Erifi kishte lenë amanet ta varrosin në vendlindje!
Gjyshi, atë mëngjes, po ecte si zakonisht duke folur vet me veti. Krejt papritur para derës se fqinjit pa një grumbull njerëzish. Pa edhe të vëllain e Erifit që moti kishte ikur në Amerikë. I përshëndeti me pak zë, që me siguri nuk e dëgjuan mirë të pranishmit, por pasi ishte afër, e përshëndeten edhe ata sipas adetit.
-Çka ndodhur, pyeti plaku?
-Ka vdekur Erifi në Amerikë!
-Ahaa! Zoti iu lashtë shëndosh! Më duket vjet i pat vdekur e ëma?!
-Po valla! Ishte në varrimin e saj edhe Erifi. Hala i ri ka qenë, o mixhë?!
Plaku gjëmoi thellë dhe ndaloi për pak. Ku me ditë çka i ra ndërmend për Erifin sa ishte gjallë këtu?
-Po, po! E kam njohur Erifin. I pat ra shorti të shkonte në Amerikë, me njëfarë karte, a nuk di si i thoshin. Ai shkoi me krejt familjen!
-Jo, djali i tij, Luli nuk shkoi. Ai po jeton të dajat në periferi të qytetit!
-Do ta sjellin Erifin të vdekur nga Amerika a?
-Po valla! Mund të vonohet një javë a dhjetë ditë, po!
-Po vendlindjes i duhen njerëz të gjallë more! Varre kemi mjaft – vazhdoi të fliste vet me veti plaku! Në shumë fshatra nuk ka më frymë njeriu.
-Ah ky amaneti, si kiameti, vazhdoi të fliste plaku dhe dukej sikur përpiqej t’i bluante sa më im ato fjalë që donte t’i thoshte më zë!
Deshe nuk deshe, amaneti i zë peng të gjallët që akoma ecin këtupari. Vjet gjatë verës, kur erdhi Erifi pat mbjellë shumë lule. Bile fqinjët disi nuk e kuptonin pse po i mbillte, pasi e panë që iku për pak ditë. Kur shkoi ai, djali i tij i tretë, Luli nuk pranoi me asnjë çmim të shkonte bashkë me të. Ishte pak para përfundimit të shkollës së mesme. Familja iku, por Luli nuk duronte dot të rrinte vetëm në shtëpinë e tij. Pasi mbaroi shkollën e mesme gjeti punë menjëherë. Nuk jetoi më në shtëpinë e të atit i vetmuar, por zgjodhi të flinte të dajat në një lagje në periferi të qytetit.
– Shokët e Erifit, do t’ia qojnë në vend amanetin, pëshpëriti më zë plaku.
Deri fliste ato pak fjalë, sikur nuk i zihej vendi vend duke kujtuar Erifin që kur ishte në vendlindje dhe pse iku.
– Nuk iket nga vdekja jo! Malli vjen valë-valë, por vonë e merr vesh njeriu! Valët e fundit të mallit janë të rrëmbyeshme dhe zor që iu bën ballë dikush. Kjo tokë iu do të gjallë o njerëz, foli gati me zë, por i erdhi keq dhe ndrydhi zanorët në mënyrë që ata njerëz që kishin ardhur në shtëpinë bosh të Erifit, të mos preken.
Nga dera e oborrit të fqinjit, vazhdoi të ecte, duke u luhatur sikur edhe vet priste të përplaset diku papritur.
Edhe kur ishte larguar tutje, ku nuk mund ta dëgjonte njeri, vazhdoi të fliste vet me veti!
Flet e flet por nuk bërtet! Këshillon e kritikon në heshtje! Nuk ishte pa shkollë gjyshi, por duket sikur i shkoi huq edhe mësimi.
Më nuk pret të martohet plaku, jo! Ai vetëm sillet e pështillet edhe ndonjë ditë, pa orientim e pa cak.
Sa më shumë që largohej nga grumbulli i njerëzve vazhdon të flasë me zë, por rrugës nuk ka njeri të gjallë që e dëgjon. Kushdo që mund ta dëgjonte rastësisht, mund të kuptonte se vetmia e ka tronditur e rraskapitur rëndë. Ai e ka provuar këtë ikjen. Edhe atij i kanë ikur gjithë familja. Se çka tha e çka mendoi të thoshte veç një zot e di. Ashtu siç është duke ecur me atë hepin e tij tashmë të pavendosur, ndalet e thërret më zë;
-Po pse ikni bre batila?!
Rrallë kush që rastësisht ecë përkrah tij, mund të kalojë pa thënë, se plaku paska shkalluar! Ai flet serish! Bën hapa të tjerë pa ndonjë cak! As nuk e di për ku ka mësy! Vetminë e ka shok moti. Ai ka fol dikur, bile edhe shumë, por sa duket zanoret e tij janë shurdhuar dhe nuk po arrijnë në veshët e atyre që po largohen përditë!
– Ikja u bë modë more dai, i thotë veti me krejt atë zë që i ka mbetur.
Pastaj sikur të kishte incizuar krejt çka mendon natë e ditë, nisë të radhisë fjali që ia hanë zemrën.
– Po, edhe mbreti hanë bukë, more të gjorë! Edhe ai ha domate, ha patate, ha vezë pulash. Mbreti ha edhe mish të pjekur a?! Po, mish të pjekur ha edhe unë, more dai! Qengj të pjekur në hell keni ngrënë edhe ju, ej! Dikur fitoja më shumë para sa djali i madh që punonte gjithë ditën me sharrë në krah në malet e Gjermanisë. Ky djali i dytë në Zvicër, që kujdeset për një fermë derrash merr aq para deri të shkojë në bastore e t’i bëjë rrush e kumbulla për një natë. Lopët e veta nuk donte t’i shihte as me sy në ahur, e lëre më t’i ruante në fushë.
Po çfarë turpi është të ruash delet e qengjat tuaj, more djalë? Po çfarë turpi është të mbani dy- tri lopë, kur keni sot njëmijë mundësi, me njëmijë makineri?!
Por, more dai, ne punonim e mendonim edhe për nesër. Ju, sa të shkolluar jeni sot, arat e livadhet do duhej t’i bënit kopshte. Për çdo punë, keni makina. Ato makina do duhej t’i drejtonit ju, që u shkolluat.
E kujton plaku të birin me traktor duke lëvruar në arë, apo duke kositur livadhin.
Besa e kishte menduar edhe nipin aty me traktor, dhe ishte kënaqur duke ëndërruar kot.
-E more bijtë e mijë, kemi kositur me kosë dore. Kemi lëvruar me kije e me kuaj. Grurin e kemi korrë me drapër. Sot, kur aq shumë është lehtësuar puna, ju ikët!
Ka punuar ky plaku gjithë ditën për një kilogram misër, vetëm që fëmijët të kenë bukë edhe nesër. Gëzohesha kur gjeja punë krahu, qoftë edhe për një ditë.
More babëlok! Kur ke një pëllëmbë are, të ikësh e të bëhesh lypsar diku në botë, kjo punë nuk me pëlqen mua.
Jetoi me bindje, se jeta është luftë që nuk përfundon për së gjalli..
-Nuk iku nga kjo tokë, sepse gjithë dashurinë dhe fuqinë e marr prej saj, thotë ai!
Kam ditur edhe unë të ik, por nuk e paramendoj dot vetën pa identitet. Këtu njoh çdo pëllëmbë të tokës. Me sy mbyllur mund të eci natën e ditën turp e tërthor fshatit tim pa frikë. Njoh këtu çdo njeri të fshatit tim, me të gjitha të mirat e të ligat e tij.
Nuk kam pasur pagë mujore kurrë në jetë, por sofrën e kam pasur plot me të gjitha të mirat që më ofronte nëna tokë e vendlindjes. Janë njëmijë e nëntëqind mënyra për të jetuar pa u ankuar, vetëm duhet vullnet.
Arat e mia nuk më kanë tradhtuar asnjëherë. I punoja mirë e ato më shpërblenin edhe më mirë.
Po ku ka atdhetar që ia kthen shpinën vendlindjes?
Unë jam i zoti i arës, ndërsa ara është zoti im.
Ajo më mban gjallë duke më dhuruar të gjitha të mirat.
Jam lidhur me tokën time, si me jetën. Shprehia e punës është shpëtim për njeriun, dhe këtë shprehi unë e fitova nga baba im.
Çdo luftë dhe çdo konflikt në botë është bërë e bëhet për tokë, për ara, për burime uji, për pasuri nëntokësore e mbitokësore, të cilat i ka Zeza me bollëk.
Mund të ikni ju, por plaku nuk ik, jo!
Çka keni më tepër ju atje, që punoni argat të huaj, më shumë se unë këtu në Zezë, që jam në tokën time?
Filloj punën në çdo kohë.
E lë punën, kur të më teket.
Ndjehem zot i kësaj toke. Ashtu ndjehet edhe ara ime kur më sheh mua.
Zemra më rritej kur shihja si valëvitet gruri nga e era.
Nuk flet ara me zë, por me bukë! Flet me grurë e me misër.
Luftën e fiton ai që ka bukë.
Ushqimi, babëlok, ka qenë përherë vendimtar për fitore mbi çdo armik.
Me uri të mund edhe armiku më i lig.
Ke dëgjuar ore dai, për Darkën e Lamës?
Moti ka zënë fill ajo traditë. Secili nga ne fshatarët e Zezës, shtronim Darkën e Lamës. Ftonim njëri tjetrin në darkë dhe festonim me të gjitha të mirat që na i dhuronte toka jonë.
Dikur kishim më pak ara, më pak pleh për të mbjellat. Kishim më pak kafshë, por edhe pak ushqim për to. Sot kur kemi aq shumë ara, i kemi braktisur. Të parët tanë na thoshin punoni mirë tokën se ajo iu mallkon! Mos ikni nga ai vend që i ka të gjitha të mirat. Do ta keni mall atë vend, por do të jetë vonë. Vendi i huaj nuk bëhet i juaj asnjëherë.
Shumë gra merren me thashetheme, por plaka ime ka qenë krejt shurdhmemece. Ajo nuk ka mbyllur sytë, pa përfunduar veshjen e dimrit për fëmijë. Ditën e kalonte në punë të fushës, ndërsa natën, me kandil para syve, thurte veshjet e dimrit për fëmijët. Nuk ka pasur kush e ndihmon as kush e udhëzon kurrë për këto punë. Vet i ka mësuar të gjitha mjeshtrit e vekut e të kërrabëzave! Ajo e donte jetën. Edhe fëmijët i ka rritë me çejzin e saj që e ka punuar kur ka qenë vajzë.
Me ato shtroja që kishte thurë në veg sa ishte vajzë, kur u bë nënë, i mbështolli e i rriti fëmijët. Ajo nuk ka menduar për trupin e saj para se të mendonte për fëmijët. Nuk ka fjetur kurrë para se të flinin fëmijët. Nuk është zgjuar askush para saj, jo!
Jo pak herë, plaku i kthehej vetvetes dhe tokës.
-Kjo tokë më ka rritur dhe nuk ndahem prej saj për të gjallë. Unë isha e jam, mu pse isha në këtë vend dhe në këtë tokë.
Bile, jo pak herë e kritikonte vetën, pse nuk e ka punuar tokën edhe më mirë.
-Kurrë nuk ia kemi dhënë hakun si duhet tokës, i thoshte vetit shumë herë.
Dilte gjyshi herë në njërin skaj të arës e herë në tjetrin dhe shkrihej nga gëzimi për bukën e re që ia dhuronte ara. Kënaqej kur vargonte duajt e grurit si të ishin ushtarë.
Edhe pushimin e kalonte në arë, vetëm për t’u kënaqur sa më gjatë.
– Pamjet e arave të punuara nuk mund t’i përshkruaj askush. Ato ndryshojnë minutë e çdo orë. Pas çdo pune, dukën edhe më të bukura. Jo pak herë, vet ky plaku ka fol me grurin në arë, sikur me njeriun. Qe kur mbinte gruri, e vizitoja çdo ditë. E shikoja si rritej para syve derisa piqej e merrte ngjyrë ari.
Sa herë kaloja pranë arës me misër, me dukej sikur po rritëm edhe vet. Kështu ishte jeta jonë. Dikur mbillnim më shumë elb e misër. Mbillnim një lloj elbi që piqej herët për bukë. Nuk e harroj për së gjalli ditën kur për herë të parë siguruam bukën për një vit. Siguruam jo vetëm bukën, por edhe farën që duhej mbjellë në vjeshtë. Ne, babëlok, mendonim edhe për farën që duhej hedhur me kohë. E përgatisnim çdo kokërr fare. Me vite, puna jonë u shndërrua në garë mes fshatarëve. Secili mësonte nga tjetri. Kur gjelbërimi mbulonte fshatin në pranverë, nuk mund e përshkruante dot njeriu gjithë atë bukuri ngjyrash pafund.
-Paska vdekur edhe Erifi !
Pse pat ikur nuk e mora vesh kurrë! Ka pas dyqanin e vet para dere ku punonte. Shtëpinë katër katesh ia pat ndërtuar i ati. E kam afër! E shoh çdo ditë thatë atë shtëpi të bukur. Erifi e pat lënë gjyshen gjallë kur shkoi në Amerikë. Deri vonë e shihja atë plakë sa herë dilte për të blerë bukë. I vinin besa edhe do çika. Dikur për ditë e më rrallë shihej në tarracat e shtëpisë. Pastaj vdiq edhe ajo. Ky Erifi nuk ka qenë plak akoma. Herën e fundit e pashë vjet duke i ujitë lulet në këtë shtëpi. Më nuk fliste siç isha mësuar më parë të ulemi e të bisedojmë e të qeshim buzë rrugës, pa zgjedhur hije. Ndoshta e paska pas lënë amanet për ta varrosur këtu?
Valla bre mixhë, të vdekur mos u ktheni hiq! Sot kur këta njerëz po e përcjellin për herë të fundit Erifin, nuk kam çka të them! A mund të flas unë plaku me varre? Po edhe kështu kur po flas vet me veti, me çyk të zorit po flas! Hallku po mendojnë që jam rralluar krejt. Të shkoj të varret e të flas me të vdekurit, kjo është tepër. Po ku flasin varret more njeri? Vetëm të gjallët janë dëshmi se këtu ka jetë. Ky amaneti është si kiameti!