Site icon Gazeta Nacional Albania

Mes vargjesh flas, ndër rreshta hesht…

 Nga Margret Harka

 

 

HESHTJA

 

 

Troket heshtja mbi supet e mi

dhe zemra njësoj troket,

kur vetmia bëhet çati

dhe heshtja bëhet jetë……..

 

GJURMËT

 

E gjatë kjo rrugë, dritëhije pafund,

pengesa dhe rrugë të drejta përballë,

me gjunjë të gjakosur që në hapat e pare,

pengesa dhe rrugë të drejta përballë.

 

Njerëz rrethuan ditët e mia

dhe unë prap eca drejtë, përballë.

Nga njerëzit frike nuk pata

i pashë në sy ata.

Dhe gjithçka të tyre mata

me zemër , vepra e fjalë ……

 

Në udhëtimin e jetës sime

gjurmët  dhe shpirtin njerëzve u lashë.

Në  udhët e jetës s’u gjakosën veç gjunjët,

si dikur fëmij…..

u gjakos shpirti.

Ah shpirti! Ai nuk ka shërim.

 

Por unë prapë eci, drejt, përballë,

tashmë nga Zoti kam frikë

nga njerezit përse të kem vallë?

 

 

 

E ÇUDITSHME ËSHTË JETA

 

E çuditshme është jeta,

dhe surpriza në çdo hap,

aty ku ti s’e pret,

jeta të hedh në çark.

E çuditshme është jeta,

dhe shumë hokatare,

kur mendon se të mbyll derën,

ajo  të çel një dritare.

E çuditshme është jeta,

aty ku sheh veç natë,

në qiell të nxjerr rrezen,

që të shkel syrin e të thotë:

jam këtu prapë…….

E çuditshme është jeta

dhe për këta rreshta që po shkruaj,

këtu, tek jam e heshtur,

vargje jam duke latuar.

E çuditshme është jeta

dhe kur kthej kokën pas,

e di që asgjë s’do të ndryshoja

dhe çdo gabim të së shkuarës

do ta bëja prapë e prapë e parapë……….

 

REJA DHE SHIU

 

Ngarkuar ky qiell me re,

që në bark mbajnë veç shi

dhe janë aq shumë, ku

vështrimi ndalet aty.

I  lodhur qielli duket,

me gjithë këtë peshë,

a mundet vallë ta mbajë,

a mundet vallë të heshtë?….

Aq shumë në një cep janë mbledhur

dhe zbritur kanë aq poshtë,

a thua, sikur qielli

këto re, do t’i zbrazë me dorë?!

Veç retë, retë po aty janë,

sprapsen pak

dhe prapë mbyllen,

diku …. aty…. duken qartë.

Një lojë me qiellin,

që të shpalosë kaltersinë,

por pa zbrazur retë s’e ka mundesinë…….

 

 

ATA……

Në turmë mes njerëzish ecin,

të ngjashëm në pamje të parë,

ndryshojnë nga ngjyra, po ngjyra,

çfarë rëndësie ka?……

 

Njerëz në metro, autobus e park,

fëmijët janë njësoj, femijët luajnë

të gjithë bashkë.

 

Udhëtarë të botës, emigrantët

që ecin në metropolet e mëdha,

mes rrugëve e punëve humbasin,

me  hallet e brengat, ata.

 

Në pamje të parë,

nga të tjerët nuk ndryshojnë,

me vërejtje po t’i shikosh,

i njeh ata…….

Nga sytë i njeh,

me shkelqimin e lagët.

Nga sytë, që,

edhe pse qeshin,

fshehin melankolinë

e mallit,

të hallit,

të brengës

e të heshtjes.

Si të qenë pezull,

ngjajnë ata.

 

Sado të mirëqenë të jenë,

sado të pranuar,

malli i të larguarit

ëshë aty, si diamant i praruar.

 

U mungon gjuha që i perkedhel.

U mungojnë përqafimet e të dashurve të tyre.

U mungon belbezimi i fëmijëve,

U mungojnë të qeshurat e tyre….

U mungon nëna, që i pret me mall.

U mungon atdheu,

që sado ashpër

të jetë treguar me ta,

U mungon….

Sepse atdheu,

Ah, atdheu ! Është aureola

e fatit të shkruar për ta!

 

 

MAGJIA

Ia pëshpërita fjalët detit

dhe deti shkumës ia tha.

Ia pëshpërita fjalët muzgut

dhe muzgu natës ia tha.

Ia pëshpërita fjalët Zotit

dhe Ai, nje jasemin në dorë më la!

 

CIGARJA

 

Cigaren mes gishtash

e thith dhe mendoj…..

Në mendje çelin  kujtime,

me tymin, figura vizatoj.

 

Me sy shoqeroj

figurat.

Diku ndalem,

vërej, shikoj.

Në një moment më ngjan

se mes tymit shoh si vijnë kujtimet,

ëndrrat…. shpresat ……

që me koshiencë

nuk dua t’i harroj…..

 

Një lojë e bukur

mes cigars, tymit

dhe mendjes.

Dhe nuk di kush e shijon

më shumë këtë lojë,

cigarja që nxjerr tymin,

apo unë që në çdo thithje

pres një kujtim a një mendim

nëpër mendje të më kalojë……

 

 

 

 

FLLUSKA E SAPUNIT

 

Në flluskën e sapunit

të vizatoj me mendje.

Pamjen tënde kam vendosur aty,

të lehtë të bukur dhe shumëngjyrëshe.

ashtu siç dua të të shoh unë ty!

Të kam vendosur aty,

të të shoh më qartë,

rrethuar mes  ngjyrash

ta shoh vegimin.

Dhe flas mes transparencës,

dialog me ngjyrat kam hap,

nuk dua ta fryj fort,

kam frikë që mos  plas.

Nuk dua që me flluskën

të shpërbëj shëmbëllimin,

por mbi të gjitha nuk dua

të shpërbëj besimin!!!!

 

KOTËSIA……

Në rendin e ditës

shumë gjëra,

rutina, pazare, llafe…

Debat politik, debat

dokesh e zakonesh-

të gjitha rutinë dhe frikë!

 

Pasiguri, tronditje,

shpeshhere habi,

psikologjija s’e emërton dot.

Apo ndoshta, emrin ka kotësi?

Megjithatë, ditët vazhdojnë,

me po të njëjtin ritëm,

agjendë, apo…..

qasje të kotë!

 

Ndërsa ulem të rendis

rutinën time hokatare,

kur rreshtat derdhen pa mundim,

në vesh më kumbojnë fjalët

e një mikeje:

Më fal po une…..

s’e kam qejf poezinë….

 

LIRIKA E INTROSPEKSIONIT DHE E KUJTESËS EMOCIONALE

 

Ky cikël poetik i Margret Harkës qe po e botojme ne gazeten letrare “Nacional”, shpalos një univers lirik të ndërtuar mbi përvojën e brendshme, reflektimin ekzistencial dhe ndjeshmërinë e hollë njerëzore. Poezitë lëvizin natyrshëm ndërmjet vetmisë dhe shpresës, kujtesës dhe pritjes, mallit dhe besimit, duke krijuar një mozaik emocionesh që komunikojnë drejtpërdrejt me lexuesin. Autorja përdor një gjuhë të thjeshtë në dukje, por të ngarkuar me simbolikë të qartë dhe me një sinqeritet emocional që përbën forcën kryesore të vargut të saj. Motive të tilla si heshtja, gjurmët e jetës, reja, shiu, deti, tymi apo flluska e sapunit shndërrohen në metafora të gjendjeve shpirtërore, duke dëshmuar aftësinë e poetes për të poetizuar përditshmërinë dhe për ta ngritur atë në një plan meditativ. Veçanërisht mbresëlënëse është mënyra se si ajo e trajton plagën e padukshme të shpirtit, mallin e emigrantit dhe raportin e njeriut me kohën, fatin dhe transcendencën.

Në aspektin estetik, poezia e Margret Harkës karakterizohet nga një lirikë introspektive, e mbështetur mbi figuracion të natyrshëm dhe një ritëm të brendshëm që buron nga autenticiteti i përjetimit. Poezitë “Ata”, “Gjurmët” dhe “Heshtja” përfaqësojnë kulme të këtij cikli, ku dimensioni individual ndërthuret me atë universal dhe ku përvoja personale fiton vlera kolektive. Ndërkaq, poezitë “Magjia”, “Flluska e sapunit” dhe “Reja dhe shiu” dëshmojnë një prirje të autores drejt simbolizmit të lehtë dhe vizualitetit poetik, duke i dhënë vargut një ndjesi elegance dhe finesë artistike. Në tërësinë e tij, ky cikël paraqitet si një dëshmi e pjekurisë emocionale dhe e vetëdijes krijuese të autores, e cila arrin të ndërtojë një dialog të qetë, por të thellë, mes botës së saj shpirtërore dhe lexuesit, duke e kthyer poezinë në një hapësirë meditimi, kujtese dhe humanizmi.

Dr. Mujë Buçpapaj

 

Exit mobile version