Pesë dhi që i kishin mbetur për farë, Mujziu i lëshonte për të kullotur në çufrajën e fshatit ku nuk gjente hije as breshka. Zakonisht ai zgjohej më herët, në mënyrë që dhitë të rrjepin ndonjë fije bari që mund ta kapnin me lagështinë e mëngjesit. Vrasjen e dy burrave të Zezës, deri atë ditë as që e kishte paramenduar dikush nga zijoshët. Mujziu, kishte parë me sy, kur kolonët Ratko e Shuta kishin marrë Ukën dhe Brahimin nga shtëpitë tyre, dhe pa u larguar as treqind metra, i kishin vrarë e masakruan që të dy.
Rrëfente Mujziu si ishte zgjuar pa ndarë mirë nata e dita, derisa po qëndronte afër dhive mbi një gëmushë, po meditonte për aq shumë kolonë që ishin vendosur në fshat, e që po vazhdonin të vinin të tjerë. Në Zezë ishte vendosë edhe shtabi që po mbikëqyrte terrenin dhe po maste tokat që do t’u ndahen kolonëve gjatë ditëve tjera.
Muzgu akoma nuk ishte larguar mirë.
Megjithëse Mujziu kishte moshën e martesës, nusja për të akoma kishte mbetur krejt një ëndërr e paprekshme në atë varfëri që ishte katandisur, jo vetëm familja e tij, por gjithë Zeza. Për njëqind vjet zijoshët nuk kishin shtuar një pëllëmbë të arave edhe ashtu të liga që kishin hapur deri atëherë. Ata asnjëherë nuk ishin pajtuar për të ndarë mes tyre qoftë edhe një laticë lëndine për të shtuar arat që moti nuk po iu mjaftonin për bukën e motmotit. Gjatë verës, shumë herë nuk i shihej fundi thatësisë. Për të kullotur dhitë më larg, andej ku kishte më shumë dushk, bariut burrë, nuk i dukej ndonjë zgjidhje. Mujziu e qetësonte veten duke menduar se tufa e dhive të tij është tepër e vogël për më shumë mal.
I përgjumur, me shikim të tretur diku larg fshatit, shihte kodrinat tjera të mbuluara me dushk të dendur larg Zezës që së shpejti do të bëheshin prona të kolonëve.
Mujziun e tretur në mendime, e kishin trembur dy kolonë të maskuar, që kishin kaluar me hapa të shpejtë fare pranë tij. Atij as nuk i kishte vajtur mendja se kolonët kishin armë dhe po shkonin për të vrarë ndonjë fqinj të tij. I kishte parë dy fqinjët kolonë duke dal nga kasollja e tyre, por nuk kishte paramenduar ndonjë të zezë që ata mund të kishin përgatitur.
Derisa dhitë po çapitnin gjethet e fundit të atyre shkurreve të rrjepura deri në tokë, dy veta tebdil, me fytyra të maskuara me shamia të zeza, me pushkët e fshehura nën umbrellukë (pallto ushtarake serbe të kohës) kishin vazhduar udhën drejt kullës së Ukës.
Sikur nuk e kishin paraparë prezencën e bariut aq herët në agim, ata ishin shtirë sikur as nuk e panë Mujziun, me shpresë se as ai nuk i njohu fare.
Mujziu ishte rropatur me rradaken e tij se nga mund të kenë dal këta kukudhë, pos nga shtëpia e Ratkut që ishte aty afër. I kishte përcjellë në ç ‘drejtim po shkonin, dhe kishte parë mirë si iu kishin afruar shtëpisë së Ukës.
Menjëherë, pastaj, kishte dëgjuar qartë edhe thirrjen e tyre me zë; O Ukooo!
Pa pritur thirrjen e dytë, Mujziu menjëherë kishte dalluar mirë zërin dhe përgjigjen e vetë Ukës!
-O hajde brenda kumbara Ratko, hajde!
Kishte dëgjuar mirë zërin e Ukës, i cili e kishte quajtur me emër kukudhin Ratko. Më nuk kishte dyshim se ata ishin pikërisht Ratko dhe Shuta, dy vëllezër kolonë të vendosur kohë më parë në tokën e Trakaliçëve të Zezës.
Kishte dëgjuar mirë Mujziu sesi Ukzeza i kishte lutur disa herë që të hynin brenda në odë për nga një kafe.
-Jo, jo, kishin thënë kukudhët!
-Nuk kemi kohë, kishin thënë ata, por duhet të vini me ne në stacionin e xhandarmerisë ku po iu kërkojnë!
Ukzezën nuk e kishin prangosur menjëherë. Ai kishte dal gjysmëzhveshur nga shtëpia dhe po ecte para kukudhëve. Duke kaluar para shtëpisë se mixhës Sadri, Uka kishte parandier që po të shkonte vetëm me kolonët e armatosur, mund t’i ndodhte ndonjë e ligë.
Aty për aty, kishte vendosur ta thërriste edhe djalin e mixhës, që të shkonte me të. Ia kishte lëshuar një zë të dera e oborrit dhe Brahimi, iu kishte përgjigjur më të parën thirrjes së Ukës. Edhe ai kishte dal pa u veshur si duhet. Pa kaluar shumë hapa, kolonët ua kishin vënë prangat dy zijoshëve, me arsyetim se nuk mund t’i dërgojnë në stacionin e xhandarmerisë, pa i lidhur.
Pa kaluar edhe dy-treqind metra, aty ku lakonte rruga, prej nga më nuk shiheshin shtëpitë e tyre, kumbarët kolonë i kishin ndaluar dy burrat dhe kishin filluar t’i merrnin në pyetje. Pasi prangosjes i kishte kapluar frika për jetën e tyre. Me duar lidhur, më as që mund të paramendonin të bënin ndonjë rezistencë.
Nga kodrina tjetër, në largësi ajrore sa godet mirë plumbi i pushkës, krejt skenën e krimit e kishte parë mirë Braha i Danit nga lagja e Bajrukëve. Ai kishte parë me sy sesi dy kolonët i kishin qitë para pushkëve dy zijoshë të Zezës.
Rrëfimi pse Bajrukët nuk bën asgjë duke parë me sy vrasjen e Ukës e të Brahimit, është histori hidhur. Lagja e Ukës e Brahimit ishin në bela me Bajrukët. Buçi i zijoshëve më herët kishte vrarë një burrë të Bajrukëve. Ata pastaj për hakmarrje, kishin vra të atin e Ukës, Aliun. Dy lagjet që jetonin shumë afër njëra tjetrës nuk ishin pajtuar kurrë. Kishte ardhur çasti që para syve të Bajrukëve, kolonët të vrisnin dy burra të lagjes së zijoshëve, por ndihma nuk po vinte nga askush.
Mujziu kishte vazhduar të qëndronte me dhitë e tij, dhe më nuk mund të ndiqte se çka po ndodhte me Ukën e Brahimin. Udha kishte një kthesë të madhe e të fortë, që ia mbyllte shikimin andej kah sokaku i qershive. Pas bërrylit të parë rruga shpinte andej nga varret e lagjes. Ajo pjesë e udhës shihej si në pëllëmbë të dorës nga Lagja e Bajrukëve. Ratku e Shuta ua kishin drejtuar pushkët Ukës e Brahimit. Bajrukët kishin shikuar e dëgjuar me zë edhe çdo pyetje që kolonët ia kishin bërë Ukës. Pyetjet nuk kishin zgjatur shumë dhe krismat e pushkëve ishin dëgjuar shpat me shpat.
Kukudhët, pasi kishin vrarë Ukën e Brahimin, i kishin therë me singia shumë herë në trup e fytyrë. Ashtu të lidhur i kishin lënë të vdekur afër shkurreve dhe vetë kishin ikur. Pas krismave të pushkëve, familjarët e Ukës dhe Brahimit kishin vrapuar rrugës deri në vendin e krimit dhe i kishin gjetur burrat e tyre të masakruar.
Dihej gjithçka!
Ishte parë gjithçka, jo vetëm nga Mujziu e nga Braha i Danit, por edhe nga Bajrukët tjerë. Braha që kishte parë gjithë krimin, dhe kishte dëgjuar çdo fjalë që kishin këmbyer dy vrasësit me Ukzezën, kishte heshtur për disa ditë me radhë nga frika për veti. Askush nga pushteti i instaluar serb, as që ishte marr me këtë vrasje.
Ukzeza la tre djem e një vajzë jetime.
Brahimi nuk la askënd, pasi ai ishte ma i ri dhe akoma i pa martuar.
Pas varrimit të Ukës e Brahimit, për shumë ditë me radhë kishin ardhur për ngushëllime njerëz të afërm e të largët, të njohur e të panjohur. Kishin ardhur për ngushëllime edhe shtatë burra nga lagjja e Bajrukëve të cilëve iu kishte pri vetë Braha i Danit. Ai kishte treguar çka ka parë e çka dëgjuar gjithë kohën duke shikuar nga bregu ekzekutimin e Ukës dhe Brahimit. Zijoshët që ishin në pritje, në atë të pame, i kishte kapluar heshtja. Shihej qartë frika e tyre për jetë. Derisa nga kodra përballë rrugës së Qerrshive, Bajrukët kishin parë çdo gjë që kishte ndodhur, për çudi, askush nga katër familjet e zijoshëve, kushërinj të Ukës e Brahimit, që kishin shtëpitë më afër vendit të krimit, nuk kishte lëvizur fare.
Marrëdhëniet mes familjeve të zijoshëve që ishin kushërinj me Ukën e Brahimin, ishin të acaruara me vite. Ata, moti as nuk flisnin mes tyre. Të gjithë ishin kushërinj të afërt, bij, nipër e vëllezër që deri vonë kishin jetuar bashkë në një familje, por pasi qenë ndarë, marrëdhëniet mes tyre ishin këputur deri në palcë. Megjithëse ishin kushërinj të afërm, ata kishin dal në vendin e krimit, vetëm pasi kishte përfunduar gjithçka. Askush nuk fliste për ndonjë hakmarrje. Askush nga xhandarmëria që ishte vendosur në Runik nuk kishte shkuar për të parë se kush kënd ka vrarë.
Edhe Mujziun që kishte parë me sy Ratkon e Shuten kur i kishin nxjerrë nga shtëpitë Ukën e Brahimin, e kishte kapluar frika. Po atë ditë që ndodhi krimi, Mujziu sapo ishte kthyer në shtëpi iu kishte rrëfyer të atit dhe vëllezërve krejt çka kishte parë.
Uka pat lidhë kumbari me Ratkon menjëherë pasi koloni serb ishte vendosë në tokën e Trakaliçëve, kumbaria nuk bëri punë. Zijoshët nuk mund e fshihnin tronditjen dhe frikën për jetën e tyre. Edhe pas këtij krimi, ata nuk kishin hequr dorë nga ideja që edhe vet të lidhnin kumbari me ndonjë kolon, duke shpresuar se ndoshta ashtu mund të jenë më të sigurt.
Pa kaluar shumë muaj, pas vrasjes së Ukës e Brahimit, i vëllai i Mujziut, Mani kishte lidhur kumbari me Stanojen, dhe të vëllain e tij Milladinin.
Askush nga zijoshët më nuk ndjehej rehat dhe kështu i erdhi radha edhe kumbarës Stanoje që të bënte roje në kasollen e Fejziut, kinse për të ruajtur atë dhe djemtë e tij.
Ishte vjeshtë e vonë! Sapo kishte rënë muzgu! Pasi kishin ngujuar në kasolle dy kijet bashkë me pesë dhitë që ishin pasuria e vetme e tyre, familja e Fejziut kishin mbyllur derën duke ia mbështetur pas një lis të trashë. As që iu shkonte mendja se në çfarë kasolle jetonin? Ajo ngrehinë druri e dushku kishte plot vrima të hapura në të katër anët, prej nga mund të depërtonin edhe ujqërit e dhelprat. Megjithëse e kumbarët Ratko e Shuta kishin vrarë Ukzezën e Brahimin, Fejziu me djemtë e tij po besonin se kumbara i tyre, Stanoja do të ofronte siguri për ta!
Vëllait të madh të Mujziut, Manit, menjëherë pasi kishte dëgjuar rrëfimin e Mujziut që ka parë nga afër Ratkon e Shutën kur e kanë e kanë marrë Ukën nga shtëpia, i kishte shkuar mendja se ata do të përpiqen të vrasin vëllain e tij, pasi ai mund të jetë dëshmitar në rast se bëhet ndonjë hetim i krimit. Kishte imagjinuar Mani shumë gjëra të kota se çka mund të bënin kolonët vrasës, dhe ia kishte pre mendja se duke lidhur kumbari me ndonjërin prej tyre mund ta shpëtonte familjen. Ashtu edhe kishte vepruar. Ai, kishte filluar të shoqërohet me Stanojen. Shkuarje ardhjet mes tyre ishin shpeshtuar. Mani shpresonte se nuk po e gënjente veten duke i besuar Stanojes, dhe ai do të jetë garanci për sigurinë e familjes së Fejziut.
Mirëpo, kumbara Stanoje, çdo fjalë e lëvizje e kishte bërë me plan djallëzor për të vrarë gjithë familjen e Fejziut.
Kishte ardhur edhe çasti kur do të duhej të dëshmohej kumbaria. Një mbrëmje, kumbara Stanoje kishte ardhur për ta ruajtur familjen e Fejziut.
Zijoshëve iu kishte hyrë tmerri. Askush nuk guxonte të dilte nga shtëpia, as për nevojat më të thjeshta. Edhe kolonët ishin frikësuar nga ndonjë hakmarrje e mundshme e zijoshëve.
Të gjithë kishin menduar se kolonët që vranë Ukën e Brahimin nuk do të ikin aq shpejt nga shtëpitë. Ata ishin parë duke punuar në ara edhe të nesërmen. Edhe pas dy netësh, kishte tymuar oxhaku i tyre. Derisa zijoshët mendonin se vrasësit nuk do ikin, ata ishin tretur natën nëpër terr, pa i parë askush.
Në Zezë kishte plot kolonë të tjerë.
Fejziu plak me tre djemtë jetimë po kalonin jetën në një kasolle druri mbuluar me dushk. Mbanin dy kije dhe pesë krerë dhi të kuqe. Derisa e ëma iu kishte vdekur më herët, i vëllai i madh i Mujziut, mësoi të gatuante, pasi tjetër shteg për jetë nuk kishte familja.
Buçi, fqinj i parë i Fejziut, mbante pushkë që nga koha e mbretit. Të mbash pushkë me leje edhe pas kolonizimit serb, nuk ishte fort e zakonshme. Askush nuk e përgojonte Buçin pse mbante pushkë, megjithëse ai, moti ua kishte sjellë shpirtin në fyt të gjithë zijoshëve të Zezës duke u krekosur si koçobash i fshatit.
Buçi si Buçi, koçobash, e mbante veten çdo herë më trim se të tjerët, që kur e kishte lindur nëna. Ai tinëz kishte lidhë kumbari me kmetin e katundit, Diken. Herë pas here zijoshët kishin parë Buçin duke shëtitur me kalë së bashku me të. As Fejziu e as tre bijtë e tij, nuk kishin fol kurrë për këtë jarani të Buçit me Diken, megjithëse kishin kuptuar edhe shumë të liga të tjera, autor i të cilave ishte pikërisht Buçi.
Natën që kishte ardhur kumbara Stanoje për të ruajtur familjen e Fejziut, sapo kishte rënë terri në tokë, kasollja ishte gjendur e rrethuar nga komitët serbë. Gjithë atë rrëmujë që ishte krijuar me rastin e rrethimit të kasolles, e kishte parë e përcjellë vetë Buçi. Të nesërmen, këtë fakt e dëshmon krejt padashur, e shoqja e tij.
Në shtëpinë e Fejziut i cili jetonte me tre djem jetim, të gjithë burra, atë natë kishte ardhur për t’i ruajtur ata vet kumbara Stanoje. Kishin ndezur zjarrin në mes kasolles. Derisa po ngroheshin në atë mbrëmje të ftoftë vjeshte, ishte dëgjuar nga jashtë një thirrje drejtuar Manit që të hapte derën?! Ai kishte refuzuar. Derisa kumbara Stanoje po nxehej afër zjarrit kishte filluar të hidhte më shumë kashtë në zjarr për ndriçim më të mirë të cakut. Mani iu kishte ngërmua fort që të fikte zjarrin, ngase sulmuesit tashmë po shtynin derën për ta hapur me dhunë. Derisa Fejziu përpiqej të fikte zjarrin, katër pushkë nga afërsia ishin zbrazur përnjëherë drejt kasolles.
Fejziu me tre të bijtë e tij ishin shtrirë për tokë.
Kumbara Stanoje ishte shtri afër zjarrit.
Pasi kishin pushuar krismat, tre vëllezërit kishin kontrolluar trupat e tyre për ndonjë shenjë gjaku, apo plage. Kishin shikuar mirë e mirë edhe kijet e dhitë mos i ka goditur ndonjë plumb, por të gjitha kishin shpëtuar pa asnjë gërvishtje.
Kishin shikuar edhe kumbarën Stanoje, por ai nuk po lëvizte!
E kishin thirr me zë në emër, por kot. Atë e kishin goditur tre plumba nga katër sa ishin shkrehur drejt kasolles. Kishin ndezur pak më shumë zjarr me kashtë, për të parë më mirë kumbarën, por ai më nuk po merrte frymë.
Për të bijtë e Fejziut, shpëtimi nuk solli gëzim, por trishtim.
Çka do të thonë tash të tjerët kur kuptohet si ngjau kjo vrasje. Askush nga zijoshët fqinj nuk lëvizi. Megjithëse shtëpitë e tyre nuk ishin aq larg nga njëra tjetra. Fejziu me tre djemtë e tij kishte kaluar natën pa gjumë.
Ta njoftonin nëpër terr të vëllain e kumbarës së vrarë Milladinin, as që kishin guxuar.
Kishin pritur agimin.
Sapo kishte zbardhur dita, e shoqja e Buçit kishte ardhur e para. Ajo pa menduar për fjalët që thoshte, kishte treguar se edhe Buçi gjatë tërë kohës sa ka zgjatur rrethimi, ai ishte sjellë me armë rreth shtëpisë se vet.
Me kalimin e orëve ishin zgjuar edhe zijoshët tjerë të fshatit.
Mujziut i kishte ra hise të shkonte ta njoftonte të vëllain e kumbarës së vrarë, Milladinin. Pastaj kishin ardhur edhe kolonë të tjerë të cilët kishin filluar menjëherë të shushurinin dhe të akuzojnë të bijtë e Fejziut për vrasjen e Stanojes. Për të hequr dyshimet se kush e vrau kumbarën Stanoje, duhej pritur ekspertiza nga një komision i pushtetit
Mujziu kishte rrëfyer shumë herë për frikën që i kishte kapluar pas vrasjes së kumbarës. Pushteti për këtë vrasje mund t’i akuzonte e t’i arrestonte katër anëtarët e familjes së Fejziut.
Pas dy ditësh kishte ardhur për ekspertizë një komision nga Mitrovica. Në fund, familjen e Fejziut e kishte shpëtuar i vëllai i kumbarës së vrarë, Milladini, i cili kishte deklaruar para organeve të pushtetit se nuk ka dyshim që vëllain e tij ta kenë vrarë të bijtë e Fejziut. Kështu kishte përfunduar edhe kumbaria.
E shoqja e Buçit që kishte jetuar edhe shumë vjet më vonë, gjithmonë thoshte se zoti e vrau kumbarën Stanoje që kishte ardhur me hile. Atë natë vetë kolonët kishin dërguar Stanojen që të përgatiste terrenin për vrasjen e tre të bijve të Fejziut, por nëpër terr, plumbat kishin goditur pikërisht kumbarën që po hidhte kashtë në zjarr për të ndriçuar djemtë e Fejziut, që ishin cak i kolonëve vrasës.