Çdo fjalë e çdo lëvizje, pashai plak e kishte bërë me tertip, por askujt nuk i kishte vajtur mendja për këtë, Nuk e kishin lexuar pashain me kohë as dy sejmenët e tij, e hiq fare hyzmeqarët e përhershëm . Pasi pashai nëntëdhjetëvjeçar kishte larguar natën dy zonjat e reja që i kishin shërbyer deri dy ditë më parë, ai dukej i relaksuar sikur të ishte përtërirë. Atë ditë që zonjat kishin dal në shëtitje me pajton pa aguar dielli, e nuk ishin kthye në kohën e zakonshme, dy sejmenët kishin shfaqur dyshim të fortë se pashai plak ka përgatitur diçka me tertip. Edhe sejmenët më herët kishin parë se pashai ka fshehur sasi të madhe ari dhe atë mund ta largonte tinës drejt kryeqytetit. Gjithçka mendonin sejmenët, por hiq fare për frontin e luftës që ishte ende larg zonës Krra=Krra. Asgjë nuk dukej aq e dyshimtë. Se çka ka mbetur në depo të armëve pa tërhequr nga ushtria, nuk kishte zijoshë, bir nëne, që të imagjinonte diçka.
Terri kishte rënë në tokë, ndërsa zonjat nuk ishin kthye akoma në saraj. Pashai plak nuk dukej i brengosur fare. Atij, për çudi, nuk i pushonte goja me mahi pa krip që nuk i kishte zakon. Tallej me vetveten dhe sejmenët, miq të vjetër, sikur të ishin leckamanë të rrugëve. Edhe këto shaka, despoti plak po i bënte me tertip.
Zbrazja e arkivit të kadastrit që kishte ndodhur natën, dhe furnizimi me material të ri e kishin mjegulluar mirë çdo nuhatje zbulimi.
As zhdukja e myfti-bashit po atë natë nuk u bë punë e madhe në shehër.
Edhe moskthimi i dy grave, zonja të Pashait nga shëtitja e zakonshme rreth e çark qytetit, po kalonte pa shumë thashetheme!
Pashai ishte i bindur se sejmenët që nuk ja kishin kthye kurrë një fjalë, që nuk ia kishin refuzuar kurrë një urdhër në kohërat më të vështira të luftës, janë akoma po ata dallkaukë, taravolë, dhe nuk kuptojmë asgjë çka po flet ish eprori i tyre, tashmë krejt i matufosur për ta..
-Mos i ka ardhur vdekja këtij dallkauku rezil e katil, po mendonte vet me veti Karaxhozbeu, truprojë shumëvjeçare e pashait.
– Ai tallet me ne, kur dy zonjat e tij nuk janë kthye në saraj tash tri ditë rresht. Bile, ai as nuk na tha të dalim diku, të shohim e të pyesim diçka?!
– Krejt këto marri bizare, ky taravol, i cili shumë herë dinte të çmendej edhe për një mizë, tash i bën me tertip, mendonte sejmeni tjetër.
Kishte kaluar plot një javë, por zonjat me pajton që ishin parë për herë të fundit duke kaluar mes për mes sheshit të kryeqytetit të Vilajetit nuk po ktheheshin.
Sejmenët po mendonin seriozisht se krejt këtë ngjarje, pashai e ka kurdisur me tertip. Ata mendonin se ato tashmë janë rehatuar në kryeqytet.
Përditë e më tepër po shtohej bindja e tyre se kanë deshifruar tertipin e pashait dhe nisen planin e tyre për të nxjerrë ndonjë fjalë.
Pse pashai duket sikur nuk i ha palla për zonjat që nuk janë kthye në saraj tash një javë. Kjo sjellje, sejmenëve po u dukej dyshimtë. Filloi tu sillet ndërmend arka me flori si kurrë me parë. Për një javë nuk u larguan nga saraji, kinse po brengosen për pashain e vetmuar. Të mbushur dyshim po përcillnin çdo lëvizje të plakut mjekërbardhë. Kontrollonin me sy, sikur pa dashur, çdo skutë të sarajit. Shëtisnin sikur të ishin banorë të përhershëm të sarajit, por plaku matuf shtihej sikur ata fare nuk po i bënin përshtypje me sjelljet e tyre. Kontrolluan verandën e pashës midis luleve në oborrin e sarajit, por nuk pikasën gjurmë serioze të arkës. Oborri i sarajit, ishte i rregulluar sipas shijes së zonjave, me këshilla të oborrtarëve të dikurshëm dhe të kopshtarëve më të njohur të shehrit të Mustafë Agës. Ata në fillim mendonin se veranda, ku pashai kalonte kohën me vapë gjatë verës, nuk ishte vend aq i përshtatshëm ku mund ta fshihte arin. Pasi andejpari mund të kalonin më shumë mysafirë, sejmenët nuk u lodhën shumë për të kërkuar. Pas një dite, që në dukje e kishin kaluar krejt në qetësi, ishin pajtuar se arka duhet të jetë groposur e fshehur bash nën apo afër themeleve të verandës.
Pashai, për dekada posedonte katër dyqane ari. Në ato dyqane hynin vetëm të pasurit, bejlerët e agallarët, e shumë rrallë tregtarët e pasur. Sa për ndonjë kontroll të shtetit as ju shkonte mendja. Këtë e dinin mirë sejmenët që e kishin shoqëruar pashain gjithë kohën e shërbimit..
Pyetjeve të sejmenëve për fatin e zonjave, pashai iu përgjigjej me shpoti.
-Babo, zonjat janë te reja dhe ato kthehen. Ndoshta kanë shkuar për vizitë diku më larg, apo zoti na ruajë kanë gjetur burra të rinj?!
Ai me nëntëdhjetë vjetët e tij, akoma dukej i kthjelltë. Fliste për kohën kur ishte martuar dhe si ka zgjedhur vashat më të bukura me kokallë. Fliste si ka zgjedhur vashat më të bukura të vilajetit. Kështu, dukej sikur donte të provonte të nervozonte sejmenët, që ata do të largoheshin vetë. Hap pas hapi, fjalë pas fjale, me kalimin e ditëve, sjellja dhe fjalori i pashait, i solli sejmenët në pikën e duhur për hakmarrje.
Motivi ishte i thjeshtë-arka me ari.
me kalimin e ditëve, r çdo fjalë që fliste pashai, sejmenëve ju dukej se ai po fliste me tertip.
Për një çast, hiq pa pritur, dy sejmenët, burra, rrezuan pashain në minder. Plaku, këtë vërsulje e mori si mahi të sejmenëve sikur në kohën rinore. Sejmenët kishin gabuar. Plaku nuk u frikësua fare. Nuk nxori një fjalë të vetme. E zhveshën cip cullak, por kot. Metodat tjera ishin të njohura. Nuk foli pashai. Ia hoqën edhe kokën. Nuk kishin çka merrnin. Dy sejmenët morën gjithë rrobat e pashës, por nuk gjetën edhe një lirë të vetme. Ata ishin të vendosur, qoftë edhe duke gropuar gjithë sarajin deri në themel për të gjetur arkën me flori, por kot.
Gjithçka që kishte folur deri tash Pashai, e ka thënë e bërë me tertip, mendonin sejmenët. Pashai moti kishte mbaruar shërbimin ndaj padishahut dhe askush nuk mund të priste që dikush të hetonte vrasjen dhe zhdukjen e tij, mendonin sejmenët.
Në fund të themelit të verandës ku pashai kalonte kohën gjatë vapës në verës, pasi gropuan me kazma krejt afër, gjetën arkën plot me lira.
Nuk u gëzuan shumë, pasi tashmë kishin vrarë pashain. Atë mund ta kërkojnë zonja e tija që mund të kthehen ?! I kaploi frika nga kthimi eventual i zonjave! Më nuk merreshin me analiza të sjelljes e të fjalorit të pashait por si të dalin prej aty me arkën plot flori.
Menduan shumë për ndarjen e lirave. Nuk dinin as të numërojnë më shumë se deri njëqind. Ashtu ndanë lirat duke numëruar dhjetë herë nga njëqind.
Sapo i ndanë lirat, të dy filluan të mendonin keq për njëri tjetrin, dhe përpiqeshin të flasin me tertip edhe me shoqi shoqin. Asnjëri nuk kishte ndonjë ide se çka mund të fshihte me tertip njeri apo tjetri me ato fjalë që nxirrnin nga goja, Sa kuptonte njëri këtë gjuhë të koduar, së paku po aq e kuptonte edhe tjetri.
-Pasi saraji tash ka mbetur pa të zotin, pse mos të rrimë e të jetojmë këtu? po mendonin të dytë. Të dy ranë në ujdi që arkën ta kthejnë bash aty ku e kishin gjetur. Mendonin se nuk ka vend më të sigurt brenda sarajit.
Po në atë vend ku e gjetën arkën me ari, e groposën serish. Atë mund ta shfrytëzojmë kur të duam, mendonin ata. Nuk po rehatoheshin dot.
Sikur filluan ti frikësohen gjumit, por këtë brengë e mbanin sekret nga njëri tjetri. Secili i frikohej tjetrit nëse bie fle.
Natën tjetër filluan të mendojnë për origjinën e atyre lirave.
Sa kohë që mendonin prej nga i ka fituar pashai gjithë ato lira, pa zbardhur drita kujtuan kohën kur ishin martuar. Kujtuan edhe kur i kishin shitur lirat përgjysmë më lirë për të shkolluar fëmijët në kryeqytet. Pashai u kishte dhënë lira me fajde sa herë kishin kërkuar. Ata ja kishin kthyer fajdenë herë dyfish e herë trefish. Krejt çka kishin bërë deri tash në saraj, iu dukej tamam hakmarrje. Kishin harruar fare kthimin e mundshëm të ordhisë nga fronti.
I pari i ordhisë kishte shënime për pasurinë e çdo pashai dhe në të shumtën e rasteve dinte edhe vendin ku fshihnin arin.
Akoma zgjuar, duke biseduar mes veti, se si një pjesë e atyre lirave ishin të tyre, por edhe të tjerat pashai i kishte fituar në mënyrë të njëjtë nga fshatarët tjerë.
Ordhia zuri hyzmeqarët shtrirë në minderet e pashait, afër gropës prej nga kishin nxjerrë arkën me flori. Pa asnjë pyetje, pa asnjë fjalë, në heshtje të plotë i furën të dytë. Pasi i ekzekutuan i varrosën larg verandës, thellë në lulishten e sarajit. Ordhia vepronte sipas irades, por zhdukja e gjurmëve të tre njerëzve dëshmonte se ishte bërë me tertip, për të mos u zbuluar lajmet tronditëse që vinin nga fronti i luftës.
Krejt ngjarja që ndodhi në saraj, nga zijoshët u kuptua sikur një trillim i zakonshëm, ashtu siç ishin mësuar deri tash.
Askush nuk merrej me punët e një pashai plak, apo se çka po ndodhë në sarajin e tij. Shoqërimi i tij me dy sejmenët, ishte tepër i njohur që moti.
Shehri i Mustafë Agës edhe për shumë ditë nuk kuptoi gjë për fatin e pashait plak dhe të dy hyzmeqarëve të tij. Gjithçka kishte përfunduar aty në verandën e pashait.
Të gjitha rrëfimet për ngjarjen që kishte ndodhur, filluan të marrin kahe të ndryshme. Secili njeri që dëgjonte trillin për ngjarjen në sarajin e vjetër, pas çdo rrëfimi të ri, mendonte se gjithçka që flitej, po bëhej krejt me tertip dhe e vërteta nuk do të zbulohet kurrë.
Bile as Grremçi që ishte bërë shumë i njohur me fallin e tij për dukuri të ndryshme, nuk dyshonte fare se ky tregim mund të jetë pjellë e dikujt, krejt me tertip, që dëshiron të fsheh edhe vrasjen edhe arkën me ari. Me kalimin e ditëve, tregimi për tre të vrarë u harrua fare. Gjithçka që flitej, thuhej se është me tertip për të zhdukur gjurmët e arkës dhe diçka shumë e madhe fshihet pas këtyre përrallave.
Vetëm Grremçi mendonte se pashai nuk është vrarë fare, sikur as sejmenët e tij. Zonjat e tij kanë marrë arin me pajton dhe tashmë janë strehuar në kryeqytet. Ai edhe nuk kishte kujt ti thoshte çka mendon, dhe çka mund të ndodhë nesër në Shehrin e Agës, sepse askush nuk mund ti besosnte?!
Fshatarët gjatë gjithë pushtimit osman nuk merreshin me punë të hyqymetit. Shumica merrej me bagëti e bujqësi. Nuk mbillnin më shumë drithë se që ju duhej për bukën e motmotit. Problemi më i madh për masën e gjerë fshatare ishin martesat. Të pasurit nuk merrnin vajza nga të varfrit për zor të madh. Edhe kur i merrnin ato vajza, thjeshtë i blinin. Ata blinin nuse me lira ari. Madje blinin edhe stof mëndafshi që u bë i njohur shumë herët e që vinte nga Damasku. Të pasurit, me stof Damasku ua merrnin sytë edhe vashave më të bukura
Dyqanet e shtrenjta nga Stambolli ishin plot mall. Nuk mungonte asgjë. Nuk mungonin sidomos mallrat e shtrenjta.
Askush nuk fliste një fjalë për tkurrjen e Perandorisë.
Mallrat e shtrenjta njiheshin vetëm nga tregtarët. Nëpër hane, që ishin hapur në fshatrat e thella malore mund të gjendej vetëm krip e gaz(vajguri). Gazepi për fshatarë kriste vetëm kur dikush duhej të martohej e të bënte dasmë. Gëzimi për martesa shuhej sapo arrinte letra e nuses mbushur me kërkesa për familjen e djalit. Të gjitha ato pak gjera përballoheshin disi, por kur caktonte familja e vajzës dhjetë deri 50 lira ari, familja e djalit rrezikonte të mbetej fillikat. Grremçi hundëgjatë, që nuhaste çdo ngjarje, çdo fjalë e lëvizje, moti kishte kaluar moshën e martesës dhe këtë punë e kishte fshi nga memoria e tij.
Për çudi, edhe falltarët kishin fare pak punë.
Puna e tërheqjes së arit nga shehri, moti do të qe bërë temë, por të pasurit mes veti bisedonin me tertip, në mënyrë që të mos kuptonte masa fshatare. Pak kush nga mileti kuptonte gjuhën e hyqymetit. Edhe nëse dikush kuptonte diçka, pas dy tri pyetjeve kapitullonte para shitësit të arit. Ari edhe shitej edhe blihej nën masa sigurie të lartë. Kur blinte fshatari një lirë ari nga artari, i kushtonte dy fish. Kur fshatari ia shiste lirën artarit, ai ia blinte përgjysmë më lirë.
“Luaje mace kryet e buallit”! – thoshte populli.
Sa kohe që po vazhdonin do farë ethesh, akoma pa arritur era e barotit në kryeqytetin e Kazasë, shumica e njerëzve as që kishin kuptuar se bejlerët e agallarët tashmë kishin transportuar gjithë sasinë e arit në kryeqytetin perandorak.
Këtë tertip as që e ishte kuptuar dikush nga masa, derisa një ditë, një fshatar kishte kërkuar të blinte pesë lira ari. Tregtarët i kishin thënë, jo pesë, por as gjysmë lire më nuk e gjeni në shehër!. Kishte krisur gazep për ata që kishin vaden për martesë. Po ku i hante palla shitësit të arit për fshatarin?
Krejt çka mund të blihen në qytet ishin mallra të rëndomta, pa ndonjë vlerë.
Shumë vonë, pas fatkeqësisë që i kishte ndodhur karvanit që qerreve me kuaj të dovletit, kur po transportonin dokumentet e kadastrit në Stamboll, dhe kur shumë regjistra kadastral i kishte marrë lumi, pas përmbysjes së karrocës, lajmi ishte përhapur vonë. Askush nuk kishte kuptuar çka transportohej e çka jo nga hyqymeti. Pse ata muaj ishin të fundit për atë hyqymet pesëqind vjeçar, as që mendonte dikush akoma.
Tregtarët e pasur, nëpër dyqane kishin lënë vetëm ndopak mbeturina mallrash të lira, krejt me tertip për të fshehur prapavijën e largimit të arit. Ato mallra të pavlerë, zakonisht ua shisnin tregtarëve të vegjël.
Psenë e largimit të rojës së fundit të kalasë, e kishte ditur vetëm myftibashi. Myftibashi kishte ditur edhe për bartjen sekrete të gjithë dokumenteve të kadastrit nga arkivi i shehrit të Mustafë Agës. Kishte ditur ai edhe për largimin e gjithë sasisë së barotit nga depot, por nuk kishte nxjerrë një fjalë nga goja. Ku të nxirrte zë, kur atij ia kishin krerë gjuhën, atë natë që ishte zbrazur depo Kishte ditur ai se është larguar edhe ushtari i fundit dhe shehri ka mbetur pa mbrojtje, por nuk mund të tregonte asgjë, përveç me gishta
Myftibashi kishte ditur edhe për largimin e pajtoneve me zonjat e rënda të shehrit. Kishte pa shehri i Mustfaë agës edhe shumë asharet, por vetëm myftibashi dinte tertipin që akoma nuk e kishte kuptuar askush. Vetë Myftibashi, kishte kuptuar tertipin ditën kur janë bartur për kryeqytet regjistrat e kadastirit, por ajo ditë kishte qenë e fundit për të.
Gjithçka dukej si më parë në kazanë e Mustafë Agës. Bile askujt nuk i shkonte mendja se ka diçka të re nga fronti i luftës që ishte tepër larg.
Grremçit nuk i dukej normale lëvizja e madhe e njerëzve.
Po ashtu edhe blerjet nëpër dyqane i dukeshin të zakonshme. Kripa, vajguri, sheqeri kafja po shiteshin pak më tepër, por edhe ky ndryshim nuk dukej si ndonjë risi për të shfaqur dyshim. Veshmbathjet dhe jorganët shiteshin krejt normalisht si çdo ditë të zakonshme. Po kush mendonte a kush bisedonte për zbrazjen e depove të barotit?! Askush!
Kishin kaluar muaj të tërë, nga ajo ditë kur ordhia, natën kishte zbrazur gjithë depon e armëve dhe të municioneve. Edhe nëse dikush kishte vërejtur ndonjë dukuri të dyshimtë, e kishte vështirë të ja thoshte dikujt. Grremçi, që ishte një tip fort i heshtur, mendonte për shumë gjëra që po ndodhin, por akoma më shumë besonte se rrjedhat ishin të zakonshme dhe asgjë nuk po behej me tertip.
Iu kishte shtjerrë jorgani me të cilin mbulohej natën. Nuk kishte akoma një qindarkë për të blerë jorgan të ri, por i shkoi mendja të pyeste sa kushton një jorgan në dyqan.
Grremçi, duke parë furnizimet e shtuara të dyqaneve me mallra, jo aq të nevojshme, që nuk ishte e zakonshme më herët, kishte hyrë në dyqanin e parë të jorganëve! Ai kishte befasuar edhe shitësin, pasi nuk ishte parë të hynte në ndonjë dyqan kush e di sa kohë. Mezi e kishte hapur derën e dyqanit mbushur me jorgan e shtroja të reja.
Shitësi, i befasuar nga pyetja e Grremçit për çmimin, i tregoi së mall më të lirë nuk ka pasur deri sot.
Grremçi u habit fare! Kurrë në jetën e tij nuk kishte dëgjuar që të jetë liruar diçka nga gjerat elementare për jetë.
-Pse u befasove nga çmimi? Kemi sjellë shumë jorganë për nevojat e njerëzve. Dovleti kujdeset për njerëzit e vet! Dovleti kujdeset edhe për ty o Grremç!-kishte llomotitur shitësi
Shitësit tashmë dëgjoheshin duke bërtitur!
-Hajde jorganë të rinj! Kemi edhe shtroja leshi e pambuku! Gjithçka fare lirë! Kemi liruar edhe basmat e mëndafshit nga Damasku.
Grremçi më nuk pyeti askënd. Ai mendonte se këto gjera bliheshin fare rrallë nga fshatarët. Jorganët e shtrojat bliheshin vetëm kur shqyheshin e copëtoheshin fare ato të vjetrat. Çmimi i gjerave elementare nuk kishte ndryshuar për asnjë qindarkë.
-Kripa e vajguri nuk qenkan liruar! Si është e mundur që dyqanet të mbushen me jorganë e shtroja të reja në këtë kohë? Kjo më duket sikur po ndodhë me tertip! Sa zor është të kuptohet gjuha e furnizimit të qyqaneve me mallra?
-I shkoi mendja të pyeste diku edhe për barot! Në këtë rast, qeshi me të madhe. Ha ha ha!
-Do të pyes nga sa po shitet baroti, edhe nëse më vrasin?- i tha vetit me zë.
Ata që blinin barot kishin lidhjet e tyre tepër sekrete. Grremçi nuk kishte pyetur kurrë në jetën e tij për çmimin e ndonjë arme, aq më pak për barot apo municion.
-Mund të qeshin me mua! Edhe nëse shfaqin dyshim e pyesin ndonjë njeri për mua, askush deri sot nuk ka dëgjuar se Grremçi merret me këso punë të ndaluara e të dënueshme, po mendonte në heshtje.
Pa ju afrua vendit ku supozohej se shitej barot, dikush e preku pas shpine! -Ku ke mësy o Grremç aga?
-Këndej nuk shiten jorganë, por barot?!
I befasuar, Grremçi pyet Gërdallën!
-A di ti mos ka zbritur çmimi i barotit?
Pas kësaj bisede në rrugë, gjithçka filloi ti duket e dyshimtë.
Pa bërë edhe dy hapa tutje, Grremçi e Gërdalla u ndanë. Asnjëri nuk kishte çka të pyeste tjetrin.
Pas shëtitjes së zakonshme, Grremçi u mbush dyshim. Kuptoi se jorganët janë liruar dhe ka kudo nëpër dyqane, por për të pyetur a ka barot në depon e ushtrisë, nuk ja mbante. Nga ajo ditë filloi të vrojtonte edhe të pyeste për çdo lëvizje të qerreve të ngarkuar dhe ku po shkarkohen ato.
Karvanët e tregtarëve që po sillnin mallra me qerre kuajsh, dallohen shumë nga ato të dovletit, mendonte Grremçi. Mund të paramendonte gjithçka, por nuk kishte pasur kurrë ndonjë rast që të shihte ndonjë karrocë ushtarake që shkarkonte barot brenda kështjellës, të cilën zakonisht i ruante ushtria. Përditë e më shumë po mendonte se edhe baroti në depo po sillej apo tërhiqej me tertip
-Mund të jenë ato qerre të zakonshme me kuaj, të mbuluara me shtroja apo me jorganë?! Mund të jenë të mbuluara me qilima a sixhade sikur qerret e nuseve?! Tashmë, ai besonte se diçka e madhe ka ndodhë ne depot e municioneve dhe të armëve, por nuk kishte akoma as guximin më të vogël t’i thoshte dikujt apo ta pyeste dikën tinëz auditorit.
Për shtatë ditë rresht shëtiti bri rrugës që shpinte drejt kalasë ku supozohej se është depo e armëve dhe barotit. Pikërisht në ditën e diel, kur kishte humbur shpresën për të zbuluar diçka, pa tri qerre të mbuluara që po dilnin nga dyert e kështjellës. Kuajt dukeshin të djersitur, krejt të rraskapitur. Grremçi u hutua fare!
-Kanë ngarkuar apo kanë shkarkuar diçka?- për të ishte krejt e pa rëndësishme.
As nuk i kishte shkuar mendja pse nuk po shihte dy zonjat pashait duke shëtitur me pajton nëpër shehër! Aq më pak po mendonte pse ishte trefishuar çmimi i arit. Tek kur pa duke lëvizur qerret e kuajve ngarkuar, nuk po dilte dot nga gjendja e transit në të cilin kishte rënë duke u përpjekur të zbërthente gjithë ato ndryshime, që tashme ishin bërë e po bëheshin krejt me tertip.
Adem Nimani : Vetëm Grremçi nuhaste erën e barotit, tregim
![](https://i0.wp.com/gazeta-nacional.com/wp-content/uploads/2025/02/adem-nimani.webp?fit=656%2C373&ssl=1)