ZJARRIN DOJA TË NDEZ
Në oxhakun e shuar një zjarr doja të ndez
Nga akulli i ftohtë i dimrit për t´u ngrohur
Prushit me hi të mbuluar nuk i zura besë
Doja esull të ringjall një zemër të ftohur…
Besova se lehtë ndizet zjarri, sikur që bie shi
Por ja që s´mu kujtua se kohët kanë rrëshqit
Toka që kemi ndër këmbë ka shumë lagështi
Drutë ishin të nemura s´i ndezi dot një qibrit…
Fillimi dhe fundi s´ishte do si do, sa u errësua!
Për ta gjetur vrimën e gjilpërës zjarrit pa i fryrë
Ishte njëlloj, sikur të kapësh zogun në hapsirë
Apo të zbresësh në tokë yllin sa më të gëdhirë…
Humbja dhe fitorja që të mbetej e të mos ik
Për të mos u rrokullisur si guri nëpër rrëpirë
Kërkohej që flaka e zjarrit të mbahej pa u fik
Dhe buka me shëllirë të kthehej në ëmbëlsirë…
KALA PËR HISTORI
Shikimin drejtuar në fushë e mera
Si dy duar zgjatur, rënë më du kra
Thurur në breza, lidhur tra me tra
Me mure të forta ngritur, jo shaka…
Ndërtuar shumë kate siç e thosh tradita
Që vallja pa frikë të shkundej në çardhak
Armiqtë kur të vinin frëngjia t´i zinte prita
Tymi kurrë të mos fikej brënda në oxhak…
Atëherë nuk e dija që bota ndërtonte shtëpi
Një kat sipër përmbi dhe, dhe një të ulët çati
Aty ku fëmijët do kalonin plot gëzime një rini
Vetë si i shtyrë në moshë një të urtë pleqëri…
Të ngrita përmbi qiell të dukesh kala
Që muret e tua të mbeten në histori
Që të vi dhe bota të thotë, ky budalla
Ndërtoj një kështjellë ku s´jetoj njeri…
SHTIGJEVE TË GABUARA
Unë dhe qindra mijëra të tjerë si unë
Nuk do të jemi më ulur
Mbi të jeshiltin bar të bahçeve
Për gjatë rrugëve me shikimet drejtuar
Mbrëmjeve të vona
Muzikën e natës duke dëgjuar…
Dallëndyshet vazhdimishtë,
Mbi tela të renditura do qëndrojnë,
Edhe ndër ballkonat e shtëpive
Do diskutojnë rrugët e shtegtimit,
Por jo atë të rrugëtimit tim
Dhe të atyre qindra mijrave si unë…
Unë dhe ata qindra mijra si unë
Nuk do i shohin rrezet e lindjes së diellit
Njëlloj si në fëmijëri nga dritaret e gjumit
Të shtrirë, të qetë, të patrazuar,
Si uji i fjetur i liqenit.
Nuk do shqetsohet dielli
Ai do përsëris rrugëtimin e tij,
Do jemi ne që do shuhemi
Si flaka e kandilit kur e fry era…
Unë dhe të tjerët si unë
As do shohim e as do dëgjojmë
Dalldisjet e valleve në oborret e shtëpive
Pas Shën Mitrit,
Vonë, vonë edhe në valë të verës.
Tradita do mjerohet, do verbohet
Nga helmimi ndër tokë do shtrohet.
Oborret e qëndisura me ferra
Do presin turistë, Piktorë të huaj…
Unë dhe ata qindra mijra si unë
As që duam t´ia dijmë
Për malin e djegur nga një shkëndi zjarri
Për shëmbjen e të arriturave
Dhe për fushën e përmbytur …
Ne nuk duam të përjetësojmë
Ecjen nëpër shtigjet e gabuara…
Unë dhe ata qindra mijra si unë
Do vazhdojmë të heshtim
Derisa heshtjet tona të zbulohen
Si gjethet në pranverë kur shkrihet dëbora…
ISHTE KOHË MUROSJESH
O liqeni ”Shum”, i mbytur me ujë burimi
I larë me dashuri, herë me ethe trishtimi
I vetëm flladi yt thyente çdo sfidë durimi
Edhe në shi e rrebesh të ndriste shkelqimi…
Me të njejtin litar na varën të madhen krenari
Edhe shtigjet na i mbyllën për të mjerën arrati
Ti e di, uji ytë lante lotët e kohës në vështërsi
Buzëqeshja nëpër dhëmbë s´llogaritej lumturi…
Në të njejtin kanal perplaseshit, ai, edhe ti
Shpirtin edhe sytë me gardh ua rrethonin
O burim i murosur, lotët përpara teje shi
Dhimbjen tënde as gurët nuk e duronin…
STRUGË SHQIPTARE
Oj lulkuqe e vjetër, o e bukura e maleve
Bijë e stërgjyshërve kapëbardhë në breza
E larë, e ndritur, me shkumbën e valëve
Rritur, lartë e ngritur, si shqiponjat e zeza…
Veshur Shqiptarçe me tirqe e fustanellë
Në valle dhe në luftë me dyfek e jataganë
Me ngjyrë kuq e zi në të njejtën ombrelle
Për ty jetën flijuan shumë trima struganë…
Ske pse të ndryshosh ngjyrë dhe flamur
Simbolet e kombit të kanë bërë krenare
Për miqtë bujare sa për armiqtë një mur
Ndaj do të mbetesh një strugë shqiptare…
RRUGICA E BOTËS SIME
Nëpër rrugët e botës i tretur,
si nje gotë qelqi i thyer
Kalldrëme pa fund shkela,
çdo gjë në shpirt që preka,
kënaqsinë nuk i ndjeva…
Të gjitha i pash të zbukuruara
me filigran të fildishtë
Rrugicës së fëmirisë sime
nuk i vinin as në gishtë…
Rrugët e botës tjetër
me ty dhimbjen nuk ndanë
Pengohesha ose rrëzohesha
për dore nuk më mbajtnë…
Nëse do mëshkilte tramvaja,
apo autobusi,
edhe biçikleta
ah, ç´tragjedi pa dashuri,
pa përkëdheli,
do të quhej, shkelje shkreta…
Rrugica ime
këmishë e pantallona
m´i griste copa-copa,
Gjunjët m´i xhvishte,
m´i gërvishtte me të zgriptat gropa
Diellin edhe hënën m´i kishte dritë,
bukurinë ia sillte balta
I zbathur përqafohesha nga kjo dashuri,
aty ishte mjalta…
TE KODRA E DUSHKUT
Te Krasta, ore te kodra
Cuca, o çuna, nxitoni
Te dushku, te shkoza
Saja e kaike zbarkoni…
Akullin e ftohtë ta zëm të ngrirë
Mbi kodër mëngjesin të shtrirë
Lëvizni këmbët lojën të mbërrinë
Se po doli dielli akullin e shkrinë…
Natyrë nga zoti plotë me mbresë e liri
Gjallëri katundi e mbushur me fëmij
Jeta ishte plotë kuptim, kishte mirësi
Të pasur s´kishte, mbrëmjet ishin gosti…
Zëri jehonte grykës, ngjitej përmbi retë
Kujtimin e vjetër as thartira nuk e tretë
Bukuri e luleve sotë nuk është e vërtetë
Botë interneti rrotull si peshku në rrjetë…
LULJA E BAHÇES SIME
Lulja ime, puthjen që do ma dhurosh
Në zemër do më futet si rreze dielli
Magjishëm shpirtin do ma shërosh
Retë do të shpërndahen nga qielli…
Këtu ku jam, nata do më lërë pa gjumë
Ëndërrën e madhe me mall duke pritur
Si përrenjtë që presin derdhjen në lumë
Që dëshirë e detit të vijë duke u rritur…
Puthja s´ka të harruar kurrë
Edhe nga largë djeg si furrë
Fuqi e saj shëmb një murë
Largësive u ndërtohet urë…