikes: Presidenti Biden premton të kthejë në SHBA çdo amerikan që do të largohet nga Afganistani

 

20 gusht, 2021

 

Presidenti amerikan Joe Biden u zotua të premten se çdo amerikan që dëshiron, do të evakuohet nga Aghanistani që tani kontrollohet nga Talebanët, ndërkohë që rreth 13,000 janë kthyer deri më tani në Shtetet e Bashkuara.

I përballur me një valë kritikash mbi mënyrën e tërheqjes së trupave amerikane, zoti Biden tha se nuk mund të premtonte se cili do të ishte rezultati përfundimtar në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara luftuan kundër grupit islamik për 20 vjet.

“Është një nga evakuimet më të vështira nga ajri në histori dhe i vetmi vend në botë që ka aftësinë për të shfaqur këtë lloj kapaciteti të fuqishëm në anën tjetër të botës me këtë nivel preçizioni janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha zoti Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne do të bëjmë gjithçka, gjithçka që mundemi, për të mundësuar evakuim të sigurt për aleatët tanë afganë, partnerët dhe afganët të cilët mund të jenë në shënjestër për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetet e Bashkuara,” tha zoti Biden, duke shtuar se qeveria amerikane do të sillte në vend çdo amerikan që dëshiron të largohet.

Fuqitë e huaja janë përpjekur të përshpejtojnë evakuimet pas raportimeve për hakmarrje nga ana e Talebanëve, përfshirë kundër njerëzve që kishin punuar me forcat e drejtuara nga SHBA ose qeverinë e mëparshme të mbështetur nga Perëndimi.

Në total, vendet e huaja kanë evakuuar më shumë se 18,000 vetë që kur militantët morën kryeqytetin Kabul, sipas aleancës transatlantike NATO, por qeveritë perëndimore po përballen me kritika se nuk parashikuan një eksod kaq kaotik.

Mijëra afganë të dëshpëruar duke shtrënguar në duar dokumenta, me fëmijët dhe vetëm pak objekte nga shtëpitë e tyre po mbushin aeroportin e Kabulit, ku talebanët e armatosur u bënë thirrje atyre që nuk kishin dokumente udhëtimi të shkonin në shtëpi.

Në dhe përreth aeroportit 12 persona janë vrarë që nga e diela, thanë zyrtarët e NATO -s dhe talebanëve.

Situata është aq kaotike saqë asnjë vend nuk e di me siguri se në cilin avion janë qytetarët e vet, ndërsa disa vetë u bllokuan në Afganistan ku kishin shkuar për të viziuar familjarët, tha një ministër holandez.

“Ata që mund të jenë në rrezik nuk kanë rrugëdalje të qartë,” tha zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) Shabia Mantoo, duke u bërë thirrje vendeve fqinje të mbajnë kufijtë e hapur.

Shpejtësia me të cilën grupi islamik pushtoi Afganistanin, ndërsa trupat e huaja po tërhiqeshin, befasoi edhe udhëheqësit e vet dhe krijoi vakuum pushteti.

Talebanët bënë thirrje për unitet, duke kërkuar nga imamët në lutjet e së Premtes që t’i bindin njerëzit të mos largohen. Banorët në Kabul dhe katër qytete të tjera thanë se pjesëmarrja ishte e ulët, megjithëse lutjet kaluan pa incidente.

Uashingtoni ka rreth 5.800 ushtarë që kontrollojnë aeroportin, por pohon se nuk e di me saktësi se sa shtetas amerikanë ishin në Afganistan.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendet e tjera nuk duhet të imponojnë vlerat e tyre. Pekini, gjithashtu tha se bota duhet të mbështesë, jo t’i bëjë presion Afganistanit.