Shqipëria është shtëpia e të gjithëve dhe askush nuk fiton kur ajo humbet.
Albert Z. ZHOLI
Sot…Pra sot kur situata po degjeneron…A është e drejtë t’i fryjmë zjarrit të urrejtjes? A e dini se, në disa raste, studentë që nuk i kanë njohur, kanë qëlluar me gurë dhe molotovë baballarët dhe xhaxhallarët e tyre? Po, nga ana tjetër a e dini se, në këtë protestë, shumë policë kanë qëlluar fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre? Me këtë gjuhë do të flasim? Polici ta shohë studentin si armik dhe studenti policin po ashtu? Kur shkruan se jam kundër dhunës, të thonë se i bën fresk Ramës. Arsyeja? Kur shkruan se, në raste të veçanta, duhet të ketë distancim nga politika e urrejtjes, të thonë se i bën fresk X apo Y. Po kur do të flasim për atë që po ndodh me Shqipërinë? Në këtë rast, përveçse dëmtohen studentët dhe policët, më shumë dëmtohet Shqipëria, si fizikisht, ashtu edhe në sytë e opinionit botëror. A nuk duhet të na shqetësojë kjo të gjithëve?
Kur shqiptarët përleshen, plagosin dhe vrasin njëri-tjetrin, kush përfiton?
Kur digjen dyqane, plagosen student apo polic, shkatërrohen prona dhe vendi zhytet në kaos, kush e gëzon këtë situatë? Përfitojnë ata që duan një Shqipëri të dobët, të përçarë dhe të destabilizuar. Përfitojnë kundërshtarët e interesave tona kombëtare, ata që nuk e duan Shqipërinë të bashkuar, të qëndrueshme dhe të zhvilluar. Ata që vuajnë për pushtet dhe privilegje. Ata që nuk duan të na shohin në familjen e madhe BE… Në historinë tonë nuk kanë munguar kurrë ata që kanë pritur çastin kur shqiptarët të kthehen kundër njëri-tjetrit, për të realizuar interesat e tyre dhe synimet që cenojnë tërësinë e trojeve shqiptare. Prandaj, duhet të mendojmë përtej inatit të çastit dhe interesave të ngushta partiake. Kur shqiptari ngre dorën kundër shqiptarit, nuk plagoset vetëm njeriu, por edhe vetë Shqipëria. Kur ne shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar me mund, u hapim rrugë atyre që duan të na shohin të dobët. Askush nuk duhet të harrojë se gjaku i derdhur, urrejtja dhe përçarja nuk i shërbejnë popullit shqiptar. Në demokraci, pushteti fitohet me votë. Zgjedhjet mund të vijnë në kohën e tyre, por vota e lirë mbetet rruga demokratike për të ardhur në pushtet dhe për të ndryshuar qeverisjen. VOTA! Dhuna nuk zgjidh asgjë; ajo thellon përçarjen dhe plagos shoqërinë. Në këtë situatë kaotike, Shqipëria ka nevojë për maturi, dialog dhe një gjuhë që na bashkon të gjithëve. Sigurisht, vendi ynë ka shumë probleme: varfëri, emigrim, korrupsion dhe shqetësime të shumta sociale. Por dhuna nuk është rruga për zgjidhjen e tyre. Po shohim policë dhe studentë të plagosur, dyqane që digjen, semaforë dhe prona publike që shkatërrohen. Këto pamje duhet të na shqetësojnë të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike. Pas çdo polici dhe çdo studenti që plagoset, qëndron një familje, prindër dhe njerëz që vuajnë. Në këtë situatë delikate, shqetësues është edhe rreziku që pakënaqësia e studentëve të përdoret nga aktorë të ndryshëm politikë dhe më tej, (ata që na kanë hal në sy) për interesat e tyre. Disa drejtues partish të vogla mund të tundohen ta shfrytëzojnë situatën për t’u shfaqur si protagonistë, për të fituar vëmendje publike apo për të ushqyer populizmin. Studentët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre, por askush nuk duhet t’i përdorë ata si instrument për ambiciet politike. Qeveria ka përgjegjësinë të dëgjojë qytetarët, të reflektojë dhe të japë përgjigje konkrete. Protestuesit kanë përgjegjësinë të ruajnë karakterin paqësor të protestës, ndërsa çdo akt dhune duhet të trajtohet me përgjegjësi, sipas ligjit. Sot nuk kemi nevojë për më shumë urrejtje, por për më shumë arsye. Jo për më shumë përplasje, por për më shumë dialog. Kjo është një situatë tepër delikate dhe kërkon përgjegjësi nga të gjithë: nga qeveria, opozita, drejtuesit politikë, policia dhe vetë protestuesit. Unë jam për çdo ndryshim që i shërben interesit kombëtar, për çdo reformë që përmirëson jetën e qytetarëve dhe për çdo lëvizje që e çon Shqipërinë përpara, por jo përmes dhunës, urrejtjes dhe shkatërrimit. Jam për drejtësinë VOTEN, por jo për urrejtjen. Jam për Shqipërinë dhe për një të ardhme ku kundërshtari politik nuk shihet si armik, por si një bashkëqytetar me të cilin mund të mos biem dakord, pa u urryer. Jam për dialogun, për përgjegjësinë dhe për bashkimin. Jam kundër urrejtjes dhe ndarjes së shqiptarëve në armiq. Shqipëria është shtëpia e të gjithëve dhe askush nuk fiton kur ajo humbet. Armiku duatroket kur shikon situata të tilla tragjike…. Dhe nuk kemi pak armiq!

