Gazeta Nacional Albania

POETI DHE SHKRIMTARI I MIRËNJOHUR PAJTIM XHELO, PËRURON NË VLORË   KATËR LIBRAT TË RINJ

 

Nga Qazim Shehu

 

 

Një përurim i veçantë, i natyrshëm, i çiltër, larg protokolleve të  panevojshme dhe rregullave të ngurta. Më 26 dhe 27 korrik 2021, në qytetin e Vlorës u zhvillua një aktivitet i thjeshtë, por mbresëlënës nga një grup ish-studentësh të Universitetit Bujqësor, kursi 1968 – 1973. U takuan pas 48 vitesh dhe data 26 korrik 2021 përkoi me datën 26 korrik 1973, ditën e shpërndarjes së diplomave të atij kursi. Dhe kjo ishte një rastësi. Takimi u organizua në Vlorë për të nderuar e vlerësuar njerin nga ish-studentët, poetin dhe shkrimtarin vlonjat Pajtim Xhelo. Me këtë rast u përuruan dhe katër librat që Pajtim Xhelo botoi në fillim të muajit korrik 2021 në Shtëpinë Botuese NACIONAL. Përurim i veçantë, pa zhurmë e bujë, larg protokolleve dhe rregullave të ngurta, në të cilat zhvillohen zakonisht këto përurime.Një bisedë e ngrohtë, e çiltër, pa formalizëm, pa hipokrizi, pa shtirje dhe dyfytyrësi. Vlerësime reale, pa superlativa dhe pa tepërime.

Natyrisht, nuk mungoi edhe ndonjë kritikë për shokun dhe mikun, jo për shkrimtarin dhe poetin Pajtim Xhelo. I bënë vërejtje pse nuk kish shkruar asgjë për profesionin e Agronomit, profesion i vështirë, po i

nderuar dhe i vlerësuar. Mendimi i përbashkët ishte ky : Të gjithë kishin gjetur pjesë të vetes dhe të jetës së tyre te librat e Pajtimit, si në prozë, edhe në poezi. Të gjithë ishin të një mendimi

që çështjet e shtjelluara, në shumicën e rasteve, ngjarje të vërteta, të përjetuara nga vet autori, ose miq e të njohur të tij, kishin brenda , veç artit, edhe larminë, përvojën dhe pjekurinë e një jete të njohur në të gjitha përmasat e saj, kulturën e gjerë, gjuhën e pastër shqipe, larg pranisë së fjalëve të huaja të panevojëshme.

Pjesmarrësit u shprehën se ndiheshin krenarë për shokun e tyre të rinisë, si përsa i përket arritjeve të letërsi, ashtu edhe për faktin që ai kish mbetur po ai Pajtim që kishin njohur në vitet studentore : i thjeshtë, plot mirësi e dashuri për të gjithë, me një kujtesë për të patur zili, i kujdesshëm, po i drejtpërdrejtë, i qetë dhe me humor. Kuptohet, nuk u bë analizë letrare dhe artistike e hollësishme, po ky nuk qe qëllim në vetvete i përurimit. U përuruan tre librat e Pajtim Xhelos : Romani ” 31 ditë larg botës”, dy vëllimet me poezi” Molla e Mëkatit” dhe ” Merak” si dhe vëllimi me novela ” Netët Cigane” me bashkautorët Pajtim Xhelo dhe Iskra Tata ( Thoma), i cili kish vlerësime të veçanta. Në mungesë u përshëndet dhe u urua Iskra Tata ( Thoma). U vlerësua bashkëpunimi i tyre si një përvojë me vlera, si një

risi e mirëpritur dhe me vlera të shtuara.

Takimi zgjati dy ditë. Ditën e parë pjesmarrësit pas përurimit në ambientet e bar – kafe – restorant ” Hollidej”, kaluan disa orë në ambientet e mrekullueshme të restorantit ” Erbela”, ku ndezën edhe atmosferën për klientët e tjerë me humorin, këngët dhe vallet e vallëzimet…Tamam si atëhere, në rininë e tyre të pafajshme dhe të pasur shpirtërisht, edhe pse në një varfëri skajore të atyre viteve.

Pas drekës, shkuan në ishullin e Manastirit në Zvërnec, ku u njohën edhe me një nga Perlat e qytetit të Vlorës. Më pas shkuan në Kuzbaba, edhe kjo një perlë tjetër e qytetit. Vonë darkuan në ambientet shlodhëse të Rrugicës Muze të Pavarësisë, ku  kishte edhe shumë turiste  të huaj. Ditën e parë e mbyllën me shëtitjen në Anëdetin e Vlorës ( që për fat të keq e kanë quajtur me një emër të huaj, Lungomare). Kish kaluar shumë pas mesnate kur shkuan për të pushuar.

Dita e dytë kish një bukuri mahnitëse. Shëtitën me anien ” Rexhina” në gjirin e Vlorës, në ishullin e Sazanit, të cilin e shëtitën më këmbë.Pas kësaj, ania i çoi bregut të Karabrunit, ku duhet të përfundonte edhe përurimi i romanit të shkrimtarit Pajtim Xhelo ” 31 ditë larg botës” ngjarjet e të cilit zhvillohen në këto gjire të Karabrunit…Gjire me plazhe mahnitëse, Edhe një përurim mahnitës në ambientet ku zhvillohen ngjarjet e romanit.

Ky takim dhe përurim kish disa veçanti, por ajo që do mbetet e pashlyer në kujtesën e pesëmbëdhjetë shtatëdhjetenjë vjeçarëve, ishte ndjesia e një rinimi të papërfytyruar. Po, ata që u takuan me një përmallim të ëmbël që kish zgjatur 48 vite, kur u ndanë, edhe pse dy ditë plot veprimtari dhe në një vapë përvëluese, u ndjenë si atëhere kur morën në dorë Diplomat, 23 vjeçarë, plot energji pozitive dhe mirësi për jetën dhe për botën. Jo vetëm kaq, po e përcollën këtë ndjesi edhe te të tjerët që i

rrethonin, në të gjitha ambientet ku shkuan.

Më duhet të përmend edhe emrat e këtyre vajzave e djemve që lanë pas një përvojë plot vlera të një takimi përurim që të shton dëshirën për të jetuar dhe për t’i mbushur mendjen vetes që je akoma i ri dhe jetën duhet ta duash njëlloj si atëhere : Xhemaile Joti, Liri Karafili ( Hidri) Nikoleta Rexho,, Jorgjie Prifti, Vangjo Kovaçi, Rahman Sefa, Petro Dollani, Hashim Dyli, Tafil Velikaj, Bedri Cika, Bedri Kullaku, Fatos Çelaj, Pilo Prifti, Pajtim Xhelo. Uroj që takime të tilla të ketë sa më shpesh, që në shoqërinë tonë të

kthene sërish disa sjellje me vlera që kemi patur dikur dhe tani po harrohen. Gjithashtu uroj që ne t’i afrohemi sa më shumë jetës së dobishme shoqërore, duke qëndruar sa më larg shpirtvogëlsisë,

zemërngushtësisë, hipokrizisë, egoizmit dhe egocentrizmit, sa më larg formalizmit dhe jetës boshe, të pakuptimtë. Kësisoj, gjithçka që bëhet çiltër, pastër, pa dyfytyrësi do të na çojë me siguri drejt mbajtjes

së vlerave dhe mbivlerave, për të cilat ka sot nevojë shoqëria jonë e tronditur.

Urimet më të mira për këto vajza dhe këta djemë që na freskuan kujtesën e largët!

 

 

Vlorë, 28 korrik 2021