Gazeta Nacional Albania

Adem Nimani: Dëshmitari nga Krimea, tregim

Loke!
Kur më ka le Kulli, unë kam dashtë me rritë atë fëmijë të shëndoshë si e ka falë zoti. Nuk mujsha me sakatua fëmijën tim, veç për mos me e marr mbreti ushtar! Kem pas mundësi me que dikën bedel në vend të Kullit, por ai nuk pranoi. Ai nuk donte që dikush i huaj të thirret në emër të tij.
Gjithmonë thoshte, nëse do zoti do ta kryej ushtrinë e do të kthehem shëndosh e mirë.
Atij axhës së babit tënd, Halilit, që tash e kemi komshi, sa u kanë në djep, baba i tij ia ka pre gishtin e mesëm të dorës së djathtë vetëm për të mos e marr mbreti ushtar! Ndonjë prind e ka ba kabull me sakatua fëmijën e vet të shëndoshë si molla, veç mos me marr mbreti ushtar. Kjo lokja jote nuk ka dashtë me lanë sakat djalin për asgjë!
Vallahi, edhe pse burri im nuk u kthye kurrë, as djalin tim nuk mujsha me ba kabull me e sakatua për së gjalli, e me pa ashtu gjithë jetën. Dikush ka mujt bre loke, por unë jo. I sakatonin fëmijët edhe mbanin fshehtë të vërtetën!
Nji farë Rama plak, ka jetue mbi tetëdhjetë vjet. Gjithë kohën e ka tërheq një këmbë zvarrë, që ia kanë nxjerrë nga kërdhokulla kur u kanë hala i vogël në djep, veç mos me e marr mbreti ushtar. Kështu i tregonte gjyshja nipit dhe i jepte shpresë se babi i tij do të kthehet shëndosh e mirë. Djali i djalit akoma ishte i vogël të kuptonte këto tregime të gjyshes. Megjithëse e kishte parë axhën shumë herë, as që i shkonte mendja që ai nuk e ka një gisht në dorë.
I biri i Kullit që kishte trashëguar emrin e të atit, sa më shumë që rritej, nuk i ndahej gjyshes me pyetje orë e çast; kur vjen babi nga ushtria! Do të vjen babi yt, do të vjen, i jepte gajret gjyshja. Gjyshja, me njërën dorë ledhatonte nipin e me tjetrën fshinte lotët. Së shpejti kemi për ta përqafuar babin të dy bashkë, unë e ti.
-Pse shkoi babi ushtar, nuk prante duke pyetur nipi i vogë!
-Babi do gëzohet kur të sheh sa je rritur! Kur të bëhesh burrë, ke për të kuptuar çka është ushtria! Djali i Kullit kishte bërë gjashtë vjet që kur kishte lindur, pa e parë të atin! Përditë dëgjonte thashetheme që i kishin për shpirt zijoshët. Lokja pa nipin nuk e bënte një hap.
Një ditë në Zezë u përhap lajmi se Hajredini që kishte shkuar ushtar bashkë me Kullin, ishte kthye nga ushtria.
Ishte mëngjes, akoma pa u nda mirë dita nga nata!
Vetëm majat e bjeshkëve përreth fshatit Zezë ishin ndriçuar nga rrezet e para të diellit! Shumë zijoshë akoma ishin në gjumë!
-A u zgjove Zio, e pyeti Ruli fqinjin e tij përtej gardhi!
– Ziu u përgjigj, por zërin e shterur të tij, Ruli nuk e dëgjoi fare! Kapërceu gardhin dhe të dy bashkë filluan bisedën e zakonshme
-Ke dëgjuar gjë mbrëmë, e pyeti Ziun nga afër!
-Jo, u përgjigj ai!
-Mbrëmë pas mesnate, dikush ka ardhur të Kokullët!
Ziut menjëherë i shkoi mendja të Hajredini, që kishte shkuar ushtar para disa vjetësh.
– More, ndoshta është kthye Hajredini nga ushtria?
– Nuk e di, tha Ruli!
Sa filloi dielli të ngritkej pak, dy zijoshët ulur mbi bar afër gardhit, po kënaqeshin me mahi pa kripë. Po flisnin e qeshnin pa gajle, pasi ishte herët dhe mendonin se nuk i dëgjonte askush. Brenda gardhit, ata as që mund t’i shihte dikush nga sokaku i mbërthyer nga shkurret në të dy anët.
Ziu, edhe pse ishte më i vjetër se Ruli për disa vjet, curronte veshtë, mos dikush kalonte sokakut e do t’i dëgjonte mahitë e tyre të pista e pastaj të tallej me ta gjithë ditën.
Pa kaluar shumë kohë, në shtegun e lamës, u panë dy zijoshë duke shkuar drejt shtëpisë së Kokullëve. Një krismë arme jehoi nga oborri i tyre.
– Veç tek u kthye Hajredini, se për tjetër, aty nuk qet kush pushkë, tha Ruli!
– Pasha atë zot, tek u kthye Hajredini, tha më zë të lartë Ziu!
Ruli u habit nga i doli ai zë Ziut, i cili deri në atë çast mezi fliste?! Siç ishte ulur, akoma pa e parë fare Hajredinin, u ngrit në këmbë e thirri me zë!
-Oou ish kthye Dini nga ushtria…!
-Oou ish kthye Hajredini …!
Pas thirrjes së Rulit, u dëgjuan edhe thirrje të tjera të zijoshëve. Lajmi u përhap në gjithë Zezën.
Familja e Hajredinit, ishin gëzuar nëpër terr! Pa ia parë fytyrën mirë Dinit, e kishin përqafuar të gjithë me rend. Djali e vajza e kishin përqafuar sikur të ishte një i huaj. As Hajredini nuk i kishte njohur dy fëmijët e tij sa ishin rritur! Gjithë familja kishin mbetur zgjuar deri në agim!
Edhe Ziu me Rulin shkuan për ta parë e takuar Hajredinin. Ai fliste e pyeste për gjithçka. Fliste herë herë edhe ndonjë fjalë në gjuhën osmane! Të gjithë po e shikonin e dëgjonin me habi, sikur të kishte pikë nga qielli.
Njeri pas tjetrit, nuk mbeti zijosh që nuk shkoi për ta parë ushtarin që ishte kthyer gjallë nga ushtria. Oda nuk i zinte të gjithë.
Kthimi gjallë i ushtarit nga lufta nuk ndodhte shpesh.
Dini akoma nuk ishte çmallur me familjen e tij, por e dinte se zijoshët do ta pyesin edhe për Kullin! Dikur vonë, dikush nga zijoshët e pyeti ku mbeti Kulli?
Pasi u mendua gjatë, u përgjigj!
-Kulli mbeti atje në Rusi!
Të gjithë u stepen!
Filluan pëshpëritjet! Dyshimet e zijoshëve ishin të zakonshme. Hajredini foli dhe iu tregoi, por shihte se zijoshët, nuk po bindeshin nga fjalët e tij.
Për të treguar krejt çka ka përjetuar në luftë, ishte e pamundur. Ai nuk e kishte lehtë të bindte zijoshët as për veti që ka qenë në luftë. Si mund t’i besonin zijoshët kur nuk kishin parë kurrë frontin? Ata e po e shihnin me sy Hajredinin që ishte kthyer gjallë nga ushtria! Shumë zijoshë që kishin shkuar ushtarë, nuk ishin kthye kurrë! Ishin thurë me qindra tregime e thashetheme për çdo njërin prej tyre.
Gjashtë vjet i kalova në luftë, por mendjen e kisha këtu në Zezë, kishte vazhduar të tregonte Dini.
Atij vendi ku luftuam i thoshin Krime. Ishte shumë larg. Atje kemi shkuar me vaporë, fill pasi e kemi krye talimin( pjesa e parë e shërbimit ushtarak)! Më nuk e kemi pa Edrenenë deri atë ditë që na kanë kthye pas përfundimit të luftës me rusë.
Ju nuk besoni, por më duhet t’ua tregoj edhe plagët që kam marr në luftë e që mu kanë shëruar. Më duhet të heq edhe tirqit për t’iu bindur. Kam plagë edhe në të dyja këmbët. Më shumë kemi luftuar me singia se me plumba. Pasi harxhonim fishekët, rusët vërsuleshin me mijëra, dhe ashtu fyt për fyt e gjoks për gjoks luftonim deri në fund. Katër herë më kanë plagosur e jam shëruar, dhe prapë jam kthye në front.
Një numër i madh i ushtarëve nga ana jonë u zumë rob. Edhe ushtria jonë zuri rob shumë ushtarë rusë. Na që u zumë rob, kaluam më shumë se një vit në Rusi. Na kanë detyrua të punojmë gjithçka që kishin nevojë ata. Kur punonim në ara apo në mal, e ndienim vetën më të lirë. Pak ymyd kishim me dal gjallë prej atje. Sa është e madhe dynjaja nuk e dini hiq?!Sa kemi qenë rob, askush nga ne nuk ka marrë kurrë haber – a letër nga shpia. Njeriu po mësohej gjithqysh!
Një ditë, Turkia e Rusia ishin pajtuar për ndërprerjen e luftës.
Kishin vendosur të na ndërrojnë neve që ishim robër.
Na rreshtuan në një fushë të madhe. Ai komandanti rus tregoi para nesh, se nga ky dakik jeni të lirë dhe mund të ktheheni në shtëpitë tuaja! Nëse dikush nga ju dëshiron të ndalet e të jetojë këtu, mund të ndahet menjëherë nga rreshti. Nga ky çast, kushdo që ndalet do të jetë i lirë dhe të jetojë e punojë këtu. Mund të martohet e të ketë familje edhe këtu.
Kemi mbet të habitur, kur rreshtat tonë filluan të rrallohen.
Edhe ushtarët rusë që i kishte zënë rob Turqia, i liroi! Edhe ata mund të zgjidhnin. Erdhi momenti për të parë kush po ndalet e kush jo!
Nga rreshti jem dolën shumë veta. Nuk kishim kujt çka t’i themi! U përshëndetem dhe u ndamë me bashkëluftëtarët e deridjeshëm. Neve na ngarkuan në disa anije të mëdha për t’u kthyer në Edrene! Atij detit të madh, tyrqit i thoshin Karadynyz! Edhe në Edrene mund të vendosnim a të kthehemi në shtëpi apo të mbesim të jetojmë në Turqi. Unë nuk jam luhatë asnjëherë. Sa larg isha veç zoti e di! Kulli me goxha do shokë mbeti atje në Rusi!
Familja e Kullit, nga ajo ditë që e kishin përcjellë djalin për të fundit herë, kishin numëruar ditët, pastaj javët e muajt që kalonin. Dikur përmendin vetëm vjetët që kanë kaluar prej kur ka shkuar djali ushtar. Ishin bërë katër vjet, e pastaj edhe gjashtë, por djali nuk ishte kthye. Qarkullonin vetëm thashetheme, siç e kishte zakon Zeza. Asnjë lajm i besueshëm nuk arrinte dot. Sa herë që shkonte dikush në han, nuk kthehej në shtëpi pa ndonjë rrenë të re. Në hanin e fshatit, thashethemet e zakonshme të zijoshëve, që mbreti po lufton me krajlin e Rusisë ishin të përhershme.
Festat e zakonshme në familje sillnin pak gëzim. Vinin miq e shokë, por për Kullin nuk dihej asgjë.
Nusja e re për disa vjet rresht, me veshje nuk dallohej nga vjehrra.
Kur kthehej nga punët e fushës, hynte në dhomën e vet ku ishte martuar! Hapte arkën e teshave të nusërisë dhe shpaloste e paloste çejzin e punuar me duart e saj që kur ishte vajzë. Ajo vetëm mund të ëndërronte pamjen e burrit. Paloste e shpaloste çejzin që po vjetrohej pa e veshur kurrë. Ashtu u mësua me kohë. Mendja i fluturonte të Kulli! Nuk e përthekonte as me mend sa larg ishte ai. As që mund të imagjinonte që Kulli me dëshirë do të ndalej të jetonte atje në Rusi dhe të martohej me një grua tjetër.
E ëma e Kullit, e mbetur e vejë me një djalë, që kur kishte ardhur nuse, sikur donte t’ia mësonte shprehitë e veta edhe nuses.
Djali që solli në jetë nusja, gjashtë muaj pasi shkoi Kulli ushtar, ishte rritur. Edhe atë e kishin pagëzuar me emrin Kull. Edhe kur e pagëzuan frikoheshin mos po ndillnin keq për djalin ushtar, babai i të cilit nuk ishte kthye kurrë nga ushtria.
Shpresat se djali do të kthehej nuk u zbehen as atë ditë që familja e Kullit, dëgjoi për kthimin e Hajredinit.
Fjalët e dëshmitarit i dëgjuan ditë me radhë miqtë e fqinjët që vinin pareshtur.
Pasi qenka gjallë Kulli, nuk e len pa u kthye, thoshin shumë prej tyre.
Ndoshta ai nuk e dinë që djali i tij është rritur e bërë burrë!
Pa lere çka thotë Hajredini, thoshte dikush?
Ku me ditë a u vra apo është gjallë Kulli?!
Familja e Kullit nuk e humbiste shpresën.
Puna e dëshmitarit në Zezë rrallë merrej seriozisht. Sa kalonin ditët, thashethemet shtoheshin. Zijoshët kishin dëgjuar këso dëshmish me vite të tëra. Dikush thoshte, se po të jetë gjallë Kulli, kthehet edhe nga fundi i botës?!
Dikush pëshpëriste me dyshim, se Kulli u vra, por Hajredini nuk po tregon, për të mos e mërzitur më shumë familjen.
Tregimi i Hajredinit, se Kulli mbeti në Rusi nuk ishte fort i zakonshëm.
Një ditë, edhe nëna e Kullit shkoi në shtëpi të Hajredinit, për të dëgjuar dëshmitarin. E pyeti për djalin e saj! Ai i tregoi po ato fjalë që ua kishte thënë të gjithë zijoshëve.
Me kalimin e kohës, Hajredini bezdisej nga mosbesimi që qarkullonte nëpër Zezë. Edhe po ta pyeste dikush, më nuk fliste për punën e Kullit. Në vend të tij, fliste gjithë Zeza. Kush e kush shfaqte dyshim, e shumë të tjerë talleshin me rrëfimin Hajredinit.
Vitet kalonin!
Dëshmia e njeriut që u kthye gjallë nga lufta turko-ruse në Krime, zbehej gjithnjë e më shumë.
Edhe djali i Kullit që po rritej, përditë e më rrallë e pyeste gjyshen kur kthehet babi?
Nënëlokja e mashtronte nipin me fjalë të bukura. I tregonte si e ka rritur djalin jetim edhe pse ai nuk u kthye kurrë! Babi yt do të kthehet! Pastaj i rrëfente pse shkoi ushtar Kulli! I tregonte lokja nipit edhe për ndonjë ushtar që u kthye gjallë nga lufta. I tregonte edhe pse dikush nuk ka shkuar kurrë ushtar?! Pastaj përpiqej të bindte nipin se babi i tij mund të mbahet ushtar edhe ndonjë vjet sa ka nevojë mbreti!
Sa më shumë që rritej djali i Kull Zezës, gjyshja e qetësonte me ndonjë tregim tjetër për të atin. Kemi pas mundësi të dërgojmë edhe një bedel në vend të tij, por Kulli nuk pranoi dhe vet u paraqit për të shkuar ushtar i mbretit. Kulli jem nuk e len pa u kthye!
Jo pak familje shumë kohë kalonin duke pritur bijtë e tyre të kthehen nga ushtria. Ndonjëherë, nëna e nusja vajtonin pa ditur a është gjallë apo ka vdekur djali në luftë. Pak ndonjë nënë mund të besonte se djali i saj ka vendosur të jetojë e gjej fat diku në një vend tjetër si Kulli.