“U RRITA PA GJYSHËR, PA BABA”
U rrita pa gjyshër, pa baba, i vetëm,
Një zë i munguar netëve të gjata,
Një përqafim që s’e pata kurrë me të vërtetë,
Si pema që rritet në shkretëtira.
S’pata një dorë që më priu në jetë,
As zë të urtisë mbi ballë të më ledhatonte,
Veç nënës që fshinte çdo lot në heshtje,
“Bëhu dritë, edhe kur s’ka!”, më thoshte.
Pa gjyshër që të rrëfejë për kohët e vjetra,
Pa baba që të mësojë ç’do të thotë burrëri,
Rrugët i mësova me plagë të vështira,
Dhe mësova të ngrihem kur s’më ndihmoi njeri.
U rrita me nënën një mal përballë furtunës,
Me lot në sy, me zemër të hekurt,
Mësova të jem njeri nga fjalët e saj,
Të dëgjoj nga larg zërin e vëllait e të motrës.
Pa gjyshër që të flisnin për kohët e shkuara,
Mbaja një mall që më përvëlonte shpirtin,
Në vend të fjalës së ngrohtë të babait,
Kisha vetminë që më mësonte burrërinë.
Por s’jam pa rrënjë veç jam pa kujtime,
S’jam pa dashuri veç ajo më mungoi,
Në heshtjen e gjatë m’u rritën mendimet,
Në zemër kam zjarre që askush s’m’i shoi.
Kujtoj atë fëmijëri ku bosh më mbeti zemra,
U larguan gjyshërit, babai nga e gjithë jeta.
Një lodër në dorë, një lot në faqe,
Shtëpia e madhe, por e thatë zemra.
Askujt s’i tregova për plagët e mia,
Edhe pse larg mërguar në vise të tjera.
Kur kuptova jetën, u rrita, u thinja,
Tashmë e kuptoj çfarë është burrëria.
Kur binte shi dhe rrufetë kërcisnin,
S’kishte kush t’më thoshte: “Mos ki frikë, bir!”
Veç nata më mbulonte dhe lotët më nxisnin,
Të bëhesha i fortë pa krah e pa shtyllë.
Pa gjyshër, s’dëgjova rrëfime nga koha e shkuar,
S’pata këngë nën hije në oborr, mbi një gur,
Por mësova të dëgjoj erën dhe heshtjen,
Dhe të gjej urtësinë mes plagëve e shpresën.
U rrita i vetëm, por jo bosh nga brenda,
Çdo mungesë më dha një copë tjetër zemre,
Sot jam ky që jam me plagë që flasin,
Me sy që kujtojnë ata që mungesën ma lanë trashëgim.
U rrita pa gjyshër, pa baba, i vetëm,
Por s’jam pa dritë se dritën e ndeza vetë,
Nga dhembja krijova një shpirt më të thellë,
Tashmë eci përpara, pa u ndalur në jetë.
U rrita pa gjyshër, pa baba,
Mësova të jem ai që do ishin ata.
Në shpirt mbaj mall, në zemër mbaj dritë,
Një brez që s’e pata, por lindet sërish.
Adelina Mina
2025.08.06
@COPYRIGHTRESERVED

