Site icon Gazeta Nacional Albania

Akademik Gjovalin Shkurtaj: Nexhat Maloku veprimtar arsimor i njohur, mësues dhe drejtues i LAPSH-së “Naim Frashëri” (Zvicër)

 

Gjatë viteve të punës si pedagog universiteti dhe si gjuhëtar specialist kam pasur rastin të njihem dhe me një yjësi mësimdhënësish e veprimtarësh arsimorë e kultutorë në diasporën arbëreshe të hershme dhe në diasporën e re në disa vende të Evropës. Qysh nga viti 2001 e në vijim, disa herë radhazi, kam qenë edhe në Zvicër, i ftuar për të marrë pjesë në tubime e konferenca shkencorë të organizuara nga LAPSH “Naim Frashëri.  Kam bashkëpunuar dhe kam drejtuar një doktorat me temë pikërisht marrëdhëniet e shqipes dhe të gjermanishtes në kantonet zvicerane gjermanishtfolëse, të realizuar nga prof.dr. Basil Schader; kam kumtuar në dy a tri veprimtari shkencore të organzuara atje (në Bernë, më 2001), në  Zyrich (më 2013) etj. si dhe kam botuar kumtesa e artikuj në përmbledhje studimore të LAPSH-së. Kam pasur kënaqësinë të njoh e të vlerësoj shumë nga arsimtarët dhe drejtuesit e LAPSH-së, si Mahir Mustafa, Nexhat Maloku, Nexhmije Mehmetaj etj.

Sivjet, gjatë ditëve të korrikut, u takuam në Durrës dhe kaluam një mbrëmje të këndshme në shoqërinë e dy  miqve kosovarë nga Zvicra, z.Nexhat Maloku, drejtues i LAPSH-së  dhe arsimtar i gjuhës shqipe në shkollat e mësimit plotësues, si dhe të zonjës Ramize Maloku, gjithashtu edukatore e mësimit shqip në kopshtin parashkollor të Zyrihut. I kemi njohur qysh këtu e 25 vjet më parë, kur kemi marrë pjesë në Konferencën e organizuar në Bernë, kemi qenë dhe në shtëpinë e tyre në Zyrich dhe, po ashtu, gjatë verës, kur vijnë me pushime në Qerret, takohemi me kënaqësi dhe, natyshëm, bisedat tona ndjekin si të thuash kahun e intervistave për punën dhe mbarëvajtjen e mësimit plotësues të shqipes në diaporën shqiptare.

 

Së pari, disa të dhëna përnjohëse dhe vlerësime më të përgjithshme

 

Nexhat Maloku vjen nga komuna e Gjilanit, ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Pastaj ka studiuar në Universitetin e Prishtinës në degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe, të cilën e ka kryer në afatin e paraparë. Pas përfundimit të fakultetit është regjistuar në magjistraturë, të cilën e ka kryer me sukses, duke mbrojtur temën “Krijues shqiptarë në Zvicër 1981-2010”. Në periudha të ndryshme kohore është burgosur tri herë për shkak të angazhimit në lëvizjen kombëtare. Në vitin 1991 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1993 e deri në korrik 2025 ka punuar mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në kantonin e Cyrihut. Gjatë kësaj periudhe, përpos mësimdhënies është angazhuar edhe në detyra të ndryshme në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim  Frashëri” në Zvicër (LAPSH) fillimisht në cilësinë e kryetarit e pastaj të koordinatorit në kantonin e Cyrihut si dhe ka udhëhequr LAPSH-në në nivel të Zvicrës në tri mandate. Ka udhëhequr kursin e gjuhës shqipe për të rritur për të huajtë në Shkollën e Lartë të Udhëtimeve në Zürich, është angazhuar si përkthyes dhe ndërmjetësues ndërkulturor në fushën e arsimit në Zvicër. Në Shkollën e Lartë për Punë Sociale në Cyrih ka përfunduar me sukses një studim në fushën e mediacionit ku është certifikuar si mediator. Ka bashkëpunuar me Drejtorinë e Arsimit të kantonit të Cyrihut si koordinator i LAPSH-së për kantonin e Cyrihut. Në një mandat ka qenë përfaqësues i komunitetit shqiptar në Këshillin për të Huajtë në qytetin e Cyrihut. Ka udhëhequr seminare të ndryshme për mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, Gjermani, Angli, Suedi, Belgjikë, Itali e Greqi. Nga viti 2000 e deri më 2008 ka udhëqur projektin e financuar nga Zvicra  “Në hap me kohën” në tri komuna të Kosovës, në Gjilan, Viti dhe Dardanë (Kamenicë) në të cilin kanë marrë pjesë mbi 1700 mësimdhënës dhe janë realizuar mbi 40 projekte të vogla në fushën e infrastrukturës nëpër shkolla. Ka qenë për një periudhë bashkëpunëtor i organizatës HEKS të Zvicrës. Nga viti 1997 e deri më tani është bashkëpunëtor në disa projekte i SHkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Është udhëheqës i qëndrimeve studimore të mësuesve zviceranë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë Veriore dhe i mësuesve nga Kosova në Zvicër. Është bashkëkautor i teksteve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Është paraqitur me prezantime në seminare të ndryshme dhe në shkollat zvicerane e institucionet e ndryshme arsimore. Ka përkthyer dokumente të ndryshme të fushës arsimore si dhe një numër librash për fëmijë e po ashtu edhe gjashtë tekstet didaktike për mësimin në gjuhën e prejardhjes. Është autor i publikimeve mbi mësimin plotësues të botuara në Zvicër e Kosovë. Është bashkëkoordinator i botimit të librit jubilar “30 vjet shkollë shqipe e mësimit plotësues në Zvicër”, etj. Është nderuar me mirënjohje të ndryshme, si mësues i dalluar në vitin 1995 nga qeveria në egzil e Republikës së Kosovës dhe më vonë nga Ministria e Arsimit e Kosovës, si dhe disa herë nga LAPSH-ja për angazhimin në kuadër të saj. Është vlerësuar nga kryetari i qytetit të Cyrihut për punën në kuadër të Këshillit për të Huajtë të qytetit të Cyrihut. Është nderuar me mirënjohje nga një numër shkollash në komunën e Gjilanit, Vitisë dhe Dardanës gjatë periudhës së realizimit të projektit “Në hap me kohën”.  Është nderuar me mirënjohje nga shkolla “Hasan Prishtina” e Prishtinës për kontributin e dhënë si mësues për një periudhë dhe për bashkëpunimin mes mësuesve zviceranë dhe atyre kosovarë etj. Është nderuar me mirënjohje nga Rrethi shkollor Limmattal i Cyrihut për punën shumëvjeçare në shkollat e qytetit të Cyrihut. Me rastin e pensionimit, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin në të mirë të mësimit në gjuhët e prejardhjes është nderuar me çmimin Comenius nga shoqata e 32 përfaqësuesve të gjuhëve të huaja në Cyrih. Gjithashtu ka marrë mirënjohje nga prindërit dhe vlerësime nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Zvicër.

Edhe pas pensionimit vazhdon të përkrahë shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër dhe të kontribuojë në fushën e ndërmjetësimeve etj.

Në fakt, sa herë shihemi, bisedat tona janë jo vetëm miqësore, po edhe të ngjashme me ato që në kohët e reja po quhen me togfjalëshin “dreka a darka pune”. Dhe, sikundër do të shihet në rreshtat vijues, përveç lajmit se Nexhati sivjet ka  mbushur moshën e pensionit dhe nuk do të jetë më në rolin e tij më se tridhjetëvjeçar si mësues e drejtues i LAPSH-së, pyetjet e mia e të Leonorës dhe përgjigjet e Nexhatit e të Ramizes, janë plot me të dhëna e kumte interesante për punën e madhe vullnetmirë e të palodhshme që është bërë dhe vijon të bëhet në diasporën shqiptare në Zvicër e më gjerë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të shqiptarisë e të vlerave etnokulturore të trashëguara nga vendlindja.

Mund të thuhet se, në kohën e sotme, fati i gjuhës shqipe ka hapësira, gjeografikisht të ndara e të shpërndara, por të lidhura në të njëjtën hallkë të hershme e të përhershme të etnicitetit e kombëtarisë shqiptare, si pjesë e mbijetesës dhe e vetëruajtes: shqipja e shqiptarëve në atdheun e vet (në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat shqiptare kompakte ballkanike (në Republikën e Kosovës, në Maqedoni, në Mal të Zi,  në Greqi) dhe shqipja në dhe të huaj  (në diasporat  e hershme (në Greqi, Itali, Zarë (Dalmaci), Mandricë (Bullgari), Ukranë, Turqi, Egjipt etj.) dhe në mërgata më të reja (në shumë shtete të Evropës dhe në Amerikë, Australi etj.).

Por, nuk mund të mos themi se fati i gjuhës shqipe në mërgatat shqiptare, të hershme e të reja, nuk është kudo aq “rozë” sa në Zvicër  apo në Suedi, prandaj edhe sprova për një“prognozë” lidhur me fatin a (më mirë) perspektivën e shqipes në vitet e dhjetëvjeçarët në vijim, na detyron që  pyetja përsëri të jetë e bigëzuar apo në dy kahe:

A.Çfarë duhet të bëjnë për gjuhën shqipe shqiptarët në vendin e vet (përkat. në Republikën e Shqipërisë  dhe në Republikën e Kosovës, ku tashmë kanë edhe njohjen e statusin e tyre më të lartë edhe si gjuhë shteti), në Maqedoni e ku, së paku formalisht, nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarëve u njihet e drejta e ushtrimit të gjuhës shqipe; në Mal të Zi, ku, gjithashtu, janë bërë e po bëhen edhe përpjekje për të pasur shkolla shqipe e për të gjetur hapësira për ushtrimin e shqipes edhe si gjuhë e shkruar e botimeve dhe e disa mjeteve të informimit.

B.Çfarë duhet të bëjnë arbëreshët dhe shqiptarët në dhe të huaj, në diasporat e hershme historike dhe në ngulimet e reja e të shumta në gati të gjithë Evropën, po edhe në Amerikë, Australi etj?

Pyetjes së parë, me sa kam ditur (e me sa kam mundur) gjatë gjithë karrierës sime si gjuhëtar, i jam përgjigjur me artikujt e shumtë, me intervista e reagime të  shpesha në mediat elektronike e në shtypin e shkruar dhe me disa prej librave të mi, nga të cilët njëri, madje, e ka edhe përgjigjen qysh në titull: “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur”. Por dashuria, ruajtja dhe mbrojtja e saj duhet të jenë jo vetëm të shpallura, por edhe të organizuara, të bëhen peng nderimi e detyrim i të gjithëve, të shtohet përgjegjësia dhe kujdesi i shtetit (përkat.shteteve) dhe i krejt shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës, të përkrahen e të ndihmohen të gjitha nismat dhe organizimet e arsimtarëve dhe veprimtarëve shoqërorë, që synojnë të bëjnë aq sa munden për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare.

Puna për mbrojtjen e gjuhës shqipe nuk është vetëm e gjuhëtarëve. Madje ky është keqkuptimi më i madh që vjen, ndër të tjera, edhe nga mjegullnaja e disa shkrimeve kundër shqipes standarde, sidomos e disa diletantëve, qoftë edhe dashamirës a thjesht nostalgjikë. Gjuha shqipe është e të gjithë shqiptarëve, është treguesi më i parë i përbashkësisë kombëtare, të mbarë atyre që i thonë bukës bukë e ujit ujë. Mbi të gjitha, duhet ta shtojmë kujdesin për gjuhën shqipe si lëndë mësimore në të gjitha shkollat shqiptare, në botimet, në gazeta e në mediat e folura.Të hyjmë në Evropë të veshur me kulturën shqiptare dhe gjuhën shqipe. Edhe shqipja e vogël është sot një gjuhë që vlerësohet e nderohet aq sa i takon, në larminë e plurilinguizmit të Evropës dhe të krejt rruzullit. Po theksoj vetëm një fakt, që shumëkush mund të mos e dijë: shqipja, prej disa vitesh, në universitete të mëdha të Amerikës është përfshirë në programet e “gjuhëve kritike” dhe çdo vit, në kurset e shqipes për të huaj vijnë studentë e gjuhëtarë të rinj që nga Arizona e largët.

Në mbyllje, si sintezë e asaj që ritheksuam, besoj se vlen thirrja përgjëruese e Naim Frashërit:“Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”. Kjo porosi e bilbilit të shqipes duhet të na frymëzojë e të mbetet gjithnjë, si qiri, si vravazhkë e si flakadan, nën dritën e të cilëve të gjithë të jemi veçse shërbëtorë të përulur e të devotshëm të kësaj Zonje të Madhe, së diasporën shqiptare në Zvicër, i bëjnë nder dhe i sjellin shërbesa  e ndihmesa të vyera, jo vetëm shkrimtarë e veprimtarë shoqërorë shqiptarë, si arsimtarët e udhëheqësit shumëvjeçar të Lidhje së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”, Saime Isufi, Mahir Mustafa, Reshat Jonuzi, Hamzë Morina,  Nexhat Maloku dhe shumë mësuese si Nexhmije Mehmetaj  etj. si edhe brezi i ri i zonjave shqiptare shumë të suksesshme: Ylfete Fanaj, Shqipe Bajrami, Shpresa Jashari etj. dhe, ”dulcis in fundis” një mik zviceran e pedagog i shquar si prof.dr.dr.Basil Schader, i cili i bën nder Zvicrës, që e ka lindur e rritur, po edhe Shqipërisë e shqiptarëve, që tek ai kanë gjetur qysh prej shumë vitesh një vëlla të vërtetë, që duhet nderuar e vlerësuar ashtu siç e meritojnë miqtë e tillë: të mëdhenj e të shtrenjtë.

Këtu, natyrisht, mbaroi “hyrja” ime dhe, duke vazhduar të darkonim, vazhdon edhe përgjigjja e Nexhati dhe e Ramizes për pyetjet tona.

I dashur Nexhat, ti si një nga organizatorët dhe drejtues për shumë kohë i LAPSH «Naim Frashëri» në Zvicër, tashti që ke dalë në pension, si e vlerëson atë nismë dhe cilat kanë qenë sipas Jush frytet dhe arritjet e saj?

 

Shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër lindi si nevojë e domosdoshme për mësimin,  ruajtjen, kultivimin dhe zgjerimin e njohurive të gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kombëtar të nxënësve shqiptarë në Zvicër. Fundi i viteve 80-të u përshkua me një dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera, i cili ushtrohej nga sistemi represiv i Serbisë gjegjësisht i Jugosllavisë. Me mijëra familje gjetën strehim nëpër shtete të ndryshme të Evropës Perëndimore. Edhe në Zvicër u vendos një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare. Për dallim prej gjeneratave të mëhershme të emigrantëve, të cilët zakonisht ishin punëtorë që kishin emigruar në mënyrë individuale, tani po emigronin familje të tëra. Në klasat e shkollave nëpër kantonet e Zvicrës gjithnjë e më shumë po shtohej numri i fëmijëve shqiptarë. Shtimi i numrit të nxënësve,  lindi nevojën e organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, jashtë juridiksionit të Jugosllavisë së atëhershme. Institucionet arsimore zvicerane e mirëpritën organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, duke e mundësuar mbajtjen e mësimit në objektet shkollore edhe pse fillimisht ende nuk ishim njohur zyrtarisht si bartës të këtij mësimi.  Duke parë angazhimin dhe seriozitetin e komunitetit shqiptar në Zvicër, bashkëpunimi me institucionet zvicerane vazhdoi të forcohej gjithnjë e më shumë. Gjatë viteve vijuese numri i nxënësve shqiptarë të cilët vijonin në mësimin e gjuhës shqipe po shtohej gjithnjë e më shumë. Në këtë periudhë u angazhuan mësuese e mësues të cilët jetonin në Zvicër. Ata edhe pse me një përkrahje simbolike financiare, e cila bëhej nga prindërit e fëmijëve që vijonin mësimin, vazhduan me shumë vullnet të organizonin e mbanin mësimin në objektet shkollore nëpër lokalitetet e ndryshme në Zvicër. Mungesa e teksteve të përshtatshme për mësimin me grupmosha të ndryshme dhe në kushtet e emigrimit, krijonte vështirësi plotësuese për një mësimdhënie të suksesshme.

Fillimisht u forman dy lidhje, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë e cila përfshinte mësimdhënësit e angazhuar, kurse në anën tjetër u formua Lidhja e Prinërve Shqiptarë e cila përfshinte një numër prindërish e aktivistësh të devotshëm të cilët ishin të interesuar që të ndihmonin në hapjen e sa më shumë klasave në gjuhën shqipe. Pasi që Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Lidhja e Prindërve Shqiptarë kishin një qëllim të përbashkët, organizimin dhe mbajtjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, u zhvilluan takime dhe konsulta mes këtyre subjekteve dhe përfaqësuesve të qeverisë në egzil për të bashkërenduar aktivitetet për një organizim më të suksesshëm në periudhën e ardhshme. Fryt i këtyre takimeve ishte bashkimi i këtyre subjekteve në një organizëm, në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” Zvicër, në kuvendin konstituiv në Zofingen më 26 mars 1995. Në këtë kuvend, ku përpos kuvendarëve e mësimdhënësve, merrnin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve tona shtetërore në egzil, u zgjodh kryesia e re me kryetar Mahir Mustafën.

LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër u njoh zyrtarisht nga institucionet zvicerane. Kjo arritje bëri që organizimi dhe regjistrimi i fëmijëve shqiptarë për të ndjekur mësimin në gjuhën shqipe u rrit dukshëm, ashtu që nga mesi i viteve ’90-të numri i nxënësve arriti rreth 6000.

LAPSH «Naim Frashëri» në Zvicër sintetizon frytet e një pune vullnetmirë e të lëvdueshme, që niset nga parakushti i qartë teorik se mbijetesa e diasporave në vende të huaja ka pasur si shprehje kryesore synimin që emigrantët, krahas nxënies e përvetësimit të gjuhës (a gjuhëve) zyrtare të vendit, ku u bie fati të rrojnë e të përfshihen ekonomikisht e kulturalisht, ta ruajnë edhe gjuhën e vet amtare. Përvoja dhe rezultatet e mbërritura qysh prej 20 shtatorit të vitit 1990, kur për herë të parë u hap një klasë e mësimit shqip në Glarus nga mësuesja Drita Krasniqi, deri në këtë vit shkollor, që mësimi mbahet në 14 kantone të Zvicrës me rreth 2000 nxënës/-e, me të cilët punojnë 67 mësimdhënës/-e, ka dëshmuar bindshëm se ky mësim i ndihmon ata për të pasur sukses jo vetëm në zgjerimin e njohurive në gjuhën shqipe, por edhe për një sukses më të mirë në shkollën zvicerane. Përvoja dhe rezultatet e mësimit plotësues të shqipes në shkollat e shqiptarëve në Zvicër vërteton edhe postulatin teorik se diglosia (dialekt-gjuhë standarde shqipe) mund të shërbejë si shkallë e kalimit në dygjuhësinë e plotvlershme shqip-gjuhë e huaj (përkat.shqip-gjermanisht-në kantonet gjermanofone, shqip-frëngjisht në kantonet frankofone dhe shqip-italisht në kantonin italofon).

Ideatorët, drejtuesit dhe veprimtarët e LAPSH-së «Naim Frashëri» kanë mundur të bashkojnë e të krijojnë bashkëpunim të frytshëm, ndonëse jo të lehtë, të mësimdhënësve të gjuhës shqipe në shkollat shqipe të diasporës shqiptare në Zvicër, prandaj ajo që është kryer e mbërritur gjatë këtyre 35 viteve, duhet vlerësuar si veprimtari e rëndësishme arsimore, shkencore dhe kombëtare, e cila është përqafuar tashmë edhe nga Ministritë e diasporës së Kosovës e të Shqipërisë. Gjatë këtyre tridhjetë e pesë viteve (1990-2025) mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër e kanë vijuar mijëra nxënës, një numër i madh i të cilëve sot punojnë nëpër vende të ndryshme pune dhe kanë fituar kompetencë të mirë dygjuhësore dhe profesionale. Njohuritë e tyre gjuhësore një pjesë e tyre i përdorin edhe në punën e aktivitetet e tyre që shkon në dobi të ekonomisë zvicerane. Nuk duhet harruar që mësimi i gjuhës shqipe dhe ruajtja e identitetit të shëndoshë kombëtar ndikon drejtpërdrejt në mbajtjen e lidhjeve të forta me Atdheun dhe njëkohësisht ndikon fuqishëm në mbështetjen financiare të mijëra e mijëra familjeve në Kosovë dhe gjithashtu shton interesimin e mërgimtarëve për të investuar në fusha të ndryshme ekonomike në trojet shqiptare. Andaj është tejet e rëndësishme që shtetet tona të kenë një strategji afatgjate gjithëpërfshirëse për ta përkrahur mërgatën tonë dhe për ta intensifikuar bashkëpunimin e frytshëm të dyanshëm mes mërgatës dhe shteteve tona.

E mbështes sa tregoi Nexhati dhe  shtoj (më saktë rikujtoj) një vlerësim të mëhershëm timin.

Kjo tregon se, përtej postulatit të njohur se diglosia (dialekt-gjuhë standarde shqipe) mund të shërbejë si shkallë e kalimit në dygjuhësinë e plotvlershme shqip-gjuhë e huaj, përvoja e LAPSH-së përbën edhe një tregues e ndihmesë me vlerë pragmalinguistike, të cilën e kishim njohur edhe më parë në diasporën arbëreshe të Italisë: «kush ruan petkun e vet nëng u bën ljig të tjerëve» (kush ruan gjënë e vet nuk u bën dëm të tjerëve). Mund të themi se edhe teorikisht, kalimi nga një diglosi (bilinguizëm i çalë) në një dygjuhësi të plotvlershme gjuhë e huaj zyrtare-shqip ka gjithsesi vetëm vlera për një zhvillim dhe formim sa më të plotë të personalitetit dhe të mundësive shprehëse të emigrantëve shqiptarë që sot janë qytetarë zviceranë.

Një përmbledhje (natyrisht e thukët) e rrugëtimit tashmë 35-vjeçar të LAPSH “N.Frashëri”

Nexhati me gëzimin e njeriut që ka dhënë ndihmesën e vet të vyer e shumëvjeçare për mësimin e shqipes në shkollat e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër thekson:

LAPSH, pas kuvendit konstitutiv i bashkërendoi aktivitetet e shumta në dobi të mërgatës shqiptare në Zvicër. Përpos organizimit dhe mbajtjes së mësimit në gjuhën shqipe, u mbajtën qindra e qindra manifestime kulturore e informuese, gara diturie, u zhvilluan protesta për të mbështetur përprekjet e Kosovës për liri dhe gjithashtu u ndihmuan financiarisht fondet për çlirimin e Kosovës.

LAPSH, falë punës këmbëngulëse për sensibilizimin e  opinionit zviceran dhe bashkëpunimit me  mësimdhënësit zviceranë, ndikoi që disa kantone të përkrahin financiarisht për një periudhë edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe, siç ishin kantoni i Bern-ës, i Schwiz-it, i Zug-ut, i Gjeneve-s, Turgau-t dhe i Cyrihut. Gjithashtu edhe Shoqata e Mësuesve Zviceranë ndihmoi me një shumë simbolike mësimdhënësit e Kosovës gjatë viteve ’90-të.

Shpërthimi i luftës në Kosovë dhe dëbimi masiv i popullsisë pati për pasojë edhe strehimin e një numri të madh të refugjatëve në Zvicër. Institucionet zvicerane u gjendën përballë sfidave për t’i sistemuar shumë familje si dhe për të organizuar mësimin për fëmijët. Duke pasur parasysh që shumë fëmijë e të rinj nuk kishin pasur mundësitë për të marrë një arsimim cilësor në Kosovë, për shkak të mbylljes së shkollave dhe organizimit të sistemit të pavarur, u mendua që të organizohej një shkollim paksa i veçantë i këtyre fëmijëve, ku në të njëjtën kohë do të mësonin gjermanisht por edhe shqip. Për të zbatuar këtë projekt institucionet arsimore zvicerane organizuan bashkë me LAPSH-në të ashtuquajturat Klasat e veçanta plus në të cilat punonin dy mësimdhënës në një klasë:  njëri zviceran e tjetri shqiptar. Ky projekt pati ndikim pozitiv tek nxënësit shqiptarë, ngase ata mësuan njëkohësisht gjermanishten dhe i thelluan njohuritë e tyre në gjuhën shqipe, të cilat i ndihmuan ata pas kthimit të tyre në Kosovën e çliruar për t’u reintegruar në sistemin arsimor të Kosovës.

Në mënyrë që ky projekt të zhvillohej në kushte sa më të mira, u organizuan edhe seminare për t’i përkrahur mësimdhënësit e angazhuar. Seminaret u udhëhoqën nga ligjërues zviceranë dhe shqiptarë si Basil Schader, Rolf Gollob, Petra Hild, Elisabeth Hösli, Therese Halfide, Katherina Washington, Mahir Mustafa, Nexhat Maloku etj. Një seminar i veçantë gjashtëmujor u organizua për t’i përgatitur një numër të mësimdhënësve te cilët do të ktheheshin në Kosovë, në mënyrë që njohuritë e fituara t’i bartnin tek kolegët e tyre në shkollat e Kosovës. Rezultat i këtij seminari ishte një projekt i cili u zbatua për tetë vite në Kosovë në komunat e Gjilanit, Vitisë dhe Dardanës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, një numër i madh i nxënësve që kishte ndjekur mësimin në gjuhën shqipe u kthyen bashkë me familjet e tyre në Kosovë, e me ta edhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve të cilët kishin dhënë kontributin e tyre në kuadër të LAPSH-së. Fillimi i shekullit të ri e gjeti LAPSH-në para sfidave të reja. LAPSH mbajti kuvendin e radhës në dhjetor të 1999 ku u zgjodh kryesia e re me në krye Nexhat Malokun, e cila mori detyrën nga kryesia e mëparshme e udhëhequr nga Reshat Jonuzi. Në këtë periudhë u vazhdua me përpjekjet për të gjetur burime financiare për një mbarëvajtje më të mirë të punës, ku institucioneve zvicerane iu dorëzua një projekt i detajuar, pjesa dërmuese e të cilit nuk u mor parasysh, me përjashtim të një cikli seminaresh për ngritjen profesionale të mësimdhënësve, ku përpos ligjëruesve zviceranë morën pjesë edhe ligjërues nga Kosova e Shqipëria.

Në këtë periudhë u vërejt një rënie e konsiderueshme e numrit të nxënësve, me gjithë përpjekjet e Këshillave Kantonalë për ta mbajtur numrin e arritur gjatë mesit të viteve ’90.   U krijua gjithashtu një shpresë se tani institucionet e Kosovës së lirë do të merrnin përsipër organizimin e Shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër.

Gjatë dekadës së parë të viteve 2000 u organizuan edhe disa manifestime të rëndësishme kulturore. Në qershor të 2000 u mbajt manifestimi për 10-vjetorin e Shkollës shqipe në Zvicër si dhe u organizuan takime të nxënësve, vizita kulturore në Atdhe dhe gjithashtu u festua Dita e mësuesit, ku përpos mësuesve të angazhuar merrnin pjesë edhe shumë prindër e nxënës.

Më 16 shtator 2001 në Bern u mbajt një seminar me mësuesit nga kantonet e ndryshme të Zvicrës. Në këtë seminar ligjëruan prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Leonora Shkurtaj dhe prof.dr.dr. Basi l Shader. Seminare për ngritjen profesionale të mësimdhënësve janë organizuar në vijimësi edhe në dekadën e fundit, në të cilat kanë referuar profesionistë të fushave të përkatëse.

Përfaqësues dhe aktivistë të LAPSH “Naim Frashëri” Zvicër, vitet ’90-të

LAPSH organizoi Konferencën kombëtare të shkollës shqipe në diasporë, e cila u mbajt në qershor 2003 në Bernë, ku merrnin pjesë ministrat e arsimit nga trojet shqiptare, mësimdhënësit e angazhuar në Zvicër dhe përfaqësues të shkollave shqipe nga vendet e ndryshme të Evropës. Kjo konferencë krijoi bazën e mirëfilltë për institucionalizimin e Shkollës shqipe në diasporë, por fatkeqësisht vendimet e saj mbetën të pazbatuara nga ministritë tona, që ndikoi negativisht tek shumë arsimdashës të cilët kishin shpresuar se shkolla shqipe do të vihej në binarë shtetëror. Në këtë kontekst, së paku Ministria e Arsimit në Kosovë krijoi një njësi për shkollën shqipe në diasporë e cila u udhëhoq me sukses nga Nuhi Gashi, i cili kishte edhe përvojën e mëhershme të mësuesit të mërgatës. Një kontribut të mirë për ngritjen e mëtejme profesionale të mësimdhënësve në mërgatë dha Seminari i përvitshëm veror i cili filloi të mbahej nga viti 2005 në qytete të ndryshme të trojeve shqiptare, fillimisht organizuar nga MASHT e Kosovës e prej 2007 së bashku me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

LAPSH organizoi gjithashtu edhe 20 dhe 30 vjetorin e aktivitetit të saj në të cilat morën pjesë nxënës, prindër, mësues, aktivistë e përfaqësues të institucioneve tona shtetërore dhe të atyre zvicerane.

LAPSH ka mbajtur në vazhdimësi kuvendet e saj, qoftë në nivel të kantoneve apo në nivël të Zvicrës. Në këto kuvende është debatuar për rrugët që duhet ndjekur, në mënyrë që mësimi plotësues të merret përsipër nga shtetet tona, por deri më tani nuk është arritur shumë.

Një punë shumë e rëndësishme në këtë periudhë u bë me botimin e 18 fletoreve tematike për të tri nivelet, projekt ky i cili u realizua në bashkëpunim të ngushtë mes MASHT të Republikës së Kosovës me Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku si bashkautorë nga Zvicra u përfshinë mësuesja Nexhmije Mehmetaj dhe mësuesi Nexhat Maloku. Këto fletore tematike gjatë viteve të kaluara shtypeshin në Kosovë dhe shpërndaheshin falas në shumë vende të Evropës në të cilat organizohet mësimi plotësues  i gjuhës shqipe. Në vitet e fundit këto janë zavendësuar me tekstet e reja në përputhje me Kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë.

Një ndihmesë të rëndësishme për një mësim sa më kualitativ ka dhënë projekti i prof.dr.dr. Basil Shader, anëtar nderi i LAPSH-së, në kuadër të të cilit projekt përfshihen shtatë tekste didaktike të përbëra nga një tekst kryesor “Bazat dhe arsyet” dhe gjashtë tekste praktike për fushat e ndryshme si “Përkrahja e të shkruarit në gjuhën e parë”, “Përkrahja e të lexuarit në gjuhën e parë”, “Përkrahja e komunikimit gojor”, “Përkrahja e kompetencës ndërkulturore”, “Strategji dhe teknika të të mësuarit” dhe “Rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës standarde”, të cilat e kanë plotësuar shumë fushën e literaturës për sa i përket mësimdhënies me grupmosha të ndryshme dhe kanë përkrahur mësimdhënësit në zhvillimin e aftësive për një mësimdhënie sa më të suksesshme. Këto tekste janë përkthyer në gjuhën shqipe dhe janë shpërndarë falas tek mësuesit shqiptarë.

Veprimtaria e LAPSH-së është përcjellë me vështirësi të ndryshme, të cilat kanë penguar për të arritur një përfshirje të madhe të fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Por, falë këmbënguljes së shumë mësueseve e mësuesve dhe prindërve e aktivistëve të ndryshëm, është arritur që shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër të hyjë në dekadën e katërt të veprimtarisë së saj. Shpresa e të gjithë mësimdhënësve është që shtetet tona të marrin përsipër organizimin shtetëror të mësimit plotësues ngase vetëm kështu do të arrihet që shkollën shqipe ta vijojnë në njumër shumë më i madh i nxënësve shqiptarë dhe mësuesit/mësueset do të kenë kushte të përshtatshme për të zhvilluar një mësim kualitativ.

Së mbrami, edhe diçka për ata që duan të dinë:
Sa është numri i shqiptarëve nga Kosova që kanë emigruar në Zvicër, në cilat kantone a qendra gjenden dhe si janë përfshirë në jetën dhe shoqërinë zvicerane?

Numrin e saktë të shqiptarëve të cilët jetojnë në Zvicër është e vështirë ta themi, ngase një numër i tyre tashmë janë shtetas zviceranë dhe statistikat janë me të dhëna që ndryshojnë nga njëra-tjetra, por konsiderohet se në shtetin helvetik jetojnë rreth 300000 shqiptarë nga trojet etnike shqiptare. Pjesa dërmuese e tyre vjen nga Kosova (rreth 70%) pastaj nga Maqedonia e Veriut (rreth 25%) dhe një pjesë më e vogël nga trojet tjera shqiptare. Shqiptarët janë vendosur pothuajse në çdo kanton të Zvicrës por shumica e tyre jetojnë në qendra të mëdha si Cyrihu, Berna, Gjeneva, St. Galleni, Bazeli, Arau etj. Për dallim nga periudhat e mëhershme ku shqiptarët ishin shumë pak të përfshirë në shoqërinë zvicerane, në periudhën e fundit kemi një pjesëmarrje aktive të shqiptarëve në sfera të ndryshme të shoqërisë zvicerane, duke filluar nga ekonomia, shëndetësia, sporti, arsimi, muzika e deri te pjesëmarrja në jetën politike. Këtë intergim të kënaqshëm e kanë theksuar edhe institucionet e mediat zvicerane. Natyrisht ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, ngase vërehen edhe ngecje apo orientime të gabuara të cilat e dëmtojnë komunitetin shqiptar në Zvicër.

Si paraqitet gjendja e komunikimit gjuhësor të mërgimtarëve shqiptarë simbas brezave: të ardhurve që kanë lindur në Kosovë dhe të bijve e bijave të tyre që kanë lindur e po rriten në Zvicër?

Komunikimi gjuhësor ka nuanca ndryshimi nga brezi në brez. Derisa brezat e mëhershëm të cilët kanë emigruar në Zvicër gjuhën shqipe e kanë përvetësuar në atdhe dhe shumica prej tyre e kanë folur dhe e flasin në nivelin dialektor e më pak në gjuhën standarde, gjenerata e re e cila ka lindur e po rritet në Zvicër për sa i përket gjuhës shqipe, komunikon të shumtën në dialekt apo të folmen familjare. Një numër i vogël i të rinjve e të rejave të cilët kanë pasur fatin të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe e zotëron mjaft mirë edhe gjuhën standarde. Në bazë të përvojës sime shumëvjeçare në mësimdhënie mund të them se shumica këtyre nxënësve të cilët e ndjekin rregullisht mësimin plotësues gjatë nëntë viteve të shkollës fillore, e arrijnë një nivel të kënaqshëm të zotërimit të aftësive gjuhësore në gjuhën standarde shqipe. Pra mund të them që nxënësit dhe nxënëset nuk i zgjerojnë në gjuhën shqipe vetëm shkathtësitë bazë komunikuese, të cilat i përdorin në përditshmëri, të ashtuquajturat Basic Interpersonal Communicative Skills BICS (Aftësitë bazale të komunikimit ndërveprues). Ata fitojnë në mënyrë plotësuese edhe kompetencat gjuhësore të cilat janë vendimtare për të mësuarit kognitiv në shkollë: die Cognitive Academic Language Proficiency CALP (Aftësitë kognitive akademike për përdorimin e gjuhës). “Janë këto kompetenca CALP, të cilat ua lejojnë atyre që të kuptojnë gjendje faktike komplekse dhe të kuptojnë abstrakten, të njohin marrëdhëniet shkakore ose të strukturojnë një tekst. Prandaj mësimi i Gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare e përkrah kalimin nga regjistrat BICS tek regjistrat CALP. Ai e forcon vetëdijen e nxënësve dhe nxënëseve për dallimet mes regjistrave të fjalëve dhe i mëson ata se si mund t’i përdorin ato”. (Plani mësimor kornizë)

Por kemi edhe fenomenin kur mjaft të rinj e të reja gjatë komunikimit, kur nuk e dinë një fjalë në gjuhën shqipe, atëherë e përdorin fjalën përkatëse të gjuhës gjermane apo frenge a italiane, fenomen ky i cili haset edhe te nacionalitetet tjera, i ashtuquajturi kod-suiçing, dhe i cili përdoret më shumë në aspektin ndihmës por kemi edhe fenomenin kur grupe të të rinjve zhvillojnë një kod të tillë. Gjendja gjuhësore e gjeneratës së re është e larmishme. Një numër i të rinjve e flasin shqipen në një nivel të kënaqshëm, ngase në familjet e tyre flitet gjerësisht shqipja, ndoshta kanë edhe një bibliotekë të vogël me libra në gjuhën shqipe, një numër tjetër kanë një mbështetje më të vogël nga familja por ata e kompenzojnë këtë me përdorimin e medias e sidomos të muzikës shqipe të cilën e dëgjojnë me ëndje, por fatkeqësisht ka edhe një numër të fëmijëve të cilët kanë vështirësi serioze për të komunikuar në gjuhën shqipe, ngase ata nuk e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe prindërit e tyre flasin me ta në gjuhën e vendit ku jetojnë dhe mundësinë e përvetësimit të gjuhës shqipe e kanë shumë të kufizuar. Duke pasur parasysh se nxënësit në shkollën publike mësojnë njëkohësisht disa gjuhë, ata e ndiejnë për obligim shkaku edhe i suksesit shkollor që të fokusohen në përvetësimin e tyre, andaj shqipja zhvendoset si gjuhë e dytë apo e tretë. Në anën tjetër, mungesa e mbështetjes institucionale nga ana e shteteve prej nga vijnë shqiptarët ka bërë që shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër gjatë tërë veprimtarisë së saj nuk ka mundur t’i arrijë qëllimet e synuara dhe si pasojë një numër i madh i fëmijëve shqiptarë nuk e kanë ndjekur mësimin shqip.Nëse vazhdon një mosangazhim i tillë edhe në të ardhmën, gjuha shqipe do të rrezikohet seriozisht të ndrydhet edhe më tutje.

 

Exit mobile version