REKTIMË
S’di pse më merr malli të shoh Shkupin
E atje s’është Lumi
As Baci Bajram nuk zdirgjet Grykës
së Kaçanikut
S’di pse
N’ujëra të Vardarit i fus thellë duart
E më terrohen sytë
S’di pse hapat më ngatërrohen
E shiu më ndjek pas
Derisa të kyçem në shtëpi
S’di pse
Për njëmend s’di pse
Shkupi më dhemb në shpirt
VAJTOJCAT E REKËS
Josif Bagerit
Kur vjen e diela
oh kur vjen e diela
në të zeza veshet Reka
Gozhdave varin
Gjuhën e Dhunës
dhe Zotin e huaj
Nga Mali i Thatë
në Malin e Shenjtë
fluturon Qyqja
Kur vjen e diela
oh kur vjen e diela
e diela kur vjen moreee
Vajtojcat e Rekës
zbresin te varret
e qajnë shqip
(Gostivar, 17.03.1993)
BETEJA E ASKUJT
I. Kadaresë
Pasi zogun e zi e kishte lëshuar nga kafazi
vasko popa shkroi poezinë më të përçuditshme
se tërë krijuesit sllavë
ajo që frymonte në fjalë në vargje në libra
ajo që hijonte në legjenda në magjizezën
bënin sfidë, se ulërinte ujku
lexuesi Mitin e Kosovës e kuptoi prandaj
si e ndiente në të vërtetë
dhe si e shihte në pasqyren e hijeve
u desht kohë e gjatë të shkundullojë mali
derisa shpalosej fjalë e grisur
mbi betejën e askujt
dhe rastësisht krejt rastësisht u shfaq kadareja
në rozë përderisa kthente nga një shëti
nëpër kohë të errëta e plot nerva popujsh
(1980)
KUSH DO TA VRASË UJKUN
f. Altimarit
Dhe lëtini tha
Po qe se takon
Arbëreshin dhe ujkun
Vraje Arbëreshin
Dhe kur fjala i ra në vesh
Arbëreshi buzëqeshi
Dhe drodhi një cigare
Po që se më vret mua
more i gjorë
Kush do ta vrasë
Ujkun
Mjerë kopeja
(Kozencë, 1988)
PLANETI I PURPURT
për të zhdukurit
Nëna Terezë nga Dardania,
mbështillte me një shall,
Planetin e purpurtë
Pëllumbi i egër, fundin e guves
Kishte prekur,
Dhe çokiste vezen mitike
Zymtësinë e dherave ilire do e fshehë,
Krahu i tij i përgjakur
Po që se e pushton dhe qiellin
Maje shpatës