Gazeta Nacional Albania

Adil FETAHU: Në njëvjetorin e shkuarjes së Zeqir Lushajt në amshim. AI KURRË NUK DO TË HARROHET

-Jetë nuk janë vitet, por veprat-

Më 10 nëntor të vitit të kaluar (2021), në moshën 72-vjeçare ndërroi jetë gazetari, poeti, prozatori, publicisti, kritiku letrar, shkrimtari, burri i shquar i Malësisë, mërgimtari, njeriu – Zeqir Lushaj, nga fshati Gri i Tropojës, me vendbanim në shpat-malin mbi Portin e Shëngjinit, të Lezhës historike. Të nesërmën u vorros në vendlindje, sipas amanetit që kishte lënë, pranë varrit të babait të tij, Sadik Selman Lushajt.
Zeqir Lushaj (8 mars 1949 – 10 nëntor 2021), shkollën fillore (katërvjeçare) e kreu në vendlindje, ndërsa 7-vjeçaren në fshatin fqinj, Geg-Hysen. Në vitin 1967 ka krye Shkollën Pedagogjike “Shenjaze Juka”, në Shkodër. Qysh si maturant, Zeqiri botoi shkrime në “Zëri i Rinisë” e më vonë edhe në shtypin qendror të Shqipërisë.
Pas diplomimit në Pedagogjiken, punoi tri vjet mësues në Geg-Hysen. Në vitet 1970-1973, kreu studimet e larta në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi”, në Tiranë, ndërsa stazhin pasuniversitar e bëri në Shkollën e Mesme të Tropojës (së Vjetër). Prej qershorit 1974 deri në fund të vitit 1977, ishte redaktor i gazetës “Zëri i Rinisë”, pastaj instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Rinisë, e pas shtatë vjetëve, instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të Forumit Demokratik Shqiptar, kurse në vitet 1991-1993, zgjedhet Sekretar i Përgjithshëm i atij Forumi. Ka krye dhe detyra tjera, por kurrë nuk i ndërpreu shkrimet dhe bashkëpunimin me shtypin e kohës. Prej vitit 1998 deri 2014, bashkë me të shoqen, Sabrijen, jetuan dhe punuan si emigrantë në Njuxhersi (ShBA). Pas pensionimit, u kthyen në Atdhe dhe vazhduan jetën në Shëngjin. Më 14 shtator 2020, bashkëshortja Sabrija ndërroi jetë, ashtu që për më pak se katërmbëdhjetë muaj që mbeti i vetmuar në shtëpinë e tij të madhe, pasi djali i tij i vetëm, Lulzimi, jeton dhe punon në Zvicër, ndërroi jetë edhe Zeqiri.

Gjatë sëmurjes dhe pas vdekjes së Sabrijes, Zeqirit iu gjetën më afër se askush tjetër dhe ishin krah i fortë e mbështetje njerëzore çifti bashkëshortor dr.Domenika e Arben Kapllaj, nga Lezha, të cilët e vizitonin në shtëpi, e merrnin në shtëpinë e tyre dhe bënin vizita të përbashkëta në qytete të ndryshme. Për gruan e Zeqirit, dr.Domenika ka shkruar e botuar librin-memorial, të titulluar: “Gruaja fisnike Sabrije Lushaj”. Ky çift u kujdesën dhe iu gjetën Zeqirit pranë edhe gjatë sëmurjës së tij të shkurtër e deri sa ndërroi jetë dhe u vorros; herë-pas-herë e vizitojnë edhe vorrin e tij.
(Zeqir Lushaj e Adil Fetahu,2015)
Jeta në kurbet
Sa ishte në Amerikë, Zeqiri e përjetonte rëndë jetën në kurbet dhe për atë ka botuar shumë shkrime në prozë e në poezi, të cilat pastaj i ka përfshirë në librat e tij. Ka pasur një stil të veçantë të shkrimit të poezive, në më të shumtën e rasteve fuste fjali ndërmjetësore, që ia shtonin ose sqaronin kuptimin dhe e lidhnin rimën e vargjeve të strofës. Veç kësaj, nga libri në libër, fuste e ribotonte nga 4-5 poezi nga libri paraprak, me qëllim forcimi të unitetit të krijimtarisë së tij në tërësinë e saj. Në shkrimet e tij mbante anën e gegënishtës.
(Nga e djathta: Zeqir Lushaj, Arben e Dr.Domenika Kapllaj, Hava dhe Adil Fetahu, Shëngjin, qershor 2021)
Në librin “Si n’kurbet, bre vëlla!” (100 vjersha – ditar kurbeti), ka shprehur tërë vuajtjet, mallin, nostalgjinë e gurbetçarëve, dhe pyet: “A ja vlen”?
“Rrugëve të botës,
Pa zënë vend,
Puno si kali,
Jeto si qen”!
Si njeri i afirmuar në atdheun e vet, komunikativ dhe i dashur nga të gjithë, me një shoqëri të gjërë, kurbetin e përjetonte rënd:
“Më grryen vetmia,
Më shumë fati, që,
Kaq larg na hupi.

Si n’kurbet, bre vëlla,
Shpirti (im) në erozion,
Moliset… dhe shpreson”.

Por “Ziki”, siç e quanin atje, kurrë nuk e hoqi nga mendja vendosmërinë për t’u kthyer në Atdhe, dhe ua la amanet mërgimtarëve:
“Amanet, vëllazën t’mërgimit,
Ta këndojmë bashkë këngën e kthimit…”.

Kur vendosi vet të kthehet në Atdhe (maj 2014), vendit mikpritës i shkroi këto vargje lamtumirëse:

“Lamtumirë Tokë e Premtuar,
(siç t’paç thënë: – Mirë se të geta!)
Krenarisht i shtrëngojmë duart,
Lamtumirë për sa t’jetë jeta!

Tash po nisna për At’Dhe,
(Jetë rrencake…,Eja – Ik),
Po nuk mrrina (!) bani order,
Një tufë lule në Atlantik”.

Nga dy rreshtat e fundit të poezisë së cituar më sipër, shihet se, nga malli dhe dëshira për t’u kthye në Atdhe, kishte frikë në mos po ndodhë ndonjë fatkeqësi ajrore e nuk po mund të arrijë në Atdhe, prandaj lë amanet që në rast se ajo ngjanë, në shenj “përcjellje”, t’i hudhet një tufë lule në Atlantik.

MOTIVI I VDEKJES NË POEZITË E ZEQIR LUSHAJT

Vdekja është realieti më absolut në botë. Sepse, çdo njeri dhe çdo gjallesë tjetër mbi tokë, nën tokë, në ujë ose në ajër, do të vdesë, më heret apo më vonë. Jeta dhe vdekja shkojnë paralel, dhe në fund vdekja triumfon.
Çdo njeri normal e mendon vdekjen e vet. Për arsye të kuptueshme, mërgimtarët dhe të moshuarit këtë e mendojnë më shpesh. Zeqir Lushaj në shumë poezi të të tij, po edhe në prozë, në kontekste të ndryshme e potencon vdekjen, qoftë në veten e parë (vdekjen e vet), apo në veten e tretë (vdekjen e nënës, babait, etj.). Nuk ishte kjo shprehje e frikës ose pesimizmit të Zeqirit për jetën, por shprehje e realizmit, të cilën e përdorte edhe si metaforë apo eufemizëm. Megjithatë, fitohet përshtypja sikur Zeqiri kishte një parandjenjë se vdekjen nuk e ka larg.
Nga opusi i poezive të Zeqir Lushajt, shkëputëm disa strofa a vargje, që kanë për motiv temën e vdekjes. Në përmbledhjen me poezi ”Piedestali”, vdekjen e quan ilaç kundër halleve të jetës:

“Ilaçi më i mirë
i halleve të kësaj jete,
(jepet pa reçetë)
Ka vetëm një emër – vdekje!”

Në të njëjtën libër, në poezinë “Profecia ime”, autori thotë se dikush që ndoshta akoma nuk ka lindë, do të merr ndonjë nga librat e mi t’i lexojë, mund edhe t’i pëlqejnë e të emocionohet dhe do të pyet për autorin e do t’ia vizitojë vorrin:

“Një nga këta soj robësh,
Do të marrë një zotim,
(ndoshta për shumëkënd budallallëk)
Një ditë autorit tek varri
Do t’i shkojë për nderim”.

Edhe proza edhe poezia e Zeqir Lushajt është e mbushur me urti popullore e mesazhe për jetën dhe vdekjen. Në poezinë “Rekomandime”, autori thotë: Kur je i mërzitur, mos telefono; kur je nervoz, mos shkruaj poezi; kur nuk i beson pushkës, mos i dil kujt në pritë; dhe
“Mos iu tremb vdekjes,
Që ta largosh at’ditë”.

Në poezinë “Ooo sa keq”, autori bënë autokritikë, në emër të më shumë se qindramijëra njerëzve, të cilët të paknaqur me jetën, të zhgënjyer apo të penduar nga raportet me njerëzit, iu shkon jeta duke thënë o sa keq: që e desha aq shumë Iks-Ypsilanin; që luftova aq shumë për demokraci; që e mora rrugën e gurbetit; që u ktheva në Shqipëri; dhe përfundon me:
” O sa keq që linda,
Sa mirë që po vdes”!

Në librin “Duhama e Valbonës”, në vargjet e pesëmbëdhjetë strofave të poezisë “Kacafytem me vdekjen”, autori shpreh dhembjen e kullës së mbetur shkret në Gri, aty ku u lind dhe u rrit. Aty pret kot në mos po i shkon kush në kullë, por jo, dhe e kujton babain Sadikun dhe vëllanë Ukën, të ciilët kanë vdekur: “ka vdekur edhe rruga”, sepse nuk vjen asnjë mysafir. Autori mezi e kalon natën aty:

“Në vetminë e kullës,
Në shtëpinë ku u linda,
(sa i madh sikleti!),
Unë dhe vdekja,
kacafytemi ndërveti”.

Në të njëjtin libër, në vargjet e poezisë “Po-qe-se”, autori lë porosi, që “nëse një ditë më lypni e s’më gjeni, apo nëse vet ju më përcillni për në tjetrën jetë, ju lutëm, mos thoni vdiq filani, jo, jo, për mua ngushëllohuni e thoni: – ka dalë në bjeshkë”.
Në poezinë “Kalendari i jetës” (në librin “Pengjet”), Zeqiri sikur kërkon një afat prej vdekjes, sepse ka edhe tri dëshira t’i arrijë në jetë: njena është ta nderojë Nënën; tjetra, ta pret t’i lind një nip; dhe e treta – t’i botojë edhe disa libra.

“Mbas këtyre,
Këtyre tre dëshirave,
Nuk lutem që
Të jem shumë jetëgjatë”!.

Zeqir Lushaj nuk i shiste librat. Nuk bënte tregëti me to. Ato u falte miqve, shokëve, bibliotekave, mysafirëve. Në stilin e tij të mahisë, thoshte: “në ekonominë e tregut, librat e mi sikur nuk ndjehen aq mirë. Unë ua kam dhënë dhuratë nga shpirti, e sa do t’i vlerësoni, është e drejtë e juaj”:

“Me një dorë libra (falas),
(Dora thatë s’ka uratë)
Shpërndaj nëpër At-Dhe,
Takohem e çmallem,
Rri me dashamirët,
Sikur pijmë një kafe.

Gjithë Ai,
(kushdo qoftë Ai-Ajo)
Që i lexon këto libra,
E falënderoj (dhe),
Mbi 100 fish,
M’i ka pague”.

Në vargjet e poezisë “Ju, si thoni”, thuase autori parandjen vdekjen e tij të afërt:

…”Më pëlqen varri, me dru lisi,
Katër lëndë, prej palcës qarrit,
Përmbi dhe t’tokës griçore,
Veç lendinë me bar t’livadhit.

Një rrasë guri, bukur t’randë,
Me ma djerg prej Bjeshkës Epër,
Me çekiç me shkrue te koka,
Emnin tim, dhe kurrgja tjetër.

Nuk due hekur as betone,
Asnjë lloj pllake mbi mue,
Gur-Dhe-Dru, prej tokës time,
As gardh rrethit, hiç nuk due.

Get, se jam i mbrami i fisit,
Që e due vorrin nën atë Bli,
Kur t’pushoj n’tokën që m’lindi,
N’kambë do t’çohem përsëri.

Nuk due t’preki kjo vjershë,
Të parin as të mbramin,
Është thjeshtë debat-dëshirë,
Jo ndonjë amandet për varrin!

Amanetet më shqetësojnë,
(Ato rëndojnë, me gjithë mend),
Bëre ç’bërë në të gjallë…!
Tani vdiqe,
Edhe i vdekur me zgjedhë vend…?!

KU JANË DHE PSE NUK U BOTUAN DORËSHKRIMET QË LA ZEQIR LUSHAJ?

Për të gjallë të vet, Zeqir Lushaj botoi 12 libra. Ato nuk i botoi një nga një, njënën pas tjetrës, por në dy kontigjente, nga 6 libra. Kontigjentin e parë e botoi në 60-vjetorin e lindjes së vet, ndërsa të dytin shtatë vjet më vonë (më 2016). Nga kontigjenti i parë janë këto libra: 1) “Hija e vendlindjes (vjersha)”; 2) “Lisi i shkruar (vjersha)”; 3) “Fjala mbi tel (tekste këngësh popullore)”; 4) “Dyqani i mendjes (shkrime publicistike)”; 5) “Vdekja e varreve (ditar mërgimi)”; dhe 6) “Pengjet (vjersha)”. Ndërkaq, në kontigjentin e dyë, atë të vitit 2016, botoi: 1) “Si n’kurbet, bre vëlla (vjersha)”; 2) “Zbehje e heroizmit (shkrime publicistike)”; 3) “Duhama e Valbonës (vjersha)”; 4) “Piedestali (vjersha)”; 5) “Rrokada”- politike (vjershërime)”; 6) “Sportit i mbeta borxh (reportazhe, portrete, kujtime)”.
Në takimet që kam pasur me Zeqirin në Shëngjin, më pat thënë se po e përgatitë kontigjentin e ri, prej 7 librash, për 70-vjetorin e lindjes së tij. Nuk arriti t’i botojë për 70-vjetorin e lindjes, që ishte viti 2019. Vitin tjetër (2020), i vdiq grueja (Sabrieja, ndjesë pastë) dhe mbeti i vetmuar dhe pa elanin as vullnetin për punë që kishte më parë. Kur u takuam në qershor të vitit 2021, në bisedë e sipër, më tregoi se librat i ka në proces të botimit, dorëshkrimet i ka dorëzuar në shtypskronjë, por ata të shtypshkronjës gjithnjë kanë do arsyetime për vonesën e shtypjes, ndërsa ky e kishte me përparësi botimin e monografisë për njëvjetorin e vdekjes së gruas së tij Sabrijes, monografi të cilën e kishte përgatitur me shumë përkushtim Dr.Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj. Zeqiri dëshironte që ajo monografi të del nga shtypi për njëvjetorin e vdekjes së Sabrijes (14 shtator 2021), dhe ashtu ndodhi. Por, dorëshkrimet e tij nuk u botuan sa ishte vet gjallë Zeqiri, e që ndërroi jetë më 10 nëntor 2021. Kam kërkuar nga disa adresa, të marr vesh nëse janë botuar këtë vit (2022), ose janë në proces të botimit, por nuk kam arritur marr informacion. Mendoj se Zeqir Lushaj ka pasardhës, ka familjarë, ka shumë miq, të cilët kanë mundur të kujdesen e të angazhohen për botimin e librave që Zeqiri i ka lënë në dorëshkrim. Ai e ka merituar një nderim të tillë, t’i botohen librat që i ka lënë në dorëshkrim, dhe të promovohen në mënyrë dinjitoze në njëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim. Ai vet e thoshte: “Jetë nuk janë vitet, por veprat”. E Zeqiri la vepra, la fjalë, la burrëri, la mikpritje e bujari si të atij e askujt tjetër.

Zeqir Lushaj meriton t’i botohet kompleti i të gjitha veprave të lëna, të botuara ose të lëna në dorëshkrim, sepse ato janë një pasuri për letërsinë shqiptare dhe një monument kujtimi për autorin.
Po, edhe pa këtë, Ai kurrë nuk do të harrohet!

Adil FETAHU