Pyetjet:
-A është e pranueshme që shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të mos kenë sot një organizatë të fuqishme, të pavarur dhe përfaqësuese që mbron interesat e tyre profesionale, ekonomike dhe kulturore, ndërkohë që çdo kategori tjetër profesionale ka strukturat e veta?
-Mendoj se shkrimtarët dhe artistët duhen të kenë një strukturë të organizuar përfaqësuese për të mbrojtur interest e tyre krijuese, për t’u përfaqësuar në jetën e sotme kulturore me dinjitetin që i takon veprimtarisë së çdo krijuesi sipas artit përkatës.
-A përbën riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve një domosdoshmëri historike për të garantuar lirinë krijuese, të drejtën e autorit dhe dinjitetin profesional të krijuesve shqiptarë?
-Meqenëse Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, për arsye më shumë objektive se subjektive, ka kohë që nuk e ka më efikasitetin e dikurshëm, as shtrirjen territorial, as produktivitetin as kohezionin apo integritetin për të kryer funksionet që i ngarkon një program dhe statut i mundshëm në kushtet e sotme të zhvillimeve kulturore, riorganizimi i saj bëhet i domosdoshëm për të realizuar synimet e natyrshme të një organizate të tillë.
-Si mund të ndërtohet një organizatë e re që të jetë realisht demokratike, pluraliste dhe transparente, duke shmangur çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor apo klanor?
-Për të rindërtuar një organizatë të re me prioritetet që paraqet pyetje e mësipërme, duhet së pari ndërtimi i një platforme të studiuar me një program që t’u përshtatet realiteteve të sotme kulturore, dukurive dhe dinamikave të kohëve moderne, qasjeve ndaj zhvillimeve të artit dhe kulturës bashkëkohore nëpër vendet e ndryshme evropiane dhe botërore, konform parimeve demokratike, larg çdo ndikimi ideologjik, krahinor apo klanor.
-Cili duhet të jetë roli i një Lidhjeje moderne të krijuesve: thjesht një shoqatë simbolike, apo një institucion aktiv që negocion standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit?
-Lidhja, në konceptin modern, duhet të ringrihet larg formave të shoqatave për simbolikë, me veprimtari të zbehta dhe të fryra me elementë jashtëletrarë, kremtime boshe dhe certifikime vlerash të dyshimta nëpër konkurse dhe kompeticione false, gati butaforike që gëlojnë sot në mbarë botën shqipshkruese. Lidhja duhet të ketë staturën e nji institucioni aktiv dhe autoritar, që të ketë hapësirat e veta të partneritetit me të gjithë aktorët e botës së letërsisë e të artit të sotëm shqiptar.
-Në një kohë kur ekonomia kreative është sektor strategjik në shumë vende, pse në Shqipëri mungon një strukturë e unifikuar që të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor?
-Nëse Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve do të ngrihet në mënyrë të studiuar si një strukture e unifikuar dhe serioze, kjo do të jetë instrumenti që do të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor.
-A nuk është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet shqiptare brenda dhe jashtë vendit?
-Natyrisht që është koha e një zëri të përbashkët institucional dhe legal të krijuesve. Madje kjo është bërë e ngutshme. Një zë që të ndikojë në hartimin e politikave kulturore, si dhe në lançimin e vlerave të vërteta në vendin tonë dhe përtej kufijve.
A jeni dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, gjatë këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë?
Jam plotësisht dakord që të thirret Kuvendi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë mbi baza statuore, transparente dhe gjithëpërfshirëse brenda këtij muaji.
Pyetjet i bëri dr. Mujë Buçpapaj,
Gazeta letrare dhe kulturore Nacional, Tiranë
Shënim: Të gjithë ata që dëshirojnë të përfshihen në këtë debat janë të mirëpritur, pa asnjë dallim, të dërgojnë përgjigjet e tyre sa më të përqendruara dhe profesionale ne adresen: bucpapaj@yahoo.com, nacionalalbania@yahoo.com , në WhatsApp, dhe fb. Përgjigjet do të publikohen në gazetën letrare dhe artistike Nacional (në variantin e printuar), në Nacional Online, si dhe në platformat mediatike të rrjetit Nacional: në faqet e Radios Nacional, TV Nacional Online, në podcastin Albanosfera, që transmetohet në bashkëpunim me platformën televizive TIBO, në emisionin “Qëndrim” të Albanian TV Community në SHBA, si dhe në të gjitha rrjetet sociale ku transmetojnë mediat Nacional, me një audiencë të gjerë mujore me rreth 10 milion ndjekës.

