Gazeta Nacional Albania

ZYBA HYSEN HYSA TIRANE: NJE VIT TJETER PO VJEN, BESONI DHE DASHURONI JETËN, TJERAT VIJNE VETË…

Çdo gjë që ndodh në shoqërinë njerëzore ka filozofinë e vet, po kështu edhe jeta, por e rëndësime është që njeriu ta kuptojë këtë përmes të jetuarit, se vetëm përmes eksperiencës, zbulohet filozofia e jetës, e cila e ka bazën e saj tek të kuptuarit, se në jetë kemi ardhur pa bërë kërkesë dhe se nga kjo jetë do të largohemi, prapë pa dëshirën tonë…

Njeriu i ditur, e kupton këtë shumë herë më shpejt, sesa njerëzit e pamësuar, por ajo që u ka shërbyer njerëzve në përgjithësi, ka qenë besimi tek Perëndia, ku për fat të mirë populli ynë e ka trashëguar qysh në fillesat e tij, pa pritur t’i imponojnë besimin Fetë, por si një popull i përzgjedhur nga hyjtë, ku çelësi i hapjes së dyerve të misterit të jetës, ishte Besimi tek Perëndia dhe po me atë forcë besimi, tek vetja dhe tek njëri – tjetri. Ky besim, e bënte njeriun ta adhuronte Perëndinë, jo nga frika, por nga të kuptuarit, se çdo gjë ndodh, pavarësisht, nëse ne e dëshirojmë, ose jo, por njeriu adhurues e pranon të mirën dhe të keqen si shpërblime dhe si sprova të Perëndisë.

Nga eksperienca e jetës sime, apo dhe nga leximet pafund i librave të shenjtë, librave filozofikë, artistikë, historikë… e kam përballuar jetën, duke e pritur atë me surprizat e saj, (ku pjesa më e madhe kanë qenë të vështira), pa vrarë mendjan: “Pse ndodhi kështu?” por gjithmonë, si do ta përballoj këtë situatë, duke kërkuar brenda vetes të gjej mundësi edhe kur në dukje mendohet, sikur s’ka asnjë mundësi dhe përherë ja kam dale. Për mua jeta karakterizonet me organizimin e një dite, se vetë jetën e përbëjnë vitet, muajt, javët, të cilat përbëhen nga ditët, ndaj sido që të më vijë jeta, organizoj ditën, që brenda saj të gërshetohen; puna, ushqimi, shëtitja, gjumi… si elementët bazë, për të mos përjashtuar kontaktet me njerëzit e dashur.

Duke e jetuar jetën me me moton: “Çfarë mund të bëj unë për jetën”, mendoj, se jetës sime, këtë vit pandemie, nuk i mungoi asgjë për të rrjedhur në normalitetin e saj. Sigurisht që pandemia është një e keqe, por unë jam mësuar që edhe një të keqe ta pres me guxim për t’i ulur efektin e saj ndaj meje dhe këtë e kam përballuar vetëm duke organizuar ditën, jo si në kohë pandemie, por si një ditë të zakonëshme, kështu duke mos lënë hapësira boshe ditës, s’kisha kohë të mendoja për të keqen që ka rënë, por në çdo fund dite, ndjeja kënaqësinë e punës, shëtitjes, kënaqësinë e leximit, kënaqësinë e krijimtarisë, duke shmangur në masën 90% të lajmeve (zakonisht unë s’dëgjoj lajme) portaleve, apo opinionistëve politikë, që së fundmi morën në dorë frenat e shëndetësisë.

Si fillonte dita ime: Kur ishim nën izolim të plotë, gjeta një mundësi mes pallateve, ku përveç zogjve që këndonin për qejfin e tyre e për kënaqësinë time, asgjë s’pipëtinte, asnjë njeri, asnjë dritare hapur, asnjë zhurmë makine… Unë me kufje në vesh ecja duke u futur në botën e muzikës derisa fillonin të hapeshin dritaret e pallateve dhe vrapoja në shtëpi, bëja dush, haja mëngjes, pija kafe dhe ulesha në kompjuter dhe merresha një orë me rrjetin social “Facebook”, ku të gjithë e keni vënë re, që s’kam përmendur pandemi kurrë, por krejtësisht në normalitetin e jetës së mëparëshme, më pas merrja “I Padin” dhe vazhdoja romanin për Gjergj Kastriotin , Skënderbenë, të cilin e mbarova para parashikimeve të mia dhe kam shkruar mbi 100 faqe tek romani i ri, i cili flet për një dashuri në kohë pandemie. Më pas vinte dreka, ndihmoja nipër e mbesa në mësime, shikonim ndonjë film dhe mbrëmja na gjente para orës 23 në gjumë.

Unë i gëzohem mëngjesit, kur më jepet mundësia ta jetoj ditën, bëj maksimumin të realizoj objektivat e mia, po do të thotë dikush: “Nuk kishe frikë nga virusi?” Vetëm se shtova kujdesin, sa herë dilja e kthehesha në shtëpi, laja duart, bëja gargara me ujë, laja hundët, veshët, sytë dhe e ndjeja veten të mbrojtur nga virusi. Asnjëherë nuk kam mbajtur maskë në hundë, po në gushë, apo mbi buzë për tu ruahtur gjobave, as në urban, në asnjë vend, kjo se më bënte alergji e më fillonte kolla, ndaj me këtë rast, organizmi im, kishte oksigjenin e mjaftueshëm, bëra kujdes me ushqimin dhe frutet pa ndalë… Në një farë mënyre, unë bëra eksperiment tek vetja për të qetësuar fëmijët, po kështu përmes publikimeve në rrjetet sociale, dhashë idenë, se jeta vazhdon… Kam hequr nga facebook, mjaft miq, të cilët çdo ditë postonin shkrime që mbillnin panik, apo që injoronin virusin, unë, as rashë në panik, as e injorova, por u kujdesa maksimalisht e falë këtij kujdesi, ky vit, pa e injoruar totalisht shqetësimin, për mua ka qenë i suksesshëm!

Në jetë kam një parim, kur më sulmojnë kundërshtarët për krijimtarinë, nuk shqetësohem, por punoj më shumë, kështu më ndodhi edhe me pandeminë, nuk u mora me pasojat, pa qënë e sëmurë, por u kujdesa më shumë për shëndetin fizik, mendor dhe shpirtëror. Njeriu që nuk racionalizon kohën në shërbim të jetës, ka vdekur për së gjalli, ndaj çdo njeri duhet të kujdeset për mbushjen e ditës me aktivitet, se vetëm kështu sfidohet e keqja…

Kjo pandemi ishte një mësim i madh për njerëzimin, se rendja drejt të mirave materialë është sëmundje më e rëndë sesa viruset, ajo është kancer i shpirtit, se, sa më shumë rëndohen bankat, aq më shumë zbrazet shpirti e sa më shumë zbrazet shpirti, aq më shumë largohet besimi i njeriut nga Perëndia e ky largim e çon njeriun në mosadhurimin e vetes, se besimi bën që Zotin ta ndjejmë brenda vetes e në raste të tilla, njerëzit e boshuar në shpirt, bien në panik dhe sëmuren, pa qënë të sëmurë… Të besosh tek Zoti, do të thotë të besosh tek vetja, të besosh tek vetja, do të thotë, të mbledhësh të gjitha energjitë për të përballuar të keqen e jo për tu nënshtruar të keqes! Unë besoj tek Zoti, si tek dashuria, se as dashurinë nuk e shikoj, por e ndjej e siç thotë Isuf Luzaj “Ku është dashuria, është vetë Perëndia dhe ku është Perëndia, s’ka nevojë për gjë tjetër”!

Besoni dhe dashuroni jetën, tjerat vijnë vetë!

 

TIRANË, MË 25 DHJETOR 2020