Gazeta Nacional Albania

ISMAIL KADARE: PËRPARA BANJËS, TREGIM

Ai iu afrua vaskës me ujë të ngrohtë, lëbyri sytë nga kënaqësia (sa herë e kishte ëndërruar këtë vaskë në tendën e ftohtë të fushimit!) dhe në çastin kur po fuste njërën këmbë në ujë, ktheu kryet nga e shoqja, që po i vinte pas. Ajo kishte ende në fytyrë atë buzëqeshjen pakës të zhvendosur, po, më tepër se buzëqeshja, atij i tërhoqi vëmendjen ndriçimi metalik i diçkaje, që vetoi midis pëlhurës, që e shoqja e mbante në dorë.
Meqenëse gjithë trupi i tij e kishte marrë ndërkaq kahjen e lëvizjes, ai u fut në vaskë, po kurreshtja , megjithatë, e bëri të kthente përsëri kryet për të parë se ç’ishte ajo gjë metalike. (Ndoshta gjatë mungesësë së tij këndej ishin shpikur vegla të reja edhe për larjen në banjë.) Në atë çast ai pa të shoqen gati përsipër tij, me pëlhurën e hapur, që po ia hidhte sipër. (Ç’bën kjo e marrë, arriti të mendonte, ku është parë që njeriu u fshika në fillim e jo në mbarim të banjës).
Dhe një grimë më pas, pa arritur ende të tmerrohej nge mendimi se ajo pëlhurë i ngjante më tepër një rrjete, ai ndjeu krahët t’i ngatërroheshin, në të dhe, po në atë çast, pa sëpatën e shkurtër në duart e gruas. Dhembja në anën e djathtë të qafës dhe shkulmi i parë i gjakut iu dukën se ndodhën në të njëjtën kohë, bashkë me klithmën “më vranë!”, që atij iu duk se dëgjoi nga tjetërkush.

U gjend përsëri jashtë vaskës, si për të ndrequr gabimin dhe ashtu, si më parë, futi njërën këmbë, në ujë , pastaj pa gruan që i vinte pas, dalloi ndriçimin e sëpatës midis pëlhurës, po s’arriti ta mblidhte mendjen, madje pa u tmerruar ende nga pëlhura , që iu kthye në rrjetë e i lidhi krahët, ndjeu goditjen e parë dhe gjakun që skuqi ujin.

U gjend përsëri jashtë vaskës, si për të ndrequr diçka, po këtë herë ngadalshëm, si ai që përpiqet të shkoqitë gjakftohësisht keqkuptimin. Iu afrua vaskës , avulli i ngrohtë i së cilës e bënte më të largët çdo gjë dhe lëbyri sytë nga kënaqësia (Sa herë e kishte ëndërruar këtë vaskë në tendën e ftohtë ushtarake, kur i palarë e gjithë ngut bënte dashuri me robinat) dhe, në çastin kur po fuste njërën këmbë në ujë, ktheu kryet nga e shoqja, si të sigurohej që lumturia ishte fare pranë.
Ajo kishte ende në fytyrë të njëjtën buzëqeshje , pakëz të zhvendosur, si maska kur zhvendoset nga një lëvizje e tepërt, po, më tepër se buzëqeshja, atij i tërhoqi vëmendjen ndriçimi metalik i diçkaje, që vetoi ftohtë midis pëlhurës, që e shoqja e mbante në dorë. Megjithatë, kaq shumë mendja i punonte te dashuria që do të bënte së shpejti me të, saqë edhe ai metal iu duk ose i pëlqeu t’i dukej, si diçka që kishte lidhje me një surpizë të saj, nga ato befasitë e këndshme, që ajo i bënte zakonisht kur kthehej pas ndarjeve të gjata…
Në atë çast ai pa të shoqen sipër tij dhe pëlhura që u bë rrjetë, dhe ngecja e krahëve, dhe sëpata, dhe goditja, dhe shkulmi i gjakut, dhe britma ”më vranë” ndoqën njëra-tjetrën kaq shpejt, saqë u ngjitën e u bënë njësh, gjersa u gjend përsëri jashtë vaskës dhe po ecte drejt saj, dhe e shoqja i vinte pas me pëlhurë në dorë, dhe këtë herë ishte kujtimi i tendës së fushimit , maska e buzëqeshjes së të shoqes, vezullimi i sëpatës në kohën kur futej në ujë, që u ngjitën rrufeshëm me njëra-tjetrën, për t’ia lënë, me sa dukej, ngadalësinë asaj që ndodhi më pas.
Para se të shihte të shoqen, ai pa hijen e saj sipër ujit, pastaj kur e pa me pëlhurë të hapur, që bërë gati t’i thoshte: “e dashur, ç’është kjo mahi e re?”, por ishte pikërisht ai çast kur pëlhura iu duk tjetërlloj, më ca nyje midis, ca si deje, si krahët e lakuriqëve të natës, dhe ajo po binte ngadalë sipër kokës së tij, dhe sa më shumë që afrohej, aq më tepër i ngjante një rrjete, madje atij iu duke se krahët iu mpinë para se t’ia prekte ajo, madje përpara se sëpata t’i binte në qafë ai tha me vete “mbaroi” dhe nga ky mendim deri te skuqja e gjakut sipër ujit u duk se kaloi një kohë tepër e gjatë.

Ai u gjend përsëri jashtë vaskës dhe u nis drejt saj, ashtu si miliona herët tjera për të përjetuar me ritme të ndryshme copëzën e fundit, gjithse njëzet e dy sekonda të jetës së tij. Ky ishte ferri i Agamemnon Atridit, vrarë nga e shoqja, ditën e parë të kthimit të tij nga fushata e Trojës, në orën trembëdhjetë e njëzet minuta të datës tridhjetë e një mars, viti 1199 para erës sonë.

Tiranë, 23 shkurt 1990