Blerina Pëllumbi, “Autorja e Vitit 2025” në Hollywood – Një grua shqiptare që preku majat e letërsisë ndërkombëtare
Nga Mujë Buçpapaj
Hollywood, 4 Tetor 2025 – Një moment historik për letërsinë shqiptare dhe për gratë shqiptare kudo në botë. Autorja Blerina Pëllumbi (Demo) u shpall “Autorja e Vitit 2025” në kategorinë e romanit nga International Impakt Book Awards, një ndër evenimentet më prestigjioze në fushën e letërsisë ndërkombëtare që u zhvillua në një ceremoni madhështore në Hollywood, SHBA.
Në motivacion e Çmimit thuhet: “Kjo është një histori e vërtetë thellësisht prekëse që flet përmes gjuhës së zemrës, e njohur për eksplorimin e saj të fuqishëm të dashurisë, humbjes dhe qëndrueshmërisë së fortë të shpirtit njerëzor. Me ndershmëri dhe hir, Blerina kap udhëtimin universal të vështirësive dhe shpresës, duke na kujtuar se vetërespekti, mirësia dhe forca e brendshme janë triumfet më të mëdha të të gjithëve”.
Romani i saj “Lotët e një gruaje” (në anglisht: Tears of a Woman), u vlerësua si një nga veprat më prekëse dhe me ndikim të vitit, duke fituar kupën botërore, një medalje nderi, si dhe dy certifikata ndërkombëtare, të cilat u dorëzuan në një mbrëmje gala të zhvilluar më 4 tetor.
Për shkak të pamundësisë për të qenë fizikisht në ceremoni, çmimi u tërhoq nga përkthyesi i romanit në gjuhën angleze, Kujtim Hajdari, i cili gjithashtu ishte finalist në kategorinë e poezisë. Në fjalën e tij emocionuese, Hajdari theksoi vlerat artistike të veprës dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm të autores, duke marrë duartrokitje të zjarrta nga një publik prej rreth 500 pjesëmarrësish.
“Ky nuk është vetëm një sukses personal i autores, por një arritje e madhe për gjithë letërsinë shqipe dhe për çdo shqiptar që beson në fuqinë e fjalës së shkruar”, – u shpreh z. Hakdari në skenë.
NJË ZË SHQIPTAR NË SKENËN MË TË MADHE TË LETËRSISË
Blerina Pëllumbi është gruaja e parë shqiptare që futet në historinë e letrësisë hollywoodiane me një vepër që ngjalli emocione dhe rezonancë të thellë tek publiku ndërkombëtar. “Lotët e një gruaje” është një roman i bazuar në histori të vërtetë, që prek plagët e grave shqiptare në rrugët e jetës dhe emigracionit. Vepra ka marrë vlerësime të larta dhe komente pozitive në platformat ndërkombëtare si Amazon, ku është renditur në listat e rekomandimeve me 5 yje.
Libri është përkthyer në anglisht dhe frëngjisht, duke arritur të zërë vend mes romaneve më të vlerësuara të letërsisë së re ndërkombëtare.
KRIJIMTARIA E BLERINËS, NJË UDHËTIM MES DHIMBJES DHE SHPRESËS
Përveç romanit të saj debutues, Blerina Pëllumbi është autore edhe e pesë veprave të tjera:
- “Kristale të thyera”, përmbledhje poetike që reflekton ndjeshmërinë dhe qëndresën.
- “Përdhunimi i shpirtit”, roman i bazuar në histori të vërteta, që trajton trauma të thella shpirtërore.
- “Njerëz që ngjasojnë me diellin”, roman me histori jetësore frymëzuese.
- “Psikologji dhe ndjenjë”, ese dhe prozë që ndërthur psikologjinë me emocione njerëzore.
- “Sa peshon një zemër”, novelë mbi një histori të vërtetë që mbart shumë peshë emocionale.
Letërsia e saj përshkohet nga një ndjeshmëri e rrallë, një fuqi rrëfimi e sinqertë dhe një aftësi për të prekur zemrat e lexuesve në çdo cep të globit.
NGA RRUGËT E EMIGRACIONIT NË TAPETIN E KUQ TË HOLLYWOOD-IT
Jeta e Blerinës është një histori frymëzimi. Si një nënë emigrante që ka rritur dy fëmijët e saj në Greqi, Itali dhe Francë, ajo ka arritur të ndërtojë një profil të suksesshëm ndërkombëtar pa asnjë mbështetje financiare apo institucionale.
“Unë vij në Hollywood vetëm me ëndrrat e mia dhe flamurin shqiptar në zemër”, ka thënë ajo, pak para ceremonisë.
Ajo e përshkruan këtë çmim si një hap të parë drejt ëndrrës së saj më të madhe, të krijojë një platformë bamirësie për gratë shqiptare në emigracion dhe për të ruajtur frymën dhe vlerat e kulturës shqiptare në diasporë.
TRASHËGIMTARE E NJË FRYME TË SHENJTË
Si një mbesë e largët e Nënë Terezës, Blerina e përshkruan misionin e saj si një kombinim të pasionit për letërsinë dhe dëshirës për të ndikuar pozitivisht në jetët e të tjerëve. Me fjalët e saj:
“Në atë skenë ku miliona artiste duan të jenë, unë dua të përfaqësoj femrën shqiptare që lufton me moral dhe dinjitet. Beteja ime sapo ka filluar!”
NJË KRENARI KOMBËTARE QË NUK DUHET TË KALOJË PA U VËNË RE
Ky sukses nuk është vetëm një lajm për një autore, por një ngjarje kombëtare që meriton jehonë. Në një kohë kur shpesh vlerësohen pseudo-vlera, Blerina Pëllumbi është një shembull i rrallë i përkushtimit, talentit dhe rezistencës që duhet të motivojë dhe frymëzojë jo vetëm gratë, por të gjithë krijuesit shqiptarë.
Le të përshëndesim këtë arritje me krenari dhe t’i urojmë Blerinës suksese të mëtejshme në rrugën e saj letrare dhe humane.
Burim informacioni: Kujtim Hajdari, Hamza Hatika, rrjete sociale & raportime nga vendngjarja

